4. SHANTAZHI ME GJYKATËN SPECIALE IA HAPI UDHËN NDARJES SË KOSOVËS

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në vitin 2010 ndodhën dy ngjarje që do të kenë ndikim substancial në fatin e Kosovës:

1. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organ i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shpalli vendimin se;

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.“
Nga 14 gjyqtarë 10 kishin votuar pro këtij vendimi.

Vendimi ishte historik dhe kishte peshë të veçantë edhe për faktin se kërkesën për të pasur mendimin e GJND-së nuk e kishte bërë Kosova, por Serbia!

2. Më 16 dhjetor 2010, Këshilli i Evropës u njoftua me përmbajtjen e Raportit të Dick Marty-t, lidhur “me trafikun me organe të qenieve njerëzore gjatë Luftës në Kosovë“.

(Për të qenë i qartë me lexuesit e kësaj analize, jo vetëm për të dëshmuar koherencën, po e rrëfej këtë detaj: Dy orë pasi lajmi e mori dhenë, më thirri Abraham Zysiadis, gazetar i njohur zvicëran, dhe më ftoi të jem në platonë e Televizionit frankofon, në lajmet e mesditës, për të shprehur pikëpamjet lidhur me këtë Raport. Asokohe, në substancë, deklarova: “Raportin nuk e kam lexuar, sepse ai është publikuar sot, por për sa i përket akuzës kryesore për gjoja trafiqe organesh, kjo është një sajesë e rrezikshme e Serbisë, dhe ka qëllim parësor ndarjen e Kosovës…“).

Ndërkaq, kryepersonazhi i Raportit e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se do ta ndiqte penalisht autorin e Raportit.

Më 10 shtator 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e “miratoi rezolutën e Serbisë që u bashkësponsorizua nga Bashkimi Evropian, e cila e mbështet rolin kryesor të BE-së në ndërmjetësimin ndërmjet Serbisë dhe udhëheqësve shqiptarë të Kosovës…“

Bisedimet me BE-në si “lehtësuese“ filluan më 2011. Gjatë këtyre bisedimeve “teknike“ që zgjatën 9 vjetë, janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, jo pak prej të cilave kanë mbetur në letër.

Zgjedhjet e 6 majit 2012 në Serbi, sollën në pushtet Aleksandar Vuçiqin, i cili me kohën u bë sundues absolut në Beograd. Aty e tutje, vozhdi i gjatë e mori edhe shkopin e dirigjentit në bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Edhe ky ashtu si Gjingjiqi, ishte i vetëdijshëm se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, Serbia nuk do të mundë të rimëkëmbej kurrë.
Në fillim, koncepti i Vuçiqit (që, realisht, ishte i elitave serbe, pavarësisht përkatësive partiake) kishte synim që, nëse gjatë negociatave nuk mund ta impononte ndarjen e Kosovës, atëherë, nga katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të Kosovës, të krijohej bërthama e një etniteti, që një ditë, në rrethana më të favorshme gjeopolitike, Serbia do të mundë ta aneksonte.
Kjo u arrit me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të cilën e nënshkruan kryeministrat Thaçi e Daçiq. Marrëveshja ka 15 pika dhe përsaktëson bazat themelore të autotomisë për këto 4 komuna.
Për të qenë i saktë, kjo Marrëveshje pati edhe të mirat e saj, sepse i “integroi“ në sistemin e Kosovës disa prej strukturave paralele të Serbisë në këto komuna dhe cyti pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosoves.. Megjithatë pikat më të rrezikshme ishin: kompetencat ekzekutive e sidomos ato për planifikimin urban e rural.
Më 27 qërshor 2013, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi Marrëveshjen. 84 deputetë votuan për, 3 ishin kundër dhe 1 abstenoi.

Ratifikimi u bë në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të protestave masive të Lëvizjes Vetëvendosje kundër “Zajednicës“.

Për shkak të dilemave dhe pakënaqësive që krijoi kjo Marrëveshje mbeti pezull më shumë se dy vjet. Kur flasim për kundërshtimin kam parasysh droen kolektive të shqiptarëve nga rreziku i cënimit të kufijve, sepse Serbia nuk i fshihte e nuk i fsheh as sot pretendimet e saj për ndarjen e Kosovës.

Përndryshe asnjë subjekt politik dhe asnjë personalitet me peshë në Kosovë nuk shpërfaqnin as dje, e as sot, ndonjë tendencë diskriminimi, në çfarëdo fushe qoftë, ndaj serbëve të Kosovës. Keqeverisja është tjetër muhabet, sepse ajo i godet të gjithë.

Ndërkohë, Beogradi ndërmori të gjitha masat e mundshme organizative, diplomatike e financiare që Marrëveshja e vitit 2013 të mos mbetej në letër. Dhe kësaj ia arriti, me Marrëveshjen për “Parimet e Përgjithshme të Asociacionit të Komunave Serbe“, të cilën, më 25 gusht 2015, e nënshkruan kryeministrat Aleksandër Vuçiq e Isa Mustafa.

Kjo Marrëveshje, që e shqyente Kosovën nga brenda, shkaktoi trazira masive, të cilat i organizoi opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër kësaj Thaçi e Mustafa u përpoqën që edhe kjo Marrëveshje, me çdo kusht të ratifikohej nga Kuvendi i Kosovës. Këmbëngulja e pushtetarëve e solli Kosovën në prag të luftës qytetare, prandaj presidentja Jahjaga u detyrua t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të pasur mendimin e saj lidhur me këtë çështje jetike.
Në aktgjykimin e datës 15 dhjetor 2015, Gjykata konstatoi se, përmes kësaj marrëveshjeje, Kushtetuta e Kosovës ishte shkelur hiç më pak se 23 herë.

Në aktgjykim, veç të tjerash, thuhet se, në disa pika të Marrëveshjes, raportet e Asociacionit me Qeverinë qendrore vendosen në pozicion të barabartë, horizontal, dhe, kështu, Kosova kthehet në shtet më shumë se konfederal.

Pavarësisht se një pikë e Marrëveshjes saktëson se kjo duhet të jetë në përputhje me germën e Kushtetutës, megjithatë kjo nuk e amniston Isa Mustafën, i cili me një rast, i mbështetur me shpatulla për muri, deklaroi publikisht se ai e kishte nënshkruar një Marrëveshje të tillë, sepse nuk është ekspert.

Ashtu si sot edhe atëherë për të gjithë ishte e qartë se, kjo Marrëveshje, ishte shkruar e ishte nënshkruar me pëlqimin e plotë dhe në prezencën e Hashim Thaçit. Por ajo që nuk dihej (nga shumëkush) as atëherë e as sot, ishte fakti se Hashim Thaçi dhe, jo vetëm ai, duke negociuar me Serbinë në fakt nuk negocionin vetëm për fatin e Kosovës, por sidomos për fatin e tyre. Jo rastësisht, 2 javë para se të nënshkruhej Marrëveshja për krijimin e etnitetit serb në Kosovë, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Thaçit me shokë, më 15 gusht 2015, ishte themeluar Gjykata Speciale.

Për Isa Mustafën nuk dihej saktësisht se a më shumë ishte disiplinuar përmes dosjeve të Thaçit apo të Vuçiqit apo nga të dyjat bashkë. Duke e njohur mirë personalisht, e di se ai pa një zor të madh kurrë nuk do ta nënshkruante një dokument të tillë, që në fakt është tradhti e pafalshme. Sepse këtë dokument ai nuk e nënshkroi në emër të vetin, por në emër të Kosovës dhe të çdonjërit prej nesh.

Përfundimisht, Marrëveshja e vitit 2015, ua vuri kapakun negociatave në Bruksel, të cilat paria e Kosovës i quante “bisedime“. E “bisedimet“ ani se quheshin teknike, ato ishin kryekëput politike dhe në to Kosova ishte humbësi i madh, sepse gati përmes çdo marrëveshjeje vihej në pikëpyetje statusi dhe sovraniteti i saj. Këto negociata dëmtuan rëndë edhe çështjen e njohjeve, sepse krijuan bindjen se, përkundër vendimit të GJND-së, statusi i Kosovës, megjithatë mbetej pezull, dhe për të domosdo duhej të negociohet me Serbinë.

Në fakt kjo ishte një lojë përfide e Serbisë, e cila kishte mbështjetje serioze të “lehtësuesve“ të BE-së, konkretisht Mogherinit, e cila, bashkë me Vuçiqin, po i rrëknenin djallëzisht “bisedimet“ drejt negocitave për ndarjen e Kosovës.

Kur jemi këtu duhet duhet saktësuar se, njerëzit tanë, madje edhe të shquar mes tyre, ndarjen e identifikojnë ose si “korrigjim të kufive“, ose si “shkëmbim të territoreve“.

Kjo, thënë më se buti, është naive, sepse Kosova mund të shkëmbejë territorin që e ka dhe që e kontrollon, e jo territorin që ia kanë marrë me atë që nuk e kontrollon.

Në ditët në vijim:

5. Negociatat e fshehta për ndarjen e Kosovës
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*