
Shkruan:
Xhafer Shatri
Zgjedhjet përfunduan, rezultatet dihen. Sëcili e sëcila kemi pasur rastin të lexojmë analiza e vlerësime të ndryshme… nga euforia pushtetore deri te zhgënjimi i skajshëm opozitar.
Mendoj se duhet lënë kohës që ta thotë fjalën e vet edhe për këto zgjedhje. Ajo që do të duhej vlerësuar është qëndrimi «me këmbë në tokë» i opozitës dhe kanalizimi i pakënaqësisë përmes institucioneve.
Bashkë me dyshimet dhe dilemat.
Nga analizat që kam lexuar për këto zgjedhje më së shumti më ka lënë përshtypje këndvështrimi i Besnik Krasniqit në « Koha ditore ».
Është padyshim analiza më e mprehtë e këtyre zgjedhjeve, sepse pasqyron reflektimin e tyre në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Në një kohë shundullimash gjeopolitike.
Po e publikoj me poorosi se çdonjëri e çdonjëra prej jush ta lexoni me vëmendje dhe, siç thuhet, me laps në dorë.
Do të bindeni se ia vlen!
Si përfundim, mendoj se është koha e fundit që në të gjitha mjediset opinionbërëse ; redaksi mediesh, katedra universitare, institute, akademi etj., të organizohen tryeza e debate për marrëdhëniet ndështetërore skandaloze në mes dy Republikave tona.
Sepse si mendësi dhe si praktikë u ngjajnë marrëdhënieve të disa principatave shqiptare në prag të pushtimit sllav ose turk.
Në këto tryeza e debate është e domosdoshme që të ndëgjohet edhe zëri i shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi dhe i atyre që jetojnë Anës së Lumenjve.
Kryetemë e këtij debati do të duhej të ishte përgjigjja në një pyetje krejt të thjeshtë :
KUSH, SI DHE PSE PO I DEFAKTORIZON SHQIPTARËT NË NJËRIN PREJ UDHËKRYQEVE MË TË MËDHA TË HISTORISË ?
Apo ndoshta pakëz më butë:
SHQIPTARËT NË UDHËKRYQET E SHEKULLIT XXI
Ky duhet të jetë një debat racional e jo anatemues.
Një debat që gjen rrugë e hapë shtigje.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment