MBROJTJA E TERRITOREVE KRYEMOTIV I GJITHË VEPRIMTARISË SË LËVIZJES KOMBËTARE TË KOSOVËS

Shkruan:
Xhafer Shatri

Trajtesë për Simpoziumin kushtuar 50 vjetorit

të themelimit të Grupit Revolucionar të Kosovës

nderuar pjesëmarrës,

Meqë një simpozium i kësaj natyre e me shumë trajtues të temave nuk lejon stërzgjatje analizash, po i bie shkurt:

1.

Këtu e 100 vjet më parë në një fshat të Kosovës, të përfshirë nga vala e kolonizimit masiv, fati i një familjeje treanëtarëshe kthehet në një betejë të përgjakshme gjeopolitike.

Një nanë i kishte dy djem; njëri 18 e tjetri 16 vjeç, ata i kishin rreth 5 h tokë. Por shteti ua mori krejt tokën veç oborrit me shtëpi.

Një ditë me diell, në kohë sanash, kolonistët pasi e kishin kositur livadhin, dalin familjarisht ta mbledhin sanën në tokën e posagrabitur… Ishin shumë dhe duke punuar ia morën edhe këngës.

Në atë livadh të shkretë kurrë nuk ishin ndëgjuar këngë serbisht.

Vëllait të madh i pëlciti jo zemra, por i iku mendja dhe me një sopatë të pacokatur shkoi e u përlesh me kolonistët që ishin përgatitur edhe për këso kundërveprimesh. Vëllai i vogël dhe Nana u përpoqën ta ndalin, por kot, sepse atij ia kishte vërbu sytë dhe mendjen egjeli.

Kjo ndodhi, taman kur vëllai i vogël, që posa ishte kthyer nga pazari, ku e kishte shitur një magar dru, po drekonte pshesh me kos… E përbinte një lugë pshesh dhe shkonte te dritarja për ta parë të vëllain kah ia mbysin para syve të familjes. E Nana e shkretë herë dilte në derë, duke e shqyer shaminë me gjithë flokë, dhe herë kthehej te djali i vogël dhe i thoshte: E mbytën, oj loke, pasha Zotën!

Ndërsa i biri, pa folë fare, prej gazepit herë shkonte te sofra e herë te dritarja.

Pasi u kry krimi e zallahia dhe dita ia lëshoi udhën natës, vëllai i vogël shkoi e mori të vëllanë dhe e vorrosi në oborr.

Të nesërmen edhe Nanën edhe qenin e shtëpisë i çoi te dajtë.

Të pasnesermën e shiti lopën dhe gomarin. Po atë ditë e bleu një mauzer dhe i mbushi xhepat me fishekë.

Në muajt në vijim ia nxori shumëfish gjakun vëllait të vet. Ndërkaq toka e tjetërsuar e babës, mbeti e askujt. Sana nëpër zavalle u kalb dhe në vend të këngëve të huaja në livadh sërish ia nisi me këndu’ jo vetëm qyqja, por edhe zogj të tjerë.

Kryemotivi i krijimit të Grupit Revolucionar dhe i grupeve të tjera të ngjashme, që ishin pjesë e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, duhet kërkuar edhe në këso rrëfimesh të kohës së robnisë. Që ndryshe quhet luftë për hapësirë mbijetese apo më troç luftë për mbrojtjen e territoreve.

Kjo luftë as nuk është ndalë, as nuk ka përfundu’. Dhe ne nuk ishim as të parët e as të fundit që u përpoqëm për këtë qëllim.

2.

20 vjet më vonë nga ngjarja që rrëfeva, disa qindra pjesëtarë të një populli tjetër, por me fat të ngjashëm historik me atë të shqiptarëve, po ktheheshin në tokën e premtuar. Ishin fëmijë jetimë me etni jevreje, që Lufta e Dytë Botërore ua kishte shfarosur familjet nëpër kampet e përqëndrimit… Aksionin e udhëheqte oficeri i Mosadit, Leon Uris, i cili, më vonë, e përshkroi këtë akt të jashtzakonshëm atdhetarie në romanin historik “Ekzodi”.

Ngjarja është e thjeshtë, duhej kaluar të gjitha pengesat për t’u kthyer me çdo kusht në trojet e të parëve dhe për t’ia nisur, me të gjitha e me çdo gjë, nga e para.

Duhet nënvizuar gjithsesi se ata fëmijë ishin pinjoll të familjeve që kishin braktisur atdheun në disa valë ekzodesh që nga Beteja e Armagedonit, këtu e 3500 vjet më parë dhe deri në Mesjetë.

Historianët, sigurisht, e dijnë më mirë se unë, por Beteja që përshkruhet edhe në Testamentin e Ri, pati pasoja të rënda gjeopolitike për izraelitët e atëhershëm që me shpirt nër dhëmbë filluan të kërkojnë shpëtim gjithandej nëpër botë.

E mora si shëmbull këtë libër, që, në pikëpamjen time, është bibla e gjeopolitikës, sepse përmbajtja e tij pasqyron më mirë se cilado ngjasmë në histori dhe cilido studim shkencor, se këmbënguljen e një populli të vendosur për t’u kthyer dhe për të mbijetuar në tokën e tij nuk mundet dhe nuk guxon të dështojë. Zatën, ky është shëmbull unik në botë kur gjeneratë pas gjenerate është mbrujtur me fanatizëm shpresa dhe betimi për t’u kthyer patjetër në tokën e premtuar. Dhe me të drejtë, sepse shpresa dhe përpjekjet ushqehen e udhëtojnë bashkë.

Por edhe mund të shuhen bashkë gjithashtu.

Te «Ekzodi», lufta për territore është krejt konkrete; Aty me plan operativ e sipas çdo rasti veç e veç luftohet me para e me armë, e derdhet edhe gjak, shumë gjak për çdo pëllembë toke, për nje bahçe me portokalle, për një qafë me shkurre, për një ograjë, për një kodrinë në shkretëtirë e sidomos për një oazis, dhe me një këmbëngulje që të lë pafrymë.

Ndodhë kështu sepse lufta për territore, kthehet në luftë për mbijetesë. Dhe me të drejtë, sepse liria nuk mund të jetësohet në maje të plepit, por në një territor të caktuar, ku njerëzit me dije e me vullnet të fortë e ndërtojnë entitetin, jetën dhe të ardhmen e tyre.

Historia, në çdo faqe të saj, na mëson gjithashtu se popujt e vegjël detyrohen të ballafaqohen gjatë gjithë jetës së tyre me rezikimin e territoreve. Jetëgjatësia e Lëvizjes tonë Kombëtare e dëshmon këtë. Madje mund të thuhet lirisht se sot, kjo luftë po bëhet më e rreptë se asnjëherë tjetër, ndoshta edhe për faktin e pasqyrimit në medie, që në këto kohë moderne, janë të pranishme në çdo pore të jetës.

Aktualisht te shqiptarët, kjo betejë jetike po përthehet mes dy blloqeve të elitave tona, të atyre që po përpiqen sinqerisht e vendosmërisht t’i mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës (shpeshherë me jo pak gabime në hapa) në njërën, dhe të atyre që nuk u bëhet dhe nuk u është bërë vonë asnjëherë, në anën tjetër.

Në dy vitet e fundit, kjo luftë rraspapitëse është kthyer në gurë prove që i bashkon të gjithë shqiptarët e vetëdijshëm, pavarësisht se ku kanë lindur, ku jetojnë dhe ku përpiqen për faktorizimin e kombit tonë.

3.

Ne po flasim sot dhe këtu për një ngjarje që i përket historisë moderne të Kosovës. Në këndvështrimin tim ky ishte gjysmëshekulli më dinamik në historinë e shqiptarëve por, edhe të Evropës, sepse u shkërmoq Muri i Berlinit, u shpartallua, në një masë, Perandoria e të keqës, me emrin Bashkimi Sovjetik e bashkë me të edhe Serbia e Madhe që quhej Jugosllavi.

Më në fund, falë rrethanave gjeopolitike në botë, falë përpjekjeve tona kolektive, falë luftës së armatosur, Kosova u çlirua dhe çështja shqiptare përjetoi një kapërcim historik.

Mirëpo, mjerisht, si çdo gjë tjetër, edhe idetë e mëdha e kanë fillimin, lulëzimin por edhe rënien gjegjësisht stërkeqjen e tyre.

Kush do ta mendonte para Luftës së fundit se në Kosovën e lirë, kur ajo kishte kryetar Republike, kur kishte Parlament e Qeveri, me jo pak pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës brenda, përfshi këtu edhe pjesëtarë të Grupit Revolucionar, shteti serb publikisht do t’i blente pronat e shqiptarëve në Veri të Kosovës, sidomos në pikat strategjike në Mitrovicë dhe rreth saj?

Kjo shkërmoqje morale mori përmasa shumë të rrezikshme, atëherë kur nuk e priste askush, pra pasi që Kosova e shpalli Pavarësinë dhe u njoh nga Fuqitë e Mëdha Perëndimore. Sepse pikërisht atëherë plangrprishësit dhe bukëpërmysët ia hapën dyert e oborrit idesë serbe për copëtimin e Kosovës.

Këtë ide vetëvrasëse përpiqej me këmbëngulje ta realizonte vetë kryetari i Kosovës, të cilin, për motive të pashpjegueshme, e ndihmonte, me mish e me shpirt, edhe kryeministri i Shqipërisë.

Jam i sigurt se, një ditë, kur do të publikohen dokumentet e bisedimeve të fshehta për copëtimin e Kosovës që janë realizuar sidomos mes viteve 2016 -2020, në Bruksel, në Paris, në Romë, në Washington etj.,do të dalin në shesh fakte që çdo shqiptar me mend në krye do të skuqet prej marres.

4.

Nuk ka asnjë dilemë se kjo zezonë arrijti ta kaplojë Kosovën vetëm falë shkërmoqjes së sistemit të vlerave. Në këtë përdhosje të paimagjinueshme ndonjëherë, tash një çerek shekulli e këtej, po lulëzon mistifikimi dhe komercializimi i neveritshëm i çdo përpjekjeje për liri.

Mjerisht kjo shpërfaqje, që në fakt është ndotje masive, ka cënuar rëndë thelbin e idealizmit me të cilin është ushqyer në vazhdimësi Lëvizja Kombëtare e Kosovës.

Në pikëpamjen time, pjesëtarët e saj, të frymëzuar me idetë e Rilindjes, gjithë jetën e tyre ishin njerëz modestë dhe rolin e vet kurrë nuk e kanë parë jashtë përmasave të dritës që lëshon një qiri në natën pa hënë e pa yje.

Në këso rastesh, qiriri ka vetëm një mision; mos me u shu dhe kështu me e sfidu mbretërinë e errësirës me konstatimin jetik:

Aty ku jam unë, ti, Errësirë, pavarësisht çmimit që do ta paguaj, nuk do të jesh dhe nuk do të mbretërosh e qetë asnjëherë!

Falemnderit për vëmendjen.

Prishtinë, 8 qërshor 2023

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*