Shkruan:
Xhafer Shatri
1.
Kur u nënshkrua Marrëveshja për funksionalizimin e Asociacionit, më 2015, Tomislav Nikoliq, kryetari i Serbisë deklaroi se tash e kemi edhe një Republika Srpska në Kosovë… Sipas Vuk Draskoviq, kjo deklaratë ua hapi sytë shqiptarëve dhe filluan ta kundërshtojnë kolektivisht.
“Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit etj, do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”
Pikërisht anashkalimi nga ana e pushtetarëve të Kosovës i këtij themeldokumenti dëshmon rrëknimin e negociatave me Serbinë drejt dështimit të pashmangëshëm. Sepse Kosovën, që nuk i ka as 11’000 km katror, Marrëveshjet për Zajednicën e bëjnë vend me dy kryetarë, me dy parlamente, me dy qeveri, me dy sisteme të ndryshme të sigurisë, të drejtësisë, të shëndetësisë, të arsimit etj…
Çka është më e rënda dhe më e papranueshmja, sipas këtyre marrëveshjeve, Prishtina do të qeveriste me shqiptarët dhe disa minoritete, ndërsa Zajednica me serbët. E me këtë të fundit do të udhëhiqte Beogradi.
Se çka do të thotë Zajednica për Kosovën e ka shpjeguar qartë, veç të tjerësh, edhe analisti i njohur amerikan, Janusz BUGAJSKI. Ja çka tha ky, para dhjetë ditësh, për Albanianpost:
BE-ja dhe SHBA-ja do të ishin të marrë të vendosnin një tjetër bombë me sahat në Kosovë pas gabimit që bënë duke krijuar entitete me bazë etnike në Bosnje-Hercegovinë …“
2.
Kur flasim për këtë temë përvëluese nuk mund të flitet për mosdije, mungesë përgjegjësie etj. të udhëheqësve të Kosovës asokohe, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Se këtë zezonë ata, ashiqare, e kanë bërë, sepse duhet të jenë shantazhuar me dosje. E them këtë, duke qenë larg çdo mendësie bardh-zi, pasi që, për çdo mendje të shëndoshë, nuk mund të ketë shpjegim tjetër.
Për Thaçin dihej se shantazhohej me dosje që i ishin dorëzuar apo që pritej t’i dorëzoheshin Gjykatës Speciale, ndërsa për Isa Mustafën do ta tregojë koha.
Natyrisht se përgjegjësia bie edhe mbi krejt grupin negociator, që po heshtin si peshqit, sepse asnjëri prej tyre deri sot nuk dha shpjegime për shkaqet dhe rrethanat në të cilat kufijtë dhe sovraniteti i Kosovës u nxorën në pazar si të ishin plaçkë lufte.
Se sa të rëndësishme ishin dhe vazhdojnë të jenë për Serbinë marrëveshjet Thaçi-Daçiq dhe Mustafa-Vuçiq e tregon fakti se Serbia, sot më shumë se asnjëherë tjetër, po këmbëngul që me çdo kusht dhe menjëherë të themelohet Asociacioni. Në këtë këmbëngulje ajo ka mbështetjen e plotë të fuqive perëndimore, në radhë të parë të SHBA-së.
3.
Nga tërësia e debatit që është shpërfaqur në Serbi lidhur me këtë temë, del se strategjia e udhëheqjes serbe ishte dhe mbeti që, si hap i parë, të krijohet në Kosovë, të paktën, një etnitet serb, përmes të cilit në hartën e sovranitetit të saj të hapet një hulli që, më vonë, me kohën të kthehet në kufi shtetëror.
Mirëpo Serbisë i ngutej, ajo donte që sa më shpejtë dhe me çdo kusht ta vërë kufirin me shqiptarët dhe njëherë e përgjithmonë. Epërësia e parë ishte se njeriun kryesor të Kosovës, Hashim Thaçin, në një mënyrë, Serbia e kishte në dorë, sepse kishte dosje për të dhe përmes tyre e disiplinoi gradualisht derisa e bëri pulë. Pazari duhet të ketë qenë i thjeshtë: “nëse merresh vesh me ne do t’i shpëtosh burgut, nëse jo, atëherë, këto dosje ne do t’i çojmë atje ku duhet, në Hagë…“
Kjo u dëshmua kur, më vonë, filluan negociatat për copëtimin e Kosovës, dhe në tavolinë, krahas hartave dhe gërsherëve, ishte edhe karrota për abolimin e dyanshëm të krimeve.
Në anën tjetër, rrethanat gjeopolitike kishin ndryshuar rrënjësisht e në favor të Serbisë: Amerikën e udhëhiqte një kryetar aksidental që nuk kishte as njohuritë elementare për politikën e jashtme, BE ishte dobësuar dukshëm pas largimit të Britanisë, Rusia i aneksoi Krimenë, Luganskin e Donbasin dhe Perëndimi nuk e lëvizi as gishtin, as gjuhën…
Në këto rrethana, për të qenë e suksesshme në copëtimin e Kosovës, Serbia kishte nevojë ta shtrijë ndikimin e saj te udhëheqja e Shqipërisë. Kjo ishte një strategji e vjetër, të cilën elitat serbe nuk e kanë fshehur asnjëherë, të paktën tash 60 vjet e këtej. Pa hyrë në numrimin e shkaqeve po ndalem te synimi: përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me Shqipërinë, Serbia shpresonte dhe vazhdon të shpresojë se e ndanë Kosovën më lehtë, merr më shumë territor dhe e zgjidh problemin me shqiptarët njëherë e përgjithmonë pa pasur nevojë ta njohë Kosovën. Në anën tjetër kjo do të kapërdihej shumë më lehtë nga opinioni serb.
4.
Pikërisht për këtë qëllim, Vuçiqi iu afrua Edi Ramës. Rrugët që çuan deri te bashkëpunimi mes tyre nuk dihen krejt, por ajo që dihet është se një kontribut madhor në këtë drejtim ka dhënë Toni Bler, ish-kryeministri britanik, personalitet që gëzonte autoritet ikonik në Kosovë dhe te shqiptarët për shkak të angazhimit të tij maksimal në bombardimin dhe defaktorizimin e Serbisë.
Në vitin 2013, menjëherë pas zgjedhjeve në Shqipëri, Toni Bler u emërua kryekëshilltar i kryeministrit Rama.
Pas takimit Vuçiq deklaroi se ky ishte një rast shumë i mirë për Serbinë!
Burime të besueshme pohojnë se takimin Rama-Vuçiq, që u mbajt në Beograd, më 10 nëntor 2014, ku kryeministri shqiptar e tha atë fjalinë e “famshme“: “Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian…“ ishte organizuar me detaje nga Toni Bler dhe ekipi i tij.
Njohësit e historisë e dijnë se të njëjtat fjalë i fliste, kudo që i jipej rasti, edhe Nikolla Pashiqi, këtu e një shekull më parë. Që ndryshe do të thotë: Lërini të qetë ujkun dhe qëngjin që t’i sheshojnë punët e tyre…
Ky takim, që shënoi kthesën e madhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë, ishte përgatitur gjatë dhe mirë nga rrethi më i ngushtë i të dy kryeministrave. Për këtë flet një detaj interesant: Dy javë më parë, konkretisht më 2 tetor 2016, kryetari Thaçi e kishte emëruar Bedri Islamin, këshilltar të jashtëm. Në fakt B. Islami ishte dërguar aty nga Edi Rama.
E përmend këtë rast, sepse flet shumë dhe flet vetë: më 1998, kur Kosova po digjej flakë, shteti shqiptar e eliminoi udhëheqjen autentike të LPK-së Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Muhamet Kelmendin, Gafurr Elshanin dhe vuri në krye të LPK-së, Bedri Islamin. Falë këtij të fundit, Hashim Thaçi me shokë u bënë drejtues të UÇK-së. Këtu e tutje lufta për çlirimin e Kosovës u kthye në luftë për pushtet dhe me rreziqe serioze për konfrontime brendashqiptare.
5.
Bisedimet e fshehta për ndarjen e Kosovës u intensifikuan pasi Thaçi u zgjodh kryetar i Kosovës (7 prill 2016). Për t’ia arritur kësaj ai kishte përdorë të gjitha mjetet e mundshme: shantazhin me dosje, paratë, premtimet me poste etj. Këtë “trofe“ Thaçit ia mundësoi Lidhje Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjen e Thaçit për kryetar, e kontestoi fuqishëm opozita në krye me Lëvizjen Vetëvendosje, aktivistët e të cilës e penguan jo pa sukses inaugurimin e tij.
Ishte bërë një vit pas themelimit të Gjykatës Speciale, dhe Thaçi nisi ta kuptojë se ia kishte vënë vetës litarin në qafë. Prandaj u përpoq, qe disi, ta sheshojë fatin e vet. Kjo nuk mund të bëhej ndryshe pos duke krijuar kaos gjithandej në Kosovë.
Në rrethana të çuditshme, më 5 gusht 2016, Kuvendi i Kosovës sulmohet me minahedhës. 20 ditë më vonë për këtë akt terrorist policia arrestoi 6 aktivistë të LVV, mes tyre Astrit Deharin. (Më vonë, Gjykata të arretuarit i shpalli të pafajshëm.)
Më 5 nëntor 2016 u mbyt mizorisht në burg Astrit Dehari. Të gjitha veprimet, deklaratat, informatat e dezinformatat realisht dilnin nga kabinetit i Thaçit. Çdo gjë që bëhej kishte një qëllim: me e kallë Kosovën, me e shpallë LVV të jashtëligjshme dhe pastaj me i zgjidhë njëherë e mirë dhe njëkohësisht çështjet me Serbinë dhe me Gjykatën Speciale.
Por Thaçi nuk ia arrijti këtij qëllimi, sepse Kurti nuk ra në kurthë, nuk organizoi manifestime publike, u mjaftua vetëm me denoncime verbale.
Pas disa muajsh u provua edhe skenari tjetër, por për qëllime të njëjta, me dosjen e shpifur “Syri i Popullit“… Edhe kjo përpjekje dështoi. Dështoi keq.
Më 9 shtator 2017, përmes koalicionesh të habitshme e të papritura, duke shkelur çdo parimësi, Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment