PANAIRI I DJAJVE E I BUDALLËVE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Po lulëzon koha e budallëve dhe e vetjeve që i rekrutojnë me livru me hundë për ta. Prej që ekziston njerëzimi budallët kurrë nuk kanë pasur mundësi si tash me qenë të pranishëm me idetë dhe veprimet e tyre të budallta e të rrezikshme.

Kurrë ata nuk kanë pasur livadh më të madh me kullotë e me u shkrry nëpër të.

Këtë ua ka mundësuar interneti, mediet elektronike dhe rrjetet sociale.

Para një viti, një miku im, më informoi se një institucion rëndësor e ka caktuar përgjegjës të një projekti që mëton ta hulumtojë ndikimin e rrjeteve sociale në sjelljet devijante të shqiptarëve dhe në mendësinë politike, religjioze e sociale të tyre.

Qe atëherë ma pati dërguar strukturën e projektit dhe kërkoi ta ndihmoj me ndonjë plotësim ose sygjerim…

Para tre ditësh u takuam dhe ai ma dha ta lexoj rezultatin e hulumtimit.

Ishte dërrmues. Ai me ekipin e tij i kishin hulumtuar 50’000 profile me një perimetër prej 6 milion klikimesh dhe i kishin ndarë në 10 kategori.

Prej tyre 40% ishin nofka dhe shumica e tyre kontrolloheshin dhe koordinoheshin nga disa punkte e me një synim të vetëm: acarimin e opinionit shqiptar, duke shpikur e krijuar ndasi në planin politik, fetar, social etj.

Punktet dhe strukturat e tyre organizative i kishin identifikuar, në një masë të mirë, përmes ekspertëve të informatikës të pajisur me teknologjinë më të re kibernetike.

Në këtë veprimtari diabolike prinin tri punkte që po orkestroheshin nga organet shtetërore të Serbisë.

Punktet po orientonin ndikimin drejt atyre që kanë apo që mund të kenë ndikim në opinion përmes platformave, portaleve, emisioneve tematike, debateve etj.

Drejtuesit e hulumtimit kishin identifikuar rreth 200 kasnecë-çakej, disa prej të cilëve, i njoh personalisht, qoftë si partizanë politikë, fetarë ose «anarkistë». Kasnecët po merrnin rroga për punën e tyre të pistë dhe çdonjëri prej tyre e kishte çetën e tij prej së pakut 40 nofkave dhe 60 e kusur profileve të mirëfillta.

Këta që fshiheshin prapa nofkave, hulumtuesit i quanin mercenarë, ndërsa profilet e mirëfillta, por të ndikueshme; mediokritete ose budallë.

Ndikimi i kësaj veprimtarie diverzive ishte shumë më i madh se që mendon njeriu i rëndomtë. Dhe kjo konkretizohej përmes grafikoneve që më kanë bërë ta kapi kokën me duar.

Fushatat, shpeshherë, po fillonin nga thashetheme të vockëla për të marrë me kohën përmasat e ortekut.

Kaherë ma ka marrë mendja, sidomos duke i përcjellur ngjarjet në Veri të Kosovës, se ekzistojnë këso strukturash, por kurrë nuk do të besoja se kanë këtë performancë organizimi dhe gjithë atë peshë e përmasë ndikimi.

Hulumtimi trajtonte edhe kronologjinë e acarimit të gjendjes në veri të Kosovës (verë 2022 – vjeshtë 2023), që kulmoi me agresonin në Banjë të Zveçanit. Ku ashiqare shihej përpjekja diabolike që përmes sajimit të problemeve fiktive të zhvendoset vëmendja e opinionit nga ngjarje te mprehta, përmes të cilave përcaktohej fati i Kosovës.

Po të analizohet me vemendje veprimtaria diversive kundër shtetit tonë me sjelljen e disa ndotësve të opinionit në atë kohë, ashiqare shihej se me këto diversione do të duhej të merret, medoemos dhe ngutshëm, prokuroria speciale.

Këmbëngula shumë që ta bënte publik hulumtimin me kusht anonimiteti absolut, por nuk pranoi kurrsesi. Sepse hulumtimi ishte pronë e patjetërsueshme e institucionit që e kishte ideuar dhe financuar projektin.

Më të përndjekurit dhe, njëkohësisht, më të rrezikuarit qenkeshin profilet e mirëfillta dhe njerëzit me integritet e me ndikim te disa kategori njerëzish që përpiqen dhe duan ta ruajnë ose të ngrenë një sistem të qëndrueshëm vlerash.

Çdo postim i këtyre të fundit po përcillej përmes algoritmit dhe reagimet po pasonin menjëherë me qëllim të çorientimit të opinionit dhe destabilizimit të autorëve.

Leximi i hulumtimit më bëri t’i identifikojë disa çakej dhe jo pak mercenarë që kcejnë si zhabat n’çervish ose që glacojnë si sorrat mbi dasmorë.

E pamundur me u mbrojtë, pos duke i bllokuar menjëherë. Por ec e rri para ekranit krejt kohën. Përndryshe nuk ka mundësi ta kesh një mburojë efikase që i pengon shushunjat, grejzat, mizat dhe mushkonjat me t’u afru dhe me ta pi gjakun e me ta tha trurin përmes internetit. Pos bllokimit, që zakonisht vjen pas sulmit.

Përpunimi i opinionit apo thënë më mirë manipulimi i tij ka ekzistuar gjithmonë prej që njeriu ia ka nisë me kominuku me gjeste ose me gjuhë, por tash ai ka marrë përmasa kosmike dhe është kthyer në treg me algoritmin e konkurrencës së fortë deri diabolike.

Disa personazhe të këtij panairi të neveritshëm i has njeriu për çdo ditë ne mediet e tyre ose të të tjerëve. Ata nuk shkruajnë, nuk flasin dhe nuk krijojnë sipas bindjeve, por sipas detyrave me të cilat janë të ngarkuar e për çka paguhen rrast. Janë njëherësh argatë, mercenarë dhe misionarë të dreqit.

Prandaj lufta kundër tyre është detyrë morale, njerëzore dhe institucionale.

Çka me thanë, pos ngulini këmbët, miq e mikesha, dhe mos u dorëzoni.

Ngushtojauni udhën sa të mundeni djajve dhe budallëve se përndryshe na bëjnë telef, na e shkelin dhe na e vrasin lirinë, na i lënë fëmijtë pa atdhe e pa të ardhme.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*