Cila është zgjidhja pas mocionit?

Shkruan:
Armend Muja

Janë disa pyetje në opinionin publik: a duhet vendi të shkoj në zgjedhje, a duhet Presidenti të shpërndaj Kuvendin pas mocionit dhe a mund të krijohet Qeveri pa partinë fituese. Vendi mund të hyj në betejë kushtetuese të panevojshme kur në fakt kriza është e karakterit politik e jo juridik. Presidenti nuk është i detyruar të shpërndaj Kuvendin (Neni 82.2). Presidenti nuk ka diskrecion të ofroj kandidatura pa miratimin e partisë fituese (Neni 84.14) dhe Qeveria e re nuk mund të bëhet pa partinë fituese (Neni 95.5). I vetmi opcion mbetet marrëveshja politike – vendi drejtohet nga Qeveria në dorëheqje deri pas krizes së Koronavirusit dhe shkon në zgjedhje në shtator 2020.

1 A duhet të shkoj vendi në zgjedhje të reja – PO, mirëpo nuk ka kushte për organizim të tyre aktualisht. Ka ndryshim substancial në strukturën dhe mbështetjen e partive politike. Vendi duhet të shkoj në zgjedhje sepse ka pasë shkoqitje të mëdha dhe përmbajtësore ndaj premtimeve zgjedhore, Natyrisht, makinacioni i LDK-se me dalë me premtime tjera me Vjosa Osmani si kandidate para zgjedhjeve dhe me prezentuar Isa Mustafa me oferta tjera pas zgjedhjeve kërkon testim në popull (vox populi). Është shumë e rëndësishme që votuesi të vlerësoj LDK-në për këte taktikë të përfitimit elektoral. Do të ishte e rëndësishme të kuptohet cfarë peshe politike ka LDK aktuale.Por nuk ka kushte për organizim të zgjedhjeve për shkak të pandemisë të paktën deri në shtator 2020. Sidoqoftë, kjo është më tepër cështje politike sesa që krijon detyrim kushtetues për LDK-në.

2. A duhet të shpërndaj Presidenti Kuvendin pas mocionit – JO domosdoshmërisht. Në bazë të Kushtetues janë tri raste të domosdoshme kur duhet të shpërndahet Kuvendi dhe një rast ku ai ka diskrecion. Kuvendi në Kosovë shpërndahet me automatizëm nëse (a) nuk zgjedhet Presidenti, (b) kur Kuvendi voton shpërbërjen e tij me 2/3 e votive dhe (c) kur përfundon mandati i Kuvendit. Kushtetuta nuk e ka definuar shprehimisht se pas mocionit Presidenti duhet të shpërndaj Kuvendin (Neni 82.2). Ai mundet por jo domosdoshmërisht. Andaj, cfarëdo rasti Kushtetues qe do të sfidonte mos-shpërbërjen e Kuvendit do të humbej në Gjykatë Kushtetuese. Kjo edhepse në të kaluarën vendi ka shkuar në zgjedhje pas mocionit. Duhet thënë që kjo është një kompetencë formale e Presidentit, dhe ushtrohet nga ai në bazë të funksionit të tij ceremonial si kreu i shtetit.Ai nuk ka diskrecion në shpalljen e zgjedhjeve sipas dëshirës së tij. Kjo vjen vetem ne dakordim me partite politike.

3. A mund të krijohet Qeveri pa partinë fituese të zgjedhjeve? JO. Kjo asnjëherë nuk ndodhur në Kosovë. Në vende tjera mandatari mund ti ofrohet edhe partive tjera kurse në Kosovë jo. Është krijuar precedent Kushtetues edhe pas dorëheqjes së Kryeministrit. Cdo përpjekje për të krijuar Qeveri me ndonjë parti tjetër përpos VV do të rezultonte kundër kushtetuese. Neni 95.5 është shumë i qartë në këtë drejtim megjithëse Interpretimi i Gjykatës (korrik 2014) ka krijuar huti. Sipas Nenit 84.14 e Kushtetutës, Presidenti ‘cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën [relative] e Kuvendit’. Gjykata Kushtetuese (korrik 2014) e definon shumicën si relative jo absolute.

Nëse pas herës së parë dështon një kandidaturë, është në diskrecion të Presidentit të bëj konsultime me partitë politike për të parandaluar shkuarjen e vendit në zgjedhje. Por Presidenti nuk gëzon të drejtën ti ofroj asnjë partie me vet-iniciative pa pa miratimin e partisë fituese. Është abuzuar me interpretimin e Nenit 95.5 të Kushtetutës sipas të cilit – ‘Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë’. Mirëpo fjala ‘konsultim’ nënkupton detyrim kushtetues për të marrë pëlqimin e partisë që ka fituar shumicën relative në Kuvend. Se cka nënkupton ‘konsultim’ është e definuar nga Gjykata Kushteuese në interpretimin e Propozimit për Amandamente Kushtetuese të vitit 2011.

4. A ka të drejtë Presidenti të caktoj mandatar për Kryeminister? JO. Një pyetje që vazhdimisht bëhet është nëse Presidenti gëzon të drejtën që të caktojë mandatarin e Qeverisë pa marrë propozimin e partisë/koalicionit që ka fituar shumicën e vendeve në Kuvend?Presidenti është i lidhur dhe nuk ka diskrecion në vendosjen e kësaj çështjeje. Ai këtë kompetencë e ushtron thjeshtë në aspektin formal dhe duke ndjekur propozimin e dhënë nga partia/koalicioni që ka fituar shumicën [relative] të votave në Kuvend. Atij i ndalohet që të caktojë një mandatar pa e marrë propozimin nga pala e autorizuar (Gjykata Kushtetuese, korrik 2014). Kompetenca e Presidentit për të caktuar mandatarin e qeverisë është një detyrë ceremoniale, që nuk nënkupton të drejtën e tij për të refuzuar apo propozuar me vet-iniciativë kandidatin që propozon partia/koalicioni fitues.

5.Cka tash – vendi mund të hyj në betejë kushtetuese të panevojshme. Marrë në konsideratë të gjitha këto kufizme kushtetuese dhe faktin që Vjosa Osmani është e detyruar të ofroj dorëheqje pas prishjes së marrëveshjes VV-LDK, mund të bllokohet edhe Kuvendi. Kjo pozitë është e rezervuar vetëm sipas propozimit të partisë fituese [relative] të zgjedhjeve (Neni 67.2). Andaj, në këtë situatë kemi të bëjme me krizë politike e jo kushtetuese. Presidenti nuk është i detyruar të shpërndaj Kuvendin. Qeveria e re nuk mund të bëhet pa partinë fituese. Presidenti nuk ka diskrecion të ofroj kandidatura pa miratimin e partisë fituese. I vetmi opcion mbetet marrëveshja politike – vendi drejtohet nga Qeveria në dorëheqje deri pas krizes së Koronavirusit dhe shkon në zgjedhje në shtator 2020.

Burim: https://www.facebook.com/ArmendMuja/posts/10163875461125112

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code