Askush si Hashim Thaçi me shokë nuk është tallur me viktimat e krimeve serbe në Kosovë

Shkruan:
Xhafer Shatri

Masakra e Dubravës, është ndër krimet më të faktuara e më të dokumentuara që i ka kryer Serbia kundër shqiptarëve. Krimi u krye ndaj njerëzve më të pambrojtur, u krye ndaj të burgosurve, ndaj njerëzve të ngujuar prapa grilave. Për më tepër këtë krim e faktoi me fotografi rrënqethëse edhe fotoreporteri i Reuters. Gjithashtu kishte, e ka edhe sot, plot dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Por habia është se ASKUSH DHE ASNJEHERE nga paria e Kosovës nuk e ngriti këtë çështje, nuk kërkoi drejtësi për viktimat dhe nuk e denoncoi masakrën te institucionet ndërkombëtare.

Zhurma që po e bëjnë Thaçi e Veseli sot për krimet serbe në Kosovë, është hipokrizia më e neveritshme që i lejojnë vetës kryecubat e Kosovës. Kjo është tallje me viktimat, kjo është tallje me Prekazin, me Likoshanin, me Reçakun, me Rogovën, me Mejën, me Dubravën, me Izbicën, me Krushën, me Qyshkun…, me fëmijët, gratë dhe burrat e përdhunar, me nënat që mbetën me duar në gjinj, me familjet që u shfarosën dhe me shtëpitë e mbetura shkret… Sepse, siç po shihet botërisht, këta që u zgjuan pas 20 vitesh, kanë hall tjetër: Si ta minojnë Gjykatën speciale, e cila është inicuar për ta dhe është themeluar prej tyre!

Por këta batakçinj nuk janë të vetmit fajtorë për nëpërkëmbjen e masakrave serbe dhe viktimave të shumta. Sepse komplet elita politike e Kosovës nuk ka bërë asgjë, ama bash asgjë, për t’i regjistruar, faktuar dhe proceduar krimet e tmershme të Serbisë në Kosovë.

Për turpin tonë, jo pak shqiptarë me emër defiluan edhe para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, si dëshmitarë të Prokurorit e kundër Millosheviqit, por asnjëri prej tyre nuk e shtroi me kompetencën dhe përgjegjësinë që imponohej çështjen e krimeve të panumërta që i kreu Serbia në Kosovë. Duke i dëgjuar me trishtim dëshmitë e tyre, kam mbetur gojëhapur nga mospërgatitja elementare e tyre për të folur bindshëm e përgjegjshëm në emër të viktimave.

Gati çdonjëri prej tyre pati folur për mënyrën se si Serbia e shkatërroi Jugosllavinë duke i akuzuar e shtypur shqiptarët, por asnjëri nuk e përmendi pikën e Arkimedit të shkatërrimit të Jugosllavisë, masakrën e Paraçinit dhe sidomos faktin se si Millosheviqi dhe propaganda e gjyqësia e tij ua faturoi shqiptarëve atë krim të tmershëm.

Masakra në Dubravë e kishte edhe një parathënie: zhdukjen pa gjurmë të njërit prej të burgosurve më të njohur politik shqiptar, Ukshin Hotit. Mjafton rasti i tij, për të kuptuar nivelin e vetëdijes, të përgjegjësisë dhe të mungesës së ndërshmërisë minimale të parisë së Kosovës. Çështja e Ukshin Hotit nuk është ngritur asnjëherë të vetme brenda institucioneve të Kosovës e as para institucioneve ndërkombëtare. Më ka ndodhur shpeshherë ta pyes vetën, si është e mundur që në Kuvendin e Kosovës kishte dhe ka përplot ish të burgosur politikë, por asnjërit prej tyre nuk i ra ndërmend ta shtrojë pikërisht në Kuvend, përmes një Rezolute të posaçme e obliguese, çështjen e njërit prej intelektualve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Dhe përmes Kuvendit t’i kërkohet qeverisë që të bëjë çdo gjë të mundshme për zbardhjen e fatit të këtij kolosi të qendresës dhe të mendimit politik shqiptar!


Muhamet Malsori me Ukshin Hotin

Ky fakt flet shumë dhe dëshmon se ata që harrojnë në këtë farë feje një bashkëvuajtës, ata mund t’i ketë futur Serbia në burg edhe për motive politike, por ata të burgosur politikë nuk kanë qenë asnjëherë.

Pikërisht kjo kategori hipokritësh i ka dëshpruar njerëzit më shumë se askush tjetër, sepse edhe me ndihmën e tyre po mbijeton politikisht, qe 20 vjet, një vëllavrasës dhe tuxhar territoresh e flamujsh si Hashim Thaçi.

*Shkrimi përcillet nga një dëshmi origjinale për masakrën në Dubravë dhe fotografi të Reuters-it nga vendi i krimit, publikuar për herë të parë në revistën Pasqyra, nr. 17 (26 mars 2000)

Të burgosurit serbë në aksion

Goran Begoviq, pjesëmarrës në masakrën e burgut të Dubravës

Ilia Mishkoviq pjesëmarrës aktivë në masakrën e burgut të Dubravës

Dëshmi për masakren në burgun e Dubravës

Intervistë me z. Bajram Mustafa

 

(Kjo intervistë është botuar ne dy vazhdime në revistën Pasqyra, në numrat 17 e 18, datë 26 mars dhe 2 prill 2000)

BURGU QË VRET

Pse biseduam me Bajram Mustafën?

I lindur më 1975 në Prishtinë, Bajram Mustafa është njëri nga të burgosurit në burgun e Dubravës, që zhvillimin e ngjarjeve tragjike e ka përjetuar nga ditët e para, ndaj, pavarësisht nga të dhënat e botuara deri më sot, ne shohim se tregimet e tij për ato ditë tragjike janë origjinale dhe hidhet dritë e re në këtë histori të tmershme.

Për shkak se Mustafa ishte i burgosur për shkaqe ekonomike dhe deri në fillim të bombardimeve nuk i ka përjetuar pasojat e të burgosurve politikë apo të robërve të luftës, me moshën e tij të re, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, ai kishte shëndet të plotë për t’u aktivizar gjithanshëm brenda burgut dhe për të qenë i pranishëm në një numër të madh ngjarjesh, që zhvilloheshin brenda grilave, ngjarje këto, të cilat nuk kanë mundur t’i përjetojnë shumë të burgosur të tjerë.

I lodhur nga burgu, i ri dhe, në një shkallë të theksuar, edhe i traumatizuar, Bajram Mustafa e ka pasur vështirë t’i thotë të gjitha, e aq më pak t’i shpjegojë të gjitha. Është e kuptueshme, prandaj, pse biseda me të ka zgjatur disa ditë dhe shpesh është mbyllur pa filluar, ndërsa shumë gjëra i ka lënë për t’i thënë më vonë apo, sikur shprehej ai, për t’i thënë të tjerët, kur të lirohen.

Pavarësisht nga kjo, ai është i lumtur dhe e do jetën, i bindur se një ditë do të lirohen edhe të tjerët, sado, sikurse shprehet ai « Burgu më ndjek sot për shkak se atje janë ata me të cilët kemi përjetuar momente të rënda kur kufiri ndërmjet jetës dhe vdekjes nuk ka ekzistuar !». Por, vazdon ai, « jam shumë i sigurtë se, megjithëse, unë tash jam jashtë burgut, ai do të më ndjek gjithë jetën ! »

Bajram Mustafa

«Hoxha nuk po varros më me urdhërin tonë… ! »

Pasqyra:  Kur jeni burgosur?
B. Mustafa: Më 29. 1. 1999, më kanë marë në qendër të qytetit të Prishtinës. Kam pasur edhe tre muaj burg për çështje ekonomike, shitblerje. Në rrugë për në burgun e Dubravës, te Ura e Klinës, më ndalën në afërsi të një turme gurësh dhe më thanë se njerëzit si ti nuk i dërgojmë në burg, por i vrasim rrugës, bash në këtë vend. Më përgatitën për ekzekutim, por pas pak minutash filluan të bëjnë sikur po shtyheshin mes veti, a duhet vrarë apo jo ! Kjo zgjati rreth gjysmë ore. Pastaj më dërguan në stacionin e policisë në Klinë. Aty kërkova të shkoja në WC. Më thanë që të shkoja, por të mos tentoja të ikja, sepse “do ta thërrasim popin të të varros, pasi hoxha më nuk po varros me urdhërin tonë !” Më dërguan në burgun e Dubravës.

Njëri nga të burgosurit e parë në burgun e Dubravës

Pasqyra: Si e keni parë ju burgun e Dubravës?
B. Mustafa: Të mbushur me policë e ushtarë. Aty nuk kishte të burgosur shqiptarë, por vetëm të burgosur serbë. Shqiptarët i kishin dërguar në burgjet e Serbisë. Mua më dërguan në qeli. Aty më kanë mbajtur 57 ditë. Ndërkohë i kishin sjell në Pavionin C 1 edhe disa shqiptarë të akuzuar për “terrorizëm”.

Pasqyra: A mendon se ka pasur të burgosur të tjerë shqiptarë që mbaheshin në qeli?
B. Mustafa: Në ndërtesën e pranimit, ku isha unë, nuk ka pasur, por pas dy-tri ditësh, në ndërtesën e pavionit C 1 janë sjell rreth 30-40 persona të akuzuar si pjesëmarrës në luftë.

Pasqyra: Pastaj?
B. Mustafa: Pastaj nga burgjet serbe prunë disa të burgosur të tjerë shqiptarë. Kryesisht nga burgu i Sremit dhe Pozharevcit, që nuk ishin të burgosur politikë. Bashkë me ta sollën edhe rreth 15 të burgosur serbë. Në furrë punonin shqiptarët. Gatuanin për të burgosur, për policë dhe ushtarë. Kuzhina për serbë ishte e ndarë.

Edhe mëse 70 të burgosur serbë gjendeshin në burg, por në tip të hapur dhe ata e ndihmonin policinë e ushtrinë për nevoja ushtarake. Një natë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, tërhoqën 10 serbë të burgosur, ndërsa pesë të fundit i tërhoqën dy ditë pas fillimit të bombardimeve.

Gjatë qëndrimit të tyre me ne, ata tregonin për pjesëmarrjen e tyre si luftëtarë në Kroaci e Bosnje, por që u burgosën për shkak të krimeve që kishin bërë në Serbi.

Në mesin e kriminelëve të luftës

Pasqyra : Ju kujtohet, cilët ishin ata?
B. Mustafa : Më kujtohen disa prej tyre. Sinisha Petriq, i ashtuquajturi Zenica, nga Zenica e Bosnjës, Millosh Gjuriq, i komunës së Istogut, i cili pas kthimit nga lufta në Kroaci e Bosnje, kishte mbytur babain e vet, njëfar Aca Paviqeviç, nga Podgorica, Dejan Mlladenoviq, një serb-magjup nga Krushevci i Serbisë, dhe një Acë tjetër i ashtuquajtur edhe Aca i Vogël nga Istogu, i cili ka qenë edhe zëvendëskomandanti, sikur edhe Ilia Mishkoviq, nga Nikshiqi i Malit të Zi , Millovan Millosheviq, i ashtuquajturi Talle, nga lagjja e Ulpianës në Prishtinë, pjesmarrës i luftës në Bosnjë e në Kroaci, si pjesëtar i Gardës së Arkanit,  njëfarë Simiqi nga Shpenadija e Prizrenit, Igor Gërgoviq, një ish-polic nga Peja, Shqepanoviq, nga Mali i Zi, Mirosllavi nga ana e Gjilanit, Todori, i ashtuquajturi Tosho. Këta dy të fundit dhe tre të tjerë, shokë të tyre, kanë qenë të dënuar për dhunim. Hranisllav Kukurekoviç nga Gushterica e Lipjanit dhe Migo Llalleviç nga Mali i Zi, pastaj komandant Mitri i rrethit të Pejës etj.

Pasqyra: Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, a kanë sjellë në burgun e Dubravës të burgosur të tjerë apo të kidnapuar?
B. Mustafa: Po. Pas fillimit të bombardimeve në burg kanë sjellë një grup të rinjsh nga Gjakova, që i kishin mbledhur në rrugë, shtëpi, etj. Më vonë, kur i kemi pyetur se si i kanë marrë, na thanë se shumicën nga ta i kanë marrë në shtëpi. Madje, që më parë iu kishin thënë të mos dilnin sepse nuk ishin të rrezikuar dhe se policia e ushtria serbe kishin ngrënë edhe bukën e tyre, por për një çast policia serbe kishte ndërruar mendim dhe i kishte rrëmbyer pa asnjë arsyetim. Veç tyre në burg kanë sjellë edhe nga Mitrovica e Sremit dhe nga burgjet e tjera të Serbisë.

Pasqyra: Sa ishte numri i tyre?
B. Mustafa: Nga rrethi i Gjakovës ishin rreth 150 veta, ndërsa nga burgjet serbe i kanë sjellë rreth 400 të tjerë, d.m.th. gjithsej 600-650 veta. Brenda kanë qenë edhe mbi 300, andaj, me sa di unë, atë kohë në burgun e Dubravës kanë qenë rreth 962 veta.

Pasqyra: Si kanë qenë sjelljet e autoriteteve serbe para bombardimeve?
B. Mustafa: Në pavionin B2 nuk ka pasur sjellje të këqija, ndërsa në atë C1, ku kanë qenë të akuzuarit kinse për terrorizëm, kanë përjetuar tortura të mëdha. Kanë pasur një të katërtën e bukës, shumë pak gjellë dhe, dajak çdo gjysmë ore!

Pasqyra: Po në prag të luftës?
B.Mustafa: Ne ishim të gëzuar, sepse qarkullonin informatat se do të bombardohej e tërë Serbia.

Pasqyra: Si i merrnit informatat?
Mustafa: Disa të burgosur, që punonin në furrë të bukës, kanë pasur tranzistor dhe kanë ndjekur lajmet dhe çdo lajm na e përcillnin edhe ne.

I kemi duartrokitur bombardimet e NATO-s

Pasqyra: Po ditën e parë të fillimit të bombardimit?
B. Mustafa: Kemi qenë shumë të gëzuar. Pavioni B2 i tëri ka duartrokitur. Kemi hapur langje, kemi vallëzuar dhe meqë vëreheshin raketat që bombardonin Sllatinën, ne të gjithë u hodhëm në dritare për t’i parë ato.

Në C nuk kanë ditur shumë, por së paku e kanë ditur se bombardimi filloi, prandaj edhe ata, me gjithë dhunën dhe frikën që kishin përjetuar, e shfaqën gëzimin e tyre me duartrokitje. Autoritetet e burgut morën masa më të rrepta ndaj nesh. U ndalua shëtitja njëorëshe, ushqimi u dobësua shumë. Filluan të na e jepnin një bukë për njëzetekatër orë: gjysmën në drekë e gjysmën thatë më vonë.

Në pavionin C 1 gjendja ishte edhe më e vështirë. Ata rriheshin pa ndërprerë dhe gjatë gjithë ditës merrnin vetëm gjysmë buke. Po ua ofroj rrëfimin që ma ka treguar Sadik Zeçiraj, gazetarë i “Botës së re”, më vonë: “Kur na vinte buka, së pari na detyronin të bërtisnim “Rroftë Serbia !”. Bukën e merrnim të gërmuqur, me duart përpara, në shenjë poshtërimi dhe pa guxuar ta ngrejmë kokën të shikonim ndarësin e bukës apo të gjellës.”

Për C1, ku kishte rreth 200 të burgosur, ka ekzistuar një ligj i veçantë i sjelljes. Çdo mbrëmje mblidheshin gardianët e pavioneve të ndryshme dhe shkonin t’i rrihnin ata. Në këso fushatash dallohej sidomos gardiani Mitri, nga rrethi i Istogut, njëfarë gardian Manca , Nikiqi, Lushiqi, Lubisha, Zvonki dhe një gardian i ashtuquajtur Tarzan, nën udhëheqjen e mbikëqyrësit Bellosheviq dhe udhëheqësit të ndërrimit Dragan. Të gjithë këta kanë qenë të rrethit të Klinës dhe të Istogut. Policët ndiqnin situatën nga radioja tërë natën.

Pasqyra: Çfarë masash mori drejtoria e burgut?
B. Mustafa: Gardianët na thoshin se këtu nuk do të gjuajë NATO-ja, pasi këtu jeni ju të burgosurit dhe këtu jeni në duar të sigurta.

Pasqyra: Pas fillimit të bombardimeve në Kosovë,  mbeti  ndonjë serb në burg?
B. Mustafa: Mbetën vetëm pesë serbë. Një mëngjes, kur ra zilja e zgjimit, Sinisha Petriqi, më tha: “Tash koka juaj dhe e gjithë shqiptarëve vlen vetëm 50 para.” I thashë: Do ta shohim në fund se çka do të bëhet, a do të vlejë koka ime 50 para apo jotja. Jo, më tha ai : ” Së shpejti do të vinë dhe do të na marin, do të armatosemi dhe do të vihemi në mbrojtje.” Ata kishin përvojë në luftimet e mëhershme në Kroaci dhe në Bosnje, prandaj u duheshin për luftë. Vërtet, kështu u bë.

Sulmi i parë i NATO-s në burgun e Dubravës

Ka qenë data 19 maj 1999. Ishte mesditë, mes orës 11-12. Në fillim aeroplanët e NATO-s kanë qëlluar me dy raketa një pavion afër pavionit  C. Aty nuk ka pasur njerëz. Janë kthyer sërisht dhe kanë qëlluar me tri raketa Pavionin C. Aty ka pasur rreth 200 të burgosur. Gardianët ikën. Të burgosurit ishin në qeli. Rryma është ndalur dhe dyert janë bllokuar. Dera kryesore çelej vetëm me rrymë.  Flaka shkonte deri në qiell. Të burgosurit thërrisnin për ndihmë.

Pasqyra: Ç’bëtë ju në ato çaste të vështira?
B. Mustafa: Ne që ishim në Pavionin B 2, ishim të mbyllur gjithashtu, por për fat të mirë, afër pavionit tonë gjendej mensa, ku punonin shumë të burgosur shqiptarë dhe, kur gardianët e këtij pavioni gjithashtu kishin nisur të iknin, ata i takojnë në rrugë dhe ua marrin çelësat.

Pasqyra: Kush kanë qenë ata që në atë moment rreziku nga ajri dhe snajperistët rreth oborrit patën guxim të dalin e t’ua marin çelësat gardianëve?
B. Mustafa: Nuk më kujtohen të gjithë, por në mesin e tyre më kujtohet Istref Hasani nga Mitrovica, një njeri i fortë, burrë i vendosur dhe shumë i mençur, djalë besnik, vërtetë burrë, sepse, me sa di, është i martuar dhe ka edhe fëmijë. Një tjetër ka qenë Xhevat Mustafa nga Prishtina… Të gjithë, rreth shtatë a tetë veta. Kanë qenë dhe dy-tre magjupë, që kanë pasur të drejtë të dalin në oborr të burgut, për rregullimin e kopshtit, pastrimin e oborrit etj., që kanë qëlluar në atë moment dhe iu bashkuan shqiptarëve.

Pasqyra: A nuk kanë qenë të rrezikuar nga gardianët?
B. Mustafa: Po. Por ata ishin shumë të vendosur. Madje, Istrefi e ndali një gardian dhe e urdhëroi që të kthehet dhe t’ua hapë derën të burgosurve në Pavionin C, sepse ata digjeshin brenda, por ai ia kthen duke i thënë se së shpejti do të kthehemi dhe t’iu nxjerrim të gjithëve. I revoltuar, Istrefi, kap një gur dhe e gjuan mbikqyrësin që po dilte nga oborri, por ai iku se nuk kishte guxim më të qëndronte në zonën e rrezikuar.

Pasqyra: Po ju të pavionit B 2 si u gjetët?
B. Mustafa: Në momentin kur gardianët ikën, aty qëllon një i burgosur, njëfar Naser Shporta, të cilin gardianët e kanë pasur kurir dhe ai i merr çelësat dhe i hapë dyert. Në pavionin tonë gjendeshin rreth 150 veta. Ne dolëm dhe pamë se pavioni C po digjej. Vrapuam drejt tij. Dëgjuam të burgosurit që kërkonin ndihmë thyenin dritaret, por jo edhe grilat e çelikta. Ne u kthyem dhe morëm mjete të hekurta, kazma, lopata e gjithçka që gjetëm dhe shkuam e i thyem grilat dhe dyert e pavionit e i nxorëm jashtë.

Plagët ua kemi lidhur me rrobat e trupit…

Pasqyra: Ka pasur shumë të vrarë e të plagosur?
B. Mustafa: Ka qenë panik i madh. Më kujtohet se në vend kanë mbetur të vdekur dy veta dhe shtatë a tetë të tjerë të plagosur. I morëm të plagosurit dhe bashkë me ta u vendosëm në kopsht. Pas pak kohësh brenda në oborr hynë ish të borgosurit serbë bashkë me gardianë, policë e besa edhe me disa ushtarë të armatosur rëndë. Të gjithë ishin të armatosur dhe që nga dera kryesore e oborrit filluan të shtijnë me armë drejt qiellit. Na urdhëruan që secili të shkojë në pavionin e tij pasi, sipas tyre, “nuk ka më rrezik. I kemi lajmëruar ata të NATO-s, që këtu ka të burgosur dhe nuk do të gjuajnë më.”

Pasqyra: Nuk më thatë edhe diçka për të plagosurit?
B. Mustafa: Të burgosurit ishin të lënduar në kokë, trup, këmbë e gjithkah, por ne pak patëm kohë të merremi me ta, sepse frikësoheshim nga rreziku i përsëritjes së sulmit mbi pavionet e tjera. U angazhuam që sa më parë t’i nxjerrim jashtë edhe të burgosurit e tjerë. Sa për ndihmë, një ndihmë iu dha nga të burgosurit, por për dhënien e ndihmës nuk i kishim gjërat elementare. Më në fund, të burgosurit, me rrobat e trupit ua kanë lidhur plagët vëllezërve të tyre.

Pasqyra: A ka pasur ndonjë të burgosur që ka ditur të lidhë plagët?
B. Mustafa: Po, ka pasur. Bislim Zogaj, njeri që ka dhënë shpesh ato ditë një kontribut të madh, pastaj studentët e Unionit të Studentëve të Prizrenit : Haqif Ilazi, Bilbil Duraku, Njazi Kryeziu, Defrim Rifaj, Sejdi Bellanica. Haqifi ka qenë bashkë me vëlla Sherifin, kanë qenë edhe të tjerë dhe më vjen keq që tash nuk mund t’i kujtoj të gjithë. Nait Hasani, Besim Rama, Hasan Zeneli kanë pasur njëfarë përvoje edhe me parë për dhënien e ndihmës e parë.

Pasqyra: Hytë të gjithë brenda?
B. Mustafa: Sigurisht, nuk kishte asnjë mundësi që të rezistohej.

Pasqyra: Si e komentoni sulmin e NATO-s mbi pavionin C. A ka pasur ndonjë shenjë të dyshimtë aty?
B. Mustafa: Sipas supozimeve që i kanë bërë të burgosurit, dhe sipas të dhënave të cilat nuk e di si kanë arritur deri te ne: drejtorit të burgut Aleksandër Rakoçeviq i është thënë që t’i largojë të burgosurit sepse do të bombardohet burgu i Dubravës, meqenëse aty ishin të përqëndruara forca të mëdha policore e ushtarake, por ai, përkundrazi, ka mbledhur edhe më shumë shqiptarë të burgosur duke i sjell edhe nga burgjet tjera të Serbisë. Ka një dyshim këtu. Në atë pavion, të burgosurit kanë qenë në izolim total dhe sipas të gjitha gjasave vëzhguesit e NATO-s nuk kanë parë njerëz që shkojnë në kuzhinë, dalin në shetitore etj., por vetëm gardianët duke u ndërruar në mbrëmje dhe në mëngjes. Pra, kanë menduar se aty është ndonjë qendër policore apo ndonjë depo e municionit.

Pasqyra: Po pas hyrjes suaj brenda?
B. Mustafa: Të burgosurit e pavionit C i kanë dërguar në shtëpinë e kulturës. Pasi na futën brenda, na i lanë dyert hapur. Na thanë: nëse dëgjoni aeroplanë dhe kanosje rreziku, ikni dhe lirojeni pavionin, veç të mos tentojë dikush të dalë jashtë oborrit, sepse do të jetë i vrarë. Kështu posa dëgjonim aeroplanët, dilnim jashtë në gjelbërim. Aty kemi qëndruar edhe gjatë natës dhe kemi fjetur tri netë me radhë, ndërsa nga karakolli policët dhe ushtarët serb shtinin vazhdimisht, kryesisht drejt qiellit.

Po ditën e parë, pra me 19 maj, rreth orës 21, shkuam në furrë, e cila punonte edhe atë ditë. Kemi marrë bukë dhe e kemi shpërndarë në të gjithë pavionet, por së pari e kemi dërguar te të burgosurit e Pavionit C. Kemi hyrë në kuzhinë dhe kemi marë xhemë e sende të tjera dhe ua kemi dërguar të sëmurëve dhe atyre që përkujdeseshin për ta në Shtëpinë e Kulturës. Buka është ndarë te të gjithë njësoj.

Pasqyra: Çfarë ndodhi më pas?
B. Mustafa: Pastaj, nuk ka pasur bombardime dhe natën e kemi kaluar si kemi ditur e mundur.

Të nesërmen kanë ardhur gardianët dhe përsëri na kanë futur brenda, dhe na janë kërcënuar që të mos tentojmë ta kalojmë murin, sepse do të vritemi menjëherë. Deri më 21 maj, nuk ka pasur bombardime dhe ne kemi lëvizur të lirë brenda burgut  duke e ndihmuar njëri-tjetrin.

Pasqyra: Më 21 maj kur kanë filluar të bombardojnë?
B. Mustafa: Rreth mesditës filloi dhe zgjati tërë ditën.

Pasqyra: Çka u bombardua në fillim?
B. Mustafa: Ngrohtorja .

Pasqyra: A ka pasur të burgosur aty?
Mustafa: Jo. Ka pasur vetëm gardian.

Pasqyra: Është vrarë ndonjëri nga ata?
B. Mustafa : Nuk e di. Ndoshta….

Pasqyra: Pastaj?
B. Mustafa : Pas gjysmë ore kanë filluar të bombardojnë edhe pavionet ku kemi qenë ne. Në fillim është bombarduar pavioni C, të cilin e kishin bombarduar edhe më parë dhe tani nuk kishte asnjë njeri. Pastaj bombarduan Shtëpinë e kulturës, kuzhinën, një pavion afër C-së dmth. C2. e kështu me radhë gjithë ditën.

Pasqyra: Në këtë rast a ka pasur të vrarë apo të lënduar?
B. Mustafa : Jo. Vetëm kur kanë gjuajtur shtëpinë e Kulturës dhe nuk e ka qëlluar atë por diku afër saj, e aty afër gjendeshin edhe të burgosurit, atëherë aty kanë pësuar vdekjen 12 veta.

Pasqyra: Po të plagosur?
B. Mustafa : Po, një numër i vogël. Pra, përgjithësisht nga bombardimet e NATO-s janë vrarë 24 të burgosur dhe janë plagosur 50-60 të tjerë.

EMRAT TANË I KEMI SHKRUAR NË MURE ME GJAKUN TONË

Nata me kujë, vaj e  thirrje grashë e fëmijësh…

Pasqyra: Ndonjë ngjarje e veçantë nga qëndrimi në burgun e Lipjanit?
B. Mustafa: Një ngarje shumë e veçantë, jo vetëm për kohën e qëndrimit në burgun e Lipjanit, por edhe në gjithë jetën time ka qenë një natë para se të na transferonin në burgun e Nishit. Atë natë është bërë transferimi i grave nga burgu i Lipjanit në burgun e Pozharevcit. Nuk i kemi parë, por i kemi pasur afër. Kemi dëgjuar kujë e zhurmë, vaj, thirje, zhurmë policësh… Atë natë ka qenë një tragjedi e madhe në jetën e tyre, por dhe në tonën. Në shpirtin tonë ka pasur dhembje dhe trishtim më shumë se sa kur na kanë mbështur për muri për të na pushkatuar. Ishte vështirë të dëgjoje e të mos mund t’ju ndihmoje motrave e nënave shqiptare. Ishte më vështirë se kur 20 ditë më parë gjendesha para të masakruarve në burgun e Dubravës…

Pasqyra: A keni dëgjuar zëra fëmijësh ?
B.Mustafa: Po, kemi dëgjuar edhe zëra fëmijësh… Shumë apo pak nuk e di se veshët na kanë ushtuar e mendjen nuk e kemi pasur me vete…
Kjo ka zgjatur, së paku dy orë. Më pas u qetësua çdo gjë…Vdekje… Më vonë kemi dëgjuar se i kanë dërguar në Pozharevc.

Rrëfimi i Bajram Mustafës vazhdon. Vazhdon aty ku është ndërprerë në netët e rënda kur të burgosurit e Dubravës masakroheshin…

Pasqyra: Si jeni gjetur në atë kohë me të plagosurit e të vrarët ?
B. Mustafa: Brenda burgut ka qenë edhe ambulanca. Ne të burgosurit e thyem morrëm jodin dhe gjërat tjera e me ato dije që kishim ua lidhnim plagët. Të vrarët i vendosnim kudo që mundnim. Ndihmën e kemi dhënë në kohën që NATO- ja bombardonte. Duhej guxim të dilje nga streha që ishe futur për mbrojtje nga raketat e NATO-s e pastaj një guxim dhe më i madh që të shkoje nga objekti në objekt pa të kapur plumbat e snajperistëve përreth oborrit. Ka pasur shumë që e kanë pësuar këtë guxim. P.sh Bislim Zogaj, djemtë e Unionit të Pavarur të Prizrenit, Besimi, Naiti e shumë e shumë të tjerë. .. Kështu, gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje.

Pasqyra: Ju i keni mbledhur kufomat. Çka keni bërë që të identifikohen ato?
B. Mustafa: Gjatë gjithë asaj kohe, kufomat që i njihte dikush i shkruante emrin në letër, pastaj e mbështillnim në një qese najloni e ua fusnim në xhepa ose diku në trup. Shumicës së tyre ua kemi ditur emrat, se gjithmonë është gjetur ndonjë që e ka njohur tjetrin. Në burg ka pasur nga dy deri në pesë anëtarë të një familjeje. Të mos flasim pastaj për të afërm të tyre. Më kujtohet se prej familjes së Jetishve kanë qenë 7-8 veta dhe njëri prej tyre është vrarë.

Pasqyra: Po pas ndërprerjes së sulmeve ?
B. Mustafa: Pas ndërprerjes së sulmeve ishte terruar dhe ne shkuam e u vendosëm në stadiumin lart mbi burg dhe kemi qëndruar aty deri në mëngjes. Brenda nuk ka hyrë askush të interesohet për ne, ndërsa jashtë kemi parë në vendroje kryesisht gardian dhe të burgosur serbë, që tani ishin veshur me rroba policësh dhe ishin armatosur.

Pasqyra: Ju kujtohen emrat e atyre që kanë shtënë mbi ju?
B. Mustafa: Më kujtohet gardian Mitri, i cili non stop ka gjuajtur drejt nesh, deri në mëngjes. Gjatë natës të vdekurit i kemi lënë grupe-grupe në kopësht dhe i kemi mbuluar me batanije, ndërsa të plagosurit i morëm me vete dhe ua lidhëm plagët, gjymtyrët etj. Në mëngjes ka ardhur te karaulla zëvendëskomantanti Aca (mbiemrin nuk ia di) dhe ka thënë: Dilni, bëhuni rresht rreth murit, të gjithë dy nga dy, se do t’ju numërojmë që t’ju transformojmë në burgun e Nishit. Kemi bërë si na kanë urdhëruar. Nuk ka shkuar shumë kohë dhe kanë filluar të shtien me mitralozë, minahedhës, snajperë, bomba, pushkë…. Kjo zgjati rreth dy orë. U vranë shumë… Vetëm afër murit kanë qenë rreth 60 viktima dhe të plagosur të tjerë. Kush ka mundur të iki drejt ndërtesave poshtë, ka shpëtuar. Kush është plagosur ka shpëtuar vetëm nëse dikush e ka tërhequr zvarrë dhe marë me vete, përndryshe ai ka vdekur aty pasi nuk ka mundur kush t’i japë ndihmën e parë. Ç’është e vërteta pasi u vendosëm nëpër pavione ne për pesëmbëdhjetë minuta u organizuam dhe duke sakrifikuar me kokë mernim qebet me vete, shkonim zvarrë deri te i plagosuri dhe e hidhnim në  qebe e pastaj e tërhiqnim deri te pavioni C, ku ishte organizar një ekip që u jepte ndihmën e parë.

Pasqyra: Po listën e të vdekurve e të plagosurve kush e ka pasur dhe a besoni se është ruajtur ?
B. Mustafa: Atëherë nuk kam pasur kohë të pyes se kush po e ruan listën dhe ku po e fsheh, por e di se ajo është bërë, diku është e do të dalë një ditë. Ka mundësi që ajo listë të gjendet e ruajtur edhe në burgun e Lipjanit

Pasqyra: Po ju të tjerët ku u vendosët?
B.Mustafa: Çdo pavion thuajse ka pasur të burgosur, por më së shumti ka pasur në podrum të kuzhinës, ku kanë qenë rreth 300 vetë.

Pasqyra: Shpesh keni qenë të bindur se nuk do të dalë askush i gjallë. Ç’ka bënit që të linit një shenjë se kush ishte aty
B. Mustafa: Shpesh nëpër mure shënonim emrat tanë dhe fjalë e parulla të tjera si: Rroftë Kosova! Rroftë UÇK! Rroftë Adem Jashari!

Shpëtimi i të burgosurve nga Gjakova!

Pasqyra: Kishte dhe disa që ishin në dhomat e burgut. Çfarë mund të na thoni?
B. Mustafa: Në mbrëmje para se të fillonte sulmi mbi të burgosurit dëgjuam se në pavionin e pranimit, që gjendej pranë derës kryesore të hyrjes në burg, gjendeshin 30 të burgosur nga Gjakova. I thashë Halil Ademajt nga Prizreni: “Halil, hajde shkojmë e i nxjerrim se kanë m’i vra krejt!” Ata ishin më të rrezikuarit, por nuk e dinin dhe kishin frikë. I lutëm po nuk dilnin. Thoshin na kanë thënë gardianët që të mos dalim se do t’ju vrasim. Atëherë i morëm kazmat e ca hekura të tjerë dhe ua thyem dyert, i nxorëm thuajse me zor. Ishin të tmerruar dhe nuk guxonin as të shihnin në oborr e le më të dilnin jashtë e të bashkohshin me ne. Më në fund dolën dhe i vendosëm në një vend “të sigurtë” në kuzhinë, ku ishim edhe ne. Mirëpo kur dolën ata mbetën edhe nja katër a pesë të plagosur. Më vonë gjakovarët shpesh na janë falenderuar për këtë. Në pozitën që kanë qenë ata, shumë lehtë kanë mundur të asgjësohen, madje dhe ngjarjet që do të zhvillohen më vonë do ta dëshmojnë këtë.

Pasqyra: Çfarë u bë me të plagosurit?
B.Mustafa: Vetëm unë dhe Halili e kemi marë nga një të plagosur, të tjerët ishin të tmeruar. Nëpër oborr duhej lëvizur shpejt, kryesisht zvarrë dhe nga këndi i një ndërtese në tjetrën, ku besoje se nuk do të vërejnë apo më mirë me thanë në aso pozite ku besoje se nuk mund të kapë lehtë plumbi i pushkës a predha e trombllonit. Madje nuk i kam ditur as emrat e atyre që e mbaja në shpinë.

Pasqyra: Si vijuan ngjarjet më pas?
B. Mustafa: Pasi i vendosëm në podrumin e kuzhinës u kthyem t’i marim edhe të plagosurit e tjerë, mirëpo nuk arritëm të shkojmë as në gjysmë të rrugës se policia e ushtria u rrasën në oborr dhe filluan të gjuajnë në drejtim të kuzhinës. Në fillim u skajuam që të presim mos po kalon ky sulm, që të vazhdonim rrugën drejt të plagosurve, por kishte rrezik të qëndroje jashtë pas qosheve dhe u tërhoqëm. Sulmi zgjati reth një orë e gjysmë. Nuk mundëm të shkojmë deri të nesërmen. Natën nuk kishte as një shans të lëvizje nga snajperët.  Gjatë asaj nate nuk ka pasur sulme të NATO-s dhe rreziku ishte i madh nga policët. Gjatë natës pësuan shumë të burgosur, që sakrifikonin të dalin për të tërhequr të plagosur nga jashtë që kërkonin ndihmë, të burgosur që kërkonin të afërmit a shokët e zhdukur për një çast, të burgosurit nxirnin jashtë të vdekurit, nga frika se edhe në mesin e të burgosurve mund të krijoheshin kriza të papërmbajtëshme mendore.  Kur shkuam pamë se ishin të vrarë të gjithë. Ishin të masakruar… Me plumba dhe me bomba. Ua kishin hedhur bombat në bark, në krye…!

Pasqyra: Po në mëngjes, si filluan ngjarjet?
B. Mustafa: Dua të kujtojë një ngjarje që u zhvillua gjatë natës. Në mbrëmje ne kemi marë kapakët e poçeve të neonit, i kemi renditur në livadh dhe me to kemi shkruar fjalën Help! Pra ndihmë. Kishim besim se ato shkronja i kanë parë edhe aeroplanët e NATO-s se kanë qenë shkronja të mëdha. Çdo shkronjë ka qenë së paku dy metra.

Pasqyra:
A besonit se kjo mënyrë do t’ju ndihmonte?
B. Mustafa: Qëllimi ishte që së paku dikush ta dijë se jemi këtu. Ne e dimin se do të vriteshim, na  sulmonin me bomba dore, minahedhës e iknin, por ku shihnin se ishin pak, p.sh. dy deri në pesë a gjashtë, nëpër shakta të ujit, podrume më të hapura, dhoma izolimi i masakronin me gjakftohtësi. Kanë qenë rreth 20-30 shakta, ndoshta…

Pasqyra: Sa vetë mund të zinin ato shakta?
B. Mustafa: Ka pas shaktë që i ka zënë 5 vetë, por ka pasur që i ka zënë edhe 20-30 njerëz. Kanë hyrë aty njëri mbi tjeterin dhe mbi ta janë hedhur bomba dore. Në ato shakta nuk janë vrarë të gjithë, se ata që kanë qenë në fund të shaktës kanë pasur dhjetë veta përmbi e nuk i ka përshkuar bomba, por ka pasur shumë të plagosur. Në podrum ishim rreth 400-500 vetë e nuk kanë gjuxuar të afrohen, por kanë gjuajur rreth dy orë me snajperë, trombllone dhe bomba. Në mëngjes kanë përsëritur të njëjtin skenar, duke hulumtuar shaktat, vendstrehimet e tjera dhe duke sulmuar nga largë podrumin. Njëherësh në mëngjes nga ne kërkohej që të dalim jashtë.

Pasqyra: Si vepruat në ato çaste? Ishte rrezik ta humbnit kontrollin jo vetëm me njëri-tjetrin, por dhe mbi veten?
B. Mustafa: Mendoj se jo. Ende ishim në gjendje të komunikonim, ta ruanim rendin dhe ta mbanim gjendjen në duart tona. Fillimisht vendosëm që të mos dalim dhe kjo zgjati rreth dy orë. “Më mirë të vdisnim të gjithë bashkë se të dalim e të na masakrojnë një nga një”, i thamë njëri-tjetrit. Ne e dinim se do të vriteshim. U pëshëndetëm njëri me tjetrin ! U hallashtisëm…!

Pasqyra: Megjithatë ju vendosët që të dilni dhe ta shihnit ç’po ndodhte. Si ndodhi?
B. Mustafa: Po, sepse filluan të na thërrasin disa nga ata që kishin dalë jashtë më parë, nga disa grupe të tjera. Na thoshin dilni se nuk do të ndodhë asgjë, dilni… Nuk kemi pasur kohë të diskutojmë, por e kemi ditur se ne ose ata në emër tonin do të masakrohen dhe si arsyetim do të kishin këmbëngulësinë e sidomos rreth 50-60 të burgosurve, që ishim në një podrum më thellë. Më në fund dolëm. Na nxorën në livadh, me duar rreth qafe na urdhëruan të ulemi në gjunjë dhe më vonë na drejtuan nga salla e sportit. Aty na mblodhën të gjithëve. Mendoj, për të gjithë ata që dolën nga vendstrehimet. Pastaj, i morën disa të burgosur që t’i merrnin të plagosurit, sepse thanë “po domë me e ditë sa jeni, pasi nesër do ju dërgojmë në burgun e Lipjanit” I sollën edhe edhe të plagosurit në sallë. Gjatë gjithë kësaj kohe na janë kërcënuar, që të dalim e të vimë të gjithë sepse të gjithë ata që gjenden jashtë salle do të pushkatohen.

Shpëtoi duke u fshehur në miell !

Pasqyra: Sa vetë keni qenë në sallë?
B. Mustafa: Mendoj se kemi qenë mbi shtatëqind… Më parë se të na dërgonin në burgun e Lipjanit besonim se salla ishte e minuar dhe aty do të masakroheshim të gjithë… Policë kishte brenda, por ata ishin dy a tre vetë dhe të tjerët nuk rrinin aty. Dy tre policë a të burgosur me maska sigurisht që serbët edhe mund t’i sakrifikonin për 700 shqiptarë… Të tjerët rrinin në dritare me pushkomitrolozë. Na kanë mbajtur 3-4 orë deri sa i kanë mbledhur “të gjithë”. Pas kësaj erdhën e filluan të na bëjnë lajka. Na i sollën tre bokse cigare. Na thanë se na i kishte dërguar drejtori i burgut. Gjoja se po na numërojnë, na urdhëruan që të grumbullohemi në një qoshe dhe të na mbështesin për muri duke na thënë se duam ta dimë sa autobusa e kamiona duhet t’i porosisim për ju. Kemi dyshuar gjatë gjithë kohës se duke na grumbulluar në një qoshe do të na hedhin benzinë a naftë dhe do të digjemi të gjithë, në emër të sulmit të NATO-s, por nuk ndodhi kështu. Pas gjithë kësaj na thanë se ishim të lirë dhe mund të dalim e të përgatisim madje edhe bukë për të burgosurit.

Kur kemi dalë nga salla dhe kemi fituar njëfarë lirie për të lëvizur në podrumin e ndërtesës së ujit kemi gjetur tetë vetë të pushkatuar. Më kujtohet një Petrush Perlazi i anës së Prizrenit, një Fejza…

Pasqyra: A kanë qenë ata të burgosur të mëhershëm apo i patën sjellë para luftës ?
B. Mustafa: Ka pasur edhe aso të parë edhe të dytë… Për aq sa di unë vetëm një ka shpëtuar nga ata që janë fshehur. Njëri ishte futur në miell dhe si duket policëve nuk ju ka kujtuar që ta hulumtojnë, ashtu që vetëm kur kemi shkuar ne, ai na ka dëgjuar dhe ka guxuar të dalë nga mielli.

Gjatë kohës sa ishim ne në burg policia pat sjellë në burg rreth 300-400 lopë, kuaj e kafshë të tjera, të cilat i plaçkitnin kryesisht nga fshatrat përreth. Patën sjellë edhe shporeta, miell e gjëra ushqimore, madje edhe dru poashtu të vjedhura, të gatshme vetëm për përdorim. Në mesin e gjëra ushqimore ka pasur edhe pako të tëra me vaj, sheqer, njëfar si keçap nëpër kanta të mëdha si dhe ndihma të tjera ushqimore të sjella nga organizatat humanitare ndërkombëtare. Ne i shfrytëzuam ato dhe organizuam përgatitjen e ushqimit së pari për të plagosurit dhe ata që e jepnin ndihmën e parë për ta. Ndoshta për ju duket e çuditshme, por të gjithëve atë ditë dhe atë natë ju kemi shpërndarë petulla dhe njëfarë si gjelle me keçap për më të sëmurët, të përgatitura nga furrëtarët dhe gjellëbërësit e kuzhinës.

Në mesin tonë kam njohur edhe të tjerë…

Pasqyra: A ka pasur të burgosur të kombësive të tjera në burgun e Dubravës, të cilët janë trajtuar si dhe ju?
B. Mustafa: Po, me sa di unë me ne ka qenë edhe një Xhevat Daçiqi rreth 27-vjeçar, nga Rozhaja, më duket babën e ka pasur shqiptar e nënën muslimane! Ai me disa shqiptarë ka qenë njëri prej organizatorëve për përgatitjen e ushqimit…Ka pasur edhe romë. Kanë qenë së paku dhjetë romë, të cilet nuk janë ndarë nga ne…

Pasqyra: A ka pasur në mesin e tyre  të vrarë e të plagosur?
B. Mustafa: Po, të vrarë me emër di një, Shabanin nga Mitrovica. Ai ka tentuar të iki nga burgu i Dubravës më 20 maj në mbrëmje. Ai është vrarë së bashku me 8-9 të tjerë posa e kanë kaluar murin e burgut.

Pasqyra: A ka pasur të tjerë që kanë provuar të arratisen?
B. Mustafa: Njëri ditën e parë të sulmit të NATO-s ka mundur të shkojë deri në Klinë apo Istog, nuk e di mirë, po e zunë dhe e kthyen. Të nesërmen ai i mori edhe 7-8 vetë dhe iku, por nuk shkuan as pesëmbëdhjetë minuta dhe dëgjuam pushkët. I vranë! Quhej Arsim, ishte nga Podujeva.

Pasqyra: A ka pasur sulme atë datë dhe gjatë natës?
B. Mustafa: Sulme nuk ka pasur, vetëm gjujtje, kryesisht lart. Ndoshta frikoheshin se dikush do të dalë jashtë murit. Posa ka rënë terri ne jemi ndarë në dy grupe të mëdha dhe jemi “fshehur” kryesisht në dy pavione B1 e B2.

Ata që ishin të plagosur rëndë mbetën, të plagosurit më lehtë u vendosën në pavione me të burgosur të tjerë, që kujdeseshin për ta. Kështu deri në mëngjes.

Në mëngjes erdhën dhe na rreshtuan. Na thanë t’i marim ç’ka kishim e pasi zbatuam urdhërin na detyruan t’i lëmë të gjitha dhe të dalim me duar në xhepa. Kemi dalë, na hipën në autobusa dhe na kanë drejtuar për në burgun e Lipjanit.

Ishin rreth 8 autobusë dhe kamiona ku qenë vendosur të plagosurit. Autobusat kanë qenë autobusë privat që ua kishin marë shqiptarëve nga Peja, Istogu dhe rrethina… Unë kam qenë në autobusin “Kaltrina Tours”. Rrugës kam parë shumë shtëpi, lagjje e fshatra duke u djegur. Ende nuk më hiqet nga mendja momenti kur i pashë duke u djegur shtëpitë e dajëve në Dobrevë. Mendoja se aty në themele digjej edhe gjyshi im bashkë me librat e vjetra të Fishtës, që i ruante tash e 50-vjetë dhe ua recitonte mysafirëve netëve të gjata të dimrit…

Në burgun e Lipjanit…

Pasqyra: Në burgun e Lipianit, si e keni gjetur gjendjen?
B. Mustafa: Si në çdo burg. Kemi gjetur edhe të burgosur të tjerë, që ishin në pavionin numër 4, por nuk kemi pasur kontakt me ta. Ne na vendosën në pavionet 1, 2 dhe 3. Në pavionin 2 ka pasur mèe shumë të burgosur se tek 1 e 3, mbi 240 të burgosur. Aty kam dëgjuar se ka qenë edhhe njëfarë gardiani shqiptar, Gani Tara. Kemi kaluar shumë keq. Pesë vetë kemi marë një çerek gote me gjellë. Kemi fjetur në tokë…

Gjatë kohës sa kemi qenë aty i kemi parë duke i nxjerrë katër të vdekur nga stacionari.

Pasqyra: Ju kujtohet emri i ndonjërit prej tyre?
B. Mustafa: Jo, vetëm e di se kanë qenë të plagosur në burgun e  Dubravës. Kemi qenë të lodhur, të traumatizuar për të mbajtuer mend emra. Po ua jap vetëm një detaj. Ne ishim disa vetë në një dhomë dhe çdo aeroplan që dëgjonim me turr strukeshim në një qoshe të dhomës kush arrinte i pari e vrap njëri mbi tjetrin. Nuk e di si kemi mbajtur mend emrin tonë. Ndoshta falë njerëzve të mençëm e burrave të vendosur që kemi pasur rreth vetes. Të burgosurit politikë veçmas kanë pasur mend edhe për vete edhe për ne…

Pasqyra: Kur jeni larguar nga burgu i Lipjanit dhe a kanë mbetur të burgosur të tjerë atje?
B. Mustafa: Nga burgu u Lipjanit, ku qëndruam 17 ditë, jemi larguar më 10 qershor drejt burgut të Nishit.

Atje mbetën disa që me dënime të vogla e me sa kemi dëgjuar ne ata janë liruar, por unë nuk di asgjë konkretisht.

Çlirimi shpirtëror i gardianit serb

Pasqyra: Ditën e nënshkrimit në mes të trupave të NATO-s dhe ushtrisë Jugosllave ju jeni transferuar në burgun e Nishit ? A dinit për dorëzimin e ushtrisë jugosllave?
B. Mustafa: Rrugës deri në Nish na kanë rrahur, nuk na kanë lënë të ngrejmë kokën e nuk e dinim ku po shkonim. Duart i kishim të lidhura me litarë dhe perdet e dritareve kanë qenë të lëshuara. Vetëm një shenjë më kujtohet kur na e dha një gardian. Diku në mes të Podujevës e Prokuples një gardian mori frymë thellë me ofshamë e tha: “Eh tash jemi në Serbi, kjo është Serbia…” Ne mendonim se po na dërgonin në kufi të Shqipërisë apo Maqedonisë.. Që ishin duke u zhvilluar bisedime e kemi ditur, por se është nënshkruar marrëveshja, jo.

******************

Ukshin Hoti –njeri për të gjitha kohërat!

Pasqyra: Një pyetje e pashmangshme. A e keni njohur Ukshin Hotin?
B. Mustafa: Unë nuk e kam pasur në pavion, ai ka qenë në pavionin numër 2. Shpesh e kemi përcjellë nga dritarja dhe e kemi përshëndetur kur ai shkonte në kuzhinë dhe e di se zakonisht përcillej edhe nga njerëzit tanë, edhe pse askush nga ne nuk e ka pasur jetën të sigurtë. Gjithmonë i jemi frikësuar eleminimit të tij.

Pasqyra: Si e keni pritur largimin e tij nga burgu ?
B. Mustafa: Me keqardhje. Nuk e dinim çfarë fati e priste dhe e ndjenim veten të vetmuar pa mbrojtjen morale të tij. E kemi përcjellë dhe përshëndetur, natyrisht në mënyrën tonë, për dritare… Ishte ditë e dielë. Kishte dy kufera në dorë. E pamë se po dilte ai dhe me të ishin katër gardianë…

Në mesin e të burgosurve flitej se largimi i tij lidhet me vendimin e NATO-s për ta bombarduar burgun. Drejtori e ka pasur këtë informatë dhe prandaj e ka larguar Ukshinin një ditë përpara. Kjo shpjegohej atëherë dhe shpjegohet edhe sot në mesin e të burgosurve se ata kanë dashur ta ruajnë Ukshinin dhe Ukshin Hoti është gjallë! Ka pasur edhe informata të tjera kryesisht sensacionale, të cilat këtu nuk më duket e udhës të thuhen, por po ua tregoj vetëm një fakt që më ka bërë përshtypje. Pasi jam transferuar në burgun e Nishit, shkova në stacionar dhe një i burgosur serb më ka pyetur për fatin e Ukshinit. I thashë që nuk është me ne. Jam takuar me të burgosur serb që me Ukshinin kanë qenë në burgun e Sremit dhe më kanë thënë: Ai është njeri i  madh dhe shumë i dijshëm, është njeri për të gjitha kohërat !

Pasqyra: A e keni gjetur të burgosur shqiptarë aty?
B. Mustafa: Kur kemi shkuar atë ditë jo.

Pasqyra: Pas sa kohësh keni pasur vizitën e parë nga një organizatë ndërkombëtare apo nga familja?
B. Mustafa: Pas tre muajsh nga organizatat ndërkombëtare dhe  janë interesuar  kryesisht për evidentim. Janë interesuar më shumë për rastin e Dubravës.

Nga familja pas afro 4-5 muajsh. Fillimisht kanë ardhur kryesisht nënat. Atëherë kemi dëgjuar për herë të parë se nga Kosova janë tërhequr të gjitha forcat e armatosura dhe janë shpërndarë ushqime për të gjithë.

Pasqyra: Po për shokët tjerë a keni pasur informata të tërthorta?
B. Mustafa: Po, kryesisht përmes të transferuarve nga burgu në burg për t’iu shqiptuar dënimet e ndonjë letër. Nga letrat kemi kuptuar se në Burgun e Sremit dhe të Leskocit gjendja është më e vështirë. Gjatë kësaj kohe kemi dëgjuar se në Burgun e Sremit gjenden edhe 700 kroatë, rob lufte.

Nuk di asgjë më shumë për këta të fundit, por kjo është përfolur.

Pasqyra: Si është gjendja shpirtërore e të burgosurve?
B. Mustafa: Të burgosurit janë të organizuar shumë mirë. Ata ndihmojnë njëri tjetrin me cigare e ushqim.
Ne jetonim duke ëndërruar si duket ajo Kosovë e lirë të cilën e kemi ëndërruar dje të gjithë, si punohet pa frikë e trishtim në Kosovë, si ndërtohet sot ajo nga dora shqiptare dhe ndihma ndërkombëtare… Të burgosurit i shërojnë plagët me ëndërat për Kosovën sot. Dhashtë Zoti e të mos i zhgënjejmë ata që janë gati të jetojnë edhe 20 vjetë në dhunën serbe vetëm që pas 20 vitesh ta shohin Kosovën e ëndërruar.

Pasqyra: Ju jeni liruar më 18 shkurt 2000, si e keni parë Kosovën ?
B. Mustafa: Pas gjtihë atyre krajateve që kam kaluar, përsëri e ndjej veten të lumtur.

Bisedoi:
Begzad Baliu

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*