32 vjet nga rënia e murit të ndarjës e të urrejtjës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Më 9 nëntor 1989, Muri që ndante kryeqytetin e Gjermanisë dhe popullin e saj në dy shtete u shkërmoq brenda një nate.

Këtij akti që ishte edhe varrimi i Luftës së Ftohtë dhe hapja e një perspektive të re të popujve të shtypur nën thembrën e hekurt komuniste, i priu një lajm se autoritetet e Gjermanisë Lindore kishin vendosur që aty e tutje kalimi në anën tjetër të kufirit të bëhej pa leje paraprake, leje e cila deri atëherë jipej me pikatore.

Me t’u përhapur lajmi gjermanolindorët e mësyen Murin e urrejtjes me qyski, me dalta, me çekanë e me çka u qëlloi në dorë dhe nuk u ndalën deri sa e shkërmoqën të tërin.

Sot, copat e atij muri shiten në ankand.

Muri kishte filluar të ndërtohej me urdhërin e prijësit rus, Nikita Hrushçov, më 13 gusht 1961.

Me rënien e Murit të Berlinit lidhet edhe shkatërrimi i Jugosllavisë, shtetit që i ndau, i shtypi dhe i robëroi shqiptarët që nga viti i tmershëm 1878.

Rënia e Murit të Berlinit i ndanë dy epoka: dominimin e komunizmit (një Mesjete të tmershme ideologjike) mbi gati gjysmën e Evropës për gati gjysmë shekulli dhe shpartallimin e tij si të një kulle prej zalli.

Rënia e Murit e trandi dhe, pas dy vitesh e rrëxoi, njërin prej regjimeve më të egra komuniste, regjimin stalinist në Shqipëri.

Këto tri dekada në jetën e Kombit Shqiptar ishin një Rilindje e vërtetë, në të cilën u çlirua Kosova dhe u ringjall Shqipëria.

Për çudi 32 vjet më vonë, Rusia, ajo që urdhëroi ndërtimin e Murit të Urrejtjes, po e kërcënon serish dhe seriozisht Evropën dhe demokracitë Perëndimore.

 Prania e Rusisë në Ballkan, dhe sidomos ndërsyemja e Serbisë në destabilizimin e shteteve fqinje është kthyer në një rrezik serioz për paqen në rajon.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*