Sqarim i vonuar për një akt të shëmtuar antishqiptar

Shkruan:
Xhafer Shatri

Përgjigje të gjithëve

Para do ditësh u shpërnda në medie një shkrim i z. Naim Miftari, insajder i SHIK-ut e ish-oficer i policisë dhe në këtë cilësi i pranishëm në medie e në opnionin publik prej shumë vitesh.

Në paraqitjet e tij z. Miftari ka demaskuar veprimet e atij që tashmë është identifikuar si Klani Pronto duke shpërfaqur detaje pikante nga brenda strukturës avangarde të Klanit që njihet gjithandej dhe kryesisht për të keq me shkurtesën SHIK.

Ndërkaq shkrimi i tij me titull “Atentatin e parë politik kundër shqiptarëve Hashim Thaçi me shokë e kanë krye në Gjenevë“ i publikuar në shumë medie dhe sidomos në rrjetet sociale flet për sulmin që i është bërë Qendrës gjegjësisht Ministrisë për Informim të Republikës së Kosovës në Gjenevë, më 1 korrik 1998.

Ky shkrim është bërë shkak që të marr shumë letra e mesazhe nga miq e dashamirë po edhe nga të tjerë që nuk janë të tillë dhe ku shtrohen pyetje nga më të ndryshmet, të cilat do t’i përmblidhja në vetëm tri :

A është e vërtetë?
A e ke ditur? Dhe
Si është e mundur?

Për shkaqe praktike po u përgjigjem me detyrim të gjithëve dhe publikisht, duke përmendur me këtë rast vetëm disa detaje, në pritje që më vonë të shpërfaqi në formë të zgjëruar të gjitha faktet:

E kam ditur, por jo edhe disa detaje. Dhe për këtë çështje kam shkruar në vitin 2001, në një polemikë me argatët e atyre që i përmend saktësisht z. Naim Miftari. Duhet të them se në shkrimin e z. Miftari konstatova vetëm një lajthitje : emri i nëpunësit të Qendrës. Ai quhet Naser e jo Nusret Berisha. Dhe e kam për detyrë të nënvizoj se ishte nëpunësi kryesor i Qendrës, një njeri maksimalisht i përkushtuar dhe ndër shqiptarët më të respektuar në Gjenevë.

Atë ditë, isha në OKB, në një takim të rëndësishëm, kur më thirrën nga Qendra dhe më thanë se të ka kërkuar Ramush Haradinaj nga fronti dhe pret të ndëgjoheni pas 20 minutash. E kam ndërprerë takimin dhe kam shkuar pa frymë në Qendër. Në thelb, Haradinaj më tha se gjendja është shumë e rëndë…, se buzë Drinit janë mbi 100 mijë shqiptarë të larguar me dhunë nga shëpitë e tyre, se në çdo moment e presim sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe, se nuk kemi armë e municion të mjaftueshëm… Ishte tronditëse dhe trishtuese të dëgjoje Komandantin e një Zone të gjerë të përfshirë në flakët e luftës duke kërkuar ndihmë.

I thashë se tash për tash gjëja e parë që do ta bëj është që këto që m’i the posa ti zbardh do t’i përkthejmë dhe pas 20 minutash do t’i dërgojmë urgjentisht në Steit Departement, në Washington dhe në ministritë e tjera të jashtme të Fuqive të Mëdha. Për gjëra të tjera do të bëj çdo gjë të mundshme, por dije se shumëçka nuk mvaret prej meje, se po të mvarej nuk do të kishe pasë nevojë të më thërrasësh sepse të gjitha do t’i kishe me kohë aty…

Isha tmerrësisht i tronditur për ato që dëgjova dhe sidomos për përçarjet e shqiptarëve, kur hyri në zyrë njëri prej bashkëpunëtorëve dhe më tha : e kanë plagosur Naserin, si duket ai kuptoi se nuk jam me mend aty e nuk mora vesh asgjë dhe doli e pas disa sekondash erdhi bashkë me Naserin. Ky më tregoi se na kanë sulmuar, se në përleshje e sipër me sulmuesit kishte arritur t’i pengonte ata të hyjnë brenda, por se e kishin plagosur dhe se kishte dhimbje të padurueshme.

Erdhi ambulanca e mori Naserin dhe e dërgoi në spital. Pastaj kuptuam se çka kishte ndodhur. Dhe se Naseri kishte shpëtuar fal faktit se njëri prej sulmuesve kishte shtënë mbi të, por se katrama e gjerë metalike e rripit e kishte penguar predhën dhe ai, për fat, kishte marrë një plagë anësore.

Për të qenë sa më objektiv po u referohem dhe po citoj burime të paanshme :

Në raportin e policisë, ndër të tjera thuhet :

“Më 1 korrik 1998, dy persona të armatosur kanë tentuar të futen me forcë në zyret e Qendrës për Informim të Kosovës, në Ruelle des Templiers, 1207 Gjenevë. Nëpunësi i Zyrës, Naser Berisha, duke u shtyer me sulmuesit është plagosur prej tyre me plumb në nivelin e barkut. Sipas elementeve të hetuesisë Berisha nuk ishte caku kryesor i komandos, por Xhafer Shatri, ministër i Informatave i qeverisë së fshehtë të Kosovës. Nënvizojmë se i njëjti ka qenë objekt i sulmit me granatë në Gjenevë, në vitin 1989, i kryer sipas të gjitha gjasave nga shërbimet sekrete serbe të qeverisë në Beograd.

Edhe për rastin e 1 korrikut 1998 dyshimet rëndojnë më se shumti mbi shërbimet serbe, edhe për shkak të luftës që ka shpërthyer në Kosovë…“

Ndërkaq gazeta “Le Temps“, një ndër gazetat më të njohura e më serioze në Zvicër, të nesërmen, më 2 korrik 1998, botoi një shkrim të gjatë. Po i jap në vijim disa pjesë të shkrimit :

Një atentat si cak kishte Ministrinë shumë diskrete të Kosovës për Informim

Nëntitull:

Dy persona të armatosur kanë tentuar dje të hyjnë me forcë në zyret e njërit prej prijësve eminent kosovar në ekzil, Xhafer Shatri. Një nëpunës është plagosur me plumb. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur qeveria e fshehtë e Kosovës, deri tani pacifiste, ua ka shtrirë dorën ithtarëve të luftës së armatosur.

Gjeneva njohu dje, sipas të gjitha gjasave, një epizod të luftës së Kosovës. Pak para orës 15h, dy persona të armatosur tentuan të hynë me forcë në lokalet e Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës (Ministria për Informim e qeverisë së fshehtë), e vendosur prej 6 vitesh, në ruelle des Templiers, numër 4. Një nëpunës, Naser Berisha, u është kundërvënë, agresorët kanë shtënë mbi të, në bark, para se të ikin dhe pa e zgjatur më shumë. E sidomos pa ia arritur të godasin cakun e tyre, që sipas të gjitha gjasave ishte Xhafer Shatri, njeriu kryesor e me influencë i institucionit.

I plagosuri, është dërguar me urgjencë në spitalin kantonal dhe jeta e tij nuk është në rrezik. Ai ka arrritur t’u tregojë kolegëve të tij se çka kishte ndodhur. “Naseri ka dëgjuar zilen, tregonte dje njëri prej tyre. Ka shikuar në vrimë dhe ka parë një person të vogël me syze dhe ka besuar se e njihte disi dhe ia ka hapur derën pa ndonjë drojë. Vizituesi menjëherë ia ka vënë në fyt pistoletën me silenciator dhe ia ka bërë me shenjë të hynte brenda, pa thënë asnjë fjalë. Në atë moment kolegu ynë ka vërejtur një person tjetër, të maskuar, e të fshehur ngjitur murit dhe i cili gjithashtu e kërcënonte me armë. Atëherë Naseri e ka kapur të parin për këmishë dhe arma është zbrazur. Pa zhurmë. Ne kemi dëgjuar një klithmë, dhe kur arritëm te dera, ndëgjuam zhurmën e hapave nëpër shkallë.. Nga ballkoni njëri prej nesh, pa një person të gjatë me flok të shkurta duke ikur në rrugën “Shtëpia e kuqe“. Me një çantë të vogël e të zezë kraheqafe…

“Isha në zyrën time duke folur me një kosovar të posakthyer nga lufta, kur erdhi Naseri dhe më tha se na kanë sulmuar, se më plagosën, se duhet të ruhemi. Ne të gjithë i detyrohemi shumë. Pati qëndrim heroik.“

Dy orë më vonë policia publikoi një komunikatë lakonike për sulmin duke thënë se akoma nuk kishte arestuar ndokënd dhe se tash për tash nuk kishte detaje për motivin e atentatit…

Xhafer Shatri është një person kyç në krizën aktuale kosovare. Militant i kahershëm i çështjes së pavarësisë ( ai ka qenë cak i një atentati në Gjenevë, në vitin 1989), ai ka sot një funksion eminent në lëvizjen kryengritëse. Së pari është ministër i informacionit dhe përgjegjës i një aparati të tërë të komunikimit, të një programi satelitor dhe të publikimeve të ndryshme të shkruara, përfshirë këtu edhe një faqe interneti. Ai është njëherit edhe njëri prej tre përgjegjësve të vjeljes së tatimit zyrtar (i njohur si 3%) në diasporen kosovare.

Shatri është i njohur, veç tjerash si përfaqësues i krahut të ashpër të qeverisë së fshehtë, ani se ky nuk e pranon këtë etiketë. “E them vetëm atë që e mendoj“, thoshte dje pas atentatit. “E konfirmoj gjithashtu dhe qartas se lindja e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës (UÇK) është rezultat logjik i terrorit serb që po zgjat qe 17 vjet dhe i një indeference të padurueshme të bashkësisë ndërkombëtare për fatin tonë. Po përpiqem gjithashtu të bind të gjithë se anëtarët e kësaj organizate nuk janë terroristë, por njerëz që po sakrifikohen për popullin e tyre.“

Është e njohur botërisht se, në një mënyrë apo në një tjetër, ministri që nga vjeshta e vitit 1997 mbron publikisht idenë se pas kaq vitesh të përpjekjeve pacifiste që nuk dhanë fryte, lufta e armatosur është bërë e domosdoshme për çështjen e Kosovës.

Është evidente se Xhafer Shatri, për shërbimet serbe është një cak tërheqës. Ndërkaq ai nuk ishte i rrethuar me asnjë masë të posaçme sigurie. A nuk dronte ai vetë ndonjë atentati? “Nuk kam pasur asnjë kërcënim këto javët e fundit, përgjigjet ai. Por ky sulm është në logjikën e gjërave. Shkaku pse deri tash nuk kam ndërmarrë asnjë masë sigurie është se, me kohën, jam mësuar të jetoj me kërcënime. E pastaj kemi aq shumë gjëra për të bërë tash sa që vërtetë nuk kam pasur as kohë të mendoj për vetën.“

Në pyetjen tonë që i bëmë dje pasdite, sekretarit të dytë të Misionit jugosllav në Gjenevë, Milan Minanovic, ai nga ana e tij, avancoi tezën se është fjala për qërim hesapesh në mes shqiptarëve. Duke shtuar se. “Në parim ne vetë jemi kundër çdo forme të terrorizmit, pavarësisht se prej nga vjen.“

Etienne DUBUIS

E verteta e tmershme doli në shesh

Pasi u kthye Naseri nga spitali, ne biseduam në Qendër për rastin. Të gjithë ishim të bindur se sulmuesit ishin serbë. Por unë vetë kisha një dilemë. Mendja më thoshte se më parë duhet të kenë qenë serbë të Gjenevës që kanë ndërmarrë vetëvetiu këtë sulm, sepse ishin shuumë të mllefosur në ne, pasi që i patëm mundur me kohë, ani se ishte komuniteti i huaj më me ndikim në kanton. Kisha këtë bindje gjithashtu sepse, së pari, Beogradi nuk do të guxonte më që në një qytet të njohur ndërkombëtar, ku ende mbaheshin konferenca për ish-Jugosllavinë të ndërmarrë akte terroriste si më parë dhe, së dyti, po të ishin sulmuesit e Qendrës vrasës profesionistë të angazhuar nga shteti, ata do ta vrisnin Naserin menjëherë dhe do të na eliminonin të gjithëve, prej të parit deri te i fundit…

Pas disa muajsh, pasi unë isha larguar nga qeveria, më thirri një mik i vjetër dhe me tregoi se kishte takuar një aktivist të njohur të ilegales dhe ai i kishte thënë se atentatin më 1 korrik 1998 në Gjenevë e kishin kryer dhëndurët e Xheladin Gashit me urdhër të Hashim Thaçit dhe të Azem Sylës. Mua më dukej krejt e pabesueshme, ani se ai është një burrë shumë serioz dhe patriotë 1000 karatë, që i njihte të gjithë protagonistët shumë mirë dhe prej shumë vitesh. Kur kërkova hollësi e pashë se argumentet e tij ishin vërtetë bindëse, sepse ai ishte në burim të krejt ngjarjes.

Mbeta pa tekst dhe gjëja e parë që më ra ndërmend ishte një rrrëfim epik që kisha dëgjuar për Jusuf Gërvallën, i cili duke dhënë shpirt i kishte thënë Gruas së tij besnike përfarësisht kështu : Neve na vrau UDBa, por nëse dorasit janë shqiptarë kurrë emri i tyre mos u dittë!

Mu për këtë, të vërtetën për atentatin e turpshëm vëllavrasës që po e trajtoj e kam mbajt shumë koha brenda vetës (ani se me kohën dolën edhe dëshmitarë të tjerë…) duke u përpjekur t’i gjej shkaqet e vërteta.

Nuk m’u desht shumë kohë. Sepse duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve skema e sulmit të pabesë kundër një institucioni jetik për shqiptarët në atë kohë dilte tragjikisht e qartë.

Një javë para sulmit, me disa aktivistë të tjerë të Zvicrës shkuam në Shqipëri. Veç punëve të tjera që kisha, unë shkova të kontaktoj edhe autoritetet shqiptare por edhe ata që flisnin në emër të UÇK-së në Tiranë dhe të merremi vesh lidhur me një projekt konkret : themelimin e Agjencisë së lajmeve Kosovapress dhe radion Kosova e lirë. Projektin e kisha përpunuar për një kohë të gjatë dhe deri në detaje dhe dëshiroja që ai të jetë një projekt i përbashkët i të gjithë faktorëve shqiptarë. Këtë projekt ua kam dërguar të gjitha medieve në Kosovë me qëllim që rreth tij të mblidhen dhe të kontribuojnë gazetarët më të mirë që kishim në atë kohë.

Për këtë qëllim e takova edhe Azem Sylën, për të cilin thuhej se është komandant i përgjithshëm i UÇK-së. E njihja pak, por për të më tepër kisha dëgjuar prej të tjerëve. U takuam në restoranin ‘Kosova’, më duket se kështu quhej dhe ishte dikund afër komesariatit numër 5, në Tiranë. Ia shtrova shkurt projektin. E pashë dhe u habita se nuk shfaqi asnjë interesim. Duke menduar më vete pse po humb kohë kot, cingëroi telefoni i tij. Dhe pa i ndërruar as dy fjalë me thirrësin më tha : Një shok po don me folë me ty. Në pyetjen time se kush është, më tha se është Hashim Thaçi. E mora telefonin dhe në anën tjetër një zë karaxhoz më bërtiti: Të urdhëroj të na e dorëzosh Televizionin Satelitor, të urdhëroj…

Nuk e lash ta zgjatë më shumë. Para se t’ia mbyll telefonin i thashë as nuk pranoj urdhëra dhe as nuk komunikoj me rrugaç, dhe iu ktheva atij që kisha përpara, Azem Sylës që ishte nxi si bagël : Si nuk ju vjen marre, more faqezi, unë kam ardhur për të punuar bashkë e me projekte konkrete kundër Serbisë ndërsa ju më kërcënoni e silleni si huliganë. Turp të kesh!

Belbëzoi diçka, por e lash dhe u largova.

Disa veprimtarë nga Zvicra, që kishim shkuar bashkë, ishin krejt afër e panë se kishte ndodhur diçka e rëndë dhe e pandreqshme.

Në vitin 2001, dy mercenarë të Thaçit dhe Sylës në një polemikë në fletushkën e tyre për marre, më detyruan t’ua përmend shkarazi këtë fakt dhe sidomos implikimin e drejtpërdrejtë të shefave të tyre në një akt të rëndë tradhtie në formë të një sulmi vëllavrasës.

Ky, në dukje të parë,  pra ishte shkaku i sulmit terrorist në Gjenevë, këtu e 20 vjet më parë.

Përfundim

Një funksionar i lartë i shtetit shqiptar (XY) që e njihja kaherë dhe kisha dëshmi të shumta për përcaktimin e tij të pastër atdhetar, e takova për konsultim para se ta kem takuar Sylen. Qëndrimi i tij ishte i prerë. S’ke me kë të bisedosh. Mos u lodh kot se nuk ia vlen.

E kam për detyrë i thashë, a e di ti se sa të vështirë e kemi të luftojmë me Serbinë duke qenë të gjithë bashkë e të mos flasim kështu siç jemi pikë e pesë. Prandaj duhet ta provoj, i thashë.

E ke kot, mbaje mend çka po të them. Atyre tipave ju intereson vetëm pushteti. Do të bindesh!

Pas takimit me Azem Sylën takova (XY), pa i thënë asgjë në vend të përshendetjes më tha: A u binde?

Ku e di ti, i thashë?

Natyrisht qe e di, më tha, sepse i kemi incizuar të gjitha, bisedën telefonike dhe muhabetin tënd të sikletshëm me Azem Sylën dhe ma zgjati një CD me porosi: Sa herë të shkosh të bisedosh me ta, hidhi një sy kësaj CD se të ndihmon të jesh me këmbë në tokë.

I jam përjetësisht mirënjohës.

Ia vlen të theksoj gjithashtu se Qendra për Informim në Gjenevë ka qenë një institucion i të gjithë shqiptarëve, ka pasur aktivistë të LDK-së, të LPK-së, të PSHDK-së, të partive politike në Maqedoni, ka pasur shqiptarë të të gjitha trevave madje edhe boshnjakë që kanë punuar aty. Njerëz të të gjitha profesioneve : diplomatë, gazetarë, përkthyes, profesorë, intelektual, policë, ushtarakë, studentë, punëtorë. Shumica punonin vullnetarisht.

Aty janë përgatitur informata, lajme, dosje që janë shpërndarë në dhjetëra mijëra adresa, kudo nëpër botë.

Aty janë bërë me qindra telefona në ditë nga shqiptarë të shpërndarë në të gjitha kontinentet me pyetje, kërkesa e halle nga me të ndryshmet… ishte kohë e tmerrshme lufte dhe shqiptarët kishin aq shumë nevojë për njëri-tjetrin.

Qendra ka funksionuar 24 orë në ditë dhe ta sulmosh atë ishte një akt i shëmtuar antishqiptar.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

 

1 Comment

  1. Pershendetje i nderuari z.Shatri
    Pas leximit te ketij artikulli me mbetet ti them vetes vetem nji fjale – tmerr.
    z. Shatri une jam njeri nga 22 pjesemarresit e Seminarit per diplomatet e ardhshem te RK ne vitin 1993 ne Geneve. Ne kontekst te shkrimit tuaj deshta, nese me lejohet, t’ja shtoj listes se sherbimeve qe i ka bere Qendra per Informim edhe ofrimin e te qenunit “SI NE SHTEPI” per ne diplomate e sapo kalitur qe pas ligjeratave ne OKB kishim fatin ta “prekeshim me dore” nji diplomat te kalibrit te persosur – Monsieur Shatri. Dhe kete epitet Diplomati ne asnji moment nuk e ndegjuam ne Qender, por ne cdo kancelari ku na dergonin per vizita ane e kend Zvicres, pa perjashtim.
    Dhe krejt ne fund z.Shatri, ju deshiroj shendet dhe gjitha te mirat ne jete. Jam ndi, ndihem dhe do te ndihem i privilegjuar qe kam pase rastin te ju njoh.
    Me respekt,
    Agim Hajdini, Londer

    p.s. amanetin (pakon me libra) per z.Maximilianus “Max” van der Stoel, pas largimit tim nga Geneva ta kam kryer, duke ia dorezuar personalisht ate ne zyren e tij ne Amsterdam.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*