Baladë për Zijah SHEMSIUN

Botohet me rastin e 34 vjetorit të rënies së Zijah Shemsiut

Shkruan:
Xhafer Shatri

 

N’Përlepnicë, në fillim maji,
fort i idh’t na erdhi lajmi:
n’Beligrad është vrarë Zijahi!
Kur mbërrini lajm’ i zi,
s’ka qëlluar mashkull në shpi,
veç nan’s plakë me gra e fëmijë,
se krejt Kosova siç e di
Babë Hasani me tre djem t’tij,
N’burg i çoi shtriga Serbi
veç pse deshen t’rrojnë n’liri.

* * *

Kur po e binë kufomën n’shpi,
del n’oborr, o nana e tij:

“O Zijah, o djalë i ri,
fort m’ka marrë malli për ty…
Por mendu’ s’e kam këtë ditë,
që i vjen nënës n’oborr shtritë,
që i vjen shtritë trupin me danga,
mos me pasë çka sheh n’ty nana.
Fort i ri m’dole prej sh’pisë,
mu në lule t’djalërisë:
Kur qe koha me t’martu’
n’mërgim t’zi, bir, m’pate shku’,
pate shku’ e vijshe rrallë,
për ty zemra mu pat kallë.
Veç kur krisën demonstratat,
kur rinia zhveshi shpatat,
ti, o bir, pop’llit s’ju ndave
kudo shkove e kudo ngave.
Dikur nise të vijsh natën,
prapa derës e lejshe çantën,
vesh më vesh folshe me babën.
Por si plakë që kam qëllu’
nuk m’takonte me përgju,
por një natë mirë t’kam ndëgju
kur i thojshe babës t’vogël:
‘këtu e kam “Zërin e Kosovës”,
këtu kam libra e gazeta,
bukur shumë n’një mal i fsheha.’
Kur t’thash, bir, po t’pret darka
m’the ‘s’mund t’vi mori lum nana
se n’katund, atje te ara
m’pret Nuhia e Rexhep Mala,
m’presin shokët t’ua jap gazetat,
t’ua jap lajmet e t’ua marr letrat…’
T’pritke Rexha me Nuh Berishen,
që krejt bota ua dëgjoi krismën.
Vishe n’terr, bir e shkojshe natën,
mirë Serbisë ia shtine flakën.
Por n’ni ag, pa dalë mirë dita,
na rrethoi keq policia,
gërryen oborrin me kacia,
gërryen oborrin e na rrëzuan muret,
lypshin librat e i lypshin pushkët,
na i thyen dyert e na e thyen prakun,
n’burg e keni, thanë Zijahin.
N’burg ta morën edhe babën
e me të edhe dy vëllazën.
T’gjithëve u çuan n’ burg n’Serbi
na e lanë shpinë në gra e fëmijë…“

* * *

Dikur erdhi zani i tij:
“Hajt bre nanë ti dert mos ki,
mos m’korit t’përlotësh sy,
po mbajma t’pamen me kojshi,
mandej nisu e shko n’Serbi,
t’i çelësh babës t’burgut dry
dhe t’ia çosh këtë porosi:
‘Tungjajeta, o Plaku im,
Apo t’ecin ditt n’burgim,
a je lodhë, a je mërzitë,
si je vetë si i kam vëllaznitë?
Siç po e sheh nuk qenka thënë
të t’shoh ma n’këtë jetë të rëndë
s’qenka thënë ta shoh lirinë,
t’shkoj në shkollë e t’i mësoj fëminë,
por të vdes në një qeli,
fyt për fyt me çetnikë t’zinj.
Ndaj, o babë, mos u mërzit,
burrninë tënde mos korit,
se nuk ka më kënaq’si n’jetë
se t’vdes njeri’ për vend t’vet.
Dhe për gjak timin, babë, mos çaj kokë,
se m’kanë mbet’ n’mërgim do shokë,
shokë të mirë si t’shkambit gurë
betuar jemi n’një flamur…
Dhe nëse populli u thotë ndo’j ditë
S’kanë me e lanë një pushkë pa e qitë…“

* * *

Babë Hasani një burrë i motit,
po i dëgjon fjalët e t’mortit,
dhe po i kthehet t’shoqes tij:
“Hajt bre gru e shko në shpi,
mblidhi gra e mblidhi fëmijë,
thirrmi fqinjët me vëllazni
dhe t’ua çosh këtë porosi:
‘nuk du’ vajë, nuk du mërzi,
pse m’ashtë mbytë një djalë i ri,
se ai s’vdiq për një mexhë t’malit,
por për tokë e nder t’shqiptarit,
se për burrë e luftëtar,
s’duhen lot e s’duhet vajë
por veç këngë e lapidar.

* * *

N’mbrëmje t’mugta të mërgimit,
janë mbledh shokët n’vlug t’trishtimit,
shtrëngojnë grushtet prej dëshprimit,
shtrëngojnë grushtet me tërbim,
del buçima si betim:
“O Zijah, o vëlla, o trim,
O Zijah, o djalë Kosove,
shtrirë ku je në zemër toke,
shtri ku je e mblu me dhé,
n’gjakun tënd po të bëjmë bé,
të betohemi n’t’shenjtin gjak,
s’do ta lëmë kurrë pa t’marrë hak.
O Zijah, o trim me fletë,
shoku ynë i vërtetë
T’mbajmë n’zemër mot e jetë.
Kështu po thonë shok’t e mërgimit
që lagin mjekrrat prej pikëllimit,
lagun faqet e t’qajnë me lotë,
se t’kanë pasë vëlla e t’kanë pasë shok,
se me ta rrugëve t’Evropës
U thatë popujve të krej botës,
Se kush është pop’lli i Kosovës
se Nënëlokja s’është pa zot,
se ka djem që jetë e mot,
vuajnë për të digjen si qiri,
e bëjnë veten pluhur hiri!

* * *

Edhe fëmij’t lindur n’mërgim,
kanë ardh sonte n’ këtë tubim,
Po ishtrëngojnë grushtet e njomë
me belbëzim ata po thonë:
O Zijah,o Baci jonë,
ti që vdiqe kaq i ri,
ti që u dogje për liri,
që ne t’kemi kulm mbi kry’
t’kemi bukë, t’kemi shtëpi,
po t’betohemi në këta sy,
në Flamurin kuq e zi,
se sa t’jem gjallë në këtë jetë,
rrugën tënde kem m’e ndjekë…“

* * *

Dhe n’këtë mbrëmje, n’këtë tubim,
nga Kosova një gjëmim,
vjen nga varri një kushtrim,
është një zë i dalë nga toka
prej të cilit dridhet bota,
Eshtë Zijahi i gjallë për jetë,
me grusht lart na përshëndet:

“Ou, ku jeni shok’t e mi,
mos t’ua shoh lotin në sy,
mos t’u ndiej as vajë, as gjëmë,
po veç kushtrim e vetëm këngë,
se ne shqiptarë, more kem qëllu,
e s’na ka hije, o me vajtu.
Siç e dini, shokë, na ndau lufta,
më ra radha n’burg të futna,
t’bie në burg për pop’llin tim,
që për burrë s’ka ma nderim.
Ndoshta s’bëra punë aq shumë,
por Lëvizja i vrullshmi lumë,
na tha, shokë, ‘të gjithë në sulm,
mbi Serbinë e mbi tradhtarë,
t’hedhim gurë e t’vjellim zjarr.
T’i thomë pop’llit e të t’i thojmë botës,
Përmes Zëri të Kosovës,
Se nuk jemi robë të bindur,
As markutë as skllavë të lindur,
Por shqiptarë në trollin tonë,
Dje e sot dhe përgjithmonë!
Mu për këtë, në hallin tim,
Me do shokë përplot guxim,
kalu’m male e mësymë kufij,
Mësymë kufij e kaluam prita,
Me ndriçu Kosovën drita.
Por një ditë, he qoftë mallku’,
Udba keq na ka hetu,
Na ka zanë, na ka burgu.
Shumë vjet burg na ka dënu…
Me qëllim që t’ju njoftoj,
M’leni shokë që të vazhdoj,
Se si m’mbytën, n’qeli brenda,
Për me thanë se m’plasi zemra,
Mos besoni, shokë t’poshtrat rrena
t’ligat rrena t’policisë,
se mu m’vranë qentë e Serbisë,
më prenë n’grila të qelisë,
sepse s’desha t’ju tradhtoj,
sepse s’desha t’ju ligshtoj,
emrat tuaj t’i denoncoj.“

“Ndaj një natë, në terr të zi,
m’hynë çetnikët në qeli,
e si bisha m’ranë përmbi…
Po meqë isha duarlidhë,
lidhur keq, o me zinxhirë,
nuk e patën aq vështirë,
të më presin n’fyt pamëshirë.
Ndërsa tash shifni ç’po bluajnë,
përnatë varrin po ma ruajnë,
se mos ndonjë sokol lufte,
m’sjell kurora e më sjell lule,
por për roje t’qen udbashit,
po më kënaqet zemra gazit,
se çetnik’t e Beogradit
po m’ia kanë dronë edhe varrit…“

“Prandaj shokë të idealit,
bini hasmit, serbomadhit,
bini shpinës e bini kokës,
ta ndjejë grushtin e Kosovës,
ta ndjej’grushtin e lirisë,
që i përplaset, o tiranisë.
Dhe tash ju, shokëve të kurbetit,
këtë mesazh ua çoj për s’vdeknit,
si sytë ruajeni njëri-tjetrin,
mbi të gjitha, unitetin!
Se po ta dinit, siç e di,
krejt çka bën shtriga Serbi,
sa devizën është tu’ e shkri,
t’vrasë pas shpine e t’mbjellë tradhti,
t’ju bëjë t’gjithëve pikë e pesë
dhe t’ua vrasë të shenjtën besë…
Po t’i hapnit fort mirë sytë,
dhe ta bënit natën ditë.“

* * *

Për të mësu’u si vdiq Zijahi,
që nga burgu ka ardhë lajmi:
N’Beligrad, n’t’tmerrshmin Ce-Ze,
shtatë kat n’qiell e tre nën dhé,
në bodrume, në qeli,
Kanë qëllu do shqiptarë t’ri,
Këmbë e duar n’pranga mbërthy,
T’uj mbajt burg, tu u kalb n’rini,
Për Atdhe e për Liri.
Dhe një natë, o natë me terr,
dëgjojnë zhurmë, dëgjojnë poterë,
dëgjojnë zhurmë e dëgjojnë t’fshame,
dëgjojnë shqelma e dëgjojnë t’rame,
kah përplasen n’trup t’njeriut
mu si shputat e ariut…
Por s ‘ ndiejnë gjamë nuk ndiejn’ rënkim,
ndaj e dijnë se ai tërbim,
po breshëron mbi trup t’shqiptarit
nga çetnik’t e Beligradit.
Kur më vonë rrahja u pashit,
klithmë e fortë n’terr ka buçitë,
n’terr buçet e fortë jehona:
Unë po vdes, Rrnoftë Kosova!

Gjenevë, maj 1985

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*