2. SERBIA, KUR NUK ARRIJTI TA GJUNJËZOJË KOSOVËN,U PËRCAKTUA PËR NDARJEN E SAJ

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pasi deshtuan të gjitha përpjekjet për ndryshimin e strukturës etnike qoftë përmes aksioneve të vazhdueshme ndëshkimore dhe masakrash masive, shpërnguljeve të dhunshme dhe diskriminimit deri në permasa të apart’heidit; elitat serbe u përcaktuan vendosmërisht për ndarjen e Kosovës.
Për herë të parë, me këtë projekt u paraqit shkrimtari i madh serb, Dobrica Qosiq, ne vitin e kahershëm 1968. Qysh atëherë dihej se kjo ide nuk ishte vetëm e “babait të nacionalizmit serb“, por edhe e Akademisë së Shkencave dhe Kishës Ortdokse Serbe (KOS).
Gjatë viteve ’90, në procesin e shpartallimit të përgjakshëm të Jugosllavisë, ndarja e Kosoves si projekti i elitave serbe mori formë konkrete përmes propozimeve të Qosiqit që u parashtroi, disa herë radhazi, Fuqive të Mëdha, po edhe medieve të njohur ndërkombëtare… Por edhe në studime multidisiplinare siç është ai i Krstiqit, Radovanoviqit, Batakoviqit etj.
Në substancë sipas këtyre studimeve delte se Serbisë duhej t’i takonte prej 70% deri në 30% të territorit të Kosovës.
Vija kufitare nuk ishte një vijë e drejtë, por i ngjanjte më shumë vizatimit të një shpute ariu mbi hartën e Kosovës… Ta zëmë, Manastiri i Deçanit dhe Patriarkana e Pejës, sipas këtyre projekteve, detyrimisht duhej t’i takonin Malit të Zi, ndërkaq një pjesë e mirë e Kosovës lindore, Shtërpca deri edhe Prizreni do t’i takonin Serbisë… Për Prishtinën këta rrobaqepës të hartave kishin vendosur të jetë distrikt mikst me një administratë të përbashkët…, diçka si Bijelina apo Mostari në BeH…
Në prag të Luftës së fundit, 1997-1998, projekti i ndarjes u bë definitivisht projekt i shtetit serb si zgjidhje radikale e çështjes së Kosovës. Shtatmadhoria e Serbisë (dhe Malit të Zi) këtë Projekt e quajti “Patkoi“, që do të thotë se forcat Serbe do ta zbraznin Kosovës, siç edhe e zbrazën dhe pastaj do të negocionin me projekte të imtësuara. Sipas të cilave pjesa e luanit do t’i takonte Serbise, ndërsa Kosovës disa delta në të cilat shqiptarët nuk do të mund të mbijetonin kurrë.
Pasi e humbi Luftën, në vitin 1999, Serbia e ndryshoi fjalorin por jo qëllimin. Kjo u pasqyrua përmes projektit të N. Qoviqit, asokohe drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovën dhe Zoran Gjingjiqit, kryeministër i Serbisë… Sipas tij: “Zgjidhjet e mira për Kosovën janë harxhuar deri në vitin 1999. Neve na kanë mbetur zgjidhjet e këqija. Ajo që është më së pakut e keqe, është ndarja e Kosovës…“
Në mars të vitit 2004 shpërthyen trazira të mëdha në Kosovë, u vranë shumë njerëz, shqiptarë e serbë dhe u dogjën shumë kisha ortodokse. Ishte hera e parë në historinë e Kosovës që shqiptarët digjnin në këtë farë feje objektet e kultit. Më vonë, nga shumë burime u konstatua se këto trazira i kishin organizuar shërbimet sekrete serbe, të cilat ishin ndihmuar nga pjesëtarët e SHIK-ut dhe G2, të që të dyja sruktura që i udhëhiqte kreu i PDK-së.
Ky ishte akti deciziv që ndarjen e Kosovës e legalizoi edhe ndërkombëtarisht, sepse kishte edhe miq të sinqertë të Kosovës që erdhën në përfundim se, pas këtyre ngjarjeve, ndarja e Kosovës qenkesh e paevitueshme.
Shqiptarët nuk kanë dëshirë të flasin për këto ngjarje të turpshme, e aq më pak të shkruajnë për to, ani se janë të vetëdijshëm se këto trazira janë ndër aktet me të rrezikshme antishqiptare në historinë tonë.
Këto ngjarje e kanë shtyer shpalljen e pavarësisë dhe i kanë krijuar Serbisë të gjitha kushtet e mundshme që atë që e kishte humbur në luftë ta fitonte në tavolinë pa e derdhë asnjë pikë gjak…
Një përgjegjësi të madhe historike për këto ngjarje dhe për shumë çka tjetër që ka ndodhur para dhe pas tyre në Kosovë, ka edhe shteti shqiptar. Sepse këto struktura që u vunë në shërbim të Serbisë, realisht ishin pjellë e tij.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*