
Shkruan:
Xhafer Shatri
Qirinjtë nuk mund ta bëjnë dot natën ditë. Por janë trima që dëshmojnë se mund ta sfidojmë terrin. Mjafton pakëz guxim e kurajë qytetare.
Po e publikoj në vijim një përkujtim që gazetari i njohurr Dragan Bursaç ia kushtoi intelektualit të shquar Filip David, i cili vdiq më 14 prill 2025.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e dijnë se kush ishte Filip DAVID. Po ju tregoj me dy fjalë :
Nuk na e ka kthyer shpinën asnjëherë. Na ka përkrahur dhe na ka mbrojtur parreshtur dhe me rrezik për jetën e vet…, na ka mbrojtur nga Beogradi, ku jetonte, nga kryeqyteti i Serbisë agresore!
Dhe pa iu trembur syri!
Puritanët tanë duhet ta bëjnë dallimin. Bursaç përmend termin jugosllav, në kuptimin që Filip David, ani se me etni ishte Hebre, i mbronte të gjithë ata që i rrezikonte Serbia në shtetin e dikurshëm të përbashkët : boshnjakët, kroatët, shqiptarët etj. Pra çdo popull që projektuesit e Serbisë së Madhe e shtypnin dhe e vrisnin me një qëllim të vetëm : t’ia marrin territorin !
Lexim të këndshëm:
NDËRSA TË TJERËT HESHTNIN PËR KRIMET,
AI FLISTE HAPUR, ME EMËR E MBIEMËR
Gazetari dhe kolumnisti i njohur nga Bosnja dhe Hercegovina, Dragan Bursać, në një mesazh të ndjerë për portalin Radiosarajevo.ba, i dha lamtumirën këtij kolosi të mendimit dhe të fjalës së lirë:
“Vdiq Filip David. Ose më saktë, u largua një nga më të mëdhenjtë – një njeri që ndriçonte errësirën tonë si një fanar.
Dhe ne? Ne mbetëm sërish përballë zbrazëtisë, duke vështruar ekranin, qiellin, dyshemenë… sikur diku, midis linoleumit dhe reve, të mund të gjenim ndonjë kuptim.
Sepse Filip David nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ai ishte mohikani i fundit i mendimit jugosllav, një shpirt që nuk mundën ta thyenin – as komisarët partiakë, as shovinistët agresivë, as xhelatët e viteve ’90, e as ata të sotmit me fytyra të ngrira dhe narrativa të rreme.
Ai ishte shkrimtar, por më shumë se kaq – ishte ndërgjegje. Dhe të jesh ndërgjegjja e një shoqërie në një vend ku kujtesa përbuzet dhe e vërteta shihet si tradhti – është një akt trimërie.
Filip David nuk shkruante për të shitur libra. Ai shkruante për të shpëtuar shpirtra – nëse jo të vetin, atëherë të të tjerëve. Dhe kjo përpjekje këtu është si të kontrabandoje oksigjen në një minierë pa dalje.
Ai ishte Beogradas. Jugosllav. Antifashist. Ishte gjithçka që e neverisnin profetët e rremë të luftës dhe të pasluftës.
Prandaj e injoruan. Ose edhe më keq – e toleruan me ndrojtje. Ju e njihni atë lloj “mirësjelljeje”, kur tundin kokën dhe të thonë që ‘nuk mendon mirë’, por në të vërtetë do të donin shumë të mos ekzistoje fare.
Por ai nuk u dorëzua kurrë. Ai fliste, shkruante, dëshmonte. Ndërkohë që të tjerët heshtnin për krimet, ai i quante me emër dhe mbiemër. Derisa të tjerët përpiqeshin ta relativizonin të keqen, ai ngrinte pasqyrën përballë fytyrës së kombit. Dhe nuk hezitonte të thotë: ‘Kjo jemi ne. Këto janë krimet tona.
Ky është turpi ynë. Dhe vetëm nëse e pranojmë, mund të jemi njerëz. Në të kundërt, do të mbetemi përbindësha që shkruajnë historinë e tyre me gjakun e fqinjëve.’
Filip David ka vdekur, por ai nuk ka ikur. Sepse Ai nuk po shkon në harresë –siç nuk shkuan Danilo Kiš, Mirko Kovaç, dhe të gjithë ata që e dinin se asnjë komb nuk shpëtohet me gënjeshtra, por vetëm me të vërtetën.
Ndezni një qiri. Hapni një libër. Jo një për mitet dhe tokat e shenjta. Por për njerëzit e vërtetë. Për antifashizmin. Për dashurinë e një Hebreu nga Beogradi, që e donte këtë vend më shumë se tëgjithë patriotët e vetëshpallur së bashku.
Lavdi e përjetshme e falënderim për të.
Dhe le të mbetemi me turpin tonë për gjithçka që nuk arrijti ta ndryshonte, sepse nuk e dëgjuam mjaftueshëm – ashtu siç nuk i kemi dëgjuar shumë të tjerë para tij.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment