Ajatollahët e Serbisë

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Serbia në dukje të parë është shtet sekular. Por në fakt nuk është kështu. Sepse Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është njëra prej katër shtyllave kryesore të shtetit (Kisha, Inteligjenca, Ushtria, Administrata…). Dhe ndikimi i saj në politikën e vendit është skajshmërisht i madh. Gati si feja në Iran.

Në ‘pohodet’ e Serbisë kundër popujve fqinj, Kisha serbe, historikisht, ka pasur rol parësor. Krimet e përgjakshme që i ka kryer ushtria serbe kundër popujve fqinj, kryesisht kundër civilëve, krime deri në përmasa asgjësimi, janë nxitur dhe janë bekuar gjithandej nga e tërë hierarkia e KOS-it.

Kështu ka ndodhur edhe në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, sidomos në Bosnje dhe në Kosovë, ku roli i kishtarëve serbë ishte shumë i madh. Për kriminelët e luftës si Karaxhiq, Mladiq, Arkan etj., kishat serbe ishin një vend frymëzimi, mëkëmbjeje e strehimi. Ishin vende ku bekoheshim me mburrje e zemërgjerësi krimet e tyre të tmershme.

Mediet, edhe ato serbe, kanë raportuar, me fotografi si mbështetje, pjesëmarrjen aktive të popëve serbë në operacionet ushtarake e ndëshkimore kundër popujve, viktima të agresionit serb.

2.

Aktualisht Kisha serbe është aktivizuar në destabilizimin e Malit të Zi. Ka disa muaj që nuk po ndalen ‘litijat’, marshet e gjata protestuese nëpër qytete kryesore të vendit. Si motiv kundërshtimi është bërë Ligji për liritë fetare i miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi, më 8 janar 2020, pasi ishte korrigjuar edhe nga Komisioni i Venedikut.

Në ballë të protestave është peshkopi i Mitropolisë së Malit të Zi dhe i bregut të detit, mitropoliti Amfilohije Radoviq.

Për KOS-in, problematik është sidomos neni 62 i Ligjit për liritë fetare, në të cilin, ndër të tjera, thuhet:

“Objektet dhe tokat që shfrytëzohen nga bashkësitë fetare në territorin e Malit të Zi, që janë ndërtuar ose janë përvetësuar nga bugjeti publik i shtetit, ose që kanë qenë pronë shtetërore deri më 1 dhjetor 1918, dhe për të cilat bashkësitë fetare nuk kanë dëshmi pronësie, janë trashëgimi kulturore e Malit të Zi, përkatësisht janë pronë e shtetit.“ 1.

3.

Siç dihet, Pas Luftës së Parë Botërore, konkretisht më 24-28 nëntor 1918, në Podgoricë u mbajt “Kuvendi i Madh Popullor“. Vendimet kryesore të këtij kuvendi të përdhunshëm ishin:

– shfronësimi i dinastisë së Petroviqve dhe marrja e fronit të Malit të Zi nga dinastia e Karagjorgjeviqve;

– që Mali i Zi “të bashkohet me Serbinë vëllazërore nën dinastinë e Karagjorgjeviqve…“

– që të konfiskohet krejt pasuria e mbretit të rrëzuar Nikolla Petroviq dhe t’i ndalohet atij përgjithmonë kthimi në Mal të Zi…

Në frymën e këtij Kuvendi, më 1920, mbreti Aleksandër Karagjorgjeviq, përmes një dekreti suprimoi Kishën Autoqefale Malazeze dhe e shkriu atë në Kishën Ortodokse Serbe.

Në vitin 1993, Kisha Ortodokse Malazeze bën hapat e parë për ringjalljen e autoqefalisë. Por iu deshën plot 7 vjet që të regjistrohet zyrtarisht si subjekt juridik ( Cetinë, më 17 janar 2000). Tani Kisha Ortodokse Malazeze, e udhëhequr nga Peshkopi Mihailo (emri ‘civil’ Mirash Dedeiq)  është strukturuar dhe trajtohet nga shteti si pjesë integrale e bashkësive fetare të Malit të Zi.

4.

SIç u tha më sipër, Ligji për liritë fetare ka ngjallur pakënaqësi të madhe te Kisha ortodokse serbe, patriarku i së cilës, Irinej, ka paralajmëruar se protestat aktuale mund të kthehen edhe në gjakderdhje. Në rivendikimet e saj nacionaliste, KOS, ka mbështetjen e plotë të Rusisë dhe të Serbisë. Propaganda shtetërore serbe dhe ruse kanë dalë hapur në mbrojtje të eskadroneve të zeza të Amfilohije Radoviqit duke propaganduar se shteti malazez po rrezikon qenien e serbëve në Mal të Zi. Këtyre pretendimeve të rrezikshme iu përgjigj me argumente kryeministri malazez:

“Sipas regjistrimit të popullsisë, më 1991, në Mal të Zi serbët përbënin 9.34% të popullsisë, ndërsa 20 vjet më vonë, më 2011, numri i serbëve ishte trefishuar: 28.73%!“ 2.

Nga një raport i BE-së del se, deri në mesin  e shkurtit 2020, Serbia ka “prodhuar“ mbi 20 mijë artikuj e informacione, prej të cilëve, shumica të rrejshëm. Ndërsa Republika srpska edhe 9000 artikuj e informata të tjera..

Kryetari i Malit të Zi, Gjukanoviq, akuzave të KOS-it dhe të shtetarëve serbë u është përgjigjur pa qime në gojë: “Nuk kam dëgjuar asnjë argument juridik kundër Ligjit, veç atij të KOS që përsërit se ‘populli është në rrugë’. Por kjo në asnjë mënyrë nuk mund ta pengojë shtetin t’i kryejë punët e veta, të miratojë dhe të ekzekutojë ligjet që janë në përputhje me Kushtetutën dhe normat ndërkombëtare.“ 3

Vlen të nënvizohet se Ligji është një hap më tej për forcimin e Kishës Ortodokse Malazeze, përmes së cilës elitat malaziase po duan ta përmbyllin projektin e shtetndërtimit dhe formësimit të identitetit nacional të Malit të Zi. Por kjo është e pamundur pa e zhveshur Kishën ortodokse serbe nga vendkultet të cilat ajo ia kishte grabitur Kishës malaziase këtu e një shekull më parë.

Në këtë frymë, në një intervistë për Agjencinë France press presidenti malazias, Milo Gjukanoviq thotë:  “Mali i Zi duhet ta ketë Kishën e vet ortodokse, e cila duhet të jetë e ndarë nga Kisha ortodokse serbe dhe nga Serbia.“ 4

5.

Propagandën e shfrenuar të klerikëve dhe pushtetarëve serbë, më së miri e deshifroi publicisti i njohur sarajevas Boro Kontiq, i cili, duke analizuar manifestimet e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, shkruan:

“Kur ndëgjoj se serbët janë të rrezikuar, menjëherë zbres në bodrum. Për t’i parë kushtet për një ndenjë të gjatë aty. Njëherë kur serbët ishin “të rrezikuar“ më është dashur t’i kaloj bashkë me familjen 4 vjet në bodrum e nën granatat e tyre…“ 5

Njëri prej kundërshtarëve më të vendosur të Amfilohijes dhe kaubojve të tij është edhe publicisti i njohur malazias, Andrej Nikolaidis, i cili në një intervistë për të përditshmen “Pobjeda“, thotë: “Projekti i Amfilohijes është teokracia. Nëse ai ia del në këtij qëllimi, Mali i Zi, në truallin e Evropës do t’i ngjante më së shumti Teheranit të vitit 1979… Amfilohije ka dekoruar kriminelin e dënuar për krime lufte, Vojislav Sheshelj dhe ka organizuar lutje kishtare (moleban) për kriminelin e luftës Radovan Karaxhiq dhe ka vizituar në Hagë Slobodan Miosheviqin.“ 6

Ndërsa në një polemikë, javën që shkoi, Andrej Nikolaidis konstaton: “Nacionalizmi serbomadh është shëndoshë e mirë. Kisha ortodokse serbe është zemra e tij e zezë.“ 7

Ndërkaq, Milo Gjukanoviq, në intervistën e sipërpërmendur, është edhe më i drejtpërdrejtë:

 “Kisha ortodokse serbe është një instrument i rëndësishëm, të cilën ideologët e nacionalizmit serbomadh po e përdorin kundër Malit të Zi, kundër pavarësisë, identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të tij.“ 8

Fusnotat:

  1. www.mmp.gov.me
  2. Srgjan Jankoviq, “Od vjerskog zakona do pitanja Srba u Crnoj Gori, Radio Slobodna Europa, 24 janar 2020
  3. Milosh Gjoshiq, Dva vidjenja sticanja statusa Crnogorske crkve pre 20 godina, “Danas“, 8 mars 2020
  4. http://balkans.aljazeera.net/vijesti/dukanovic-crna-gora-treba-imati-svoju-pravoslavnu-crkvu
  5. Pobjeda, 09.03.2020
  6. Pobjeda, 16.02.2020
  7. Pobjeda, 07.03.2020. 07:50
  8. http://balkans.aljazeera.net/vijesti/dukanovic-crna-gora-treba-imati-svoju-pravoslavnu-crkvu

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*