
Shkruan:
Xhafer Shatri
Në Kontinentin e vjetër po mbahen dy mbledhi të rëndësishme; në Prishtinë për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe qeveria e re, ndërsa në Vatikan Papa i radhës…
Në Vatikan veç sa ia kanë nisë, ndërsa në Prishtinë 12 mbledhje të Kuvendit të Republikës shkuan për lesh. Të shpresojmë se nga e 13, anise numër baksuz, do të dalë tymi i bardhë…
Në mungesë kohe po edhe për shkaqe higjenike, nuk i kam përcjellë mbledhjet e neveritshme të Kuvendit të Kosovës. Pos ndonjë lajmi ose analize të rrallë.
Çka me thanë? Pos me e rikujtu Memorandumin e Dytë të Akademisë serbe, që më duket se daton nga viti 2011. Sa ishte gjallë Dobrica Qosiqi.
Këtë testament të fundit të Qosiqit dhe Tadiqit, babai i ish-kryetarit serb, nuk e kam lexuar, sepse nuk kam mundur ta gjej, por i kam përcjellë analizat që i kanë bërë gazetarët boshnjakë lidhur me të…
Është dokument diabolik, të cilin politika serbe e ka zbatuar me përpikmëri edhe në Kosovë.
Thelbi i Memorandumit 2 është ky:
1. Ta zvogëlojmë përgjegjësinë e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e shkaktuara, edhe përmes aktakuzave, urdhërarresteve dhe proceseve të montuara kundër shtetasve të BeH, Kroacisë dhe Kosovës;
2. Ta largojmë vëmendjen e medieve ndërkombëtare nga proceset në Hagë kundër udhëheqjes politike, ushtarake dhe policore të Serbisë… ;
3. Shtetet fqinje, BeH, Kroacinë dhe Kosovën t’i sjellim në atë pozitë që të heqin dorë nga paditë e paralajmëruara për dëmet e luftës etj., para gjykatave ndërkombëtare ;
4. Me veprime penduese ta vendosim Serbinë në pozitë të barabartë me shtetet që pësuan dhe u dëmtuan gjatë luftërave të fundit ;
5. Të këmbëngulet për mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe gjykimi i gjeneralit Ratko Mlladiq të bëhet para gjykatave tona, në Serbi ;
6. Të destabilizohen qeveritë e shteteve fqinje, të provokohen pakënaqësi dhe trazira të brendshme dhe të zbehet ashpërsia e akuzave kundër Serbisë.
7. Të ndihmohet shkëputja e Republikës Serbe.
8. Të këmbëngulim që serbët në Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë të jenë popoull konstitutiv (bashkëhisenik ne shtet) dhe Bashkësitë (Asociacionet) serbe në shtetet e rajonit të jenë pjesë e një bashkësie unike gjithëserbe.
9. Të ndalet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i mëtejmë i Serbisë dhe të dobësohet veprimtaria e Bashkësisë Islame në Sanxhak.
Këto orientime politike të akademikëve që ishin me një këmbë në vorr, Serbia po përpiqet t’i zbatojë me këmbëngulje. Lexojini me vëmendje paragrafët në vijim:
“Humbjen ushtarake të Krajinës Serbe dhe të viseve të Sllavonisë, ku serbët ishin shumicë, ne nuk guxojmë kurrë ta pranojmë si humbje përfundimtare. Ato krahina nuk duhet të konsiderohen kurrë si të humbura, sepse as gjermanët nuk e kanë konsideruar Gjermaninë Lindore si përfundimisht të humbur. Madje as në kushtetutë.”
“Duhet përdorur të gjithë mekanizmat për të pamundësuar në maksimum funksionimin e të dy dhomave të parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës, për t’i zhvlerësuar dhe për t’ua humbur kuptimin në çdo mënyrë të mundshme… Kjo është një nga mjetet më të rëndësishme për të dëshmuar tezën e pamundësisë së funksionimit të institucioneve të përbashkëta.”
“Atyre serbëve nga RS që eventualisht pranojnë të marrin pjesë në ligat e përbashkëta në nivelin e Bosnjës dhe Hercegovinës apo në përfaqësuesen e saj, duhet t’u bëhet e qartë se me këtë ata tradhtojnë çështjen serbe dhe rreshtohen në mesin e tradhtarëve të popullit serb.”
“Duhet shmangur përdorimi i termit boshnjak dhe gjithmonë të përdoret termi mysliman, që ata të përcaktohen si grup fetar dhe jo si komb. Të shfrytëzohet çdo rast për të theksuar se ata janë serbë që kanë tradhtuar fenë e të parëve dhe kanë pranuar islamin.”
“Të përdoret termi ‘Srpska’ (serbe) që në këtë mënyrë Republika Serbe të përcaktohet ekskluzivisht si territor serb. (…) Duhet shmangur maksimalisht përdorimi i termit Bosnja e Hercegovina. Është shumë e rëndësishme që përveç politikanëve, mediave, punonjësve kulturorë dhe figurave publike në Republikën Serbe, edhe mediat, figura kulturore dhe publike në Serbi të përmbahen nga kjo.”
Në vitin 2012, Dobrica Qosiq deklaroi:
« Në shekullin XX, serbët i humbën 4 luftëra (Slloveni, Kroaci BeH dhe Kosovë), por në shekullin XXI duhet të dëshmojnë se si luftërat e humbura në paqe mund të kthehen në fitore…»
Përfundim
Jam kundër çdo teorie të konspiracionit, por nuk jam i vërbër të mos i shoh plot protagonistë në skenën politike të Kosovës (në pozitë e në opozitë) që, me veprimet e tyre, dëshmojnë se janë argatë të zellshëm të Serbisë.
Ajo skena kur Elmi Reçica i prêt shokët e Radoiçiqit në Kuvend si të ishin krushq, është vetëm maja e aisbergut.
https://www.tiktok.com/@interaktivtalks/video/7494979177817394454
Be the first to comment