KURTHET E TEJDUKSHME TË SERBISË

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kjo që po ndodhë sot në veri të Kosovës i ngjanë si veja vesë ngjarjeve që ndodhën këtu e 30 vjet më parë në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Janë të njëjtat metoda që përdoren kaherë, që nga viti 1848: nxitje, propagandë, provokacione, manovra ushtarake, diversione, kurthe nga më të ndryshmet…

Në këtë mënyrë Serbia i ka pesëfishuar territoret, i ka bluar disa popuj (vëllehet gjithandej në Serbi dhe gjermanët e hungarezët në Vojvodinë); i ka dëmtuar territorialisht dhe fizikisht disa të tjerë, boshnjakët dhe shqiptarët më së shumti.

Pse është acaruar gjendja në veri?

Sepse Serbia është e vendosur që ta shkëpusë, me çdo kusht, këtë territor të Kosovës.

Disa vjet është përpjekur, jo pa sukses, që këtë ta bëjë me dosje e shantazh të protagonistëve të ndryshëm, në tavolinë përmes bisedimeve të fshehta.

Pasi kjo i dështoi tash i ka mbetur vetëm një rrugë: duke luftuar gjoja për të drejtat e serbëve në Kosovë, ta formojë një entitet, që një ditë, në rethana më të favorshme gjeopolitike, ta shkëpusë dhe ta gllabërojë definitivisht, sidomos veriun e Kosovës.

Plani i Serbisë është krejt i tejdukshëm: përmes acarimit të gjendjes në veri të shkaktojë konflikte të armatosura, t’i paqaqesë serbët si viktima dhe pastaj deputetët lokal, që i braktisën institucionet me urdhër nga Beogradi, të mblidhen nga të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe ta themelojnë Zajednicën me qendër në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ky skenar ështe përgatitur të ndodhë më 28 qershor, ditën e Vidovdanit. Por kjo datë edhe mund të shtyhet ose edhe të përshpejtohet, mvaret krejt nga situata. Vlen te theksohet se udhëheqja e Zajednicës, organet, policia dhe simbolet e saj janë përzgjedhur e sajuar deri në detaje.

Cilido që nuk e ka lexuar me kohë këtë plan diabolik të Vuçiqit, ai nuk e di se si funksionon Serbia dhe nuk e njeh historinë e saj.

Është e habitshme dhe tmerrësisht e dhimbshme se sa i vogël qenkësh numri i shqiptarëve që e njohin mirë Serbinë!

Të mashtrohesh se në këtë synim strategjik Serbia nuk e ka mbështetjen apo të paktën nuk e ka siguruar heshtjen e disa qendrave të vendosjes në Perëndim, duhet të jesh budallë me fletë.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*