
Shkruan:
Xhafer Shatri
Djersitje, ethe të forta dhe një rraskapitje krejt e papritur më çuan te Qendra për test Covid 19.
Testi doli të jetë negativ, por unë mbeta i gozhduar për shtrati edhe nja 5 ditë të tjera!
Gjendja përkeqësohej dhe, me një vonesë të pafalshme, vendosa të shkoj drejt në spital. Testi u krye menjëherë dhe në të dyja vrimat e hundës derisa me qitën sytë xixa.
Pas një ore, konstatimi ishte krejt tjetër : isha pozitiv me Covid.
Me shtrin menjëherë në spital. Kujdesi ishte maksimal. Katër ilaçe adminstroheshin në mua përnjëherë si të isha objekt i një eksperimenti shkencor…
Më së vështiri ishte natën: ilaçet me qitën në një kllapi që e shkaktonin zjarmia, ethet e, sidomos, antibiotiku.
Nuk funksiononte truri. Dhe ky fakt më shashtrisi, sepse të gjitha i përpij, por kur nuk mund të mendoj dhe të gjykoj qartë më duhet vetja si me e pasë kryet e kredhur në ujë.
Një natë me kllapi e zjarmi, vërejta se ora ishte 2 e mëngjesit. Nuk isha as fjetë, as zgjuet.
Ideja e parë që më erdhi ishte ta ndëgjoja Bareshën. E gjeta lehtë, i futa dëgjueset ne vesh dhe zëri magjik i Nexhmie Pagarushës ma vërshoi trupin e shpirtin. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme. Menjëherë pastaj e gjeta një koncert të Ilir Shaqirit: Kosovë e përdnritur. Kishte këngë të përzgjedhura, çdonjëra më e bukur se tjetra.
Kur më doli gjumi, nata kishte ikur kaherë.
Falemnderit Nexhmie!
Falemnderit Ilir!
Jemi me fat që i kemi përjetësisht të pranishme në jetën tonë talentin dhe këngët tuaja të pavdekshme.
Një natë tjetër me ndihmoi Spielbergu me filimin e tij të papërsëritshëm “Duhet ta shpëtojmë ushtarin Rayan“. Një kryevepër ku shpërthen talenti i rexhizorit dhe porosia e aftësia sublime e Amerikës për ta ngritur, në maje të qiellit, kultin e shtetit.
Në një atmosferë apokaliptike, kur ushtari Rayan, vetëm para dy orësh, nuk kishte haber për tragjedinë që ishte përplas mbi familjen e tij… Larg atdheut e familjes, dikund në Normandi, me një pushkë të shkretë në dorë, krejt papritur, shpërthen kënga e Edith Piaf :
Nous nous aimions bien tendrement…
Ishte e pamundur që kësaj kënge të kahershme, të ndërthurur mjeshtrisht në njëren nga kryeveprat e Spielbergut t’i rrezistonte qoftë Covidi, qoftë kllapia, qoftë zjarmia.
Ju përshendes të gjithëve dhe mos përgjigjet e mia në mesazhet tuaja të shumta, mos i merrni për keq :
Kujdes !
Covidi qenkesh një sëmundje e pabesë, që e njeh mirë vetëm pasi të qet në kokërr të shpinës.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment