10 VJET NGA KONFLIKTI I PËRGJAKSHËM NË KUMANOVË

Aktualiteti i mërzitshëm politik shqiptar me sagën, zhugën, paszgjedhore në Kosovë dhe me kontestimet e zgjedhjeve në Shqipëri lanë në heshtje një përvjetor të trishtë:

 

10 vjetorin e konfliktit të importuar e të armatosur në Kumanovë.

 

Më 9 dhe 10 maj 2015, në Kumanovë ndodhi një përleshje e armatosur mes forcave të sigurisë maqedonase dhe një grupi të armatosur shqiptarësh, kryesisht nga Kosova.

Me atë rast u vranë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë të Maqedonisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Menjëherë pastaj një valë e tërë arrestimesh përfshiu disa dhjetëra shqiptarë.

Dy vjet më vonë në një proces gjyqësor u dënuan 33 shqiptarë për terrorizëm, disa prej tyre me burg të përjetshëm.

Dënimet qenë drakoniane, por gjykimi nuk shpërfaqi misterin e këtij aksioni që ishte planifikuar nëpër Zyrat e shërbimeve sekrete.

Elitat politike shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovë, as pas 10 vitesh, nuk morën mundin me ia hjekë pelerinën e zezë gropës me gëleqere ku, bashkë me Gruevskin e bagerat e tij, i hudhën lakuriq disa idealistë shqiptarë që besonin se po sakrifikohen për liri.

Njërën prej analizave më të sakta kësaj tragjedie ia pati bërë intelektuali i spikatur, Emin Azemi, ku, ndër të tjera thotë:
“…
Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhusorur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë.

Fatkeqësisht jo pak njerëz vullnetmirë në Kosovë më me rëndësi e kishin t’i shpallnin heronj këta djem që ranë në Kumanovë, se sa të çjerrnin maskën e harbutëve të gjithë atyre që i futën këta djem në gërshërë, në një rrugicë qorre të një lagjeje të varfër të Kumanovës, aty ku idealistët e kishin mendu të hyjnë, por kishin qenë matrapazët dhe harbutët ata të cilët e kishin mendu mosdaljen nga kjo rrugicë.

Në rrugët pa dalje hyjnë ose njerëzit që nuk i njohin taktikat e luftës guerile, që nuk ishte në rastin e “grupit të Kumanovës”, ose në ato rrugë të fut dikush, me premtimin se “lehtë ia bëjmë, mjafton të shkrepen disa rafale…”*
Burim: https://koha.mk/skenaristet-ne-liri-aktoret-ne-burg/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*