
Shkruan:
Xhafer Shatri
Sot, në mëngjes, në spitalin e Wintherturit, në Zvirër, i mbylli sytë përgjithmonë Shoqi e
Sivëllau i jem, Sherifi.
…
Një gjysmë shekulli më parë ai erdhi në Zvicër me një ëndërr jetike në gji: me ia këputë familjes vargojtë e trashë të skamjes.
Ishte i ri, i shëndetshëm dhe i mirë. I mirë e i ambël, si buka.
Por edhe i rrëmbyeshëm, si prroni kur prishet moti.
Gjithë jetën ka punu pa hile. Ka kursy si bleta dhe e ka ndihmu familjen si pakkush tjetër.
Si shumë të tjerë, nuk i ka parë fëmijtë tuj u rritë. Është bërë bashkë me ta në Zvicër, kur tirania në Kosovë arrijti kulmin… E kur ata, me trup, nuk rriteshin ma.
Sa herë e ka dashtë puna, e ka ndihmu Kosovën ‘me mish e me shpirt’. Në manifestime të shumta në Perëndim, ishte tejet i kujdesshëm. Sepse e kishte fort vesvese me pasë punë me UDB-në.
Rrezikimin që ia panundësonte shkuarjen në Kosovë e ka përjetuar si gozhdimin në kryq.
Me t’u çliru Kosova, ia shpërndau harmonisht familjes të gjitha kursimet. I rimëkëmbi shtëpitë dhe e ktheu oborrin e tij në kopsht parajse. Ashtu siç ishte shpirti i tij fisnik. Gjithë përvojën e tij të gjatë në kopshtari e përmblodhi aty, në Kodër, në atë truell të bekuem. Dje, sot dhe përgjithmonë, ngado që të sillesh atypari t’i ledhaton sytë një gjelbrim e bimësi e harlisur.
Ai nuk ngopej së shikuari frytin e mundit të vet. Iu gëzohej vizitorëve dhe përpiqej të gjejë te kohanikët me të cilët ishin ndarë në djalëri atë çiltërinë e dikurshme. Sa herë nuk e gjente atë që e priste me të drejtë i veshej fytyra nga një brymë trishtimi.
Jeta është e padrejtë e di të jetë edhe mizore… sepse, vitet e fundit, Sherifin e përthekoi sëmundja. Iu paralizu këmba e ai, që gjithë jetën e kishte jetuar i lirë, nuk e përballonte dot humbjen e pavarësisë. Prandaj në fund të rrugës, pavarësisht kujdesit maksimal të familjes, Ai jetoi me çykë të zorit.
Nuk pajtohej dot me tiraninë e sëmundjes. Ishte vështirë, deri në paduresë, me e pa në atë gjendje.
Sherif Musa, nesër udhëton për në vendlindje, për t’u prehur në banesën e fundit, te Varrezat e Tomocit. Është rrugëtimi i tij i fundit.
Nuk ka laps që ia përshkruan mirësinë, por as ëndërrat, as zhgënjimet, as pasionet, as rrëmbimin e as dhimbjen që e shkaktoi ikja e Tij
Vdekja e Sherif Musës ia la Tomocit, dhe të gjithë atyre që e donin me shpirt, këtë pranverë pa aromë, pa ngrohtësi dhe me gjelbërimin e kredhur në trishtim.
Ai la mbrapa pasardhës-e të denjë me të cilët-at, mburrej sa qe gjallë dhe ata-o do të vazhdojnë ta bëjnë të ndihet krenar edhe në përjetësi.
Lamtumirë, Shoqi jem!
Sonte, në këtë mbrëmje që vdekja jote e ktheu terrin në trishtim, më ngushëllon vetëm një gjë: I ke jetuar do vjet të mira në Kosovën e lirë. E kjo nuk është pak, sepse ne, kishim Atdhe, por na e kishin marrë me zjarr e me hekur dhe na kishin ndjekë prej atyhit halamruk.
Ti ike sot me bindjen e sigurt se mbi Atdheun tonë nuk do të bjerë më kurrë kobi i robnisë, se pasardhësit tanë, përgjithmonë do ta jetojnë jetën e tyre në Liri.
E ky fakt ikjen tënde na e bën të gjithëve më të lehtë!
Lamtumirë, Shoq!
Pushoje tash trupin e lodhur në paqen e përjetshme!
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment