MYSAFIRËT E PAFTUAR

Shkruan:
Xhafer Shatri

Apo nje rrëfim ndryshe për qentë endacakë të Kosovës

Miq e dashamirë të Republikës!

Ka të paktën 10 vjet që në Lagjën e Poshtme të Tomocit, fshat në komunën e Istogut, si gati në çdo vendbanim të Kosovës, jetojnë e mbijetojnë nga një tufë qenësh endacakë.

Këtu te ne, shef i tyre është Çapi, një qen i mbarë, të cilin e duan e gjithë Lagjja. Për të kujdesen, e ushqejnë, disa familje, e sidomos nëna ime, Nana Timë, që ditën e Shëngjergjit që shkoi i mbushi 104 vjet.

Të jesh qen endacak dhe ta obligosh një plakë në atë moshë të kujdeset maksimalisht me ushqim dhe me të gjitha për të, ai qen, pra Çapi, duhet të ketë kualitete krejt të veçanta. Dhe ky vërtetë i ka me bollëk: është i bukur, është i pastër (kurrë nuk e kryen nevojën në oborr), është i zgjuar. Besomëni se nuk e teproj nëse them se Çapi është një qenie vërtetë fisnike, është mirënjohës, është i sjellshëm, ka dinjitetin e njeriut të ndjeshëm, nuk sulmon askënd…

Por e ka një ves, i do femrat (kudrat) shumë. Mendt e lënë pas tyre. Njëra që është pjesëtare e tufës, pjell, bile tri herë në vit. Dhe Çapi është kryeshaci apo kryeburri i saj!

Nuk di çka ndodhë me klyshët, por shumicën i marrin kalimtarët. Ndonjë syresh që mbetet, i bashkangjitet tufës.

Para disa muajsh, tufës i është bashkangjitur edhe një qenushe e vogël dhe shumë e bukur (Nuk e di se a bën kjo pjesë në haremin e larmishëm të Çapit?)

Para dy javësh e vërejta se është shtatzënë dhe se shfrytëzonte çdo mundësi për të depërtuar në oborrin e Nanës Timë.

* * *

Ka dhjetë ditë, një mëngjes, Nana më tha: Moj Loke, ka pjellë ajo kudra e vogël…, i kishte lindur tre këlyshë, në fund të oborrit tonë, mu nën bli!

Unë: Ani halli?

Nana: M’ka ra në dorë dhe nuk mund të bëj ballë me e qitë në sokak, bile pa u rritë këlyshët. Ajo ka mundur të përvidhet në plot familje të tjera, por, jam e sigurt se jorastësisht, ka ardhë te une…

Unë: Ti këtu je zot shpie dhe vendos si të duash.

Dy herë në ditë e ushqejmë qenushën, sidomos Nana. Këlyshët e saj po rriten shpejt. Qenushja, që ne i themi dikush Lahusë e dikush Bukuroshe, kujdeset për fëmijtë e saj me një përkushtim të jashtëzakonshëm.

E kemi një dilemë: çka të bëjmë me Llahusën-Bukuroshën dhe këlyshët e saj kur ata të jenë rritur? Sepse Nana është e moshuar dhe ne nuk jemi rregullisht në Tomoc?! Aq më tepër kur tash bashkë me Çapin legjendar po na bëhen 5 qenë!!!

( Sot mësova se kryedashnorja e Çapit, ishte futur në oborrin e nipit tim, Kushtrimit, dhe e kishte «gëzuar» me 6 këlyshë!!!)

Kështu që Lagjja jonë tash i ka hiç më pak se 16 qenë…

Mendoj se, pavarësisht faktit se jemi Lagje rrebele që ka qenë dhe ka mbetur në sy të keq të të gjitha pushteteve, meritojmë një mirënjohje modeste për këtë kontribut konkret në ruajtjen e emrit të mirë të Kosovës te të gjithë dashamirët evropianë të kafshëve…

* * *

Ditë më parë në medie lexova për një njoftim të zotit Faton Peci, ministër i Bujqësisë, lidhur me një Udhëzim Administrativ, përmes të cilit mëtohej të zgjidhet ky problem i mprehtë e i pranishëm gjithandej në Kosovë.

Udhëzimi ishte konkret, por, si duket, komunave u duhet shumë kohë derisa t’ia nisin me zbatimin e tij.

( A propos: Ministri Peci më duket zyrtari me serioz i të gjitha qeverive të Kosovës, sepse e ka ndalur hajninë me grante e tendera dhe ka kontribuar më së shumti në mbështetjen e prodhuesve dhe blegtorëve vendor.)

Krejt në fund: uroj që ky shkrim modest të lexohet nga ndonjë zyrtar-e i (e) kësaj ministrie dhe të na ndihmojnë disi që ta zgjidhim këtë problem pa cënuar me asgjë të drejtën për jetë të këtyre qenëve që, në një mënyrë, janë pjesë e fatit të Kosovës.

Dhe, besoj, se shteti ynë do ta zgjidhë këtë problem të mprehtë njëherë e mirë dhe gjithandej e në çdo komunë duke dhënë shëmbullin e mirë të bashkëjetësës e njerëzillëkur edhe në këtë fushë.

* * *

Duhet të nënvizoj se, ditë më parë, kam lexuar në KoSSev, portal serioz në gjuhën serbe me seli në Mitrovicë, një seri shkrimesh shëmbullore përmes të cilave denoncohet me shqetësim të ligjshëm qytetar dhe profesionalizëm të mirëfilltë, vrasja ose helmimi masiv i qenëve endacakë gjithandej në të katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit tonë.

Kam bindjen se edhe prapa këtij qenocidi qëndrojnë strukturat kriminale, të cilat financohen nga Beogradi me një qëllim të vetëm: ta destabilizojnë Kosovën duke ua bërë të padurueshme jetën njerëzve, pavarësisht etnisë…, dhe gjithashtu jo vetëm të padurueshme por realisht të pamundur jetën edhe qenëve që kanë pasur fatin e zi të mbeten pa zotë, në kërkim të një strehe gjithandej rrugëve të Kosovës dhe që nga Lufta e këtej.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*