DISA AKTE TË DRAMËS SË NJË POPULLI N’ROBNI

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në vend të përkujtimit

Si sot, 35 vjet më parë, vdiq në spitalin Pejës babai im, Demë Sadri Shatri. Ishte 65 vjeç.

Nga të gjitha ato që do të duhej t’i rendis në këtë përkujtim, po ndalem vetëm në disa pika thelbësore, që nipërit dhe mbesat e tij t’i kenë pika referimi për parardhësin e tyre:

– Jetëshkrimi i gjeneratës së Bacit Demë, është pasqyrimi më i saktë i jetës së një populli n’robni. I lindur në vitin 1923, në kohën e luftës dhe shtypjes së Lëvizjes Kaçake, harkorja e jetës së tij, lakohet në një periudhë të gjatë terrori shtetëror mbi një popull krejtësisht të pambrojtur.

– Fëmijëria e hershme e gjithë kësaj gjenerate, përjetohet në ankthin kolektiv nga krimet e përditshme të Gal Tërziqit dhe Miliq Krstës me shokë; plaçkitje, rrahje masive, vrasje e mizori të përditshme;

– Rinia e djegur në terrorin e vitit 1937-1938, kur u itensifikua spastrimi etnik përmes Shpërnguljes masive në Turqi;

– Shkatërrimi i Jugosllavisë së parë, për një javë ditë, si të ishte ngrehinë lloçi, ardhja e Italisë dhe përjetimi i parë i lirisë së prekshme që nënkupton: me mendu e me folë shlirë dhe me jetu normalisht;

– Rreziku çetnik e komunist në vitin 1944-1945… Angazhimi në repartet e mbrojtjes të udhëhequra nga ushtaraku i Toskërisë, kapiten Satra, pjesëmarrja aktive në Luftën e Kacuberrit;

– Ripushtimi i Kosovës, mobilizimi i përdhunshëm në ushtrinë e Titos dhe takimi i drejtpërdrejtë me ushtrinë e Stalinit në Beograd, një lukuni hijenash që i turreshin gjithëkujt e femrave sidomos;

– Kthimi në Kosovën e pushtuar, puna e përdhunshme “angari“ dhe sidomos “otkupi“, kur Kosovën e begatë Serbia dhe Rusia e plaçkitën deri në palcë dhe, për pasojë, pllakosi uria dhe kolera, tifuzi.

Këto ishin nga librat dhe nga rrëfimet e familjarëve. Babai im ka rrëfyer shumë pak, duke përjashtuar gjithnjë vetën sidomos nga ngjarje e veprime deri heroike.

***

Këtu e tutje rrëfimi për Bacin Demë është kronologji e parë me sy dhe e shkruar me palcën e kurrizit të disa gjeneratave:

Dimri i vitit 1955-1956:

– Aksioni i sajuar për gjoja çarmatimin e shqiptarëve. Qindra mijëra shqiptarë të arrestuar e të keqtrajtuar mizorisht për t’i dorëzuar edhe armët që s’i kishin.

Si fëmijë 6 vjeçar, i sëmurë rëndë e i shtrirë mbi një koritë druri, me ethe të forta deri në agoni dhe, fillimisht, pa e dijtë se a është ëndërr apo realitet; mëngjes i hershëm, bora deri në shokë, në kuzhinë gjyshja, nëna dhe Baci Demë. Ky posa hyri brenda duke i lëvizur me vështirësi këmbët e ngrira. Gjyshja dhe nëna e hoqën kusinë nga shporeti dhe deshën t’ia lajnë këmbët me ujë të voktë.

Jo, u tha. Sillmani një kusi me ujë të ftohtë. I futi të dyja këmbë aty, ndërsa më vonë erdhi baba Halil, e prenë një dele dhe e mbështollën Bacin Demë me lëkurën e saj të njomë.

Si duket kjo e shpëtoi.

***

19 vjet më vonë në UDB, në Pejë.

Verë e vitit 1974. Pasdite. Nga çelia, përmes shkallëve të ngushta, më çuan në UDB. U çudita, sepse zakonisht më çonin natën. Më çuan në zyrën e “naçallnikut“, Sherif Bala. Babai im kishte qenë aty. Ishte lodhë e plakë për disa vjet. U përshendetëm e u pyetëm. Nuk dija se a është një kurth apo ceni sadist i Sherif Balës.

Baba ma tha hapur: “Po mërzitem shumë për Metën.“ (Meta djali i axhës, ishte rritë jetim, babai im ishte përpjekur më zemër t’ia zëvendësonte disi atij me vëllezër e motra, babain që ua kishte grabitur vdekja në moshë të re…).

“E di, i thashë, qe besa, o Babë, por dije se Meta ka faj në këto punë aq sa ka faj nana Ajshe (gjyshja jonë). Ky që e kemi përballë po e mban për të më thy mu, në mënyrë që ta mbushi burgun më njërëz të pafajshëm. E kjo nuk ka për të ndodhë kurrë.“

Baba: “Ma hoqe një barrë të madhe. Për mu nuk është me rëndësi kur vjen ti, por qysh vjen. Për shpi e familje, mos u shqetëso. Ka çu Zoti bereqet që mendja nuk ta merr.“

E pashë Sherif Balën duke u dridhë bashkë më kolltukun e tij.

Baba: “Na kanë lodhë tuj na i gërmu arat e livadhet tuj lypë diçka. Herë po thonë radiostacion e herë shtypshkronjë…“

Unë: “Mos u shqetëso për asgjë, Babë. Kur të lodhen tuj lypë kot, ju lanë rahat.“
Pas u përshendeta më Babën u çova më dalë, shumë i lehtësuar…

Sherifi: “Jo, jo priti gardianët!“
Çele gurë gojën.

***

Ky qëndrim stoik babait tim i ka kushtuar shtrenjtë. Sepse Sherif Bala me shokë janë përkujdesur në vazhdimësi, deri në vdekjen e tij, për t’ia nxirë jetën.

Një shëmbull i vogël:

Në vitin 1975, Babai im vjen për të më vizituar në burgun e Pejës. I thonë, nuk është këtu, por në Mitrovicë. Ai i hipën autobusit dhe drejt e në Mitrovicë. Ata i thonë, jo nuk është as këtu… Po ku është? “Në Idrizove, afër Shkupit…“ Shkon atje, dhe ata i thonë, është në Nish, shkon në Nish, pa u kthyer fare në shtëpi, por edhe atje i thonë nuk është këtu… Po ku është?

“Nuk e dijmë…, shko në UDB në Pejë dhe pyeti ata.“
Pas një jave, duke i rënë kryq e tërthurë Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë, Baci Demë kthehet në shtëpi. Kur vjen e sheh se ushqimi që kishte marrë më vete për të ma sjellë ishte mykur i tëri.

Nuk kishte bërë ballë me e gjuejt dikund.

Këso “shëtitjesh“ babait tim të ndjerë dhe familjes sime i kanë ndodhur shpesh. Dhe jo vetëm asaj. Serbia dhe argatët e saj shqiptarë kishin përvojë të gjatë dhe arsenal të larmishëm për terrorizimin e Kosovës dhe të shqiptarëve të mirë.

***

Për të fundit herë, me Bacin Demë jemi parë në Burgun e Prishtinës, në fundjanar të vitit 1982, disa ditë para se me ikë.

Posa më kishte ardhë aktgjykimi i plotfuqishëm për kryengritjen në ndëshkimoren e Spuzhit në Mal të Zi. Dënimi nga 8 me ishte ngritur në 11 vjet burg.
Më pyeti se a ka luajtur gjë nga Titogradi (asokohe kështu quhej Podgorica). Nuk i tregova.

E kisha bërë plan me ikë me çdo kusht dhe kjo ishte çështje e kryer.

Me dy fjalë nëpër dhëmbë, por më shumë me shikim, ia bëra me dije se unë vetëm hijen e kisha aty. Më kuptoj. I lëvizi duart dhe vetullat. Është vështirë, më tha me gjeste.

Në mbrëmjen e 4 shkurtit 1982, në orën 18-të ika nga burgu. Atë natë rrethohet shtëpia dhe mbi oborrin tonë, në lagje e gjithandej atypari, vërdalliset, disa ditë rresht, një helikopter.

Bacit Demë ia pret mendja se çka kishte ndodhur. Ndërkaq, pas dy ditësh, e takova në Prishtinë Musa Nezirin, nipash yni, dhe pjesëtar i oerganizatës ilegale që i takoja. Ky e mori persipër ta informojë familjen dhe të m’i sigurojë të hollat e nevojshme për të ikur në Përendim.

***

Më 8 shkurt, Baci Demë shkon në Prishtinë, në burg. Gjoja me e vizitu’ djalin…

Aty e pret drejtori dhe një funksionar i UDB-së.
Çka je ardhë plak?
Me e pa djalin…
Po ai ka ikë…

Unë du me ditë se çka ndodhë me djalin tim, sepse shpesh ka ndodhë që ju keni thënë për njerëz kanë ikë, por mandej është konstatu se janë mbytë… Të njëjtin refren ia përseritë edhe Mehmet Haskut, në UDB, në Pejë.

Plak: Shko n’shpi se djali yt nuk është këtu.

Kur mbërrin në shtëpi, aty e priste një mik shpie:

Demë, jam kanë n’Vojvodinë me ble tallë dhe mbramë jam kthy… A ka gjë të re te ju?

Jo, valla krejt me të vjetra, qashtu qysh na ke lanë para se me shku me ble tallë…

***

Vite të tëra komunikonim përmes njerëzve të afërm të familjes. Nja 4-5 herë në telefon brenda 6 vitesh. Ndonjë mesazh i koduar: Kij kujdes këtë ose atë, kryesisht tre persona, se po i qesin jashtë me detyrë… Asgjë më shumë.

Dhe lufta e përditshme me intrigat e shtetit; lloj lloj intrigash. Siç më ka thënë motra e vogël më vonë, me të gjitha përballej me një stoicizëm të jashtëzakonshëm, por njëra e kishte pasë rrëxu përdhé: shpifja e përhapur nga një njeri i afërm se jam ndarë prej gruas: “Më nxuni gafil, i kishte thënë motrës, sepse këtë nuk e prisja.”

Lindja e fëmijve njëri pas tjetrit, e kishte mbyllur definitivisht plagën e kësaj thike të pabesë.

Por grushti më i rëndë, grushti që e rrëxoi përtokë përgjithmonë, ishte vrasja mizore e Hakiut, djali i vëllait të tretë, Rexhepit.

Hakiun e vranë në kazermën ushtarake të Sarajevës, ditën që kishte mbaruar shërbimin ushtarak. Atë ditë, më 2 shkurt 1986, pas i kishte veshur teshat civile, e mbytën pjesëtarët e KOG-ut, njësiti special i shërbimit sekret ushtarak jugosllav. Ishte një krim i paraparë në planin e Shtatmadhorisë së APJ me kodin “Horizont“, që kishte për qëllim shpërthimin e kryengritjes spontane në Kosovë.

Në këtë vijë, krahas shumë vrasjeve të tjera, ishte organizuar edhe krimi në kazermën e Paraçinit, kur u vra Aziz Kelmendi, të cilit, për së vdekuri, ia mveshën vrasjen e 4 ushtarëve.

Të nesërmen e informuan familjen se Hakiu kishte “kishte bërë vetëvrasje“.

Atë ditë e tutje, familja jonë e me ta edhe Baci Demë shumë vjet rresht nuk kanë parë as ditë e as çast të bardhë.

***

Nga gjysmëlajmet që mbërrinin në mërgim, morëm vesh se Baci Demë ishte shtrirë në spital dhe se po luftonte me vdekjen.

Ishte një kohë me furtunë dhe Kosova në prag ngjarjesh të përgjakshme.

Siç më ka rrëfyer njëra nga motrat, një javë para se të vdiste, në dhomën e Bacit Demë e kishin vendosur një njeri shëndoshë si molla.

Të nesermen ai i thotë motrës: Gjeje mundësinë e telefonoi vëllait tënd menjëherë dhe thuaj mos gabo me ia mësy për këtu se me hi mundet, por me dalë i gjallë jo, qe besa.

Thuaji se jam mirë dhe mos e zgjat bash shumë.

Deri sa ka ecë Baci Demë për në botën e përtejme, “cimeri“ i tij nuk iu ka çkapë, si fllasteri.

Kështu dhe në këto rrethana është shuar jeta e një njeriu të rëndomtë të Kosovës, duke u përbiruar dhe dhe duke jetuar pa iu ndarë kurrë dhuna e shtetit dhe gazepi.

Pak popuj si shqiptarët i ka ndjekë, si hienë, fati i zi.

***

Siç mësova më vonë, ato ditë Tomocin e kishin përfshirë përmbytje të mëdha. Për pasojë Lagjja jonë ishte izoluar e tëra dhe e pamja ishte organizuar në Lagjen e Bregut, te kushërinjtë tanë. Në odën e djemve të Idriz Rexhepit, njerëz shumë të afërt të familjes.

Komandanti i policisë në Gurrakoc, Veljoviqi, tri herë rresht i merr në pyetje njerëzit e Lagjes së Bregut, për ta mësuar se kush saktësisht ishte pronar i odës dhe me kërkesë që të ndalohej e pamja.

Murat Rexhepi, për t’i shpëtuar nipat e tij, sidomos Januzin që punonte jashtë, me këmbëngulje absolute thotë se ajo është oda e tij, sepse “kur jam ndarë me djemtë e vëllaut m’ka rà mu’ dhe unë ua kam lëshuar kushërinjve të mi ta mbajnë të pamen. Dhe nuk ua msheli të pamen qoftë edhe me më djegë me krejt çka kam!“

***

Në rrasëgurin e vorrit të Bacit Demë është një epitaf pak si i çuditshëm:

“Ne do t’vimë një ditë patjetër, Babagjysh,

Lulet mbi varr të t’i ujisim,
Votrën tënde me jetë ta mbushim,

Dhe zulmën e saj në qiell ta ngrisim…“

***

Sa herë kethehem në Kosovë, te Nana, jo vetëm kur hyj n’oborr, po edhe kur jam më së mirit, e di se mungon dikush.

Dikush që, më shumë se akush tjetër, e meritonte të jetë aty.

Të paktën me e pa, qoftë edhe për një çast, Kosovën e lirë dhe shtëpinë plot.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*