Fitorja e Pirros*

Shkruan:
Xhafer Shatri

Popujt e vonuar zakonisht janë euforikë: nxehen por edhe ftohen lehtë. Shëmbulli më i mirë jemi ne, shqiptarët. Gëzohemi me pak por edhe idhnohemi për hiç gjë. Kolektivisht, funksionojmë si turmë dhe jemi në gjendje poashtu për hiçgjë të harrojmë përjetime të përbashkëta shumë të rënda.

Kështu ndodhi edhe me koalicionin, i cili posa u formua u harruan katër muaj të mundimshëm bisedimesh e shtyerjesh, kurthesh, diversionesh e intrigash…, u harruan pykat e pykagjinjtë. U harrua ajo që nuk do të duhej të harrohej asnjëherë: Fakti se koalicioni po sabotohej hapur e ditën për diell nga disa krerë të LDK-së të cilët po punonin intensivisht për një koalicion me PDK-në. U harrua komploti i shtetrrënuesve!

Lufta për koalicionin bëhej në shumë fronte: në tavolinë mes VV-së dhe LDK-së, në medie, por lufta më e egër bëhej brenda LDK-së; ishte dhe vazhdon të jetë kjo një luftë e ashpër për pushtet brenda saj. Më i zëshmi ishte Agim Veliu, kundërshtari më i vendosur i  koalicionit me Vetëvendosjen.

Dhe Veliu e Skënda me shokë do t’ia arrinin qëllimit, po të mos e kuptonte Albin Kurti e Glauk Konjufca, mjerisht shumë vonë, se aftësia në politikë matet me atë se sa je i zoti ta zhveshësh kundërshtarin nga argumentet e jo t’i ngulësh këmbët në akull.

Sidoqoftë lufta e oligarkëve të LDK-së kundër krahut atdhetar e demokrat të saj, nuk përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin. Sepse, atëherë kur gati të gjithë menduan se njerëzit e Prontomafisë në krye të LDK-së pësuan disfatë, këta arritën ta largojnë me dhunë Vjosa Osmanin nga Qeveria. Ky ishte kulmi i diversionit dhe shkelje brutale e vullnetit të qytetarëve për ta ndryshuar gjendjen ku është katandisur Kosova. Ishte kjo shuplaka më e shëmtuar që huliganët politikë e fshikulluan në fytyrën e zbehtë të Kosovës.

Pasojat e këtij diversioni « à la Vuçiq-Thaçi » do t’i ndiejë shpejt në lëkurë Albin Kurti, qeveria e tij dhe afër gjysmë milioni zgjedhës që u përcaktuan për ndryshime.

Në sagën 4 mujore për koalicionin, në këtë përballje të tmershme të botës që po shkon dhe të kësaj që po vjen më kaq vështirësi, Vjosa Osmani ka shkëlqyer në të gjitha pikëpamjet. Ka shkëlqyer, me pjekurinë, modestinë dhe vendosmërinë e saj. Ajo dëshmoi edhe kësaj radhe se përfaqëson vlerat më të themelshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj e deri sot. Ajo dëshmoi se është përfaqësuesja më autentike e dhjetëra mijëra demokratëve e atdhetarëve, përmes sakrificave të të cilëve Kosova qëndroi, u shpall dhe po bëhet shtet.

Pavarësisht neverisë që më ngjall fakti kur e shoh një komplotist si Agim Veliun në krye të një institucioni rëndësor të Kosovës, megjithatë e them pa hamendje se ditën kur Kuvendi e miratoi Marrëveshjen për koalicionin, jam ndier i lumtur e krenar si rrallëherë në jetën time. Duke ndëgjuar sidomos Albinin dhe Vjosën kah flisnin më pushtoi një ngazëllim, një shpresë dhe një besim i pakufijshëm se për Kosovën do të vijnë ditë të mira.

Duke parë Prontomafinë në opozitë, por edhe ndonjë argat të sajin në qeverinë Kurti është një dyzim ndiesish vështirë për ta “kapërdirë“. Duke menduar për këtë dyzim m’u kujtua poezia e Latif Berishës, Poetit Martir dhe njërit prej Burrave më të mirë e më të shquar të Kosovës, “Tri gota“:

 

N’livadh të jetës tri gota i gjeta,
Dy janë të mbushura, asht bosh e treta…

Të parën e mora, në buzë e afrova,
Ish idhtë si pelimi mejherë e largova…

Të dytën e mora, me gjuhë pak e preka,
Prej s’ambli më dogj, mejherë e hjeka

I zbraza të dyja në të tretën gotë,
U ba idhtë e ambël, si asht vet kjo botë.

*Pirro, mbreti ilirian i Epirit (318-272 para Krishtit), në betejën e përgjakshme me legjionet romake në Auskulum, qytet i atëhershëm në Itali, (në vitin 279 para JK) falë elefantëve që i kishte sjellur nga India, i mundi romakët, por me një çmim të lartë. Duke e parë ushtrinë e vetë të përgjysmuar ai thuhet të ketë thënë: edhe një fitore si kjo dhe unë do të kthehem pa asnjë ushtar në Epir…

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

1 Comment

  1. I nderuar Z.Shatri.
    Latif Berisha ishte kushëri i imi dhe udhërrëfyes i vërtet i të gjithë neve që i ndëgjuam këshilket e tij se si të shkohey rrugës së drejtë dhe për të qenë të Sinqertë.
    Vjersha e Shkruar nga Baci Latif si ne e quanim realitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*