
Shkruan:
Xhafer Shatri
Dikur moti, në mjegullën e kahershme të kohës, njeriu, ky gabimçar i pandreqshëm, ndalet buzë rrugës për të marrë pak frymë dhe për t’i pushuar këmbët e lodhura. Sa ishte duke shtriçur gjymtyrët, andej pari kaloi Dreqi:
“Tungatjeta !”
Njeriu: “A mun dole ?”
Dreqi: “Kah ia ke mësy ?”
Njeriu: “Dikund kah fundi i Dyjesë.”
Dreqi: “A mun e bëjmë këtë udhë bashkë? Hjekim mërzi e lodhemi më pak… “
Njeriu: “Po more…”
Vazhduan rrugës së shkretë me pluhur. Dikur flet, siç di vetëm ai,
Dreqi: “A di si, për ta mbytur mërzinë, a e bëjmë një punë? Po i hipim njëri-tjetrit në shpinë…”
Njeriu: “Po si me e matë udhën ?”
Dreqi: “Me këngë. Hip ti njëherë dhe merrja një kënge, kur ta mbarosh, ti zbret e të hipi unë…”
Njeriu: “U bë, po hipi.”
Njeriu i shkretë ia nisi një kënge të vjetër të detarit të mbërthyer në pranga të galisë, një kënge robërie e malli përvëlues për liri… Dikur kënga përfundoi.
Dreqi: “A e kreve ?”
Njeriu: “Po.”
I hipi Njeriut të shkretë Dreqi dhe ia nisi këngës së tij: tiriling-tiriling, tiriling-tiriling…
Dikur, kur nisën t’i dridhen gjunjtë, Njeriu me zë të shterrur e pyeti :
“Kjo kënga jote a ka fund?”
Dreqi: “Jo. Kënga ime nuk përfundon kurrë…”
Kështu disi mund të përshkruhen raportet tona me Serbinë.
Ai që nuk e di këtë, nuk e njeh Serbinë. Ai Shqiptar që nuk e njeh Serbinë ai nuk ka mandat me shku e me folë në emrin tonë me të.
Ai që njeh Serbinë ;
Kurrë nuk do të vinte në pikëpyetje kufijtë, Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës;
Kurrë nuk do të vinte në pikëpyetje vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;
Kurrë nuk do t’ i nënshkruante marrëveshjet e Brukselit, më 2013 e 2015, përmes të cilave federalizohet dhe konfederalizohet Kosova…
Këto akte kundër Kosovës kanë mundur t’i bëjnë vetëm ata që Serbia ua ka zënë bishtin me derë.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment