Anatomia e një atentati

Parathënie:
Shqiptar Oseku

Sikur populli shqiptar ta kish një histori të mirëfilltë shkencore, e që mjerisht ende s’e ka, disa kapituj të trashë do t’i kushtoheshin patjetër lëvizjes nëntokësore të rezistencës matanë kufinjve të Shqipërisë administrative. Do t’ishte fjala, pa dyshim, për një rrëfim jashtëzakonisht interesant, për shqiptarë e për të huaj. Ajo do të nxirrte në shesh përvojat komplekse të një populli “të ndaluar” në rrafshin e mosbindjes qytetare dhe rezistencës së armatosur ndaj okupimit, përvoja këto që janë edhe sot aktuale në shumë anë.

Cilat ishin motivet e atyre që u angazhuan në ilegale? Ç’i shtynte ata që kryeneçësisht, pa asnjë shans ushtarak e pa asnjë shembull të mbarë lokal (madje përkundrazi), ta sfidojnë pareshtur një okupim ushtarak, administrativ, socioekonomik e kulturor ndër më të jetëgjatët e më brutalët në kontinentin e Evropës? E ç’i shtynte të tjerë, nga ambient i njëjtë e me prapavijë të ngjashme, të zgjedhin tjetër rrugë, të bëhen neutralë a administrues të zellshëm të okupimit?

Këto dhe shumë pyetje tjera interesante mbeten ende, mjerisht, pa një përgjegje të përmbledhur. Megjithatë, copëra fragmentare por domethënëse të përgjegjes ofron jetëshkrimi i personave që janë bërë të njohur, shumica post mortem, si ikona të rezistencës.
Jusuf Gërvalla, albanolog, poet e publicist, vëllai i tij Bardhosh Gërvalla, punonjës social me diplomë universitare të anglishtes, dhe shoku i tyre i armëve Kadri Zeka, gazetar, bëjnë pjesë në heronjtë e ilegales nga fundi i Luftës së Ftohtë, që mbaruan tragjikisht vetëm 10 vjet para ndërrimeve dramatike në kontinentin Evropës. Ata lindën e vepruan në një epokë të errët, duke i ndjekur pa kompromis idetë e veta për çlirimin e një populli që shtypej në rrethin e nëntë të ferrit evrolindor, mes çekanit komunist e kudhrës nacionaliste. Fundi i tyre, të mbytur gjak në terrin e një nate të ftohtë e të varrosur në dhe të huaj, ish komponuar enkas për t’ua kujtuar shqiptarëve në mënyrë diskrete kumtin makabër të zotërve të tyre serbë, atë kumt të stërlashtë të pushtuesve për të pushtuarit që do të shfaqej sërish sheshazi në Ballkan në hyrje të shek. XXI: “Mos ngritni krye, se jua këpusim kështu të gjithëve!”

Sivjet, kur bie përvjetori i 20-të i vrasjes së tyre, historiografia zyrtare shqiptare do të bënte mirë ta rrëfejë deri në fund tregimin e prerë të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të shokëve të tyre. E kur ta ketë rrëfyer atë, t’i tregojë edhe rrëfimet e atyre që ishin para tyre, e të atyre që vijuan pas tyre. Jo pse e ka obligim para tyre. Po pse e ka obligim para vetit.

Anatomia e një atentati

 

Shkruan:
Xhafer Shatri

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet e prijësve të shquar, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas kaq dekadash, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?

1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër

Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar, në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik të shqiptarëve, largimet nga shkollat e nga puna, arrestimet, torturat dhe burgimet e gjata.
Shërbimet sekrete jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t’a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një mesazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit ’81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.
I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve të fshehta civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t’i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.

Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare.
Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje.
Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.

2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë

Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:

  1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
  2. Grupi komunist “Zëri i Kosovës”, një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
  3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën “Bashkimi” (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
    “Bashkimi“ mori trajtën e gazetës vetëm pasi filloi ta redaktonte Jusuf Gërvalla.
  4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën “Liria” (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
  5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla.
    Fillimisht Jusufi, siç u tha, ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, pastaj ka nxjerrë gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën “Zëri i Kosovës”.
    Pas shpërthimit të demonstratave të vitit ’81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
    Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar, pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.

Megjithatë, pavarësisht dallimeve apo pykave të përçarësve të ndryshëm, aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.

3. Uniteti i veprimit

Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës “Liria”, në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e “fotografëve” kishte qenë konsulli Branko Dimitrijeviq dhe një udbash shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.

Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:

  1. Kosovës t’i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
  2. Popullit tonë t’i njihet e drejta për vetëvendosje;
  3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
  4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t’i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
  5. T’i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
  6. Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
  7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
  8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
  9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
  10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
  11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.

Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.

4.Pse u krye atentati?

Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë,
Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal,
Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar.
Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi.
Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj.
Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër “organizatat armiqësore”, por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.

Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t’i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.

Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm falë aspiratës së përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm.
Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike:
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.

5.Neve na vrau UDB-ja jugosllave!

Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…

Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë telefonike e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi.
Për të dalur nga garazha në rrugë, vetura, për shkak të borës, është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj.
Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj ia ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t’i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!

Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Jusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.

6.Praktikat e ekzekutimit

Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.

Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas gati 4 dekadash nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshimtë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.

Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole…
Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t’u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.

Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.

Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se “kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm” (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).

7.Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?

Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet “Bereta” të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.

Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës.
Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim mund të qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Arkani dhe Gjorgje Boshkoviq, i njohur me nofkën Gishka, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.

Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.

Është udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.

Ndërka dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t’u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t’i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.

E tëra dukej si pas një ekzekutimi

Botuar në Der Spiegel, 25 janar 1982

 

Përktheu:
Kushtrim Reçica

Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundershtarë të pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil si duket qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës.

BMW-ja e gjelbërt 316 dilte nga garazha. Shoferi nuk donte ta kthente veturën në borë dhe vazhdon të vozisë deri te udhëkryqi duke vozitur së prapthi diku rreth 40 metra.

Kur ndalet vetura del një njeri nga një vend ndërtimi në anën e djathtë të veturës dhe, nga një distancë prej 3 metrash qëllon në veturë. Një vrasës tjetër qëllon gjithashtu dhe shikon pastaj në veturë për t`u siguruar se a ia kanë arritur qëllimit. Fqinjtë e frikësuar nga krismat i shohin dy burra duke ikur. Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banuesit e qytezës së “Untergruppenbach”-ut te Heilbronni: Vetura vazhdonte të ushtonte sepse shoferi e kishte këmbën ende në pedalen e gazit. Pastaj ai, si duket e lëshon freksionin dhe vdes. Kështu që vetura vazhdon të ecë deri sa i mëshon një garazhe përballë. Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet.
Policia ka gjetur në veturë:

Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, jugosllav, i goditur nga 6 plumba, qëndronte i vdekur pas timonit,

Bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga 2 goditje me plumba në trup, dhe
Vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga 2 goditje me plumba.
Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt u kuptua edhe drejtimi i tyre politik: jugoslavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.
Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili vdiq pas pak, i kishte pëshpëritur policisë: “Ka qenë UDB-ja”- policia sekrete jugosllave (Sluzba Drzavne Bezbednosti).

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat – kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba “tre për ta mbërthyer vitimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjepruese. Edhe kjo flet për UDB-në.”

Ka shumë vite që ‘grinden’ shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte në krim dhe terror gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Skenë e Shoot-out-it ballkanik ka qenë kohë pas kohe Republika Federale e Gjermanisë dhe policia ka qenë deri më tash e pafuqishme për t`i dhënë fund kësaj veprimtarie.
Ndërsa përgjegjësit janë zbuluar. Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë ua kanë drejtuar pistoletat vrasësit e shërbimit sekret. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit.

Për shembull: Kur kroati Franjo Goreta, i ngarkuar nga shërbimi sekret jugosllav me detyrë për vrasje në Republikën Federale Gjermane u shkëput nga UDB dhe vrau një oficer udhëheqës, Beogradi e nis menjëherë një komando për ta likuiduar atë. Posa kishte vuajtur dënimin Goreta, njerëz të UDB-së ndërmorën një atentat, në të cilin Goreta shpëtoi për pak.

Në procesin e këtij akti, gjyqtari dërgoi një apel deri më tash të kotë drejt Bon-it: “Nuk mund të lejohet që në vendin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja për t`i zgjidhur problemet e tyre të brendshme”.

Krahas kroatëve tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u bënë trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit: Prej shtetit shqiptar fqinj dhe prej shërbimeve besnike komuniste dirigjohet konflikti, mirëpo edhe nga Republika Federale Gjermane, thonë politikanët e Beogradit.

Në fakt vetëm në Baden-Württemberg jetojnë diku 2000 shqiptarë, shumica prej tyre me strehim politik. Lidhur me aktivitetet e tyre shpeshherë u ankua konsullata e përgjithshme në Stuttgart.

Për shembull, në pranverën e vitit 1981 u mblodhën shqiptarët në një demonstratë jo të rëndësishme, në të cilën ata kërkuan ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ndërkohë demonstruasit e diktuan se dikush nga një shkollë jugosllave po i fotografonte, disa prej tyre hynë brenda dhe pos fotografistit ata e gjatën aty edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav, Branko Dimitrijevic. Ata au morën filmin, të cilin më vonë u detyruan ta dorëzojnë në polici.

Kjo mund ta ketë shkaktuar një zingjir vdekjeprurës, sepse njëri prej të atyre që kishte hyrë në atë shkollë dhe të cilin me siguri e kanë fotografuar, ishte Bardhosh Gërvalla, ngarësi i veturës, i vrarë te Heolbronn-i.

Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai Jusufi i cili para pak kohe i kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë sipas njoftimeve të policisë edhe redaktor i gazetës “Zëri i Kosovës” në ekzil. Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëtorët jugosllavë, në Solitudestraße 44, në Ludwigsburg. Bardhoshi i martuar, dy fëmijë ka qenë aktiv sidomos në legjislacionin e punës për bashkëkombësit e tij.

Koka politike e vëllezërve ka qenë, si duket, Jusuf Gërvalla. Sidomos ai fajësohej nga konsullata e përgjithshme jugosllave të jetë anëtar udhëheqës i “Fronti të kuq” që luftonte kundër qeverisë jugosllave. Kjo organizatë ishte aktive, deri më tash, vetëm në Jugosllavi dhe po aq pak, si grupe të tjera kosovare u shfaqte në raportin vjetor të ministrisë federale të Gjermanisë për mbrojtjen e kushtetutës.

Jusufi, i martuar, tre fëmijë, duhet të ishte bashkëbotues i gazetës së ndaluar në Jugosllavi “Zëri i Kosovës”, për të cilën ai punonte nga vendbanimi i tij. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpuntor kompetent i të njëjtës revistë.

Në murin e jashtëm të shtëpisë së vëllezërve në “Auf der Habichtshöhe 40” e kishin varur, në shenjë pikëllimi, një flamur në gjysmështizë të kuq me një shqiponjë dykrenare dhe një yll – ngjyrat e Kosovës dhe njëherit flamuri kombëtar i Shqipërisë.

Çfarë rëndësie kanë aktivitetet e shqiptarëve në ekzil për Beogradin nuk e dëshmon vetëm masakra në Heilbronn. I ngjashëm ishte edhe një aksion i madh i shërbimit sekret serb në fillim të vitit, kur bashkëkombësi, Rasim Zenelaj u muar në shënjestër. Zenelaj ka qenë një anëtar udhëheqës i “Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare”.

Me plumbat nga pistoleta në Zenelajn, u dëshmua për herë të parë përqëndrimi i ri i shërbimit sekret jugosllav, megjithatë kundërshtari i qeverisë së Beogradit ani se u plagos rëndë, por i shpëtoi atentatit dhe mbijetoj.
Për ta mënjanuar Zenelajn Beogradi kishte kurdisur plane të kushtueshme. Kishte nisur disa agjentë, madje kanë rrezikuar edhe dikë nga zyrtarë të konsullatës dhe kanë eksponuar ndihmësit e heshtur. Megjithatë plani dështoi dhe pjesëmarrësit u zbuluan: Në procesin e nisur atë kohë kundër përgjegjësve të atentatit qartësohet edhe më shumë implikimi i zyrtarëve jugosllavë në ndjekjen e emigrantëve me metoda drastike.

Kah fundi i 70-tave një agjent i mëhershëm ishte avansuar në gradën e konsullit. Me emrin Salih Salihi ai u shfaq më vonë me shërbim diplomatik për vendin e tij, Jugosllavinë, në Republikën Federale Gjermane, së pari në konsullatën e përgjithshme në Hamburg dhe pastaj në konsullatën e përgjithshme në Frankfurt. Atje u vendos i pajisur me një dokument identifikimi si zyrtar me nr. 6750 në cilësinë e rojes. Në Frankfurt vepronte edhe një kolegë tjetër i shërbimit sekret, si zyrtar i lartë i konsullatës me dokument identifikimi nr. 6322, i firmuar me emrin Svetozar Mirjaçiq, i quajtur “Tozo”. Një bashkëpunëtor me rang të lartë i këtyre dy shërbyesve ishte Rade Surla, një partizan i hershëm, që kohët e fundit punonte në një ndërmarrje ndërtimi në Frankfurt.

Surla i vizitonte shokët e konzullatës dhe i informonte ata për veprimtaritë e njerëzve në ekzil. Njëherë, siç i kujtohet shoferit të tij, e vizitoi dikush vetë Surla-n. Mysafiri kërcënues (Surla shoferit: “Duhet me ju ruejt këtij njeriu”) ishte gjenerali i shërbimit sekret Milan Shashiç.
Në mars të vitit 1981, menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, filloi të veprojë treshi në Frankfurt. Salihi gjurmonte shprehitë e jetës së Zenelajt dhe i dërgonte Tozo-s informacione. Edhe Surla filloi të veprojë, kur u përfundua plani konkret i vrasjes. Disa gjurmë dhe dëshmitarë dokumentojnë se me sa përkushtim kanë vepruar agjentët.

Agjenti i parë të cilin e caktuan për Zenelajn ishte një kroat në ekzil, i por ai demaskoj urdhërdhënësit nëpërmes deklaratave të tij në procesin gjygjësor. As agjenti i dytë nuk e mbajti fshehtësinë. Ante Kujundzic ishte rekrutuar nga Tozo si vrasës, por ai u tregoi për këtë shokëve të tij kroatë në ekzil.
Së shpejti policia gjermane i dinte hollësitë e përgaditjeve për atentat.

Organet gjermane nuk kishin vepruar në mënyrë të kujdesshme. Kroatit Ante Kujundzic, në prill të vitit 1981, në stacionin e trenit, në Frankfurt, i kishte folur një bashkëkombas i panjohur. Ai i kishte thënë ta thërras një “person me rëndësi” dhe t’i paraqitet me emrin “Studenti i muzikës”. Pastaj i kishte dhënë një numër të telefonit – 21 77 01 – dhe e kishte udhëzuar që kur të thirrte secilën shifër ta mblidhte me numrin dy.

Në lidhjen telefonike 43 99 23 ishte lajmëruar konsullata e përgjithshme jugosllave. Kështu ishte vendosur kontakti me Tozo-n. Kujundzic-in e kishin urdhëruar për ta gjurmuar shqiptarin Zenelaj. Si shpërblim atij, Tozo i ofronte para, dokumente të reja dhe përkrahje për ta fituar azilin politik në Republikën Federale Gjermane.
Në një takim tjetër Tozo ia dha një pasaport, për çdo rast, nëse duhej ta lëshonte vendin shpejt. Kujundzic: “E pata të kjartë se me siguri duhej ta vrisja dikë”. Agjenti hoqi dorë nga ky plan dhe i informoi autoritetet gjermane. Si rrjedhim, policia e mori në mbrojtje të rrezikuarin Zenelaj.

Për tua treguar komplotistëve këtë, policët gjermanë e dërguan Zenelajn demonstrativisht për të shëtitur para konsullatës jugosllave. Një herë tjetër duke shëtitur në një kopsht zoologjik, Zenelajn me përcjellësit e tij e vëzhgonin agjentët jugosllavë dhe kështu ata u vërejtën edhe njëherë nga gjermanët.

Zenelaj u rrezikua me mendjelehtësinë e vet: Ai kishte treguar në rrethin shoqëror se ishte i mbrojtur dyfish, d.m.th. edhe me një jelek antiplumb. Njëri që e kishte dëgjuar këtë ishte agjent i Surla-s. Kështu që jugosllavët e përgatitën një plan tjetër, që kundërshtarin e tyre ta vënin në një situatë, që ai të detyrohet ta zhvesh jelekun e tij antiplumb. Një grua duhej ta kryente këtë punë dhe pastaj ta godiste me pistoletë.

Si ndihmëse u gjet shpejt bjondina serbe Zorica Aleksic. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë në afërsi të Darmstadt-it. Nëpërmjet kërcënimeve si dhe nëpërmjet premtimit se do tia japin 2000 DM e bindën atë. Ishte aranzhuar një takim me gruan dhe viktimën e saj. Rasim Zenelaj e kishte marrë agjenten në apartamentin e tij. Kur doli gruaja me pistoletë nga banja, Zenelaj e kishte zdeshur jelekun antiplumb. Prej pesë goditjeve në afërsi të zemrës, Zenelaj ra përtoke.
Autorja kishte ikur dhe në hyrjen e shtëpisë e kishin pritur Surla me shoferin e tij. Zorica Aleksic ua kishte kthyer armën dhe i kishte marrë paratë bashkë me një tiketë për Beograd. Me një Volvo ishin nisur menjëherë për në aeroportin e Frankfurt-it.
Mirëpo serbja nuk arrijti ta largohej nga vendi. Fqinjtë, e alarmuar nga krismat, e kishin lajmëruar policinë menjëherë. Këtë lajm e kishin dëgjuar rastësisht në radiolidhje edhe policët të cilët ishin të ngarkuar me mbrojtjen e Zenelajt.
Një gjurmim i shpejtë në rrethin shoqëror të viktimës i çoi policët te Zorica, e cila pak më vonë u arrestua në aeroport.
Zyrtarët e konsullatës Tozo dhe Salihi janë urdhëruar të kthehen në Jugosllavi. Surla mundi të ikte që në ditën e atentatit. Surla u paralajmërua me anë të telefonit dhe ishte përgjigjur: “në rregull”. Pastaj shoferi, i cili ishte dëshmitar i kësaj telefonate, e kishte dërguar me ngut përtej kufirit, në Strasburg në hotelin Holiday Inn.
Aty humbën gjurmët e tij.
Dështimi, si duket, nuk e ka dëshpëruar UDB-në. Një vërtetim është 10 tetori i vitit 1981, në Bruksel: Atje ishte vrarë një shqiptar me emrin Vehbi Ibrahimi në rrugë para banesës së tij, me një pistoletë të kalibrit 7.65.
Gruaja e tij e cila ishte me të ishte lënduar rëndë nga goditjet. Ibrahimi ka qenë nënkryetar i “Besëlidhjes shqiptare”.

Organet shtetërore gjermane tash, pas atentateve në Zenelajn dhe Ibrahimin duhet ta mbronin kryetarin, Emin Fazlija. Ai banonte te Göppingen-i dhe ka qenë i njohur te fqinjtë si “një burrë i vjetër dhe i rrespektuar”. Policët kompetentë ishin të brengosur se “mos do ta vrasin edhe atë”. Që prej atëherë, Fazlija është nën mbrojtje dhe nuk lajmërohet më në lidhjen telefonike të mëparshme.
Policët nuk gjejnë gati fare përkrahje politike në luftën kundër kësaj lufte ilegale. Në të vërtetë ekziston një marrëveshje në mes të Bonn-it dhe Beograd-it për të përkrahur njëri-tjetrin në rast atentatesh. Herëpasherë shkëmbehen informata për ardhjen e lëndëve shpërthyese ose të ndonjë arme.
Mirëpo sa pak rëndësi ka kooperimi në mes dy shteteve për palën serbe e vërtetojnë atentatet.
Zyra federale kundër krimit ka regjistruar se kur janë bërë atentate në kroatët në ekzil, në shumicën e rasteve UDB-ja ka përdorur pistoleta të cilat gjuajnë me rrotullim djathtor rreth boshtit, edhe pse shumica e pistoletave të këtij lloji gjuajnë me rrotullim majtor rreth boshtit.
Organizatorët e atentateve as që e kanë pa të arsyeshme ta maskojnë këtë dallim.

Kur ranë në rrjetin e policisë jugosllave katër anëtar të RAF-it gjerman, jugosllavët prezentuan një listë me kroatë që lypeshin urgjentisht për ti ndërruar ata. Zyrtarët gjermanë e refuzuan këtë dhe Beogradi i lëshoi anëtarët e RAF-it.

Nëse mund të flitet për bashkëpunim në mes të policisë gjermane dhe asaj jugosllave, ana gjermane ankohet.

Në vend që ti ndjekin (penalisht) shkakëtarët, jugosllavët, në kërkesat gjermane, japin vetëm mendime për motivet: “grindje për çështje nderi”, “grindje për femra”, “hakmarrje përreth stacionit të trenit” ose “tregti armësh”, sipas tyre janë shkaqet e vërteta të konflikteve.

Politikanët jugosllavë e mohojnë kategorikisht implikimin e policisë sekrete jugosllave në këto raste. Lidhur me këtë ka bisedime të rregullta në mes të ministrisë së brendshme gjermane dhe kolegëve beogradas. Ministri i punëve të brendshme Franjo Herljevic, një gjeneral i vjetër partizan dhe bashkudhëtar i Titos, i demanton gjithmonë dhe deklaron se policia sekrete jugosllave nuk është duke vepruar në Republikën Federale Gjermane.

Kur kishte pyetur deputeti i CSU-së Fritz Wittmann, në vjeshtë të vitit 1981, se cilat janë reagimet e Bonn-it lidhur me sjelljet e Beogradit, e mori një përgjigje të shmangshme. Bonn-i shprehet lidhur me këtë, thoshte ministrja Hildegard Hamm-Brücher, vetëm atje ku është e arsyeshme dhe e dobishme.
Krahas proceseve gjyqësore ka, aty-këtu, edhe dëshmi për veprime të UDB-së.
Në ambasadën jugosllave ka qenë një diplomat bashkëbisedues i policisë gjermane, Tomo Renac, i cili pyetjet vetëm i përcillte për Beograd dhe kurr nuk përgjigjej. Në shumicën e rasteve vetëm i rrudhte krahët.

Arsyen për këtë stil të mbajtun gjermanët e nuhatën, kur ra në duar të tyre një letër që Renac e kishte dërguar në Beograd.
Aty Renac, si një agjent i ofenduar ankohej se: “Po mundohen me masa propagandistike dhe penale për t`i bërë të pamundura aktivitetet e sigurimit të shtetit jugosllav në RF të Gjermanisë. Në një pritje shefi i policisë së Bonn-it ka tërhequr vëmendjen se kishte fakte se diplomacia jogosllave është tepër aktive në RFGJ. Kjo na detyron të vimë në përfundim se puna në RF të Gjermanisë është bërë shumë e komplikuar”.

Hetuesit gjermanë nuk prisnin shpërblim nga shërbimet jugosllave. Kur para pak kohe një prokuror i Frankfurtit paralojmëroi se në rastin e shqiptarit Zenelaj së shpejti do të fillojë të marrë “hetime në Jugosllavi”, nuk deshi askush t`i jepte zemër. Një mbrojtës i shtetit në Bonn tha: “Në këtë ne vetëm kemi qeshur”.

Skelet për tri biografi

 

Jusuf Gërvalla
1945 – 1982

Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit.
Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan.
Kur kishte vetëm 6 vjet i vdiq i ati. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë, për të mbaruar shkollimin.
Pasojat e ndarjes nga familja dhe nga vendlindja do të hetohen më vonë në formë të një puhie trishtimi të pranishëm në shumë poezi të tij:
E kam braktis vendlindjen
E kam braktis shtëpinë
Shkrepave tuaja të larta
Peng ua lashë fëmijërinë
Apo
Dhe kështu u prenë rini e rritë
Nëpër botë pastaj si njeri i vogël që jam.
Me një det këngësh që më vlojnë në gji
U nisa, baba, në kullën dikur si zgurr,
Ja kaq i vogël, po edhe burrë…
Pasi mbaron shkollën e mesme në Pejë, regjistron fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë fillon të punojë në Teatrin e Kosovës si pëshpëritës. Në këtë cilësi, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit shkon në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur para të burgosurve dramën e njohur “Duke pritur Godonë”.
Jusufi shfrytëzon nga rasti për t’u dërguar burgosurve politikë aty një mesazh mbështetjeje e simpatie: “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen…” Mirëpo me t’u kthyer kupton se letra kishte rënë në dorë të policisë. E marrin në pyetje, bëjnë presion mbi të dhe për pasojë e heqin nga puna…
Më 1971 punësohet në Shkup si përkthyes, në Flakën e vëllazërimit.
Më 1972/ 1973 shkon në shërbimin ushtarak.
Më 1973 fillon të punojë në Rilindje, ku më vonë, më 1978, do të jetë redaktor i faqes për radion dhe televizionin.
Ndërkohë ai është këngëtar me emër në estradën e Kosovës, ku kishte incizuar rreth 200 këngë. Në kujtesën e dëgjuesve kanë mbetur akoma këngët:
Fluturimi i kondorit dhe Balada për Jan Pallahun, heroin e Pragës, që u dogj i gjallë në shenjë revolte për pushtimin e Çekosllovakisë nga Rusia.
Ndër krijimet e para që u botuan janë “Baladë për shevarin” dhe “Kalon pranë meje”, botuar më 1974 në “Bota e re”.
Më 1975 boton përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”, më 1978, “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta” u botua në Shkup.
Ndërkaq romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua kurrë. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë…
Gjithashtu pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”.
Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e pjesëtarëve të LNÇKVSHJ-së, në mesin e të tjerëve edhe të vëllait të tij Hysenit, ai kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova. Me ndihmën e të vëllait Bardhit, nëpërmes tunelit të Goricës kalon në Austri dhe pastaj në Gjermani, ku kërkon strehim politik.
Më 17 janar 1980 te ai shkon edhe familja e ngushtë: e shoqja, Syzana dhe fëmijët Premtoni, Donika dhe Ergoni.
Në mërgim Jusufi do të merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë”, dalin krejt tre numra. Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës”. Dalin dy numra.
Në verë të vitit 1980 ai bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materialet e organizatës dhe njëherit disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë”. Dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVSHJ-së për komunën e Deçanit…
Plagoset për vdekje në atentatin e 17 janarit 1982 dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronn-it.
E gjithë jeta e tij përmblidhet në një frazë të shkruar nga ai vetë në një shkrimkushtrim: Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme.

Kadri Zeka
1953 – 1982

U lind më 25. 04. 1953 në katundin Poliçkë, Malësia e Dardanës (Kamenicë).
Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Meqë më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan, këtu mbaroi shkollën e mesme.
Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Jurdik, në Prishtinë, dega e gazetarisë.
Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të organizuara të “Grupit revolucionar”. Ishte në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin, që ishte shoku i tij i pandashëm. “Në fakt ky katërsh ka funksionuar, poashtu fshehtë, si një bërthamë gjysmë e organizuar, edhe gjatë viteve të mëparshme (’71, 72)”.*
Fillimisht Kadriu ka qenë anëtar i celulës, kurse pas arrestimeve të vitit 1974 dhe 1975 të anëtarëve të Grupit Revolucionar, Kadriu kooptohet në Komitetin Drejtues (që ishte organi më i lartë i Organizatës), në këtë cilësi ka qenë deri në fund të jetës së tij.
Ndërkohë punon si gazetar në radio Prishtinë dhe “mbulon” punëtorët e “përkohshëm” në mërgim.
“Pos aksioneve të shumta si thyerje fotografish të Titos etj, shkyerje flamujsh e pllakateve të ndryshme të regjimit, shkruarje parullash e shpërndarje traktesh, Kadriu ka marrë pjesë në rrëmbimin e një shaptilografi në Prishtinë, gjatë vitit 1974 ka sjellë nga Zvicra (ku kishte shkuar me pasaportë të falsifikuar) një shaptilograf tjetër më praktik, me të cilin janë shumëzuar traktet e shpërndara në Konviktet e UP-së dhe ato në Preshevë si dhe teknikë tjetër të nevojshme për punë të fshehtë. Ka marrë pjesë në përpilimin, përgatitjen teknike dhe shpërndarjen e tyre.
Kadri Zeka ka qenë shumë i zellshëm në zgjerimin e radhëve dhe për këtë qëllim ka shkuar të punojë e të jetojë një kohë në malësi të Gollakut,( mësues në Gmicë të Dardanës). Ka mbajtur lidhje të fshehta me Rexhep Malën e shokë të tjerë, edhe gjatë qëndrimit të tyre në burg.”*
Pas gjurmimeve sistematike të UDB-së aty kah marsi i vitit 1978 hetohet veprimtaria e tij dhe e Hydajet Hysenit. Fillimisht Kadriu shkon për disa javë në Turqi, por meqë nuk kishte ndonjë risi kthehet prapë në Kosovë. Më 15 prill 1978 kidnapohet Hydajet Hyseni në mes të tregut të Prishtinës dhe dërgohet në Lipovicë (Blinajë), në shtëpinë e gjuetarëve dhe merret në pyetje nga funksionarët më të lartë të UDB-së së Kosovës.
Të nesërmen e lirojnë gjoja për të reflektuar, por në fakt për ta zënë me “kërpesh në dorë”.
Të vetëdijshëm për rrezikimin e drejtpërdrejtë që të dy arratisen. Meqë kishte pasaport Kadri Zeka shkon në Zvicër, në qytetin Sent Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës (Hasan Mala, Kadri Abdullahu etj.), ndërsa Hydajeti vazhdon të jetojë ilegalisht në Kosovë.
Në Zvicër Kadriu tregohet shumë aktiv: vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim, krijon lidhje me simpatizantë të çështjes shqiptare në Zvicër e Gjermani dhe mban lidhje të rregullta me përfaqësitë e Shqipërisë jashtë.
Krahas kësaj, përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën “Liria”. Veç organit të Organizatës që i takonte ai përgatiti e botoi dhe publikime të tjera siç ishin “Këngët e lirisë”, një përmbledhje me poezi që u bënë kushtrim kolektiv i djalërisë kosovare. Pastaj përgatiti dhe botoi përmbledhjen me artikuj të shtypit të huaj “Rreth ngjarjeve në Kosovë” si dhe studimin e njohur të Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.
Kadri Zeka, edhe pse shumë i ri, ishte një burrë i pjekur që iu imponua mërgatës shqiptare me thjeshtësinë dhe seriozitetin e tij, me kompetencën dhe me vendosmërinë për çdo flijim e sakrificë, vetëm e vetëm për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen shqiptare.
Në fjalimet e tij para mërgimtarëve, Kadri Zeka ishte konkret dhe detyrues:
Të luftoni parreshtur e me të gjitha forcat derisa të realizohen të gjitha të drejtat e popullit tonë;
Të zbuloni dhe të demaskoni pamëshirë ata elementë të shitur që bëjnë punën e armikut, që mbjellin panik e konfuzion në radhët tuaja…
Të sabotoni ato të ashtuquajtura “klube jugosllave të punëtorëve”, që janë shndërruar në çerdhe të rrezikshme antishqiptare, e në vend të tyre të formoni klube e shoqëri tuajat, të pavarura kulturore, artistike e sportive…
Kadriu ka gjetur te vëllezërit Gërvalla shokët e idealit, të luftës e të përpjekjeve. Ata rreth një vit do të veprojnë bashkë. Përkundër intrigave të UDB-së ata nuk do të përçahen, por do të punojnë për fuqizimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe për krijimin, përmes veprimeve të përditshme, të një organizate të vetme në shkallë kombëtare; të strukturuar dhe të përgatitur për t’u përballë me kërkesat dhe sfidat e kohës.
Prandaj nuk është e rastit pse ata nuk i ndau as vdekja.
*Citime të një shkrimi të Hydajet Hysenit

Bardhosh Gërvalla
1951 – 1982

U lind më 1951, në Dubovik. Ishte tetëvjeçar, kur familja bashkë me të mërgoi në Slloveni. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene.
Pastaj u kthye në Kosovë dhe u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, ku studioi anglishten.
Gjatë kohës së studimeve ai këndoi e komponoi këngë bashkë me të vëllain, Jusufin.
Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludwigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova, të cilëve vazhdimisht u doli në ndihmë, duke u bërë këshilltar e mbrojtës i tyre.
Me daljen e Jusufit jashtë, ai u bë krah i djathë i tij. E vuri atë në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave.
Organizoi e udhëheqi një mori tubimesh e manifestimesh të mërgimtarëve që kishin për synim zgjërimin e Lëvizjes për Pavarësi dhe sensibilizimin e opinionit të huaj lidhur me çështjen e Kosovës.
Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajt e të gjitha rangjeve shlirshëm dhe me shumë kompetencë.
Ishte organizator i shkathtë, njeri i vendosur dhe i guximshëm.
Disa herë rresht është përballur edhe fizikisht me konsujt jugosllavë, kur këta të fundit fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin në mes të Evropës t’i pengojnë edhe me grushte aktivistët e Lëvizjes gjatë veprimtarisë së tyre.
Shtëpia e tij në Gjermani ishte sofra dhe streha i të gjithë hallegjinjve dhe njerëzve që kishin vendosur t’i dalin shtetit serb përballë.
Pas vetës la tre fëmijë krejt të njomë, të cilët aktualisht jetojnë në Gjenevë.

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Kjo dosje për herë të parë u botua në revistën Pasqyra, në janar të vitit 2002.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*