NJË IDE PER ZGJIDHJEN E NGËRÇIT

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kur asnjë palë nuk lëshon pé, e në Kuvendin e ri ka shumë palë, atëherë çështja komplikohet deri në pashpresë. Aq më keq kur asnjëra prej palëve nuk thotë “lëshomë se po të lëshoj”. Përkundrazi.

Meqë shqetësimi është kolektiv, atëherë çdonjëri e çdonjëra kanë jo vetëm të drejtë por edhe detyrë qytetare që të shpërfaqin idetë e tyre për zgjidhjen e nyjës me emrin Ngërç.

Veç ata që ua ka ngri ngërçi këmbën e dijnë se çka po hjek Republika jonë!

Prandaj ju ftoj të gjithëve që të jepni kontributin tuaj atdhetar dhe ta tejkalojmë këtë krizë besimi e mungesë komunikimi, duke i dhënë kokës zor derisa të djersitet mirë prej lëkurës e deri te trutë.

Po ia nisi i pari:

Pasi u solla e u pshtolla erdha te kjo ide që po e shtroj vëllaznisht me ju, te dashur miq e mikesha, me bindjen se do të më mbështesni në këtë përpjekje për të mirën e Republikës:

Mendoj se fajin kryesor për ngërçin e ka salla e Kuvendit. Ajo, po shihet ashiqare, është baksuz sallë. Mendoj se nëse ia japim Burdushit një çyski të mpreht do t’i gjente me radhë lëmshat e sehireve sa bashkët e leshit…

Prandaj mbledhja e radhës e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet në natyrë. Në një livadh, ku këndojnë zogjtë, e ku ka jo vetëm diell por edhe hije.

Aty me e shtru Kuvendin, por, së pari, me pi kafe. Këtë detyrë atdhetare do ta kryente Duda Balje. Sepse kam ndëgju se ajo i qet kafet me shuri.

Pastaj radhën duhet ta ketë Albulena; me ua qitë kuvendarëve nga një ‘llavor’ me petulla, e përanash djathë delesh, reçel mbivade dhe mjaltë Permeti. Sepse, siç thuhet, qingji i butë i thith dy nana…

Për drekë do të ishte mirë që popullata me ia çu Kuvendit nja 50 tepsia me pite, me flia e me përpeçë, por edhe një kazan të mirë çervish dhe një tinar me kos të kulluem.

Në sofër mos me u ulë ndaras, sipas partive, por sipas moshës. Dhe botën femërore mos me e lanë pas dere, por sofrat me qenë të përziera, sepse jemi evropianë dhe nuk na ka hije me u sjellë si aziatë…

Pas dreke, me e ba një shëtitje të vogël, sepse kjo e ndihmon edhe tretjen, po edhe mundëson një tête à tête me njëri tjetrin.

( Po nuk jemi ra n’gjak more vëllazni ! Pse po e leni dreqin m’ju mrizu e m’ju fishkëllu’ mas veshit ? ).

Në këtë rast do të ishte mirë që deputetë(e)t beqarë-e, me ecë bashkë se nuk i dihet, ju hin mendja e mirë dhe mendojnë me shku edhe përtej ngërçit, me kriju familje…

Ata që janë të divorcuar do të ishte mirë me ecë vetëm, sepse duke menduar për hallin e vet (Nuk jetohet hu vetëm, o njerëz të mirë…) ju hin mendja se punët dhe hallet e popullit mund t’i zgjidhin vetëm duke qenë bashkë…

Pas shëtitjes Ganja me shoqe do të ishte mirë me i skuqë gjygymat e çajit e me e nderu Kuvendin e Republikës me këtë pije bujare që ndihmon tretjen dhe e ngritë tensionin e gjakut taman sa me iu ra në mend të zgjedhurva tanë pse janë aty…

Atëherë Avni Dehari, si më i vjetri, me u çu në këmbë e m’ju thanë :

O motra e vëllazën !

A t’ia bajmë hallall njani tjetrit e njana tjetres, t’merremi ngyk e ta presim ngërçin me gërshanë a me sakicë se na mori në qafë? Na e mori f’tyrën. Na bani horë e bezar… Na mbetën arat djerrë e livadhet pa kositë…

Jemi ba si zojtë e qyqes. I kënaqëm hasmit që po rrinë hazër me na u gjuejt n’shpinë… e me na ba telef…

Zbutne zemrën se, po ju garantoj, keni me u knu n’bisht t’lahut’s sa t’jetë jeta e sa t’ketë shqiptarë…

Qe sa ma çoi Agim Doçi një sms me dy vargjet e para të Poemës për Kuvendin tonë heroik, tha kryesuesi honorifik i seancave dhe i lexoi vargjet që do të jetojnë ndër shekuj:

Në Livadh, nër hije t’ Frashnit,
Qenka mbledhë paria e Arbnit…

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*