

Shkruan:
Xhafer Shatri
Ditë më parë, mediet alarmuan opinionin për vandalizimin e Trenit që personifikon pastrimin etnik të Kosovës. Ishte ky një ogur i zi për shqiptarët kudo që jetojnë. Një ogur i zi që flet shumë për ne si komb, për gjenin e ngulitur te ne të vetëshkatërrimit, e sidomos për elitat tona politike dhe për moralin, dijen dhe vetëdijen e munguar të tyre.
Janë 20 vjet që ai tren, ka transportuar nga Kosova në Maqedoni, sipas të gjitha gjasëve, disa qindramijëra shqiptarë, i cili bashkë me kolonat e tjera të të përndjekurve drejt Shqipërisë e Malit të Zi e alarmoi krejt botën dhe mobilizoi Fuqitë Përendimore për ta ndëshkuar Serbinë njëherë e mirë.
Ai ishte një mjet efikas i shtetit serb për zbrazur Kosovën dhe për t’ia ndërruar përmes terrorit strukturën e saj etnike.
Ani se me një vonesë 20 vjeçare, autoritetet e Kosovës, më në fund, bënë diçka që të mos harrohet Kampi i tmershëm i Bllacës. Në këtë vendim pati një ndikim të drejtpërdrejtë edhe botimi i librit të publicistit të njohur, Emin Azemi,
“Bllaca, dhimbja e lirisë”
‘Si shenjë mosharrimi për Holokaustin shqiptar’
Dhe, siç ndodhë zakonisht te shqiptarët, Bllaca u shënua dhe u kujtua shkel e shko. Në vend të një projekti serioz, ku do të ndërtohej një muze, brenda të cilit do të futej treni, ku do të kishte objekte, dokumente e dëshmi materiale dhe i cili do të kthehej shpejt ne një pikë që çdo turist, pa folur për shqiptarët, do ta shënonte në planin e tij si vend që duhet vizituar medoemos.
Kur e mendoj se çka do të bënte Serbia me një vend të tillë, po t’ia kishte bërë dikush gjithë ato të zeza asaj, më mbërthen një trishtim i pakufijshëm.
Në atë muze që do të duhej ngritur kaherë do të kishte videodëshmi të të përndjekurve të përkthyera në gjuhë të huaja, fotografi e fakte të panumërta për t’u ngritur një Monument i Përjetshëm Kujtese.
Duke menduar për Bllacën dhe për plot vende të tjera ku janë gozhduar shqiptarët në kryq, ku Serbia ka dëshmuar vendosmërinë e saj për ta zbrazur Kosovën dhe asgjësuar shqiptarët … dhe qëndrimin e autoriteteve të Kosovës ndaj gjithë atyre vendkrimeve të vërshon një zhgënjim dhe pashpresë mizore.
Kjo është dëshmia më e mirë për mentalitetin prej cubash të sundimtarëve të Kosovës dhe elitave politike e intelektuale të saj, që u sollën me krimet e panumërta të Serbisë dhe viktimat e tyre me një papërgjegjësi të paimagjinueshme.
Kështu Treni i Pastrimit Etnik dhe Bllaca, në vend që të ktheheshin me kohë në një Monument Kujtese e vend pelegrinazhi që do t’i vizitonin qindra mijëra vizitorë në vit u kthy, falë sundimit të Hashim Thaçit dhe këlbaçve të tij, në një vend trishtimi e poshtrimi.
Si edhe çdo gjë tjetër e shenjtë në Kosovë.
Sepse askush si Hashim Thaçi me shokë nuk ia ka arritur ta shkërmoqë në këto përmasa sistemin e vlerave në Kosovë.
Sistemin e vlerave në Kosovë nuk ka mundur ta shkërmoq në këtë farë feje as Turqia për 500 vjet dhe as Serbia për një shekull.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment