Bilanci i taksës 100%

Shkruan: Xhafer Shatri

Vendimet dhe veprimet politike është e pamundur t’i futësh në një kuadër statiskor. Por pasojat e tyre, gjithsesi, po.

Kjo vlen sidomos për vendimin e Qeverisë Haradinaj që, më në fund, Serbisë t’i thuhet seriozisht stop. T’i thuhet stop haut et fort, duke ia rritur asaj dhe Bosnje e Hercegovinës tarifat doganore në 100%.

Efekti i këtij vendimi të vonuar, por të domosdoshëm është i shumanshëm. Por po ndalem në pesë çështje rëndësore.

Efekti ekonomik: Është tëholluar maksimalisht dominimi i mallërave serbe në tregun e Kosovës; janë gjetur tregje alternative; i janë hapur mundësi të mëdha tregut dhe prodhuesve vendor; është krijuar një konkurrencë e re, prej së cilës ekonomia e Kosovës vetëm mund të përfitojë e kurrsesi të humbë.

Efekti moral: Është hera e parë, gati pas 20 vitesh që Kosova dëshmon se nuk do të lejojë edhe më tej të trajtohet si koloni e Serbisë. Dhe pikërisht në këtë fakt duhet kërkuar arsyen kryesore pse vendimi i Qeverisë së Kosovës u mbështet nga të gjithë. Por jo edhe nga kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili prej fillimit ka kërkuar që taksa të hiqet.  Vrojtuesve të vëmendshëm nuk duhet t’u ketë shpëtuar fakti se, paradoksalisht, ajo që tash gjithandej njihet me tepër si ‘taksa’ se sa si ‘tarifa 100’, më shumë është luftuar nga Thaçi se sa nga Beogradi. Arsyet dihen por rrallë po thuhen: Aplikimi i tarifës 100% Thaçit, Vuçiqit dhe argatëve të tyre ua ka shkërmoqë strufullogun e bisedimeve të fshehta për ndarjen e Kosovë.

Efekti organizativ: Atmosfera e krijuar pas refuzimit të mallërave serbe, çoi deri te formimi i Ekipit negociator, te Platforma dhe te Ligji për negociata me Serbinë. Këto akte, ani se lënë shumë për të dëshiruar, megjithatë janë të rëndësishme, sepse negociatat me Serbinë i vënë në binarë ligjor dhe nën një farë lloj kontrolli nga Kuvendi dhe nga opinioni.

Në këtë mënyrë, Hashim Thaçi zhveshet nga monopoli absolut që kishte në bisedimet me Serbinë dhe vetëvetiu zvogëlohet dukshëm rreziku nga ndonjë marrëveshje e fshehtë e në dëm të Kosovës mes tij dhe Vuçiqit.

Efekti politik: Aktualisht është krijuar një asimetri e tillë që ka paralizuar krejtësisht partinë e Prontomafisë. Sepse padrinotë e Kosovës nuk guxojnë ta shkarkojnë Haradinajn ani se me shumë dëshirë do t’ia vënin kokën edhe në gijotinë. Arsyeja është e thjeshtë: në rast se, në muajt e ardhshëm, do të mbaheshin zgjedhjet, PDK, si personifikim i të gjitha të këqijave në Kosovë, nuk do të mund t’i kishte as 15 deputetë.

Prandaj është rritur presioni mbi LDK që disi, me ndihmën e saj, të shkarkohet Haradinaj, të formohet një qeveri e përbashkët, dhe të vazhdohet me avazin e moçëm: Marrëveshje të disfavorshme me Serbinë, fshehje e gjurmëve të plaçkitjes masive të bugjetit dhe pasurive të vendit, fshehje e gjurmëve të krimeve të shumëta etj.

Por edhe brenda LDK-së është krijuar një gjendje asimetrike: njerëzit e SHIK-ut dhe të UDB-së brenda saj nuk kanë guximin të lëshohen në aventura të tilla, sepse do të zhvesheshin njëherë e mirë si argatë të Beogradit dhe të Prontomafisë. Dhe kështu, krahu atdhetar në LDK, ani se i copëzuar,  do të fitonte në peshë e në kohezion dhe në përballjen e parë do t’i zhveshte dhe do t’i qëronte tumorët dominues të Shikut e të Serbisë në subjektin më të madh politik në vend.

Efekti ndërkombëtar: Ra kjo dekë e u pamë, thotë fjala e moçme. Ranë taksat dhe doli për fushë loja shumëfytyrëshe e Hashim Thaçit me SHBA-në. U desht të vijnë në Kosovë disa delegacione të SHBA-së për t’u bindur se broçkullat që ua kishte zier Thaçi, përmes lobistëve të paguar rrast, nuk i përpin askush në Kosovë, veç vetjeve si ai që e kanë bishtin e zënë me derë.

Nuk është çudi prandaj, pse kohët e fundit, në qarqet diplomatike, po edhe nëpër zyrat e Departamentit të Shtetit Hashim Thaçi po quhet Manuel Noriega i Ballkanit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*