
Shkruan:
Xhafer Shatri
Kështu ndodhë edhe me intervistat : Lëshimet janë të paevitueshme, aq më tepër në një intervistë intensive si kjo.
Dua t’i përmend disa kapërcime dhe t’i bëj disa plotësime në mënyrë që përcjellësit e mi në Facebook të informohen sa më mirë:
a.
Në fund të gushtit të këtij viti e kam takuar për herë të parë udbashin Mehmet Loci. Siç e thashë edhe në intervistë, doja ta pyes për tri vrasje.
Pas takimit ka kërkuar të më takojë sërish dhe urgjentisht. Meqë nuk kisha kohë e takova pas 2-3 ditësh. Pa kaluar java një portal bulevardesh e kishte publikuar fotografinë time me Mehmet Locin. Thënë sinqerisht, u befasova sepse nuk e prisja. Më tepër e mora me hajgare. Prandaj në reagimin tim në FB shpërfaqa vetëm anën komike të kësaj dredhie të UDB-ës.
Më vonë, një person i mirinformuar ma bëri me dije se fjala është për një kurth të kurdisur për të m’u hakmarrë për shkak se përmes dosjes «Në kthetrat e Prontomafisë», këtu e 4 vjet më parë, e kisha zhveshur dhe demaskuar në plotni procesin e shëmtuar politik të njohur si Dosja «Syri i popullit»
Në Gjykatë për këtë rast kanë dëshmuar Hashimn Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Elmi Reçica, etj., e bashkë me ta edhe udbashi Mehmet Loci.
Siç është vërtetuar katërcipërisht, ky gjykim ishte një hakmarrje e përgjakshme ndaj Murat Jasharit vetëm pse ai u kishte dërguar letra publike, Thaçit, Veselit, Halitit etj.
Mu për këtë, strukturat e ShIK-ut, që funksikonojnë gjithandej edhe nëpër organet më sensitive të sigurisë në Kosovë, më kanë fotografuar fshehtas derisa po bisedoja me udbashin Mehmet Loci në një lokal publik e në pikë të ditës dhe në funksion të profesionit tim si publicist.
Sepse, ashiqare, M. Loci, si pjesë e rrjetit të tyre, për takimin me mua i kishte informuar paraprakisht shefat e tij.
b.
Sherif Bala intervistën e ka dhënë në dhjetor të vitit 2009 e jo në vitin 2010. E kam konfonduar vitin me një letër sqaruese që ma ka dërguar personi që ishte prezent në momentin kur një agjent endacak e i neveritshëm i SHIK-ut e ka intervistuar Sherif Balën.
Agjenti me atë rast, në vend të librezës së gazetarit, e ka përdorë librezën e AKI-së.
Sipas dëshmitarit, Sherif Bala e priste intervistën dhe ishte i përgatitur paraprakisht sepse kishte marrë udhëzime konkrete nga udhëheqja e SHIK-ut (AKI-së) që t’i demonizojë 4 persona, përfshirë edhe Enver Hadrin.
Dosjen hetimore për vrasjen e Enver Hadrit (rreth 400 faqe me detaje të tmershme) ku përmendet edhe Sherif Bala e kam marrë me vonesë shumë të madhe, sepse fjala është për dokument tepër sekret. Prandaj rolin e tij e kam denoncuar vetëm pasi kisha dokumente konkrete në dorë, sepse nuk kam dashur t’ua japë mundësinë prokurorëve dhe gjykatësve të SHIK-ut, të me endin nëpër burgje e nëpër gjykata për gjoja « shpifje ».
Sherif Bala ishte njeriu që ata e përdornin nëpër qymeze, nëpër oda, nëpër të pame e kumos tjetër për të shitur mjegull e sidomos për t’i nxirë kundërshtarët politikë të Hashim Thaçit.
…
Gjykimi për vrasjen e Enver Hadrit do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm…
c.
Komunikata numër 45 nuk është shkruar më 9 maj 1998, por më 9 mars, pra vetëm DY DITË PAS EPOPESË SË PREKAZIT!
Gjë që dëshmon se sa të paskrupull, se sa imoral dhe sa të ligj ishin autorët e Komunikatave nr 45 e 59 dhe ata që edhe sot,, pas një çerek shekulli, përpiqen ta fshehin rolin e tyre të pistë.
Heshtja e këtij fakti të tmershëm hedh hije të zezë dhe përgjithmonë mbi çdo person të implikuar… Por edhe mbi historiografinë, mbi politikën dhe mbi mediet e Kosovës që nuk patën guximin ta denoncojnë këtë akt tradhtie të pafalshme.
Çka është edhe më keq, ata që nuk denjuan t’i shkruajnë as dy rreshta për sakrificën e pashëmbullt të Adem e Hamëz Jasharit me familje e me shokë, masakrimin e tyre e shfrytëzuan maksimalisht për ta përvetësuar lavdinë dhe për t’u fuqizuar politikisht e materialisht.
d.
Ajo që më ka shokuar në intervistën e Mehmet Locit në TV Dukagjin ishte mungesa totale e keqardhjes për viktimat që kanë provuar në lëkurën e tyre grushtet dhe shqelmat e Locit me shokë dhe sidomos përpjekja e tij për të mbuluar krime monstruoze që janë kryer mbi rininë e Kosovës që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse barazi nacionale.
Në pikëpamjen time, më e rënda nga të gjitha ishte përmendja nga Mehmet Loci dhe gati me admirim e emrit të gjeneralit serb e kasapit të shqiptarëve Aleksander Vasiljeviq, i cili bashkë me shokë, brenda 9 vitesh, kanë torturuar mizorisht mbi 100’000 ushtarë shqiptarë në armatën e Jugosllavisë; disa qindra prej tyre janë kthyer në arkivole me ‘arsyetimin’ cinik se gjoja kanë bërë vetëvrasje.
Ndërsa afër 10’000 veta janë dënuar me burg të rëndë në procese të montuara politike.
Vasiljeviq personalisht ka marrë pjesë në dy prej krimeve më të rënda që janë kryer ndaj ushtarëve shqiptarë:
Në vrasjen e Haki Shatrit, më 2 shkurt 1986; dhe
Në vrasjen mizore të Aziz Kelmendit, më 3 shtator 1987 në kazermën e Paraçinit;
Për ata që nuk dijnë, Aziz Kelmendi është vrarë për t’ju mveshur pastaj vrasja në gjumë e 4 ushtarëve dhe plagosja e 6 të tjerëve.
Ky krim i paprecedent, u përdor nga elitat ushtarake, politike dhe intelektuale serbe për t’i demonizuar gjithandej shqiptarët dhe për ta intensifikuar terrorin kundër tyre.
Asokohe, siç e thash edhe në intervistë, Mehmet Loci ka qenë i ngarkuar nga ana e SHSSH, dega në Pejë, për ta koordinuar veprimtarinë e UDB-së me KOS-in (Kundërzbulimi ushtarak).
Për turpin e tij, Mehmet Loci nuk e foli asnjë fjalë të vetme për krimet monstruoze që janë kryer ndaj ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit ushtarak, ani se ka qenë në dijeni. Sepse jo pak rekrutë shqiptarë nga rrethi i Pejës janë kthyer nga ushtria në arkivole ose janë dënuar me shumë vjet burg.
Ua përkujtoj lexuesve të këtyre rreshtave se kur M. Loci në intervistë thotë se Vasiljeviq e ka zbuluar një grup (armiqësor, shënim imi), ndërkaq fjala është për arrestimin, torturimin dhe dënimin e ushtarëve dhe oficerët shqiptarë me shumë vjet burg: Naim Maloku, Xhafer Jashari, Fadil Hakiu, Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Rrahim Bytyqi, Zeqirja Hyseni etj…
Nga intervista e tij del se ai paskësh qenë edhe pjesëmarrës në hetime.
Përfundimisht, të heshtësh këso faktesh të tmershme me përralla për ushkurë të hoxhës, siç bën udbashi M. Loci, është një akt i pafalshëm antishqiptar dhe pasqyrim i një morali e karakteri të neveritshëm.
Intervista:
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment