
Shkruan:
Xhafer Shatri
( Vazhdimi i tretë dhe i fundit )
Ndërkaq, mendojmë se me një polici të fortë dhe, para se gjithash, të efektshme, atakimet e tilla mund të amortizohen dhe të orientohen në botën e jashtme. Krejt kjo duhet të kurdiset në mënyrë të tillë që kapitali i madh shqiptar të orientohet drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë. Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra.
Shqiptarët kanë averzion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsedrejti zotëron e drejta zakonore. Në veçanti ata nuk e durojnë ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të vetën intime. Madje, duhet kërkuar edhe “leje për lopën”.
Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet rutinore, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedurë të ndërlikuar në kufi.
Për banorët në enklava procedura të bëhët e njëllojtë me atë të reparteve të shkëputura të enklavave (serbe) e reduktuar, ndërsa për ato (shqiptare) komplete, ndërsa në shërbimin i njësuar (MPP-Ministria e punëve të brenshme) trajtimi të bëhet i ndryshëm.
Infiltrimi brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi ndër shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre per t’u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jozyrtare e deri në ato terroriste.
Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre.
Me këso komplotesh madje mund të shkohet edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t’i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjell deri tek tendosja ndërnacionale dhe thellimi mëtejmë i jetës paralele.
Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe sigurimi Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit.
Me akte ligjore të bëhet orientimi i partive politike shqiptare. Krahas kësaj, të përfitohet gjathashtu nga aferat e shkaktuara komprometuese për qëllime propagandistike, si ndaj popullsisë shqiptare (diskreditimi i liderëve të partive të tilla, sipas pikëpamjeve ku mendësia shqiptare është më e ndjeshme), si edhe ndaj opinionit ndërkombëtar.
Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me “fatkeqësi të rastit”, si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të ndividëve me virusin e SID-ës, gjatë qendrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që ‘zbulohen’ gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.
Me përpunim të përshtatshëm mjeksor, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë hulumtimin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga sida, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion për shqiptarët si komb infektues.
e. Veprimtaria informativo-propagandistike
Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqipe, përmbajtja e të cilave do të orientohej ndaj rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para se gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa.
Ndaj botës, është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura. Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike per “regjimin serb”.
Shqiptarëve duhet t’u hiqen menjëherë të gjitha ndihmat shoqërore, që nxisin lindshmërinë e lartë. Lindshmëria e lartë tek pakica e besimit mysliman, veçmas në mjediset, që i kanë uzurpuar shqiptarët, ka shkaktuar një dendësi të madhe të popullsisë në Kosovë e Metohi. Në këto kushte, është krijuar një tepricë demografike, prandaj është e domosdoshme shpërngu1ja spontane e shqiptarëve, e cila po rrjedh edhe pa kurrfarë presioni të organeve shtetërore serbe. Në anën tjetër, plleshmëria e popullsisë shqiptare bëhet edhe me një qëllim tjetër: të jetë presion për të nxitur shpërnguljen e serbëve të fundit që kanë mbetur në Kosovë.
Element i qenësishem i programit serb është lindja e fëmijës së tretë dhe të katërt. Serbia ka mundësi hapësinore dhe ekonomike për të mbajtur disa dhjetra milionë banorë, prandaj lindshmëria e shtuar është e arsyeshme, nga çdo pikëpamje. Për t’u rritur lindshmëria e popullsisë serbe në tërësi, gjë që do të ndikonte pozitivsht edhe në gjendjen në Kosovë e Metohi, duhet të merren masa konkrete stimuluese, por edhe kufizuese.
Duhet siguruar që gratë serbe me tre, katër dhe me shumë fëmijë të dalin më herët në pension. T’i marrin shtesat për fëmijët pavarësisht nga të ardhurat familjare. Planifikimi dhe zgjerimi i familjes duhet të jetë detyrë përparësore e individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi. Familjeve me shumë fëmijë, t’u jepen kredi të mira për shtëpi dhe lokale, t’u sigurohen banesa, t’u mundësohet punësimi dhe t’u ofrohen lehtësi të tjera për mbajtjen e fëmijëve.
Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtperdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetra mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e antarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë.
Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në atë rajon, duhet t’u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familiare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje perfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 vetë, do t’u ofrojmë një prej lehtësive kyçe: lirimin nga pagesa e tatimit, më së pakut për dhjetë vjet. (Ose, pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtëdoganore?)
Hapësira kufitare me Shqipërisë do të mund popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të ushtrisë së Jugosllavisë.
2) Shkollimi
Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private, dhe, gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi sipas programeve e planeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal dhe përshtatja ndaj të gjitha vlerave dhe strukturës së shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas thyerjes së parashtetit shqiptar, ka perjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke i vazhduar projektet dhe programet e reja.
Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi.
Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: bie shkalla mesatare e shkollimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive e me këtë edhe mundësia për t’u përdor kundër Serbisë nga faktori ndërkombëtar.
Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve.
3) Ushtria
Për të zgjidhur problemin e Kosovës e Metohisë është e nevojshme që ushtria e Jugosllavisë të shndërrohet në ushtri serbe. Përfaqësuesit e popujve që janë shkëputur nga Jugosllavia duhet të largohen menjëherë nga ushtria. Së pari, ata që gjenden në vendet komanduese, me përjashtim të atyre që gjatë kësaj lufte kanë treguar se janë luftëtarë trima për mbrotjen e lirisë së popullit serb. Një ushtri e tillë do të ishtë shumë më e njësuar dhe më e aftë për t’i zgjidhur çështjet e ndërlikuara të përgatitjes ushtarake të operacioneve të luftës, dhe pos kësaj do të kushtonte më lirë.
Ligji mbi ushtrinë jugosllave duhet rregulluar në atë mënyrë që secili shtetas i Jugosllavisë të ketë detyrimin që të kontribuojë në mbrojtjen e Jugosllavisë, por edhe anëtarët e pakicave duhet ta kryejnë këtë detyrim, me para ose me punë. Këto çështje do të duhej të përpunoheshin hollësisht me ligj. Rreth objekteve ekzistuese ushtarake dhe bazave të rëndësishme duhet të vendoset popullsi serbe, ndërsa u duhet ndaluar ndërtimi i shtëpive popullsive joserbe.
Gjendja e tashme perkitazi më këtë çështje është katastrofike dhe shtrohet nevoja e marrjes së masave të ngutshme për ta ndryshuar gjendjen. Disa objekte të rëndësishme ushtarake duhet të dislokohen në enklavat serbe, por njëkohësisht duhet të ruhet kontrolli i plotë mbi tërë territorin e Kosovës e Metohisë, që mund të realizohet nëpërmjet lëvizjeve të rregullta, ushtrimeve ushtarake dhe veprimtarive të ngjajshme.
Është e domosdoshme që të formohen njësitë e çetnikëve profesionistë në kuadër të ushtrisë dhe vendosja e këtyre njësive në afërsi të bazave dhe të vendeve kyçe strategjike në rajonin e Kosovës e Metohisë.
4. Policia
Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për qëndrimin e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb.
Ndërkaq, ajo duhet të jetë e ushtruar shumë më mirë dhe të jetë më profesioniste se sa kjo e tashmja. Policët duhet të rekrutohen nga radhët e njerëzve të rinj të shkolluar dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kalojnë nëpër kurset e rregullta të arsimimit plotësues dhe të specializimit, gjë për të cilën akademia policore duhet ta luaj rolin kryesor. Forcat policore në Kosove e Metohi do të kenë detyrë të veçantë ta mbrojnë popullsinë serbe, që është rrezikuar në ato hapësira.
5) Punët botore
Itinerari i tërheqjes së ushtrisë serbe më 1915 ka përcaktuar shtegun e autostradës së ardhëshme Nish-Prishtinë-Pejë-Podgoricë-Tivar, e cila do ta lidhë Serbinë me Malin e Zi dhe me detin Adriatik, përmes Kosovës e Metohisë, në mënyrë solide, duke i lidhur përgjithnjë edhe fatet e tyre e këtyre territoreve.
Realizimit të këtij projekti duhet qasur menjëherë sidomos në ndërtimtari. Fundja, edhe në kohë bllokade e krize ekonomike, është e mundur që të bëhet një përparim relativisht i shpejtë, në këtë fushë, gjë që për çështjën e Kosovës do të ishtë i një rëndësie epokale.
6) Mbrojtja
Gjendja në Kosovë e Metohi është e tillë që mund të pritet rrjedhë e padëshirueshme e ngjarjeve, veçanërisht nëse faktorët e jashtëm përcaktohen për një politikë proshqiptarëve. Për këtë arsye, duhet t’i kushtohet kujdesi i duhur aksioneve të parandalimit me kohë. Para se gjithash mbledhjes së të gjitha llojeve të armëve dhe neutralizimit të formacioneve paraushtarake, parapolicore e terroriste. Nëse na imponohet lufta për mbrojtjen e Kosovës e Metohisë, ajo duhet të zhvillohet me të gjitha mjetet.
Bisedimet dhe marrëveshjet me perfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet si të vetin.
Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t’i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.
Beograd, më 14 tetor 1995
Publikar në gazetën e Partisë Radikale Serbe “Velika Srbija“, nr 55, tetor 1995
Kryetari i Drejtoratit Qëndror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment