Kur Kadri Veseli skuqet nga djegia, e jo nga turpi

Shkruan: Arben Idrizi

Atij i dogji. E kur të djeg, edhe skuqesh. Por, është skuqja e djegies, jo e turpit, siç do të duhej të ndodhte. Skuqja e arrogancës. E atij që pretendon se ka bërë diçka për dikë dhe për rrjedhojë tash mund të bëjë ç’të dojë për veten. E qartë: mund dhe duan të bëjnë gjithçka vetëm për veten

Jo gjithmonë janë të drejtpërdrejtë dhe të rreptë ambasadorët e huaj në Kosovë. Me pak paturpësi të patëkeqe, kjo fjali do të mund të përkthehej: jo gjithmonë e thonë atë që e mendojnë. Sigurisht, është e kuptueshme, në parim, të mos përzihen për shumë probleme të brendshme. Madje, do të ishte e pazakontë.

Megjithatë, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, duket të na e dojë të mirën ndonjëherë më shumë se sa që na e duan përfaqësuesit tonë politikë.

Dje, gjatë përurimit të një ujësjellësi në fshatrat e Skenderajt, e tha se, në parafrazim, nuk është normale që qeveria e Zvicrës ta financojë një projekt të tillë, kur fare mirë mund të realizohej me paratë që janë këtu, por të cilat në të vërtetë janë vjedhur nga vetë ne, përkatësisht nga veteranët e rremë, numri i tepërt i shërbyesve civilë, etj.

E mira e madhe e kësaj është po ashtu se e tha para surratit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, njërit prej kontribuuesve më të mëdhenj të atyre mashtrimeve të përmendura. Natyrisht, atij i dogji. E kur të djeg, edhe skuqesh. Por, është skuqja e djegies, jo e turpit, siç do të duhej të ndodhte. Skuqja e arrogancës. E atij që pretendon se ka bërë diçka për dikë dhe për rrjedhojë tash mund të bëjë ç’të dojë për veten. E qartë: mund dhe duan të bëjnë gjithçka vetëm për veten.

Dhe natyrisht, fjalët e ambasadorit zviceran i kemi thënë, shumë prej nesh, pafundësisht herë.

Janë të shumta projektet që mund të realizoheshin me paratë e plaçkitura nga politikanët, veteranët dhe të tjerët. Shkolla, spitale, ujësjellës, fabrika. Mungesa e tyre rëndon mbi mjerimin e gjithanshëm. Do të thotë, mjerimi i gjithanshëm do të shkojë duke u thelluar, fatkeqësisht.

Mundet që qeveri e fondacione të huaja do të vazhdojnë të financojnë projekte të ndryshme të domosdoshme për mirëqenien tonë, shpesh krejt elementare.

Por, çka nënkupton kjo?

Se, ne kemi ca para me të cilat do të mund të financonim ndërtimin e një ujësjellësi, por ato do të shkojnë në xhepat e politikanëve të korruptuar, veteranëve të rremë dhe numrit të tepërt të shërbyesve civilë (Kadri Veseli do të na thotë se – ai bashkë me shokët e tij – ka luftuar për këtë vend që të mund ta vjedhë).

Se, ne kemi ca para me të cilat do të mund të financonim ndërtimin e një spitali, por ato do të shkojnë në xhepat e politikanëve të korruptuar, veteranëve të rremë dhe numrit të tepërt të shërbyesve civilë (Kadri Veseli do të na thotë se – ai bashkë me shokët e tij – ka luftuar për këtë vend që të mund ta vjedhë).

Se, ne kemi ca para me të cilat do të mund të financonim ndërtimin e një shkolle, por ato do të shkojnë në xhepat e politikanëve të korruptuar, veteranëve të rremë dhe numrit të tepërt të shërbyesve civilë (Kadri Veseli do të na thotë se – ai bashkë me shokët e tij – ka luftuar për këtë vend që të mund ta vjedhë).

Më tej:

Se, respekti, përgjegjësia dhe dashuria ndaj vendit nuk do të jenë parime dhe virtyte.

Se, korrupsioni, nepotizmi, klientizmi do t’i joshin të gjithë ata që do të duan të realizojnë një ëndërr, dëshirë, projekt.

Se, vendi do të shihet vetëm si një mundësi e keqpërdorimit, plaçkitjes.

Edhe më tej:

Se, Kosova nuk do të mund të sigurojë më asnjë njohje.

Se, Kosova nuk do të mund të bëjë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në BE.

Se, banorët e vendit do të shihen si emigrantë potencialë dhe për pasojë liberalizimi i vizave do të jetë pothuajse i pamundshëm./ Gazeta Express

Burimi: https://www.gazetaexpress.com/kur-kadri-veseli-skuqet-nga-djegia-e-jo-nga-turpi/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*