Koha e shegertëve të Fatos Klosit ka perënduar

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Zgjedhjet në Shqipëri përfunduan. Fitoi ai që dihej me kohë se do të fitonte.
Duke i lexuar dhe duke i dëgjuar anal-istët shyptarë në prag dhe gjatë zgjedhjeve se në Shqipëri do të fitojë opozita, më vinte me qeshë e me vjellë.

Po si mund të fitojë opozita në një vend të kapur. Katërcipërisht të kapur ?! Në një vend ku disa mijëra partiash janë kthyer në agjentë e sy të Vëllait të Madh dhe syrvejojnë, së pari njëri-tjetrin e pastaj krejt Shqipërinë. Prej të parit e deri te i fundit ! Dhe raportet e tyre pastaj kondensohen në dosje elektronike për çdo qytetar veç e veç.

Kush është ai budallë që beson se ky aparat i tmershëm syrvejimi nuk ia dërgon pastaj të dhënat stacionit të policisë, zyrës lokale të SHIK-ut, administratës tatimore e tuti quanti ?

Çka mund të shpresosh, kur hallkë e këtij sistemi të tmershëm shantazhi bëhet edhe një intelektual si Artan Lame ? Po të tjerët ?

Mos i bini në qafë Lulëzim Bashës. Ai nuk mund të bënte më shumë. S’ka bir nëne që do t’i fitonte zgjedhjet përballë këtij sistemi të përkryer orvelian. Idem për Boiken Abazin. Kam qenë krejt i sigurtë se ai dhe shokët e tij nuk kanë asnjë mundësi të bëhen deputetë, sepse ishte e pamundur të çajnë përmes kënetës me krokodilë në të cilën gjëllinë politika shqiptare.

2.

Por gjithsesi kjo është një përvojë e mirë për Kosovën zyrtare, e cila duhet ta kuptojë se ajo në Shqipëri nuk guxon të jetë prezente përmes partive, por ekskluzivisht përmes institucioneve të shtetit. Duke filluar me dëlirjen e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, ku Prontomafia ka rahatuar në vazhdimësi aty ambasadorë, konsuj e nëpunës badihavxhinj që nuk pasqyronin e nuk pasqyrojnë asnjë vlerë të Kosovës : as dijen, as dinjitetin, as përkushtimin !
Për më keq kjo Ambasadë ishte dhe vazhdon të jetë objekt shpotishë e strofull skandalesh.

À propos, kryeministri më i suksesshëm serb Nikolla Pashiq, me një rast e pret një diplomat të ri që shërbente në ambasadën e Jugosllavisë së parë në Tiranë. Ky i fundit i ankohet se Shqipëria është vend i vogël e i parëndësishëm dhe i kërkonte atij që ta emërojë me shërbim dikund në Evropë… Ndërkaq politikani i regjur i drejtohet pa dorashka dhe pa qime në gojë : A e di ti, o pishpirik, se për një diplomat të ri nuk ka vend më të mirë për të shërbyer dhe për të mësuar zanatin e diplomatit se Shqipëria. Sepse ai është një vend i tallazitun përherë, me kufij dhe rend kushtetues labil, prandaj për çdo ditë mund të mësosh gjëra të reja. Mund ta mësosh se si blehen lirë njerëzit e rëndësishëm të një kombi, se si me një intrigë të vogël, të hedhur me mjeshtri, e detyron krejt politikën e një shteti të sillet vërdallë…

Gjërat kanë ndryshuar, por Tirana është gjithsesi vendi ku Kosova duhet t’i dërgoj njerëzit e saj më të zotët e më të përgatiturit që i ka. Dhe jo një e dy, por me dhjetëra diplomatë të karrierës të shkolluar themelshëm e të sprovuar gjatë.

3.

Edi Rama do ta sundojë Shqipërinë edhe katër vjet. Prandaj Albin Kurti duhet t’i hedhë në shportë inatet dhe mosdurimin që mund ta ketë me të. Për Kosovën asnjë vend nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria. Në të gjitha pikëpamjet. Prandaj marrëdhëniet mes dy shteteve tona duhet të jenë perfekte. Në të gjitha fushat. Sepse, mate si ta matësh, rrugë tjetër nuk ka.
Ndjenja reciproke e përçmimit ka qenë dhe vazhdon të jetë rrënuese për raportet Tiranë-Prishtinë et vice versa. E ne nuk kemi as kohë e as nevojë t’i shesim mend njëri-tjetrit.

Definitivisht, marrëdheniet Kosovë Shqipëri nuk guxojnë të ndërtohen mbi emocione e mbi përralla por mbi interesa jetike dhe realitete të prekshme. Sepse, fundi i fundit, edhe fati por edhe fatkeqësitë tona janë të përbashkëta, janë një. As nuk mund ta lagë shiu e as nuk mund ta rrahë era Shqipërinë pa e lagur dhe pa e rrahur edhe Kosovën. Dhe e kundërta.

Por nuk duhet harruar asnjëherë se, Edi Rama ka kusure të mëdha në marrëdhëniet me Kosovën. Po i përmend vetëm tre shëmbuj :

– Implikimin e tij të drejtpërdrejtë e me zell në përpjekjet e Vuçiqit dhe Thaçit për ndarjen e Kosovës ;

– Aventurën e Minishengenit, që, në thelb, ishte në funksion të makro projektit serb të quajtur “Srpski svet“ (bota serbe) dhe këtë pa marrë fare mundin të bisedojë paraprakisht dhe shterrueshëm me Kosovën. (Për ata që mendojnë me qafë : pjesë e projektit “Srpski svet“ është kjo që po ndodhë aktualisht në Mal të Zi.)

– Edi Rama gjatë dy mandateve, ani se mbante mbledhje boshe qeverishe me folklor e flamurka, megjithatë nuk ka dashur ta rregullojë madje as tregtinë e patateve me Kosovën.

Por pavarësisht të gjithave, paria e Kosovës duhet të bashkëpunojë dhe të bashkëveprojë ngushtë e në të gjitha fushat me çdo qeveri shqiptare që ka minimumin e vullnetit të mirë. Barazisht e pa folklor. Si vëllezër por që çdonjëri jeton në shtëpinë e vet.

4.

Urimi i Hashim Thaçit drejtuar Edi Ramës, në një mënyrë, e pasqyron nivelin e deritashëm të marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri. Në letër nuk ka logjikë të një burrështeti, por logjikë të një vazali. Urimi, ky ditiramb qesharak, më shumë se për Kosovën flet për Hashim Thaçin ; si njeri i palexuar e i pagëdhendur, të cilit, si duket, qelia e burgut ka nisur t’ia hapë sytë.

Por tash është vonë për mea culpa, sepse askush si ai nuk kishte rastin historik ta bënte Kosovën një shtet të mirëfilltë dhe të ndërtonte me Shqipërinë marrëdhënie të qëndrueshme dhe një bashkëpunim të shumëfishtë e të shumëvlefshëm për të dy shtetet dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Mirëpo, tani treni ka shkuar dhe nuk kthehet më.

Sikundër që nuk do të kthehet kurrë më as koha e shegertëve të Fatos Klosit, këtyre këlbaçve që tradhtuan e shkelën, për një pushtet të përmjerrtë e pasurim të fëlliqtë, mbi idealet e shënjta e sakrificat e panumërta të Kosovës.

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*