Një gur për varrin e Usharit që e vranë

Libri rrëfen tragjedinë e qindra të rinjve shqiptarë, të vrarë nga shërbimet sekrete serbe, derisa kryenin detyrimin ushtarak në ish APJ-në.
Bëhet fjalë për një segment të dhunës serbe mbi shqiptarët, si hyrje në vitet e përgjakshme që i përjetuan në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.
Flaka Surroi me rastin e promovimit të këtij libri të vetëm mbi fatin tragjik të këtyre të rinjve, me emocione rrëfeu historinë e botimit të tij, duke e konsideruar si një monument për ata që janë pjesë e themeleve të shtetit të ri, Kosovës.
Foli edhe njëri nga bashkautorët, Xahfer Shatri. Motivin për ta shkruar këtë libër ai e vendosi brenda familjes së vet Shatri, të cilës i ishte kthyer në arkivol djali, por që fatin e tij e kishin pësuar edhe shumë shqiptarë të tjerë, historitë e të cilëve përbëjnë pjesën e dhimbshme të historisë së çlirimit të Kosovës. Një prej tyre edhe ajo e vrasjes së Aziz Kelmendit, në kazermën e Paraqinit.
Foli edhe ambasadori i Shqipërisë, Islam Lauka. Ai u bëri thirrje institucioneve të vendit që këto drama nëpër të cilat kaloi ky popull dhe ky vend të ekranizohen dhe t’i bëhen të ditura botës, e cila mund të bëhet viktimë e trillimeve si të Dick Martyt.
Agim Vinca tha se APJ nuk vrau vetëm të rinj shqiptarë nga Kosova, por nga të gjitha hapësirat ku jetojnë ata. Rikujtoi vrasjen e një të riu nga Veleshta e Strugës, duke emocionuar të pranishmit me vargjet e një vjershe, që ua kishte kushtuar ushtarëve shqiptarë, të vrarë nga eprorët e tyre. / Koha.net

Shtëpia botuese: Grupi Koha / 2011

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*