3. ELITAT POLITIKE TË KOSOVËS DHE NEGOCIATAT ME SERBINË

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kosova doli nga Lufta pa institucione dhe pa struktura elementare për t’u përballur me gjendjen që krijon përfundimi i një qëndrese të gjatë e lufte tèe tmershme. Për pasojë, një popull i vogël, i djegur e i vrarë, sundohej nga 4 qeveri: UNMIK-u, Qeveria e Bukoshit, Qeveria e Thaçit dhe qeveria e Angjelkoviqit.

Kjo krejtanarki, të shumtën, ishte për shkak të shpartallimit të elitave të Kosovës, të institucioneve të saj, në radhë të parë.

Serbia kishte punuar shumë dhe gjatë që, edhe pas intervenimit të Natos, të krijonte kaos në Kosovë, sepse vetëm përmes mjegullës së kaosit brendashqiptar, ajo do të mund ta shpëtonte më lehtë atë që mund të shpëtohej pas kapitullimit në Kumanovë.
Në ato rrethana të turbullta, që krijon ardhja e Lirisë së munguar me shekuj, Kosova, kishte nevojë jetike për një zë të përbashkët, për një unitet minimal për çështjet më themelore që nënkupton fjala mbijetesë:
a. një platformë e përbashkët përfaqësimi përballë atyre që na kishin ndihmuar të çlirohemi;
b. një platformë e përbashkët për të ardhmen e Kosovës;

c. një platformë, gjithsesi e përbashkët, për përballjen me Serbinë në rrethana të reja…

Në mungesë të kësaj vetëdijeje elementare, në vend sundonte një kakofoni e padurueshme që shurdhonte dhe torturonte çdo mendje me këmbë në tokë.

Veç Serbisë, kjo gjendje i shkonte përshtati edhe një morie ndërkombëtarësh që përlanin e shkrryenin çdo gjë që u dilte përpara në tokën e djegur të një populli që nuk kishte jo vetëm kulm mbi kokë, por as brekë për t’u mlu.

Duke pasur përvojën e Luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe komunikimin me të huajt atje, Serbia e zhbiriloi shpejt e gjithanshëm administratën ndërkombëtare në Kosovë, kështu që arrijti të organizojë brenda saj një strukturë informative, që ia mundësonte të marrë, si kafenë në tabak, çdo të dhënë të nevojshme për korpusin shqiptar dhe t’i përdorë ato kundër Kosovës.

Falë kësaj veprimtarie të gjithanshme, Serbia arrijti të ruajë strukturat e saja në Veri të Kosovës dhe të krijojë aty një territor ku nuk kishte as rend, as ligj, as zot.

Për më keq, falë moskokëçarjes se liderëve të Kosovës, strukturat serbe, përmes vrasjeve e dhunës sistematike, i ndoqën shumicën e popullsisë shqiptare nga Veriu i vendit. Çka është edhe më zi, në kohën kur Kosova kishte Kuvend, kryetar dhe qeveri, Serbia ua blente publikisht tokat dhe shtëpitë shqiptarëve.

Të gjithë e dimë, ani se nuk na pëlqen të pranojmë, se do të mjaftonte një qëndrim i përbashkët i subjekteve politike të Kosovës, që Bernard Kouchnerit, asokohe guvernator i Kosovës, t’i shkojnë në zyrë me një kërkesë ultime:

“Nëse brenda një muaji nuk vëni rend e ligj në Veri të Kosovës dhe nuk shkatërroni çdo strukturë dhe përpjekje që cënon integritetin territorial të Kosovës, ne do t’ju bojkotojmë kolektivisht, edhe ma zi se që e kemi bojkotuar Millosheviqin!“

Jam krejt i sigurt se do të mjaftonte vetëm kjo “sakrificë“ e liderëve tanë dhe integriteti territorial i Kosovës dhe kufijtë e saj kurrë më nuk do të viheshin në pikëpyetje.

Me çfarë moskokëçarjeje janë sjellur liderët e Kosovës asokohe me vendin tonë, më se miri e tregon rasti i Timorit Lindor. Ky vend i largët u çlirua, poashtu si edhe Kosova, më 1999, dhe, poashtu, falë Perëndimit. Ndërkaq, ky vend e shpalli Pavarësinë dhe u njoh ndërkombëtarisht, në vitin 2002, ndërsa Kosova, që më gjithçka ishte një shekull para këtij vendi, 6 vjet më vonë.

Dihet botërisht se procesi i pavarësimit të Kosovës zgjati aq shumë, parasegjithash për shkak se Hashim Thaçi, publikisht pengoi të ndodhte kjo, para se ai të bëhej kryeministër. Ndërkohë që i humbte zgjedhjet njërën pas tjetrës.

Sidoqoftë, duhej lidhur lëmezat disi kësaj çështjeje, prandaj nën udhëheqjen e Ahtisarit u organizuan negociatat e Vjenës. Këto negociata ishin pasqyrim i gjendjes së krijuar në Kosovë.

Presioni ndërkombëtar ishte i madh, ndërsa delegacioni i Kosovës i shpërndarë dhe i brishtë. Sidoqoftë, më 2 shkurt 2007, Ahtisari ua dorëzoi Planin (Pakon) e tij Këshillit të Sigurimit, BE-së, Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit, për shkaqe që dihen, e shpalli këtë dokument armiqësor, edhe pse gjatë gjithë bisedimeve kishte luftuar vendosmërisht për çdo fjalë, për çdo pikë dhe për çdo presje.

Plani kishte të mirat e tij, sepse përmbante konturet e një shteti të ri, por ai kishte edhe elemente të rrezikshme bosnjëzimi që pasqyronin, më qartë se askund tjetër, pasojat katastrofike të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004.

Se sa ishte në nivel delegacioni i Kosovës në negociatat e Vjenës e tregojnë dy shëmbuj konkretë:

– Veton Surroi pjesëtar i delegacionit dhe, padyshim, njeriu me i përgatitur për bisedime të tilla, shumë vjet më vonë e tha publikisht se “Delegacioni nuk e kishte kryer detyrën e tij karrshi Kosovës“;

– Një javë pasi e dorëzoi Ahtisari Planin e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e shqetësuar se përmes Pakos së Ahtisarit rrezikohej integriteti territorial i vendit, organizoi demonstrata masive në Prishtinë, ku morën pjesë disa dhjetëra mijëra protestues. Dy prej tyre u vranë.

Një vit më vonë, më 17 shkurt 2008, Kuvendi e shpalli Kosovën shtet sovran e të pavarur.

Në ditët në vijim:

4. Shantazhi me Gjykatën Speciale dhe negociatat për ndarjen e Kosovës
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*