
Shkruan:
Xhafer Shatri
Parametri më i saktë i shoqërive në krizë është aftësia e tyre për të prodhuar nga asgjëja tym e zhurmë. Këto, i shpërndajnë pastaj dhe gjithandej mediet e shpifura, mediokritetet dhe plehu i internetit.
Nexhmedin Spahiu është intelektual i shumënjohur gjithandej dhe kaherë. Ështe ndër analistët më të spikatur shqiptarë të të gjitha kohërave.
Me Nexhmedin Spahiun mund të pajtohesh dhe mund të mos pajtohesh, si edhe me çdo njeri tjetër në këtë jallané.
Por në asnjë rrethanë nuk duhet vënë në pikëpyetje dijen e atdherizmin e tij.
Është ndër të parët që ka ngritur çështjen e rrezikut serioz të ndarjes së Kosovës që në fillim të viteve ’90-të. Madje ka shkruar edhe një studim për këtë çështje parësore e strategjike për Kosovën dhe për shqiptarët ;
Përmes shkrimeve të tij ka kontribuar shumë që elitat në Shqipëri ta njohin më mirë çështjen e Kosovës.
Përmes debateve të shpeshta është dëshmuar jo vetëm si njeri largpamës por edhe intelektual konsekuent në mbrotjen e vendosur të çështjes së Kosovës dhe të kufijve të saj ;
Nëpër debate ai ka mbrojtur qëndrimin e diskutueshëm për kombin kosovar. Dhe me këtë ka ‘fituar’ jo pak armiq e kundërshtarë.
Me këtë qëndrim të tijin mund të pajtohesh ose mund të mos pajtohesh. Por ata që lexojnë shumë dhe shpesh e dijnë se dy teoritë dominuese në Evropë për Kombin janë objekt debatesh të rrepta akademike që gati dy shekuj :
A e përcakton kombin përkatësie shtetërore apo përkatësia etnike ?
Ky është thelbi.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare ekziston edhe sot e gjithë ditën, për arsyen e thjeshtë se çështja shqiptare nuk është zgjidhur ende.
Prandaj te ne dominon bindja se përkatësia etnike e përcakton kombësinë. Që do të thotë se kudo që të jetojmë jemi shqiptarë. Dhe ndihemi krenar për këtë.
Është naive të besosh se, ta zëmë, shqiptari në Maqedoni do ta ndiejë ndonjëherë vetën maqedon…!
Takimi i Nexhmedin Spahiut, që nuk ka asnjë funksion shtetëror, me minstrin serb Marko Gjuriq nuk ka asgjë të keqe. Ministri i jashtëm i Serbisë e ka takuar një intelektual të spikatur të një shteti fqinj me të cilin njihet kaherë. Është krejt normale.
Gjuriqi, me prejardhje nga Kosova, ka pasur rastin të mësojë edhe njëherë se nuk jetohet me ëndërrat e Sheshelit.
Mua më shqetëson fakti se edhe njerëz serioz që kanë bërë shumë për Kosovën e kanë paragjykuar këtë takim. E nuk do të duhej, sepse, të jeni krejt të sigurt, Nexhmedin Spahiu, edhe në këtë rast, e ka mbrojtur çështjen e Kosovës me vendosmëri e kompetencë si pak kush tjetër.
Mos harroni: Ne po jetojmë në shekullin XXI!
Ne, shqiptarët e gjallë, jemi me fat që jetojmë në epokën kur Serbia nuk mund të bisedojë më për fatin tonë me përfaqësues të paditur ose me të atillë që e kanë bishtin e zënë me derë.
PS
Miq e dashamire, nuk e ndryshoj kurre konceptin e shkrimeve te mia. Por kesaj radhe, duke parë reagimet, vetem desha t’i shtoj-them tri gjëra:
Në pikëpamjen time, sot, për sa i përket Kosovës (nuk po flas as për pushtetet e as për partitë), shqiptarët ndahen vetëm në këtë pikë:
Kush është për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës e kush është kundër.
Ky është thelbi.
Po e theksoj edhe njëherë: Nexhmedin Spahiu është ndër njerëzit më të njohur të Kosovës që, në vazhdimësi e vendosmërisht, e ka mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Është ndër ata që në vitin 1991, ka shkruar dhe e ka mbrojtur tezën se lufta në Kosovë është e pashmangshme;
Ishte mbrojtës i vendosur i UÇK-së;
Tjetra, një shoqëri që ushqehet me përralla e teori komplotesh, një shoqëri, ku pa asnjë argument, shpallen tradhtarë njerëzit vetëm pse mendojnë ndryshe, ajo shoqëri ka probleme serioze.
çka është edhe më keq, zakonisht, zallahitë me fushata e paragjykime mesjetare përdoren për të fshehur rreziqe serioze që i kanosen vendit. Sepse krijohet klima: të gjithë kundër të gjithëve.
Kjo më shqeteson më së shumti. E do të duhej t’ju shqetësonte edhe juve.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment