Bregut të Ronës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në mars të vitit të ardhshëm bëhen 40 vjet prej që e kam “takuar“ për herë të parë Ronën, njërin prej lumenjve më të bukur e më të mbrojtur evropian.

Prej atëherë e deri sot me mijëra herë kam ecur bregut të saj. Kam ecur atypari nëpër të gjitha stinët e 40 viteve. Kam ecur kur m’kanë gri trishtimi e vetmia, kam ecur kur kam qenë i zhgënjyer sa s’ka ku shkon mâ, por kam ecur sidomos kur malli për Kosovën, për vendlindjen, për familjen dhe për miqtë e rinisë merrte peshën dhe përmasat që një trup njeriu nuk i mbante dot.

Me ecë bregut të Ronës kur vjeshta shtrin pushtetin e saj gjithandej është një përjetim krejt i posaçëm. Gjethët e pâjës e të verrit të kuq sidomos e bëjnë mahnitës qilimin e bregut të shtruar me gjethnajën e drunjve të shumtë e të gjithëllojshëm. Ato shkëlqejnë si diej të vegjël nën rrezet e diellit e lagshtën e Lumit.

Asgjë si pamja dhe aroma e kësaj gjethnaje nuk ma kujton Vendlindjen.

***

Një ditë prilli të vitit të kahershëm 1983, shëtisnim bregut të Ronës, me një mik të shtrenjtë, Nuhi Berishën. Në një moment ai u ndal dhe, duke shiquar Lumin, më tha:

“Do të jipja çdo gjë që kam në jetë, që Kosova ta kishte një lumë si ky…”
“E ku do ta vendosje?“.
“Mespërmes Kosovës…!”
Nuk ka një herë të vetme që dal bregut të Ronës e që nuk më kujtohen fjalët e tij e sidomos shiqimi i tretur në valët e lumit.

Nuhi Berisha nuk kishte asgjë mas shpirtit, pos jetës së re, të cilën, një ditë të egër dimri, e dha për Kosovën.

***

Më 26 gusht 2015, të nesërmen e asaj të famshmes në Bruksel, në Vjenë u nënshkrua Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. U deshën 3 vjet që kjo Marrëveshje, e diskutueshme dhe e dyshimtë nga shumë këndvështrime, të aprovohet me përdhunë në Kuvendin e Kosovës.

Veç të tjerash, kjo Marrëveshje, në mënyrë arbitrare, e ndante, mespërmes, me Malin e Zi njërin prej burimeve më karakteristike të ujit në Kosovë: Lkenin e Njëqindnatit.

Për ata që nuk e dijnë: Lkeni i Njëqindnatit ndodhet në Rugovë, në një naltësi mbidetare prej 1970 metrash dhe është njëri prej burimeve kryesore të Lumëbardhit të Pejës.

Lkeni shtrihet në një rrafshinë të vogël të rrethuar gjithandej me maje e kurora malesh. Ndërkaq me Malin e Zi, e ndanë një kreshtë e lartë dhe e zhveshur shkëmbore që, normalisht, do të duhej të ishte vijë kufitare.

Me asnjë parametër, me asnjë logjikë, me asnjë kriter normal, aq më tepër në kohe paqeje, kufiri në mes dy vendeve fqinje nuk do të duhej të shpërfytyrohej në këtë farë feje.

***

Cubat e Kosovës nuk u ndalën me kaq: gjatë bisedimeve të fshehta për copëtimin e vendit, ata hoqën dorë edhe nga Ujmani e Ibri, që paraqesin 70% të pasurive ujore të Kosovës.

Siç dihet, Kosova është ndër vendet më të varfëra (edhe) me burime të ujit në Evropë.

Afrikanët e kanë një proverb të vjetër që flet shumë:

Zhirafën dhe elefantin mund t’i rrëxojnë vetëm luajt, ndërsa për t’i rrjepur dhe për t’i shkrryer këtë e bëjnë çakajt.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*