Shkruan:
Xhafer Shatri
Zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore dëshmuan se serbët e Kosovës vazhdojnë të jenë peng i luftës që Serbia po vazhdon ta bëjë për territore.
Mediet serbe, por edhe ndonjë kalemxhi shqiptar, refuzimin e serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje e krahasuan me refuzimin kolektiv të shqiptarëve ndaj shtetit serb në vitet e apart’heidit.
Ajo qasje si dhe çdo përpjekje e Vuçiqit dhe aparatit të tij për aso analogjie është një sajesë monumentale. Ja pse:
1. Serbia që nga Luftërat Ballkanike e deri sot ka dëshmuar se nuk shqetësohet fare për fatin dhe mirëqenien e serbëve në Kosovë, por për territorin ku ata jetojnë.
2. Kosova ishte e detyruar t’i mbajë zgjedhjet për të mos lejuar edhe më tutje vakum institucional; Ato i pengoi drejtpërdrejt Serbia, përmes propagandës dhe përmes dhunës duke përdorur strukturat kriminale, të cilat po ifrikësojnë serbët lokal e ndonjërin prej tyre edhe e kanë vrarë, nëse ua ka prishur hesapet në zgjedhje;
3. Praktikat e apart’heidit dhe terrorit shtetëror të Serbisë në Kosovë i refuzonte një Lëvizje e fuqishme paqësore që udhëhiqej nga një intelektual evropian, me emrin Ibrahim Rugova; ndërsa serbët e Kosovës po i “udhëheq“ me dajak Milan Radoiçiq, një person i akuzuar për vrasje e plaçkitje masive e i shpallur person nongrata nga Amerika dhe Mbretëria e Bashkuar;
4. Serbëve të Kosovës nuk ua imponon askush as kandidatët, as partitë; nuk i ndjekë askush nga shtëpitë e tyre, nuk i arreston dhe nuk i vret, nuk i nxjerr nga puna për shkaqe etnike ose politike, nuk ua mbyllë objektet shkollore e universitare, nuk ua imponon planprogramet shkollore…;
5. Serbët e Kosovës, përmes pakos së Ahtisarit, i kanë të gëdhendura në çdo germë të Kushtetutës, të gjitha mundësitë dhe liritë për të jetuar të qetë, në siguri të plotë e në paqe me shqiptarët; Por, mjerisht, ata, të yshtur nga Beogradi, nuk i shfrytëzojnë të drejtat e shumta që kanë, sepse po duan që me çdo kusht në hartën e Kosovës të krijojnë vija etnike që një ditë, në rrethana të tjera gjeopolitike, t’i kthejnë në kufij.
6. Ka mbi 20 vjet që serbët që jetojnë në 4 komunat në veri të Kosovës nuk kanë paguar as tatimin, as rrymën, as ujin. Ndërkaq shqiptarët e Kosovës gjatë viteve 80′-të e 90′-të, prej të parit e deri te i fundit, kanë qenë objekt i plaçkitjeve masive nga strukturat e Serbisë, i të gjitha të mirave materiale, prej bereqetit në kosh e deri te stolitë në qafë të grave;
…
Zgjedhjet e fundit lokale në veri të Kosovës do të mbahen mend edhe për faktin e pashëmbullt në histori, njëkohësisht me to, Serbia organizonte manovra ushtarake me më se 5000 ushtarë… Ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë e serioz sidomos për serbët e Kosovës, të cilët Serbia nuk i trajton ndryshe pos si mish për top.
Për të qenë real, gjendja e serbëve të Kosovës nuk është e lakmueshme, sepse janë, si të thuash në mes kullës dhe çekanit; Serbia u premton se do t’i jenë pjesë integrale e saj, Kosova dhe realiteti ua thonë krejt të kundërtën.
Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare po koketon me Vuçiqin duke e toleruar me një lehtësi të padurueshme politikën e tij luftënxitëse.
E vetmja gjë e mirë në këtë krizë të përhershme është se, tash së fundit, në Washington nuk po dëgjohet vetëm Kristofer Hill, por edhe ambasadori në Prishtinë, Hanovijer, i cili përsëriti qëndrimin e qartë: zgjedhjet u organizuan në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Kjo është shumë me rëndësi sepse dëshmon për një komunikim normal të administratës amerikane me institucionet e Kosovës.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment