Shkruan:
Xhafer Shatri
1.
Më 21 nëntor 1995, në bazën ushtarake në Deiton, u arrit Marrëveshja, përmes së cilës u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Kjo ndodhi vetëm 4 muaj pas gjenocidit në Srebrenicë.
‘Paqja’ u arrit në saje të një presioni të jashtëzakonshëm, sidomos mbi palën më të lëndueshme dhe më të rrezikuar, atë boshnjake.
Bisedimet mbaheshin në një bazë ushtarake, ato bëheshin pa kurrëfarë orari. Ka ndodhur që liderin boshnjak, Izetbegoviq ta detyrojne të vijë në tavolinën e bisedimeve nga shtrati dhe i veshur në pixhame…, ushqimi ishte katastrofik, pizza dhe hamburgerë të ftohtë, pa kripë dhe pa mëlmesa…
Më të rëndat ishin kërcënimet direkte: “do të tërhiqemi përgjithmonë nga BeH, do t’i tërheqim forcat e Natos dhe do ju lëmë të përballeni qyqe vetëm me Serbinë…”
Ditën e nënshkrimit lideri i boshnjakëve, Alija Izetbegoviq deklaroi:
“Një porosi për popullin tim; Kjo ndoshta nuk është paqe e drejtë, por është më e drejtë se vazhdimi i luftës. Në këtë situatë dhe në këtë botë që jemi sot, nuk mund të arrihej paqe më e mirë. Zotin e kemi dëshmitar se kemi bërë çdo gjë që ishte në mundësitë tona që padrejtësia ndaj popullit dhe ndaj vendit tonë të jetë sa më e vogël…”
Përmes kësaj Marrëveshjeje, Republika Srpska mori gjysmën e Bosnje Hercegovinës dhe praktikisht e zaptoi shtetin si bolla.
Faqja më e zezë e Marrëveshjes ishte pranimi i gjendjes se krijuar përmes gjenocidit në komunën e Srebrenicës, e cila, në vitin 1991, 64% të popullsisë e kishte boshnjake (27’572). Ndërsa sot aty jetojnë vetëm 7’248 boshnjakë.
Në regjistrimin preliminar të srebrenicasve të vrarë janë 8372 persona ndërsa 12’000 llogariten të zhdukur. Lista e të vdekurve shtohet për çdo ditë dhe sa herë që zbulohen varrezat e panumërta masive.
Më vonë, në librin e tij “Kujtime”, Izetbegoviq shkroi: “Ne jetën time të gjatë kam bërë punët më të ndryshme; si i burgosur kam rrëmihë tokën, kam bartur llaq (mallter), kam prerë dru, e më vonë si njeri i lirë, kam udhëhqur kantiere ndërtimi, kam përfaqësuar nëpër gjykata, kam shkruar artikuj.
Megjithatë, për mua puna më e vështirë ishin negociatat.
Sepse të negociosh do të thotë edhe të vendosësh. E të vendosësh është puna më e vështirë që mund t’i bjerë hise një qenieje fatkeqe njerëzore. Problemi im ishte se as nuk munda të fitoj paqe të mirë e as të udhëheq luftë të mirë.
Negociatat bëheshin në kushtet të shantazhit dhe me shpatë mbi kokën e Bosnjës. Populli ishte i sulmuar nga armiq që ishin jo vetëm më të numërt por edhe të pajisur shumë më mirë dhe i ekspozohej shkatërrimit të rëndë, ndërkaq paqeja që propozohej jo vetëm ishte në kundërshtim me principet e mia por edhe me drejtësinë më elementare.
Ishte shumë e rëndë ta pranoj një aso paqeje, por edhe më vështirë të kthehem në shtëpi (Bosnje) me porosinë se lufta do të vazhdojë. Dilemat e mia ishin të padurueshme.
Ndihesha si me qenë i gozhduar në kryq.”
2.
28 vjet më vonë, Bosnje e Hercegovina është një shtet që veq emrin e ka. Aty për shkak të diversioneve të përhershme të përfaqësuesve serbë në të gjitha instancat, nuk mund të merret asnjë vendim. Madje as për t’u bërë pjesë e Natos, sepse këtë e bllokon Republika Serbe.
Aktualisht ky entitet është aleati më i zëshëm i Putinit në Evropë.
Lideri serb në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, i mbështetur gjithanshëm nga Serbia, kërcënon për çdo ditë shtetin e përbashkët me luftë qytetare dhe shpartallim, i fyen dhe tallet me viktimat e shumta boshnjake dhe me familjet e tyre dhe, mbi të gjitha, i provokon boshnjakët, duke ua futur gishtërinjtë në sy sa herë që i jipet rasti.
Për çdo njeri që merr vesh sadopak është e qartë se misioni i Dodikut, ashtu si edhe i paraardhësve të tij, ishte dhe mbeti që Bosnje e Hercegovinën, përmes diversioneve të përditshme, ta kthejnë në një shtet në gjendje dialize, në mënyrë që të shpërbëhet vetëvetiu.
Nuk ka asnjë dilemë se ata që e përthekuan në këtë farë feje fatin e Bosnje e Hercegovinës, sot, ani se e shohin se janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për gjendjen pashpresë në këtë vend evropian, megjithatë nuk lëvizin as gishtin e vogël për t’ia treguar vendin Dodikut dhe dodikëve. Aq më tepër kur i kanë në dorë ‘edhe arrën, edhe gurin’.
Në shtator të vitit 2022, në qytetin e përgjakur të Bijelinës, në qytetin të cilin Serbia, përmes kriminelëve të Arkanit, e ktheu në sinonim të pastrimit etnik, Vuçiqi dhe Dodiku, duke mos pasur asnjë konsideratë për viktimat e shumta, organizuan “Ditën e bashkimit, të lirisë dhe të flamurit kombëtar”. Prej aty ata dhanë mesazhe të forta shovinizmi e revizionizmi të neveritshëm.
Ndërkohë që “ndërkombëtarët” çele guri gojën, ani se është fjala për një akt konkret e të mirëmenduar në funksion të projektit serbomadh, të njohur me emrin “Bota Serbe”.
Dhe krejt këto bëhen me lotë në sy duke u përpjekur ta bindin botën mbarë se këta janë viktima!
3.
Në rrethanat aktuale gjeopolitike, kur Rusia në zemër të Evropës ka kryer një agresion dhe ka shkaktuar një luftë të tmershme, bota perëndimore me një moral dhe logjikë, gati të Mynihit, po përpiqet t’ia imponojë edhe Kosovës një fat politik si Bosnje e Hercegovinës.
Me të gjitha mjetet ‘bashkësia ndërkombëtare’ po përpiqet që Kosovën ta qesë para aktit të kryer, në mënyrë që kjo ta pranojë Zajednicën dhe ta kthejë, me dorën e saj, një vend të vogël prej më pak se 11 mijë kilometrash katrorë në një shtet asimetrik e, vetevetiu, jo funksional.
Për çdo njeri me mend në kry’ është e qartë se këtu nuk është aspak fjala për të drejtat e ligjshme të pakicës serbe, që nuk po ua mohon askush, por për përligjjen e përdhunshme të të “drejtës” së Serbisë mbi Kosovën.
Pershendetje, na kane munguar shkrimet tuja qe nga Pranvera e vone e deri me tani. Nji shkrim per te gjithe ata qe po ulen ne tavolina bisedimesh.
Isa Mustafa ne nji interviste tha se me mire te perballemi me sanksione’ se te perballemi me Zajednicen.