Kur Kurti takoi Navalnyn

Shkruan:
Demush Shasha

Përjashtimi i Albin Kurtit nga jeta demokratike nuk është akt i izoluar. Zhvillimet e fundit janë duke ndodhur në sfondin e akrobacioneve të vazhdueshme politike, të cilat kanë pasur një synim, dhe një synim, të vetëm – ta mbajnë Kurtin sa më larg pushtetit dhe Kosovën në status quo. Makinacionet e fundit politike dhe ligjore janë vetëm mutacion i radhës i kapjes së shtetit. Në Kosovë nuk ka Putina dhe Lukashenka, por ka Agima dhe Lushtaka

Alexei Navalny dhe Albin Kurti kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të dy janë aktivistë të rinj demokratë të kthyer në politikanë. Të dy kanë dëshmuar guxim dhe aftësi në organizimin e demonstratave masive. Të dy perceptohen si politikanë, të cilët i kuptojnë dhe i përfaqësojnë ndjenjat dhe sentimentin e qytetarëve të rëndomtë. Navalny është simbol nacional në luftë kundër “partisë së hajdutëve dhe mafiozëve”, njëjtë sikur Kurti që është simbol i luftës kundër “shtetit të kapur”. Të dy janë arrestuar dhe burgosur për aktivizmin e tyre politik.

Dhe nga kjo javë ata do të ndajnë edhe një gjë të përbashkët – të dy janë privuar nga e drejta për t’u zgjedhur në mënyrë demokratike.

Si ndodhi kjo në një vend ultra-properëndimor sikur Kosova? Sikur në çdo shtet të kapur – asgjë nuk ndodhi brenda natës. Është dashur vullnet konsistent politik për (1) të degjeneruar institucionet e shtetit dhe proceset demokratike të vendit; për (2) të siguruar nënshtrimin e institucioneve të sundimit të ligjit; dhe për (3) të dobësuar pavarësinë e mediave dhe të shoqërisë civile.

Këto janë të gjitha dukuri të njohura për qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë, Serbisë apo Hungarisë. Putini, Lukashenko apo Vuçiqi nuk kanë ngritur një shoqëri autoritare brenda natës. Çdo gjë ka filluar me hapat inkrimentalë “ligjorë” dhe “proceduralë”, të cilët, një nga një, kanë rrënuar themelet e jetës civile dhe demokratike.

Në fakt, sikur në rastin e Kurtit, në zgjedhjet presidenciale të Rusisë më 2018, Putini nuk ka bërë asgjë dramatike për ta përjashtuar Navalnyn nga gara zgjedhore. E tëra çfarë ai ka kërkuar është që të respektohen “ligji” dhe “procedura”. Kjo ka qenë e mjaftueshme për të vënë në lëvizje institucionet e shtetit të armatosura me “ligje” dhe “procedurat” e nevojshme, të cilat kulmuan në vendimin e institucionit të KQZ-së për të përjashtuar nga zgjedhja Navalnyn mbi baza tejet të dyshimta. Apeli në Gjykatën Supreme pati epilogun e njëjtë.

Dhe gjatë tërë kësaj kohe miku i Putinit, Lukashenko, ka marrë shënime. Dy vjet më vonë, në zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë ai përdori taktikat e njëjta. KQZ-ja e Bjellorusisë përjashtoi nga gara zgjedhore dy kandidatë opozitarë (Tsepkalo dhe Babaryka) duke u bazuar në respektimin e “ligjeve” dhe të procedurave”. Të dy provuan fatin e tyre në Gjykatën Supreme, por sikur Navalny – pa rezultat. Kur opozita organizoi protestë paqësore në shenjë revolte, ata u arrestuan pasi që kishin bërë shkelje “ligjore” dhe “procedurale”.

Ngjashëm, vitin e kaluar në Serbi, presidenti Vuçiq refuzoi kërkesën e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve, sepse insistonte në respektimin e “kushtetutës” dhe “ligjeve”. Për pasojë, tani në Serbi Vuçiqi sundon praktikisht mbi çdo institucion të shtetit dhe ka nën kontroll Parlamentin nacional – pa pjesëmarrjen e asnjë partie opozitare.

Besoj që është e qartë se nga e gjithë kjo po shfaqet një trend koherent – kur liderët autokratikë vijnë në pushtet, ata do të përdorin pushtetin për të shtrembëruar themelet e jetës civile dhe demokratike përmes ndryshimeve inkrimentale kushtetuese, ligjore dhe procedurale. Kështu, ata do të ndryshojnë rregullat e lojës në favorin e tyre. Në fakt, ky fenomen është bërë aq i përhapur saqë akademikët kanë dalë me një term të ri për këtë dukuri: “legalizimi autokratik”.

Dhe pikërisht kjo po ndodh para syve tanë në Kosovë. Përmes një numri të makinacioneve kafkaeske, institucionale dhe interpretimeve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka përmbysur jetën demokratike në Kosovë duke vendosur se një ligj administrativ për organizimin e zgjedhjeve është mbi Kushtetutën e vendit. Ky “mëkat fillestar” ka nxjerrë nga errësira lojërat meskine politike dhe i ka transformuar ato në realitete juridike. Pas kësaj të gjitha institucionet e shtetit janë vënë në lëvizje për të garantuar respektimin e “ligjit” dhe të “procedurës”, rrjedhimisht duke siguruar kështu përjashtimin e Kurtit nga jeta demokratike.

Është e rrezikshme ta quajmë këtë konkludim “ekzagjerim” të situatës apo “akt të izoluar”. Ky nuk është akt i izoluar. Zhvillimet e fundit janë duke ndodhur në sfondin e akrobacioneve të vazhdueshme politike, me një synim, dhe një synim, të vetëm – të mbajnë Kurtin sa më larg pushtetit dhe Kosovën në status quo. Në Kosovë nuk ka Putina dhe Lukashenka, por ka Agima dhe Lushtaka.

Për më shumë se një dekadë Kosova është qeverisur nga dy partitë politike: PDK dhe LDK. Me gjithë faktin se marrëdhënia e tyre nuk ishte ideale në fillim, shumë shpejt ata kanë zhvilluar një mirëkuptim dhe modus operandi, i cili iu ka lejuar të sigurojnë pushtetin absolut në Kosovë. Nga privatizimi i çdo gjëje me vlerë në Kosovë e deri tek emërimi i konsujve në botë dhe federatave të sportit në Kosovë. Zgjedhjet, nga ana tjetër, janë parë vetëm si procedurë burokratike rotacioni për të përmbushur kërkesat e nevojshme ligjore, sesa ushtrim sublim i demokracisë për të përmbysur një model të mbrapshtë qeverisës me një model radikalisht më progresiv. Një marrëdhënie e tillë në mes PDK-së dhe LDK-së ua siguroi atyre një mjedis ku burimet financiare të shtetit ndahen me konsensus; emërimet në të gjitha institucionet e shtetit ndahen proporcionalisht dhe vendimet mbi asetet kyç shtetërore bëhen me konsensus. Thënë ndryshe – PDK dhe LDK kanë pasur më shumë gjëra që i bashkojnë sesa që i ndajnë. Ky proces i kapjes së shtetit është bërë dalëngadalë, me zell dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Dhe, më e rëndësishmja nga të gjitha – është bërë duke respektuar “ligjin” dhe “procedurën”.

Të gjitha këto zhvillime marrë së bashku kanë obliguar institucionin më demokratik të BE-së – Parlamentin Evropian – që të konkludojë se në Kosovë ekzistojnë “elementet e shtetit të kapur”. Nga ana tjetër, Ambasada Amerikane vlerësoi se proceset brenda institucioneve të sundimit të ligjit janë “rrënjësisht të prishura”. Së fundi, dy gjigantët e mbrojtjes së demokracisë në botë, “Freedom House” dhe “Transparency International”, konkluduan se Kosova duket shumë më tepër si Rusia dhe Bjellorusia e shumë më pak si Sllovenia dhe Estonia.

Ashtu siç po shkojnë gjërat tani, qytetarët e Kosovës shumë shpejt do ta gjejnë veten në njërën nga novelat e nobelistit José Saramago “Seeing”, ku realitetet e njerëzve anembanë botës janë shndërruar në vepër të jashtëzakonshme letërsie. Në “Seeing” Saramago përshkruan mbajtjen e zgjedhjeve, ku 83% e qytetarëve votojnë me fletëvotim të zbrazët. Pasi që nuk kishin kë ta votonin, vota e tyre ishte ulërimë për çlirim nga klasa e kalbur politike. Qytetarët e Kosovës kanë shumë gjëra të përbashkëta me personazhet e novelës së Saramagos, prandaj 58% e të rinjve kosovarë kanë deklaruar se do të ikin nga vendi, sipas Pulsit Publik të UNDP-së.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vendit Albin Kurti, deshëm apo nuk deshëm, përfaqëson të vetmen opozitë politike. Kjo pasi që të gjitha partitë e tjera politike tanimë kanë dëshmuar, me fjalë dhe me vepra, se janë të bashkuar në parandalimin e ardhjes së Kurtit në pushtet. Dhe kjo është e kuptueshme. Para 10 vjetësh ata kanë pasur luksin të injoronin apo të qeshnin mbi protestat dhe fjalimet e Kurtit, por sot kërcënimi që Kurti përfaqëson për ata të cilët kanë qeverisur me omnipotencë vendin është shumë real. Të gjithë pamë se çfarë ndodhi në Podujevë. Të gjitha sondazhet nacionale deri më sot kanë ardhur në të njëjtin përfundim sa u përket zgjedhjeve të 14 shkurtit. Në këtë drejtim mbajtja e zgjedhjeve nacionale pa pjesëmarrjen e liderit të opozitës së vetme të vendit do të ishte zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për demokracinë tonë.

Në gjithë këtë mes është e pamundur të parashohim se çfarë do të ndodhë në Kosovë gjatë ditëve në vijim. KQZ-ja dhe Gjykata Supreme, sikur në rastin e Navalnyt dhe të opozitës bjelloruse, kanë përjashtuar nga zgjedhjet demokratike Kurtin. Nga ana tjetër, Kurti thotë se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Çfarë do të ndodhë, do ta kuptojmë gjatë ditëve në vijim. Sidoqoftë, përtej zgjedhjeve të 14 shkurtit, zhvillimet e fundit në Kosovë duhet të na alarmojnë të gjithë neve, të cilët besojmë se siguria individuale juridike dhe politike përbëjnë themel të jetës sonë civile dhe demokratike. Këto janë të shenjta dhe kërcënimi i tyre është hapi i ardhshëm drejt konsolidimit të shtetit të kapur.

Sot Putini mund ta arrestojë shumë lehtë Navalnyn dhe 4 000 protestues, apo Lukashenko të refuzojë zgjedhje të lira. E kanë të lehtë, sepse ata tani janë vetëm duke zbatuar “ligjin” dhe “procedurën”. Ky është tani realiteti i ri në Moskë dhe Minsk. Sikur që kemi parë edhe gjatë presidencës Trump se demokracia nuk kolapson përnjëherë dhe përmes një akti të vetëm, por përmes një numri të madh të akteve të vogla dhe të izoluara të shtrembërimit të “ligjit” dhe “procedurave”, të cilat krijojnë realitete të reja. Këto akte të izoluara, në tërësinë e tyre, i japin jetë një shoqërie ku qytetarëve dhe opozitës iu hiqet nga dora, një nga një, çfarëdo mjeti politik dhe juridik për të kundërshtuar atë çfarë sistemi ka krijuar – një përbindësh demokratik. Një demokraci ku në letër mund të kesh të drejta të plota demokratike, por të cilat janë tërësisht fiktive, pasi që nuk ka asnjë mënyrë praktike për të realizuar ato. Me fjalë të tjera, shteti është çdoherë në anën e ligjit. Qytetari është çdoherë në anën e kundërt. Një makth i dalë nga Pallati i Ëndrrave

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK)

Burim : http://www.koha.net/veshtrime/256742/kur-kurti-takoi-navalnyn/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code