
Shkruan:
Xhafer Shatri
Nipi im, Arian Haki Shatri, përndryshe anëtar i VV-së, është caktuar si kandidat për Asamblenë e ardhshme të Istogut.
Për të kuptuar pak më shume pikëpamjet dhe vizionin e tij për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe zhvillimin e Istogut fola me të. Po i ndaj me ju ato që më tha:
“Komuna e Istogut është një komunë e veçantë. Ka shumë njerëz të shkolluar, përgjithësisht ka kulturë politike, tolerancë perëndimore dhe krime e faqe të zeza më pak se askund tjetër.
Kjo është një traditë e mirë që duhet ta kultivojmë.
Në fushatë nuk duhet të ketë grindje, sharje e zallahi, por argumente. Le të fitojnë ata që janë më të mirët.
Edhe garën, edhe rezultatin duhet ta marrim në mënyrë sportive, pa inat dhe hatërmbetje. Pavarësisht rivalitetit, ne duhet të vazhdojmë të jemi shokë e miq si më parë, të rrimë bashkë e të komunikojmë normalisht si njerëz të qytetruar.
Unë e vlerësoj dhe besoj në programin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, sikundër që kam besim të patundur në ndërshmërinë, aftësitë dhe vendosmërinë e kandidatit tonë për kryetar, Z. Agron Avdijaj, për të bërë më të mirën për Komunën tonë.
Zoti Avdiaj dhe ekipi i tij ka projekte ambicioze dhe të ngutshme, por edhe projekte afatgjata që janë biseduar shpesh në mbledhjet e aktivistëve istogas të Lëvizjes Vetëvendosje. Po i theksoj disa syresh:
Istogu është mu buzë bjeshke dhe do të ishte mirë që të caktohet një vend afër burimit, mbi restoranet “Freskia“ e “Morea“, për një Park të madh të qytetit, ku, veç drunjve e shëtitoreve do të kishte pishinë, fusha të vogla të voleibollit, të basketbollit e të tenisit si dhe një amfiteatër në natyrë për të organizuar koncerte por edhe shfaqje të ndryshme artistike, në mënyrë që rinia vendore por edhe turistët të kenë mundësi të kalojnë çaste të këndshme në një ambient të bukur.
Ta kthesh atë gurënajë të shkretë, ku gjëllijnë vetëm therra e shoshorka, në një park madhështor e në një vend atraktiv, do t’u bëhej një shërbim i madh edhe natyrës edhe njerëzve. Kjo, siç më ka thënë një ndërmarrës rëndësor i ndërtimeve, do të arrihej me investime modeste të përballueshme fare lehtë edhe për buxhetin e një komune të vogël si Istogu..
Në pikëpamjen time çdo gjë është e mundshme vetëm nëse duam.
Bjeshkët e Istogut, janë shumë të bukura dhe një mundësi tjetër për zhvillimin e mëtejmë të turizmit.
Duhet të qëmtojmë mundësitë, që me ndihmën e qeverisë qendrore, të sigurojmë një teleferik që do të mundësonte një qasje më të lehtë për të vizituar Gurrat e Bardha, dhe bjeshkët përreth…
Unë dhe miqtë e mi, çdo fundjave dalim bjeshkëve, prandaj mendoj se është koha e fundit që Gurrat e Bardha të kenë një trajtim krejt të posaçëm. Ky është një burim i konsiderueshëm, që është dëmtuar shumë dhe pjesa dërrmues e ujit humbet nëpër gypa që kanë venë këtu e 40 vjet më parë dhe sot nuk përfundojnë te dëbanet, por në tokë. Një studim i specializuar dhe ndërtimi i një rezervoari ku çdo lagje dëbanësh mund të ketë qasje është i domosdoshëm.
Kjo do të mundësonte që të ketë ujë me bollëk dhe ndonjë investitor të ketë mundësi të ndërtojë ndonjë objekt hotelier për të mirëpritur vizitorët e shumtë.
Kemi shumë për të bërë dhe besoj se të gjithë asamblistët bashkë, pavarësisht se cilit subjekt i takojmë, ashtu si edhe të gjithë qytetarët, do të mbështesim çdo projekt që mëton ta bëjë Istogun me rrethinë një komunë të përparuar, me infrastrukturë të shtrirë gjithandej, me ambient të kultivuar evropian, me turizëm, bujqësi e blegtori të zhvilluar.
Potencialet nuk mungojnë, po edhe vullnetin e madh e kemi për të realizuar projekte të mira.
Ajo që si asamblist i ardhshëm bashkë me kolegët do t’i kushtojmë rëndësi të posaçme është transparenca. Qytetarët duhet ta dijnë saktësisht për çdo qindarkë të harxhuar në realizimin e projekteve dhe investimeve që bëhen për të mirën e tyre dhe të komunës.
Një çështje tjetër që do ta shtroja në mbledhjet e para të asamblesë komunale është kultivimi i kujtesës. Nga njerëzit e moshuar por edhe nga shkrime të ndryshme të gjithë e dimë për krimet e shumta që ka kryer Serbia në këto anë si kudo tjetër në Kosovë… Por një vend është krejt i veçantë: Lluga e Xhamisë, ku janë eshtrat e qindra burrave të Drenicës e të Rrafshit të Podgurit të pushkatuar pa gjyq, në dimrin e tmershëm 1944-1945.
Prandaj është koha e fundit që aty t’u ngritet një Përmendore e meritueshme viktimave të shumta të terrorit serb.
Në fund, jam i bindur se Qeveria e Kosovës do ta na mbështesë në realizimin e shumë projekteve që do ta rritin mirëqenien e qytetarëve.“
S’kam çka t’i shtoj tjetër këtij vizioni veçse t’i uroj: ju priftë e mbara!
Burim: https://www.facebook.com/XhaferShatri1/posts/1298740073890310
Be the first to comment