
Shkruan:
Xhafer Shatri
Dje gjeta pak kohë për ta shfletuar dosjen që kishte përpiluar për mua Sigurimi i Shtetit Shqiptar.
Çka nuk kishte në të… Në njërën prej informatave që kishte dhënë për mua njëri prej informatorëve të shumtë, thuhej, përafërsisht, se « … Xh. Sh. edhe pse nuk është fare marksist-leninist, megjithatë është antijugosllav i përbetuar, dhe nuk flet hapur kundër pushtetit popullor në Shqipëri… »
Këtë e kishte deklaruar një mik i kahershëm që e kam dashtë sa s’thuhet. Dhe, për dreq, krejt vonë kur komunizmi po shihej se do të binte shpejt dhe me rrapëllimë….
Kjo frazë e shkretë më ktheu 46 vjet prapa…
***
Ndëshkimorja e Spuzhit, viti 1979. Ende pa dalë pranvera.
Disa javë më parë na kishin transferuar nga burgu hetues, Kështjella e Kotorrit, ku kishim qenë rreth 2 vjet në izolim për kryengritjen e përgjakshme të vitit 1977… Një kohë të gjatë të mbërthyer me pranga në duar e në këmbë…
Ishim lodhë e këputë që të tre: Isa Kastrati, Murat Bislimi dhe unë.
Disa ditë më vonë, përmes një delikuenti dhe me një çmim të rrast, Isa erdhi te një tranzistor i vogël, përmes të cilit e dëgjonte Radio Tiranën, por vetëm kur sigurohej mirë se nuk mund ta zinin me kërpesh në dorë… Ishte punë me shumë rrezik.
Nejse…
Kur e dëgjonte vinte dhe më tregonte me detaje. Ishim të etur për çdo informatë, si me pas dalë prej vorri.
Një ditë, nuk mundi të përmbahet, dhe, në prezencë të disave, më tha : « Qenkan prishur me Kinën… »
Kur u veçuam më foli konkretisht : « Shoku Enver e paskesh shkruar një libër në të cilin flitet për prishjen e marrëdhënieve me Kinën… Aty flitej për anarkinë e krijuar gjatë Revolucionit kulturor… »
Fliste pa u ndalë. Ndërsa mua më kujtoheshin komentet e dikurshme të Radio Tiranës për Shokun Mao dhe revolucionin e famshëm kulturor… E sidomos vargjet e këngës së paharrueshme:
Enver Hoxha e Mao Ce Duni,
Janë si buka e një brumi…
Rroftë miqësia kinezo-shqiptare !
Që të dy u tronditëm shumë.
Kjo zgjati disa ditë dhe futi te ne dyshime të themelshme. Më së vështiri e përbinim faktin se si është e mundur që Shoku Enver t’i ndërrojë fjalët dhe qëndrimet në këso përmasash…
Bisedo e çbisedo, më në fund, vendosëm që t’i shkojmë punës deri në fund. Isa mori përsipër ta lexojë Marksin dhe Engelsin ndërsa unë Hegelin. Librat i siguruam disa në bibliotekën e Ndëshkimores e ndoj tjetër përmes miqve tanë malazez që komunikonin shpesh me familjet.
Sa më shumë e lexoja Hegelin, aq më tepër kredhesha në pusin e herezisë.
Tashmë kisha një pasqyrë të qartë për tezat themelore të Kryefilozofit që i kishte lidhë bistek në ylberin e Dialektikës : Ndërgjegjen, Vetëdijen, Arsyen, Ligjin, Moralin, Shtetin… e idomos Lirinë, pastaj Tezën, Antitezën, Sintezën, Idenë Absolute…
Ajo që me bëri të zbresë nga retë, dhe shpejt e përgjithmonë, ishin tezat për Shtetin e për Lirinë dhe veçmas Uniteti i të LKundërtave…
E pata mbush një fletore përplot me shënime, të cilën ma patën marrë… kur më hoqën prej aty.
Po të kisha vetëm pak mundësi për ta gjetur atë fletore të shkretë do të jepja shumëçka…
Një ditë biseduam, shterrueshëm, për përfundimet te të cilat kishim ardhë…
Për të mos e zgjatur, përfundimi ishte dërrmues: Praktika staliniste e socializmit nuk kishte asgjë të përbashkët me dialektikën, sepse përjashtonte « bashkëjetësën » e të kundërtave.
Kjo në praktikën politike kundërshtonte debatin, pra përballjen e mendimeve të ndryshme që, në një shtet normal, do të mund të artikuloheshin parasegjithash në parlament…
Isa e kishte përthekuar çështjen ekonomike dhe e bëri aq të kapshme : S’ka zhvillim ekonomik pa konkurrencë në treg… Ekonomia socialiste është e dënuar me vdekje!
Kishim pasur, që të dy, aq shumë nevojë për t’i sheshuar këto çështje.
Dy tri ditë më vonë, biseduam se a guxojmë të dalim publikisht me mendimet tona heretike.
Jooo, kurrsesi. Sepse çdo çarje me shtetin shqiptar do të ishte vetëvrasje për ne dhe për Kosovën…
***
Ishte ditë e shtunë, 15 prill 1979. Ishim në oborrin e Ndëshkimores së Spuzhit, kur me Isën po vazhdonim të kredhemi thellë e më thellë në detin e herezisë. Ecnim krahas, kur, krejt papritur, e pash të më afrohej toka drejt kokës! M’u duk se po bi pingul në tokë. Nuk më mbanin këmbët.
E kuptova se çka po ndodhë vetëm kur Mustafë Hamiti, që ishte ulur, aty afër, nën një hije tuje, tha: Tërmet, tërmet…
U ulem fill dhe e pamë se si dridhja e tokës i ngjante detit të trazuar. Ishte çështje sekondash dhe u ça toka përmes. U bë një hulli, midis oborrit të Ndëshkimores, si ta kishte çarë një parmendë gjigande… e përcjellur me një zhurmë të llahtarshme.
***
Pas një jave, erdhi Baba në vizitë. Ishte lodhë e ishte plakë sa për disa dekada.
« U bana shumë marak se mos u ka zënë ndërtesa sepse jeni ngujuet e s’mundeni me dalë…,» më tha…
Ia ktheva në hajgare: «Këtu ndërtesat janë të thuruna krejt me armaturë çeliku…, prandaj flej shlirë, Shoqi jem, se në këtë pikëpamje shumë më i siguruar jam unë këtu se ti në shtëpi…»
Ia lexova në sytë e tij të mençur shqetësimin e thellë për djalin e tij, që idealizmi, përtej çdo fanatizmi, e kishte çu në atë pikë, sa me i braktisë, pa e kthye kryet mbrapa, familjen e sidomos prindërit e tij të lodhur e të rraskapitur, që ishin kulmi i qëndresës, i njerëzillëkut, i ndershmërisë dhe i përkushtimit…
***
Duke shfletuar dosjen e Sigurimit të shtetit m’u kujtuan ato ditë dramatike, ato kthesa e udhëkryqe që shkaktuan një tërmet tjetër në kokën time e të mikut tim të prangave, të vuajtjeve e të shpirtit, Isa Kastratit…
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment