Dhembje e mallë për Haxhi Gashin

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Një telefonatë nga larg dhe lajmi i keq që ta ndalë frymën si reja për së kthjellti: A ndëgjove se ka vdekë Haxhi Gashi…?

Një dilemë: jo more! Dhe pastaj dhimbja shituese që ta pushton trupin dhe ta qetë jo vetëm shpirtin por edhe trurin përtokë. U ndjeva si të më kishte rënë dikush me kamxhi. Sepse Haxhi Gashi nuk ishte çkado djalë… E kisha mik qe 38 vjet, që nga muajt e parë të jetës së përdhunshme në mërgim. Dhe çdo takim me të ishte si një dhuratë, në formë të një tufe lulesh të livadheve të Istogut.

Haxhi Gashit, djalit të Orrobërdës, vdekja ia paskësh pas zënë pritën, më 2 korrik 2020, në qendër të qytetit, në Gjenevë. Një sulm i pabesë në zemrën e tij të bardhë, të bardhë si zambaku, e paskësh rrëxu përdhé dhe përgjithmonë.

Çka t’i kujtoj më parë Haxhi Gashit në këtë ditë zie?

Mirësinë, njerëzillëkun, humorin dhe dlirësinë…, që i kishte me bollëk… shikimin e tij të butë e të çiltër… Marrjen ngryk me aq përzemërsi! Dhe shqetësimin e përhershëm për fatin e Kosovës.

Se Haxhi Gashi e donte Kosovën pa hile, pa kopili dhe pa kthim.

Unë dhe shumë të tjerë do ta kujtojmë nëpër demonstrata e me flamur në dorë, do ta kujtojmë nëpër tubimet e panumërta që vinte parreshtur për të ngritur zërin për Kosovën tonë, që e ëndërronim shumë më krenare, shumë më të përparuar, shumë më solidare dhe shumë më të fortë së që është sot, 20 vjet pas çlirimit.

(Por duhet të ngushëllohemi me faktin se asnjë ëndërr nuk po u realizoka në plotni. Ëndërrat e idealistëve, kur kthehen në realitet ose janë pak të gemta ose tapallojnë…)

2.

Prej që e kam njohur, ai ka jetuar në Versua, qytezë afër Gjenevës…, dhe banonte në një ndërtesë të vjetër, mu përballë Liqenit të madh të Lemanit. Aty, Ai ka pritur e ka përcjellë miq e dashamirë, të njohur e të panjohur, nga të gjitha trojet shqiptare, u ka kthyer bukë me çka ka pasur dhe është përpjekur ta ndihmojë çdo njeri në hall e në nevojë. I ka ndihmuar vëllazërisht, pa u kursyer dhe pa u ankuar asnjëherë.

Vetëm ai që e ka përjetur në lëkurë fërfëllazën e egër të fillimmërgimit e di se çka do të thotë mbështetja e mikut kur vetmia t’i dërrmon edhe eshtnat, kur dheu i huaj të rrëshqet nën këmbë e shpeshherë të qet në kokërr të shpinës…

Prandaj shtëpinë e Tij e quanim herë Kulla e Haxhi Gashit e herë Kulla e Oso Kukës!

Aty, në ‘kullë’, i kam njohur edhe prindërit e tij; të atin Azemin, një burrë i shumëvuajtur që, familjarisht, kishte kaluar nëpër të gjithë rrathët e ferrit dhe Nanën e tij, një grua që ishte zor me ia gjetë shoqen. E tërë qenia e saj rrezatonte vetëm Mirësi!

As këta nuk jetojnë më: Bacin Azem, bashkë me nipin e dhëndërrin e tij, në pranverë të vitit 1999, i masakroi mizorisht e me singi ushtria serbe dhe, në fund, i hodhi në një bunar.

Ndërsa Nëna e Haxhiut iku në heshtje, ashtu siç e kishte jetuar gjithë jetën e saj. E jeta e saj ishte drama dhe historia më origjinale e shqiptarëve dhe e Kosovës nën pushtimin serb.

3.

Edhe Jeta e Haxhi Gashit, ishte një thjerzë e pasqyrës së përgjakur të Kosovës, një dramë e veçantë shqiptare nën çizmën serbe…

E megjithatë, për Haxhi Gashin, nuk do të këndohen këngë me sharki. Dhe mirë që nuk do të këndohen, sepse në Kosovë shumëçka është prostituar! Deri edhe folklori. Shkon herifi e paguan shahirin dhe i thotë qitma një këngë… e shahiri paret në xhep dhe kënga hazër, si akullorja e prishur. Por për t’u kënduar kënga aty duhet të jetë edhe ‘’heroi’’, gjegjësisht porositësi me kobure në brez, në mënyrë që, posa të akordohen çallgitë, ta vrasë këngën e vet… Këso shëmtie shohim e ndëgjojmë për çdo ditë në Kosovën tonë të mbërthyer në kthetrat e cubave.

E ty nuk të shkon shëmtia, o Haxhi Shoqi! Sepse ti kishe lindur për të vdekë si emëraku e bashkëfisi yt i kahershëm që para togut të pushkatimit kërkonte t’ia heqin shaminë nga sytë sepse:

Jam shqiptar, jam rritë n’Shqipni

dhe flak’t e pushkëve du t’I shoh me sy!

4.

O Haxhi Gashi! Dije se te ata që të kanë njohur e vlerësuar në masën që ti e meritoje ke lënë një boshllëk që nuk do të mbyllet për një jetë njeriu. Dhe jij sigurtë, se ndonjëri prej tyre, shpejtë, një mëngjes herët, kur ndahet nata nga dita, ka me ardhë me ta pa vorrin e mbuluar nga vesa, me u ul cuc e me e ba një ndejë me ty. Si dikur moti, kur ishim të rinj dhe e ëndërronim Kosovën e lirë.

Por një dilemë qysh tash ma grishë mendjen: e di se vendbanimi i fundit i çdo burri, në dimensionin 2X1 metër, e zë trupin, pra edhe tëndin, por zemrën tënde të madhe sa krejt Kosova, ku duhet ta kenë pllakosur?

Hajde Shoqi jem, prehu i qetë, se çdo behar, do të vijnë kumriat me e këndu mbi vorrin tënd këngën e parë e më të bukurën për ty. Por as qyqja në Shpatin përballë nuk ka me t’harru. Qe besa!

Sepse ti ishe dhe do të mbetesh përgjithmonë pjesa më e bukur dhe më e dhimbshme e Baladës së Kosovës.

Dije gjithashtu se sa herë të shkoj në Versoix kam me ardhë te Kulla jote, me të kujtu e me u çmallë me ty. Do të flas me mjellmat e bardha të Liqenit për ty, që ishe një djalë i hijshëm si Blini i Dukagjinit, një djalë i mirë e besnik i Kosovës. Do t’u tregoj se ishe më i mirë se buka e ma i fortë se guri.

Do të përpiqem gjithashtu ta freskoj përherë me valët e Liqenit kujtimin për Ty, dhe atyre valëve, që në orën e ligë të historisë ua përshpërisje ëndërrën tënde djaloshare për Lirinë e Kosovës, do t’u lutem mos me t’harru kurrë.

Lamtumirë Haxhi Gashi!

Lamtumirë Haxhi Vraga

Lamtumirë Haxhi Burri!

Prehu tash në tokën e Kosovës që të parët tu shpeshherë e kanë la me gjak!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code