Diplomacia e Bali Katravellës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Ky shkrim nuk do të shihte dritën, sikur në një tv kombëtar, të mos vinte nga Parisi një zë i çjerrë, i cili në stilin e Kim Gjong Ilit, një disfatë të dhimbshme, mospranimin e vendit tonë në UNESCO, e paraqiste si fitore morale të Kosovës.
Moderatori i shtroi edhe pyetje; Z. Thaçi, si është e mundur që pro nesh nuk votuan disa shtete që e kanë njohur Kosovën? Por ministri ynë i jashtëm, që më së miri do t’i shkonte emri Bali Katravella, as që çante kaptinën për pyetjet. Ai vazhdonte të përtypë bykun e përhershëm, pa pikën e turpit se me fjalorin e tij primitiv fyente inteligjencën e çdo shqiptari me dy fije mend në krye.

Beteja e vështirë

Procesi i pavarësimit të një vendi është i vështirë, ndërkaq anëtarësimi i tij në organizatat ndërkombëtare është një veprimtari komplekse, e mundimshme dhe e kushtueshme. Në këtë kuptim përpjekjet për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s nuk kanë qenë të lehta, sepse shteti serb nuk ka lënë gur pa lëvizur për ta penguar e minuar çdo veprimtari tonën.
Të gjitha strukturat e Serbisë kanë punuar me vite për t’ia mbyllur Kosovës sidomos dyert e UNESKO-s, sepse në atë rast Serbia do të humbëte « tapinë» e fundit për Kosovën.
Për këtë qëllim Serbia përdori dy taktika:
– së pari zhagitjen e votimit, duke e arsyetuar me nevojën që për këto çështje të vendoset në kuadër të negociatave në Bruksel;
– së dyti duke shpërndarë në qerthuj diplomatikë videoincizime të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004, të përcjellura me raportet e shërbimeve inteligjente të Kforit, kryefjalë e të cilave ishte Hashim Thaçi, i cilësuar qartësisht si kryeorganizator i asaj lëvizjeje shtetrrënuese që i dogji e i përdhosi kultet ortodokse në Kosovë.
Për të qenë më bindës, serbët tregonin me gisht se delegacionin e Kosovës në këto përpjekje e kryesonte mu Hashim Thaçi, ministër i punëve të jashtme.

Ky ishte shkaku kryesor pse vende mike si Japonia, Koreja e Jugut dhe Polonia, që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, nuk votuan në favor të saj.
Disfata ishte edhe më e pakuptimtë, sepse Kosova kishte në anën e saj shtetet kryesore perëndimore, të cilët nuk kanë kursyer asgjë që vendi ynë të jetë një storie suksesi. Amerika në radhë të parë, të cilës ne, shqiptarët, i detyrohemi edhe 1000 breza.
Duhet pranuar se në betejën për UNESKO-n Beogradi doli dy herë fitues, sepse vetëm disa ditë pas flakareshës që i dha Kosovës, Serbia, me votat e 161 vendeve, u bë anëtare e Këshillit Ekzekutiv të UNESKO-s. Që do të thotë se në vitet që vijnë, beteja jonë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë do të jetë edhe më e vështirë.

Arroganca e shëmtuar

Disfata në Paris ishte grushti më i fortë që mori Kosova pas Shaplljes së Pavarësisë dhe, natyrshëm, zhgënimi i opinionit shqiptar ishte i madh. Pati e ka ende reagime të shumta, u kërkua edhe përgjegjësi… Ndërkaq pushtetarët tanë, në vend që të jepnin sqarime të përputhshme e gjakftohta, përgjegjësinë për dështimet e tyre po përpiqen t’ia mveshin opozitës, gazetarëve dhe opinionistëve të ndryshëm.
Këtu prijnë këshilltarët e Hashim Thaçit, të cilët dëshmuan edhe kësaj radhe se roli parësor i tyre nuk është të japin këshilla, mendime e sygjerime profesionale për çka edhe paguhen rrast, por saherë t’u jipet rasti, t’u ‘gjuhen’ në shpindë kundërshtarëve politikë të shefit. Me këtë praktikë à la dacibao, ata nga fotelet dhe me kompjuterët që janë blerë me paratë e taksapaguesve, për t’i kashagitur shefit sedrën e sëmurë nuk lënë subjekt dhe njeri pa pështyer mbi të.
Njëri prej tyre, muaj më parë, me panagjirikët e tij për shefin e shefit të shefave na e kujtonte një gazetar të vjetër të Kosovës, kur në vitet shtatëdhjetë me një ekzaltim qesharak botonte në dhjetra vazhdime panegjerikë me tituj : « Shkruaj, lapsi im, emrin Tito ! »
Por me pështymë e me sharje nuk ndërrohet realiteti. Aq më pak nga njerëzit me 100 fytyra.
Sepse, veprimet edhe të dhunshme të opozitës, në thelb kanë mospranimin me asnjë çmim të dy marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria, të cilat, siç po shihet gjithnjë e më qartë, cënojnë keq rendin kushtetues, integritetin territorial dhe suverenitetin e Kosovës, sepse përmes njërës themelojnë me kuvend kushtetutëbërës etnitetin serb në Kosovë, ndërsa përmes tjetrës i japin Malit të Zi mbi 8500 hektarë tokë!
Fundja opozita këtë rol ka. Ta kujtojmë një shëmbull të ngjashëm në Shqipëri; Edi Rama erdhi në pushtet edhe për shkakun se denoncoi me forcë marrëveshjen që kishte nënshkruar qeveria Berisha me Greqinë, e ku Shqipëria humbëte ditën për diell rreth 300 km2 det…
Tashmë nuk është sekret se projektuesi i Marrëveshjes së Brukselit për të ashtuquajturën Bashkësi e komunave serbe ishte një aparatçik i vogël i BE-së, që nuk kishte as një njohuri për Kosovën e aq më pak për adminsitrimin lokal.
Prandaj veprimet e opozitës ishin dhe mbetën mjeti i fundit për të vetëdijësuar opinionin e lodhur të Kosovës për rrezikun që paraqesin marrëveshjet që nënshkroi Thaçi dhe kukullat e tij.
Kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve, prandaj jo vetëm nuk e dëmton imazhin e Kosovës, por përkundrazi përçon mesazhin e qartë se tash e tutje në emër të Kosovës nuk mund të bëhen pazarllëqe të pista në dëm të saj.

Kush e ka prishur dhe po e prish imazhin e Kosovës?

Kosova gjatë viteve ‘90 të ishte sinonim i vuajtjes nga apartheidi, i qendresës, i urtësisë dhe i kurajës. Ajo doli nga lufta me imazhin e vendit martir, sepse në emër të saj, siç thoshte presidenti Chirac, Demokracia u ngrit në luftë kundër Barbarisë.
Por me të përfunduar lufta, duke shfrytëzuar mungesën totale të institucioneve dhe anarkinë, Hashim Thaçi me njerëzit e tij nuk lanë gjë të zezë pa bërë në Kosovë; vranë shumë njerëz të të gjitha etnive, por më se shumti shqiptarë, plaçkitën dhe tjetërsuan prona, shantazhuan, rrahën e përdhunuan burra e gra. Ata nuk vepruan si një subjekt politik, por si organizatë kriminale. Mu në këtë fakt mbështetet Raporti i Dik Marti-t.
Rezultati konkret në rrafshin politik: thellimi i anarkisë dhe ndarja e Mitrovicës.
Për këto shkaqe PDK i humbi të gjitha zgjedhjet. Dhe kur kreu i saj u bind se me vota nuk do të mundë ta marrë pushtetin kurrë, në mars të vitit 2004, duke shfrytëzuar tragjedinë e fëmijëve në Mitrovicë bashkë me njësitët e Serbisë i vuri zjarrin Kosovës. U vranë me dhjetëra njerëz, u dogjën me mijëra shtëpi dhe disa dhjetëra kisha e manastire ortodokse, të cilat populli i Kosovës, i mbrujtur me një tolerancë fetare të shkëlqyer, i kishte mbrojtur me shekuj.
Paraprakisht Thaçi ia shkeli në Amerikë, për t’u kthyer menjëherë pastaj gjoja si zjarrfikës.
Në këto ngjarje duhet kërkuar të gjitha të këqijat që i ndodhën Kosovës në përpjekjet për pavarësim, së pari me guvernatorët e saj, pastaj në Vjenë, në Bruksel e tash së fundit edhe në Paris.
Me peshën në ndërgjegje të këtyre ngjarjeve të turpshme dhe me një aktakuzë që ka si dispozitiv raportin e Dik Marti-t, Hashim Thaçi negocioi me bashkësinë ndërkombëtare dhe me Serbinë për fatin e Kosovës.
Rezultatet po i shohim : copëtimi gradual i vendit dhe futja e tij në një krizë të thellë politike që askush nuk ia di fundin!

Bali Katravella e ka qelbë

Meqë po flasim për imazhin, opinioni e di se kush e ktheu Kosovën në një fidanishte rekrutimi ushtarësh për një krijesë të tmershme si ISIS? Hashim Thaçi, dora vetë! Puthadorët e tij duhet ta dijnë se në raport me popullsinë, Kosova është vendi më i përfaqësuar me ushtarë në kalifatin e barbarëve.

E kriza e refugjatëve që po trondit Evropën? A filloi me refugjatët sirianë, vendi i të cilëve është në luftë qytetare tash 4 vjet, apo me të rinjtë e Kosovës, që ka dalë nga lufta qe 15 vjet? Në fillim të këtij viti, Ambasada gjermane në Prishtinë paralajmëronte Berlinin se në muajt që vijnë nga Kosova do të shpërnguleshin të paktën 300 mijë vetë;

Këto që përmenda janë vetëm njëra fije e dukut të prapësive të Balisë, prandaj është detyrë jo vetëm e opozitës, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që Balinë dhe sejmenët e tij t’i largojnë njëherë e mirë nga skena politike.
Kosova nuk guxon të lejojë edhe më tej që në emrin e saj të vendosin dhe të nënshkruajnë vetje që jo vetëm në dokumente ndërkombëtare, por edhe në vetëdijen e një pjese të mirë të qytetarëve të Kosovës cilësohen dhe akuzohen me emër e mbiemër si shefa të një organizate të rrezikshme kriminale.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*