ILAÇI KUNDËR NGËRÇIT

Shkruan:
Xhafer Shatri

Miq e mikesha,

Dashamirë të Republikës !

E kam për ju një lajm të mirë: e gjeta ilaçin që e bën ngërçin fërtele! Apo, thënë më mirë, e gjeta shkaktarin e ngërçit. Është si puna e carcinomit. Shkencëtarët derisa nuk i gjetën shkaktarët e tij nuk dijshin as çka me i ba as qysh me e sulmu’…

Po i bie shkurt : Isha në tramvaj dhe po i shikoja bashkëudhëtarët. Të gjithë i kqyrnin telefonat, kishin harru ku janë dhe ku po shkojnë. Si me i pas hipnotizu. Thash, vetë më veti, po me ba me vendosë shteti me i ndalë valët; çka do të bënin këta ? Erdha në përfundim se shumica ishin dalë menç.

M’kujtohet, këtyneherë, kur shkoja në punë me tramvaj, po flas për kohën kur s’kishte telefona mobil, njerëzit ishin të qetë, flisnin me njëri tjetrin për kohën, për punën, për familjen… Dikush e lexonte gazetën, dikush ndoj libër. Ishin të qetë, shumica e kishin fytyrën e hareshme si livadhi mas vade.

Ndërsa tash, thua se nuk je në tramvaj, por në spital psikiatrik.

Çka me ba, miq e mikesha, e nxora edhe unë aifonin. Posa e hapa, me doli në ekran surrati e njërit prej ndotësve më të mëdhenj të ambientit publik në Kosovë. Është taman si ajo çynga e Obiliçit që nxjerr veç tymë të zi, natën e ditën.

Ani edhe flokët i kishte shti n’strujë! I kish ba kaçurrel!

Fliste pandërpre, bënte grimasa, i rrotullonte sytë si para sulmit epileptik…

Ma kujtoi Homeinin, kur si azilant në Paris, i incizonte kasetat video ose audio dhe i çonte në Iran. Atje mblidheshin me qindra njerez dhe i shikonin e i ndëgjonin. Përmes kasetave ia shtini flakën njërit prej shteteve më të forta të Azisë deri sa e bëri telef.

Kështu edhe ky farë, me nder me thanë, analisti i Kosovës fliste e fliste dhe i çatallonte sytë si me pas dalë n’tjetër hesapë.

Tu e kqyr e tu ba seri qysh m’hini ky gjedall n’aifon temin dhe prej aty m’i shtinte gishtat e tij të pistë në sy, m’u dhezën radarët e kuq, dhe thash me zë :

Eureka ! E gjeta !

Çifti i këtij taksiratxhie me shokë, me këso pallavrash, ua kanë luejt fiçirin të zgjedhurve të popullit dhe nuk po i lënë me e zgjedhë kryetaren e Parlamentit!

Po a e dini, o motra e vëllazni, se edhe çurat e zgjedhin të parë-in e vet, për m’ju pri nëpër mjegull e me i qitë n’dritë të Zotit !

Kur këta kanalista na i bojnë budallë të zgjedhurit tanë, ajkën tonë, po popullit çka janë në gjendje me i bâ ? Luejnë me të si maca me mi!

Prandaj lus qeverinë që me i ndalë valët dhe të gjitha bien për tokë dhe përnjëherë: interneti, rrjetet sociale, emailat, sms-at, thirrjet, lajmet, pordhalet e me to edhe pallavrat edhe hiletë e kanalistëve…. Këta taksiratxhinj do të trullohen krejt, sepse jesin si kovaçi pa qymyr dhe ia nisin me folë vetë me veti e me u rrahë me njëri-tjetrin!

Eh, ky është ai rasti i rrallë që ndryshe i thonë edhe golldillok, apo kosovarisht momentum, për me i thirrë shpejt e shpejt të zgjedhurit e popullit dhe ata e ato, po ju garantoj, do ta zgjedhin Albulenën kryetare pa numru dej n’pesë.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*