PSE NUK PO NA KUPTON AMERIKA?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pas Luftës Kosova ka përjetur kriza shumë më të rënda se kriza aktuale në veri të vendit, por i ka tejkaluar disi pa tronditje të mëdha. Tash ndryshon puna, sepse kundërshtitë dhe keqkuptimet janë shumë më të mëdha, dhe shkaku kryesor është vënia në pikëpyetje e mbështetjes nga Amerika.

E gjërat, megjithatë janë krejt të thjeshta:

a. Ka 16 muaj që ka shpërthuar një luftë në Evropë, në të cilën Amerika u detyrua të implikohet deri në fyt, sepse shumica e shteteve të mëdha evropiane, realisht ishin me Putinin, sepse ky diktator i kishte korruptuar deri në palcë elitat e tyre.

b. E ndodhur para një përgjegjësie historike, Amerika bëri atë që u detyrua ta bënte para 72 vjetësh kundër Hitlerit: të futet në Luftë. Kësaj radhe jo me ushtri, por me armatim dhe me çdo gjë tjetër që Ukraina e Zelenskit kishte dhe ka nevojë

Të gjithë e dijnë se po të mos ishte ky angazhim i Amerikës, Putini do ta bënte Ukrainën fërtele. Dhe nuk do të ndalej aty.

c. Duke rënë në kurthin e vet, Putinit, para disfatës së pashmangëshme, i ka mbetur vetëm një rrugë: bartja e konfliktit edhe në vende të tjera. Në radhë të parë në Ballkan. Sepse këtu e ka të gatshëm edhe barotin edhe fitilin.

Ky është shkaku kryesor pse Amerika po e «kruan» Vuçiqin.

d. Deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, nganjëherë na lëndojnë, gati si ajo e Gelbartit, në shkurt të vitit 1998, kur tha, poashtu në Beograd, se UçK është organizatë terroriste.

Gjenerata ime e dijnë se çfarë pasojash pati kjo deklaaratë, thënë më së buti, e pamatur. Sepse pikërisht kjo deklaratë e nxiti Adem Jasharin që ta bëjë luftën mu në shtëpinë e tij dhe ta sakrifikojë edhe krejt familjen.

E bëri këtë për të dëshmuar se ai dhe UçK nuk ishin terroristë.

Kjo është e vërteta, që përcaktoi fatin e tij dhe të të gjithë-a atyre që ndodheshin me të!

Ndërkaq, sot e në rrethana shumë më të favorshme, ka me mijëra

mundësi komunikimi, sqarimi dhe bashkëpunimi me Amerikën, pa pasur nevojë të vijë puna deri ku ka ardhur

e. Vuçiqi, ky ultranacionalist i zhdërvjelltë, po e udhëheq Serbinë me një dorë të hekurt. Ai këtë zanat e ka mësuar nga shefi i tij, Millosheviqi dhe prej ardhjes në pushtet po sillet si Putini, sidomos ndaj fqinjve, duke mos lënë gurë pa lëvizur për t’i destabilizuar ata: gjendja në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Mal të Zi e dëshmon këtë.

f. Të gjithë e dijnë se krizën në Kosovë, sidomos tash 6 muaj, po e nxit Vuçiqi dhe kjo po bëhet publikisht e pa dorashka. Qëllimi është i qartë: ta imponojë me dhunë themelimin e Zajednicës.

g. Për realizimin e këtij qëllimi Vuçiqi, nuk çanë kaptinën as për interesat dhe as për fatin e serbëve të Kosovës. Sepse me politikën e tij, ai i ka kthyer kaherë këta të fundit në mish për top. Qëllimi i Vuçiqit dhe i elitës serbe është vënia e kufirit me shqiptarët. Këtë e dëshmon më së miri elaborati i Vasilije Krestiq, të cilin ky e ka bërë në emër të Akademisë serbe të shkencave dhe arteve, e, padyshim edhe me urdhër të Vuçiqit.

h. Elaborati është 5 faqësh dhe krejt i freskët; mban datën 7 shkurt 2023. Pjesa më e madhe e tij i kushtohet ndryshimit drastik të gjeopolitikës në botë pas invazionit të Rusisë në Ukrainë. Këtë invazion Akademiku Kresiq e arsyeton plotësisht, por konstaton se ky e ka dobësuar pozitën gjeopolitike të Serbisë. Prandaj, sipas tij, duhet imponuar me çdo kusht, dhe sa më shpejtë, themelimin e Zajednicës, e cila me kohën do të bëhej pjesë integrale e Serbisë.

Shumë qartë dhe shumë thjeshtë. Dhe këtë argument të fortë, Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht

i. Vuçiqi është dhelpër në politikë, por problemi kryesor i tij është Albin Kurti, të cilin nuk po mund as ta shantazhojë me dosje e as ta frikësojë. Por, më në fund, ia ka gjetur «çelësin»: ky po e provokon, ndërsa Albini po i «vizatohet» në pritë.

Në dhjetor të vitit që shkoi qeveria e Kosovës pati rastin ta zgjidhë çështjen e targave në mënyrë shumë elegente: Në momentin që Eskobar kërkoi të shtyhet çështja e targave për 10 muaj, Kurti në vend që t’i thotë: «Po, meqë po kërkon Amerika, por atë ditë e tutje merre përsipër që këtë çështje ta zgjidhësh ti…» ai, pa pikë nevoje, e kundërshtoi propozimin e Amerikës.

Muajin e kaluar në Serbi u organizuan demonstrata masive, të cilat e mbështetën Vozhdin e gjatë me shpatulla për muri.

Jo rastësisht, mu atë ditë shpërthyen trazirat në veri të Kosovës që lidheshin me vendosjen në objektet e komunës të kryetarëve të posazgjedhur.

Në pikëpamjen time ka pasur plot zgjidhje të tjera, për të mos iu «vizatuar» në pritë Vuçiqit.

Në këtë botë të kapërthurt nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë, por edhe të dijsh e të përmbahesh dhe, mbi të gjitha, ta zhveshësh kundërshtarin nga çdo argument.

Fatbardhësisht, të gjitha argumentet janë në anën e Kosovës.

Mjafton t’i vësh në spikamë dhe, mbi të gjitha, të mos biesh në kurthin e tejdukshëm të hasmit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*