PROGRAMI I VUÇIQIT ME SHOKË PËR SHFAROSJEN E SHQIPTARËVE (2)

Shkruan:
Xhafer Shatri

( Vazhdimi i dytë )

Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar rreth 300 mijë e popullsisë më aktive).

Të pengohet punësimi i kuadrove të profileve të ndryshme, në mënyrë që ata të shkojnë jashtë shtetit. Shqiptarët, nga ai aspekt, janë të lëvizshëm, qoftë për shkak se i kanë bazat e tyre në shumë shtete tek refugjatët e tyre dhe tek mërgimtarët, qoftë për shkak të mendësisë së tyre.

Kështu, para se gjithash, ndikohet në pjesën më të shkolluar të popullsisë së tyre dhe për rrjedhojë ata bëhen më të përshtatshëm për t’iu nënshtruar ndikimeve intensive dhe manipulimeve, sepse pa “indet lidhëse” ata do të kenë më pak mundësi për t’u organizuar.

c) Rishikimi i marrëdhënieve pronësore

Në kuadrin e rishikimit të marrëdhënieve pronësore duhet të miratohet një ligj i veçantë për kthimin e tokave dhe të të mirave të tjera serbëve dhe kishës ortodokse serbe në Kosovë e Metohi. Kisha dikur ka pasur prona të mëdha dhe te popullsia lokale në to, ku ka zhvilluar një sistem specifik të marrëdhënieve ekonomike të mëditjeve dhe të dhurimit. Me pronat tokësore të rritura në mënyrë të dukshme, manastiret në Kosovë do të mundnin t’i plotësonin në mënyrë optimale misionet e tyre fetare, kulturore e kombëtare, dhe do të ishin në gjendje të ushtronin funksionin e tubimit të njerëzve dhe të pengimit të shpërnguljes së tyre.

Gjatë ngjarjeve të shkuara, në gjysmën e dytë të shekullit XX, vetëm klerikët serbë nuk u shpërngulën, prandaj ata e meritojnë kthimin e pronave të mëdha kishtare, jo vetëm nga e drejta e trashigimisë, por edhe për patriotizmin e tyre.

Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre.

Kjo kthesë qenësore mund të realizohet fare lehtë, sepse shqiptarët në ato prona kryesisht nuk kanë ngritur shtëpi të reja, por përkundrazi i kanë rrëzuar edhe ato që gjendeshin aty, me qëllim që popullsia e shpërngulur serbe të mos ketë ku të kthehet, si edhe nga droja se ndërrimi i dhunshem i pronësisë nuk mund të jetë afatgjatë.

Kombinatet dhe kooperativat bujqësore të periudhës socialiste ishin themeluar kryesisht në pronat dhe fshatrat serbe, prandaj shtrohet nevoja e ngutshme për privatizimin dhe kthimin e tyre pronarëve të mëparshëm, me kusht që ata të kthehen në pronat e veta. Në të kundërtën, toka duhet t’u ofrohet pronarëve të rinj. Ka mjaft tokë me prejardhje shtetërore, e cila mund t’u ndahet apo t’u shitet serbëve që nuk janë nga Kosova e Metohia. Kjo tokë, për shkak të përdorimit të dobët në sektorin shoqëror, duhet t’u ndahet personave privatë.

Veç kësaj, toka përkatëse e kooperativave është e përshtatshme për vendosjen e një numri të madh kolonësh, të cilët do të jetonin së bashku dhe do të ishin të aftë për kryerjen e funksioneve jetësore ekonomike, shoqërore, mbrojtëse, etj.

Toka të tilla shtrihen në tërë Kosovën. Në to, mund të formohen përqëndrime të rëndësishme dhe vendbanime serbe, të cilat do të formonin një rrjet vendbanimesh të afta për të komunikuar e bashkëpunuar mes tyre.

Vetëm në zonën kufitare, nga Deçani deri në Prizren e Suharekë, mund të ndërtohen vendbanime, që do të lidheshin në mënyrë zinxhirore, të cilat përveç ndikimit për shpërnguljen e disa vendbanimeve shqiptare, do të formonin nje digë të fortë mbrojtëse kundrejt Shqipërisë.

d) Nryshimi i strukturës etnike të popullsisë

Kolonizimi i Kosovës duhet të vazhdohet me vendosmëri e në mënyrë të organizuar. Propaganda politike duhet t’i trajtojë kolonët si serbë që vendosen në tokën serbe dhe që është krejtësisht e njëjtë se në cilën pjesë të tokës serbe ata jetojnë. Serbëve të ndjekur, krahas tokës, sipas mundësisë, t’u jepen edhe makineri, qoftë kjo edhe me kredi afatgjata, në mënyrë që të mund ta punojnë tokën e marrë dhe që të lidhen përgjithmonë me rajonin përkatës.

Shumica e kroatëve të Janjevës dhe të Letnicës, të udhëhequr nga jehona e luftës, janë shpërngulur në Kroaci, pa pasur kurrfarë trysnie. Pasuria e tyre tani po shkatërrohet ose po plaçkitet prej shqiptarëve të viseve fqinje. Në shtëpitë dhe tokat e tyre duhet të vijnë serbët e përzënë nga Kroacia.

Krahas kthimit të tokës së tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, të të mirave të plaçkitura dhe të territoreve të pushtuara, duhet të sanohen të gjitha pasojat e Ligjit mbi ndalimin e kthimit të serbëve në Kosovë e Metohi. Ligji mbi ndalimin e shitjes së pasurisë së patundshme duhet të respektohet rigorozisht dhe të mos lejohet loja me të. Në këtë kuptim, ka rëndësi të madhe Ministria e Finacave e tashme e Republikës së Serbisë, e cila më së shumti e ka thyer ligjin, në mënyrë që këtu e tutje të mos e bëjë këtë.

Duhet të pengohet çdo zgjerim etnik i shqiptarëve në llogari të tokës serbe, private apo shoqërore. Të gjithë shqiptarët, për të cilët vërtetohet në bazë të të dhënave të regjistrimit të banorëve, se nuk janë shtetas tanët, duhet të pushohen nga puna. T’u jepen pasaportat atyre shqiptarëve që dëshirojnë të shpërngulen.

T’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit dhe që atje veprojnë nga pozita separatiste.

Nisur nga pamja e tashme e renditjes etnike të popullsisë (disa enklava fshatare serbe me mbi 700 vendbanime të pastra shqiptare, përqindja minimale e banorëve serbë (deri l0%) në qytete, ku praktikisht ata janë të shkrirë mes shqiptarëve) mendojmë se kolonizimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar edhe nëpërmjet vendbanimeve të reja (fshatra, koloni, qyteza, lagje të reja të qyteteve të tashme) të tipit të mbyllur (për nga organizimi e jetës së brendshme – furnizimi, mbrojtja primare mjekësore, argëtimi, përmbajtjet themelore kulturore , etj.).

Kështu popullsitë ndahen etnikisht dhe efekti është kryekëput në faktin se popullsia serbe e paktë në numër në qytete, në lagje të përziera, fillon doemos të zhvendoset për në enklavat e reja, gjë që jo vetëm duhet të lehtësohet, por edhe duhet të nxitet. Për t’i mbrojtur enklavat serbe, 5 – 10 % e popullsisë së vendosur në to duhet të jetë pupullsi shqiptare (Të zgjidhen familjet më me ndikim dhe më të njohura, si dhe individë të shquar).

Përmes ndërtimit të autostradave (qëllimisht me korsi të ndara deri në 1 km, për shkak të ‘konfiguracionit të terrenit’ dhe sheshimit të një brezi të gjerë buzë rrugës) mespërmes mjediseve rurale shqiptare me dëndësinë më të madhe, dhe ndërtimit të objekteve të tjera, si kazerma, poligone, magazina, etj., dhe krahas tyre të jepen troje dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në mënyrë që të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin “thellësinë” e territorit, që është element cënues i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.

Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetëvetishëm “i lekurës etnike të leopardit”, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin.

Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetëvetishëm “i lekurës etnike të leopardit”, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin. Një sistem i tillë i pushtimit të territoreve është më i efektshëm se vazhdimi i kolonizimit me rrathë koncentrike ose i hedhjes së njënganjëshme në mjediset kompakte shqiptare, sepse ky i fundit nuk e prek çështjen vëllimore të pronësisë, me çka vetë procesi do të ishte afatgjatë, ndërsa i pari u jep siguri psikologjike shumë më të madhe kolonëve, sepse ata nuk do të kenë ndjenjën e braktisjes për t’u marrë me vetvetën dhe të vetmisë. Enklavat serbe mbështeten më shumë në furnizimin shtetëror (krahas një numri të vogël të firmave private serbe), deri sa ato shqiptare janë përjashtimisht sipas linjës private. (Kjo rregullohet thjesht me dhënien e lejeve për hapjen e tyre).

Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e gjendjes se rëndë. Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si edhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, uji, që është problem akut në Kosmet, përfitimi racional i të cilit do të ishte i përshtatshëm për ta bërë jetën të padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i territorit, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve…

Parakusht themelor për një veprim të efektshëm në fushën e rrjedhave të kapitalit është mundësa ose pengimi i plotë i korrupsionit, si në Kosmet, edhe në Serbi, sepse shqiptarët janë mjeshtër të vërtetë për të bishtëruar dhe për të korruptuar.

Duhet ndjekur me ashpërsi qarkullimi i madh i kapitalit përmes kanaleve ilegale, duke e orientuar atë në kanalet bankare. Ndërhyrjet e shpeshta të policisë financiare, verifikimi i transportit rrugor, përcjellja e çdo paraqitjeje të madhe (të mallrave-shën. i përkth.) në treg dhe hulumtimi i prejardhjes së tyre. Vështirësimi i procedurës doganore, duke e harmonizuar me gjendjen në terren, ndërlikimi i dokumentacionit përcjellës nga bota e jashtme, hulumtimi i burimeve të financimit të organizatave politike, etj.

Kështu pra, duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve administrative të tepruara dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të arrihej të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.

Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi. Me anën e dispozitave përkatëse dhe të politikës tatimore, të mbikqyret sfera e ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit, krijimit të vendbanimeve të posaçme.

Shkaktimi dhe zbulimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke i përfituar rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra.

Rastet e zbuluara të përfitohen për komprometimin e individëve të shquar, e para së gjithash, ato do të jenë një bazë e mirë për qëndrim rigoroz ndaj stërshitësve, në veçanti shvercerëve të duhanit. Kjo gjë mund të sjellë tendosje shoqërore me përmasa të mëdha, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre tani jeton nga ‘shverci’ dhe stërshitja. Për këtë arsye është e pashmangshme rritja e kriminalitetit.

Vijon

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*