Elegji për Adem Demaçin e Ibrahim Rugovën

Shkruan:
Xhafer Shatri

Adem Demaçi, vigani i mendimit e i veprimit politik shqiptar dhe Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në kohë moderne. Njerëz krejt të ngjashëm e tragjikisht të ndryshëm. Ata i bënte të ngjashëm fëmijnia pa njërin prind, idealizmi, gjakimi për liri dhe letërsia, por i ndante politika dhe këndvështrimi.

I pari ishte i pakënaqur me të dytin sepse ecte ngadalë, i dyti edhe më i pakënaqur me të parin sepse donte ecte tepër shpejtë.

Ky ishte fati i shqiptarëve; në një vend normal dhe me elita stabile këta do të krijonin dy binarë që, ani se mund të mos takoheshin kurrë, megjithatë do të mundësonin që treni i kohës të ecte mbi to shpejtë e pa telashe. Por kjo logjikë te shqiptarët nuk funksionon. Nuk funksionon te asnjë popull i vonuar.

Duke e analizuar rrethin e çdonjërit nga një distancë kohe, pa presionin e ngjarjeve të ditës, pata ardhë kaherë në përfundim se ata nuk do të mund të bëheshin bashkë jo vetëm për shkak të karakterit të ndryshëm, por sidomos për shkak të njerëzve që i rrethonin. Çdo njëri prej tyre ishte i rrethuar me njerëz të dyshimtë. Për këtë ishte kujdesur shteti i konsoliduar serb që e dinte peshën e çdonjërit dhe e njihte (e njeh) mendësinë shqiptare me themel. E di sa të përthyeshëm e sa naivë janë, sa lehtë mund t’ua thyesh qafën përmes dobësive të tyre.

Demaçi e Rugova kishin afër vetës edhe miq të vërtetë, poashtu idealistë, por me kohën ata  mbetën në margjina dhe anarkia e dominoi organizimin.

Kështu që Kosova nuk mundi as ta ruajë paqen, as ta organizojë luftën. Para rrezikut të prekshëm të shfarosjes, na ndihmuan Amerika e Britania e pastaj edhe Gjermania, Franca, Italia e Turqia dhe ia dolëm disi.

Edhe Lufta edhe Paslufta Demaçin e Rugovën i gjeti në llogore të ndryshme: ata nuk arritën as kësaj radhe ta vënë trenin e historisë në binarët që i përbënin.

Kjo e rrezikoi seriozisht lirinë që na e sollën të tjerët. Kjo na pengoi ta formojmë edhe shtetin, shtetin e mirëfilltë të ëndërruar gjatë dhe me çmim sakrificash të papërshkrueshme.

Shteti shqiptar, soditësi i pacipë, jo vetëm që nuk bëri asnjë përpjekje t’i bënte bashkë, por i përdori (as përafërsisht sa mendojnë njerëzit) e i përçau edhe më shumë. Sepse i frikësohej edhe Demaçit edhe Rugovës, për shkakun se këta kishin edhe vizionin edhe ndershmërinë, edhe guximin për ta zhvendosur Piemontin përgjithmonë.

Shteti shqiptar kishte nevojë për Azem Sylën e Xhavit Halitin dhe llojin e tyre. Kishte nevojë për cuba, sepse vetëm përmes tyre do të mund ta bënte Kosovën si Shqipërinë, një shtet që vetëm emrin e ka.

Rugovën e Demaçin i hëngri Paslufta. I pari përfundoi në një vetmi të plotë e në kthetrat e Alush Gashit e Skënder Hysenit, ndërsa i dyti në kthetrat e Elmi Reçicës.

Përfundim i trishtë, ashtu si edhe i çdo Lisi, të cilit téjat, téjat e tmershme, ia grijnë trupin dhe ia hanë shpirtin.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code