
Shkruan:
Edith Durham
Për mikun njeriu duhet të vrasë edhe pjesëtarin e fisit, bile edhe të familjes së tij, dhe gjyqi do ta quajë veprim të drejtë dhe nuk do ta dënojë.
Mua më thanë se, kohët e fundit, një malazez që kishte ikur për t’i shpëtuar drejtësisë, u strehua në Shalë te një shtëpi, pronë e dy vëllezërve. Qeveria malazeza i premtoi një pushkë, një revolver dhe një shumë të hollash cilitdo që do ta dorëzonte atë të gjallë ose e provonte vdekjen e tij.
Një ditë vëllai i madh, i zoti i shtëpisë, u largua nga shtëpia me punë për një kohë të shkurtër dhe, gjatë mungesës së tij, vëllai i vogël u mund nga tundimi. Ai e vrau musafirin dhe e kërkoi shpërblimin, të cilin ia dhanë.
Kur i zoti i shtëpisë u kthye e mori vesh se ç’i kishte ndodhur musafirit të tij.
“Sa të pagoi Princi i Malit të Zi për këtë punë?“ – e pyeti me zë të ashpër.
Pasi e mori përgjigjen, ai shtoi:
“Nuk të ka dhënë sa duhet. Merre edhe këtë!“ – dhe me një të qëlluar e la të vdekur në vend vëllain e vet.
Deri atëherë, shtëpia e tij nuk kishte prerë kurrë mikun në besë.
Prifti ma tregoi këtë ngjarje dhe më tha se ai e vajtoi me dhimbje të thellë vdekjen e të vëllait, por nderi i shtëpisë duhej larë. Malazezi ishte në besën e tij.
Burim: “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve“ - Edith DURHAM
Be the first to comment