Rasti KO130/15 · Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës · 2015
Vlerësim i pajtueshmërisë së dokumentit “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë — Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore” me Kushtetutën, sipas kërkesës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
I. Vërejtje të përgjithshme
Në rastin KO130/15, me shumicë votash, Gjykata vendosi:
A) TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
B) TË KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës;
C) TË KONSTATOJË që Parimet, siç janë elaboruar në “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë — Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [Barazia para Ligjit], paragrafi 1, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
D) TË KONSTATOJË që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [Barazia para Ligjit], paragrafi 1, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], me nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, si dhe me nenet 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siç është arsyetuar në Aktgjykim;
[…]
Përderisa e ndaj pikëpamjen e shumicës për pranueshmërinë e kërkesës, me keqardhje dhe me gjithë respektin e duhur për shumicën e gjyqtarëve, mendimi im ndryshon rrënjësisht në arsyetim dhe në disa nga konkluzionet kyçe të arritura nga Gjykata, që kanë të bëjnë me meritat e çështjes. Rrjedhimisht, nuk pajtohem me vendimin e arritur nga shumica e gjyqtarëve në rastin KO130/15.
Mospajtimi im bazohet në dy arsye thelbësore. Së pari, unë jam i mendimit se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) nuk jep përgjigje të kuptueshme dhe të kënaqshme në pyetjen e parashtruar nga Presidentja nëpërmjet kërkesës KO130/15. Së dyti, shumica e gjyqtarëve kanë bërë disa interpretime dhe përfundime të gabuara, të cilat nuk ndihmojnë në parandalimin e konfuzionit të mëtejshëm kushtetues, përkitazi me çështjet e paqarta kushtetuese të ngritura në rastin KO130/15. Në këtë mënyrë, ky vendim nuk jep udhëzime të domosdoshme autoritative për sqarimin e polemikave kushtetuese në lidhje me këtë rast.
II. Historiku
Kjo kërkesë është parashtruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Presidentja), në pajtim me nenin 83 dhe me nenin 84, paragrafi 9, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Lënda e kësaj kërkese është interpretimi i pajtueshmërisë së Parimeve të Përgjithshme/Elementeve Kryesore të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (në tekstin e mëtejmë: Parimet e Asociacionit) me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (1) dhe me Kapitujt II dhe III të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në kërkesën e parashtruar nga Presidentja kërkohet në mënyrë specifike nga Gjykata që të adresojë çështjen e mëposhtme:
“Duke marrë parasysh se Parimet e Asociacionit rregullojnë krijimin dhe funksionimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, a janë në përputhshmëri këto parime dhe elemente (sipas dokumentit origjinal të përmendur në Lëndën e këtij referimi) me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 (natyra shumetnike), me Kapitullin II (të drejtat dhe liritë themelore) dhe me Kapitullin III (të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës?”
III. Natyra juridike e dokumentit “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë — Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore”
Gjykata shmang përkufizimin e natyrës juridike të dokumentit me titull: “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë — Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore”. Ky ngurrim formëson arsyetimin e shumicës përgjatë tërë vendimit, duke rezultuar kështu në një interpretim konfuz dhe të paqartë të natyrës së obligimeve që dalin nga ky “dokument”.
Në kërkesë, parashtruesi përdor terminologji të përgjithshme për të përshkruar natyrën juridike të dokumentit me titull “Parimet e Asociacionit”. Kjo tregohet nga paragrafët e mëposhtëm, të cituar nga kërkesa:
“Parimet e Asociacionit, në formën e një akti juridik të miratuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës… […]
Parimet e Asociacionit janë një dokument i nënshkruar nga Kryeministri dhe paraqesin zotimin e Qeverisë për të krijuar një entitet juridik që prodhon efekte juridike në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës… […]
… Parimet e Asociacionit, dokument i cili nuk është marrëveshje ndërkombëtare por legjislacion zbatues i një marrëveshjeje ndërkombëtare… […]
Parimet e Asociacionit, si akt i ndërmjetëm juridik, i cili rrjedh nga Marrëveshja për normalizim, shton elemente të tjera në procesin e krijimit dhe në vetë entitetin juridik (Asociacionin) dhe paraprin aktin themelues (dekretin e Qeverisë së Kosovës për themelim, sipas nenit 2 të Parimeve të Asociacionit), pra duke shërbyer si kushtëzim i aktit themelues”.
Përshkrimet e mësipërme shpërfaqin tri elemente për të përshkruar natyrën atipike juridike të dokumentit me titull “Parimet e Asociacionit”. Së pari, dokumenti “Parimet e Asociacionit” është një akt juridik; së dyti, “Parimet e Asociacionit” është dokument që rrjedh nga “Marrëveshja e Parë” dhe ka për qëllim zbatimin e detyrimeve që përmbahen aty; dhe, së treti, “Parimet e Asociacionit” i shton element të ri obligimeve fillestare të parapara me “Marrëveshjen e Parë”.
As terminologjia e përgjithshme juridike dhe as sistemi juridik i Republikës së Kosovës nuk parashohin ndonjë hapësirë konceptuale për të përkufizuar kuptimin e termit “akt i ndërmjetëm juridik”. Por, situata qëndron ndryshe kur bëhet fjalë për përkufizimin e “aktit juridik”, sepse një gjë e tillë është një përpjekje shumë e zakonshme doktrinare në teorinë dhe në praktikën juridike. Një nga burimet më të shpeshta të përmendura doktrinare për përkufizimin e “aktit juridik” është libri i Hans Kelsenit “Teoria e pastër e së drejtës”. Kelseni e përcakton aktin juridik si “një akt me anë të të cilit nxirret një normë juridike (në kuptimin figurativ ‘krijohet’) ose zbatohet”. Më tej, Kelseni sqaron se “një akt është një akt-krijimi apo një akt-zbatimi i ligjit vetëm nëse korrespondon me normat që rregullojnë krijimin dhe zbatimin e ligjit në kuadër të sistemit juridik, që është, vetëm nëse akti në fjalë bazohet në sistemin juridik”.
Në këtë fazë, dokumenti Parimet e Asociacionit nuk i plotëson kriteret për t’u cilësuar si një marrëveshje ndërkombëtare — pavarësisht ngjashmërive (p.sh., teksti i dokumentit është dakorduar në një proces politik ndërkombëtar dhe është bërë autentik nëpërmjet inicialeve të kryeministrave të dy vendeve, përkatësisht të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë). Në kuptimin formal, detyrimet juridike që rrjedhin nga Parimet e Asociacionit, të cilat janë marrë përsipër nga Republika e Kosovës, prodhojnë efekte kushtetuese. Prandaj, ky “dokument” përfaqëson një akt juridik, në kuadër të sistemit të brendshëm juridik të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në faktin se ai krijon norma të reja formale në sistemin e brendshëm juridik.
Sipas mendimit tim, ndërlikueshmëria e sfondit politik dhe juridik mbi të cilat u krijuan Parimet e Asociacionit, si një akt juridik, dhe iu referuan Gjykatës për vlerësimin e saj, nuk duhet ta pengojë Gjykatën nga adresimi gjithëpërfshirës i çështjes juridike që i është adresuar asaj nga Kreu i Shtetit, përkatësisht nga Presidentja e Republikës së Kosovës (në këtë drejtim, sjell në vëmendje se Qeveria e Kosovës po ashtu ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të ndërmarrë asnjë hap drejt zbatimit të Parimeve të Asociacionit para vlerësimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata dhe se do të respektojë çdo vendim të Gjykatës).
Gjykata nuk duhet as të pengohet për të adresuar në një gjuhë juridike të qartë dhe të kuptueshme çështjen kushtetuese të (mos)pajtueshmërisë së Parimeve të Asociacionit, duke iu referuar argumentit se Kosova ka detyrimin për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, që rrjedh nga Marrëveshja e Parë, e cila është ratifikuar dhe është shpallur në mënyrë të rregullt. Është e rëndësishme të theksohet se, edhe në vendimin e arritur nga shumica (paragrafi 104), me të drejtë theksohet se “… çështjet e ngritura në kërkesën e tanishme janë të një rëndësie të madhe dhe relevante për rendin kushtetues të Kosovës. Për më tepër, nuk ka ndonjë institucion tjetër në Republikën e Kosovës ku parashtruesja e kërkesës do të mund t’i adresonte ato”.
IV. Dështimi për t’iu përgjigjur thelbit të çështjes kushtetuese të dorëzuar në Gjykatë
Konsideroj se vendimi i arritur nga shumica nuk i përgjigjet thelbit të çështjes lidhur me atë nëse janë Parimet e Asociacionit në pajtim me frymën e Kushtetutës dhe me nenin 3 [Barazia para Ligjit], paragrafi 1, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës. Vendimi identifikon me të drejtë disa paragrafë nga Parimet e Asociacionit, që janë në kundërshtim me Kushtetutën, por nuk arrin t’i kualifikojë ata si të tillë, në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje. Për më tepër, vendimi nuk jep udhëzime të qarta kushtetuese për të shmangur kundërthënien ndërmjet këtyre dispozitave të Parimeve të Asociacionit me Kushtetutën.
Dispozitat antikushtetuese të Parimeve të Asociacionit të identifikuara me vendim, por që nuk janë adresuar në mënyrë të duhur
Vendimi i marrë nga shumica e Gjykatës tregon, me një gjuhë relative, se disa dispozita të Parimeve të Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kështu, në paragrafët 153 dhe 154 të vendimit, theksohet:
“153. Gjykata vëren se parimet lidhur me strukturën organizative të Asociacionit/Bashkësisë ngrenë shqetësime lidhur me respektin për diversitetin e komuniteteve që banojnë në komunat pjesëmarrëse dhe reflektimin e këtij diversiteti në punësimin e stafit dhe në strukturat e Asociacionit/Bashkësisë, siç kërkohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
- Gjykata rikujton se Marrëveshja e Parë, pika 3, përcakton strukturën e Asociacionit që do të themelohet mbi bazat e njëjta sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, p.sh. Kryetari, Nënkryetari, Kuvendi, Këshilli”.
Gjykata përdor termin fleksibil “ngre shqetësime”, në lidhje me diversitetin e komuniteteve në komuna, në vend që të përcaktojë qartë se ky fakt është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe, në veçanti, me nenin 3.1 (siç do të shtjellohet më poshtë). Në ndërlidhje me këtë, në paragrafin 155, shumica e Gjykatës bën një tjetër sugjerim problematik, kur konkludon:
“…155. Gjykata gjen se kur këto parime për strukturën organizative të Asociacionit/Bashkësisë të elaborohen në akt juridik dhe në Statut, ato duhet të sigurojnë respektimin e diversitetit të komuniteteve që banojnë në komunat pjesëmarrëse, në pajtueshmëri me nenet 3, 7, 57.1, 61 dhe 62 të Kushtetutës”.
Kjo linjë arsyetimi përsëritet në paragrafët e tjerë të vendimit të arritur nga shumica, ku janë “vërejtur” kundërthënie në mes të paragrafëve të caktuar të Parimeve të Asociacionit me Kushtetutën: paragrafët 137/138 (objektivat e Asociacionit); paragrafët 166/167 (e drejta e Asociacionit për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritetet qendrore); paragrafët 166/167 (nisma legjislative); paragrafët 180/181 (transfertat financiare nga Qeveria qendrore te komunat dhe e drejta për të vendosur për shpenzimet e tyre).
Akti juridik, i cili — për të përdorur gjuhën e vendimit — “do të elaborojë” dispozitat e Asociacionit, është kryesisht dekreti, i cili është vetëm një akt zbatues që buron nga Parimet e Asociacionit (Gjykata në vendim përmend edhe Statutin). Siç nënvizon në mënyrë të thuktë kërkesa e parashtruar nga Presidentja, Parimet e Asociacionit kanë efekt kushtëzues në aktin themelues, përkatësisht në dekret. Gjithashtu, duhet të theksohet se Statuti i Asociacionit do të integrohet në sistemin juridik të Kosovës vetëm nëpërmjet dekretit të Qeverisë/Kryeministrit. Pra, vetëm dekreti do të jetë i pranueshëm për shqyrtim të drejtpërdrejtë nga ana e Gjykatës — në pajtim me paragrafin 2 të Parimeve të Asociacionit.
Si i tillë, dekreti nuk mund t’i ndryshojë Parimet e Asociacionit në mënyrë themelore, siç sugjeron vendimi i arritur nga shumica, por, e kundërta, Parimet e Asociacionit përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm ligjorë, brenda të cilëve duhet të miratohet dekreti. Kjo nënkupton se dekreti nuk mund të jetë në kundërshtim me Parimet e Asociacionit. Rrjedhimisht, dekreti nuk mund të luajë funksion korrigjues në drejtim të eliminimit të dispozitave të Parimeve të Asociacionit, të cilat nuk janë në pajtim me Kushtetutën.
Vendimi i arritur nga shumica nuk shtjellon lidhjen shkakësore juridike ndërmjet Parimeve të Asociacionit me dekretin dhe me aktet e tjera përkatëse juridike, të cilat do t’i shërbejnë qëllimit të krijimit të Asociacionit/Bashkësisë. Vlen të theksohet se, në paragrafin 114 të vendimit, parashihet që “Kërkesa ka të bëjë me Parimet sipas të cilave Asociacioni/Bashkësia do të themelohet siç është paraparë me pikën 1 të Marrëveshjes së Parë”. Kjo tregon qartë se Parimet e Asociacionit sqarojnë kufijtë ligjorë për themelimin dhe për funksionimin e Asociacionit/Bashkësisë. Si të tilla, ato nuk mund të ndryshohen me dekret ose me statut, siç sugjeron gabimisht vendimi i Gjykatës.
Sipas vështrimit tim, si rezultat i kësaj linje të arsyetimit të ndjekur nga shumica, do të kemi një situatë kur në çdo fazë të rëndësishme të themelimit dhe të funksionimit të Asociacionit/Bashkësisë do të krijohet nevoja për të interpretuar dhe për të riinterpretuar mungesën e harmonisë ndërmjet parimeve kushtetuese dhe dispozitave të Parimeve të Asociacionit dhe legjislacionit përkatës.
Interpretime të gabuara të disa dispozitave kyçe të Parimeve të Asociacionit
Unë nuk pajtohem me disa nga përfundimet e arritura nga shumica dhe të reflektuara në vendim, në lidhje me disa nga elementet kyçe të Parimeve të Asociacionit. Kështu, në shtjellimin e bazave juridike për themelimin e Asociacionit, vendimi e mjegullon linjën mes tri kapitujve/domeneve të ndryshëm të Kushtetutës: nenit 12 [Pushteti Lokal]; Kapitullit II [Të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullit X [Qeverisja Lokale dhe Organizimi Territorial]. Kjo çon në konkluzion të gabuar, të paktën në mënyrë të tërthortë, se baza ligjore për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë mund të nxirret nga këta tre kapituj. Kështu, në shtjellimin e “kornizës ligjore” të Parimeve të Asociacionit, në vendim shkruhet:
“Gjykata më tej rikujton se Asociacioni/Bashkësia parashikohet me Marrëveshjen e Parë, inter alia, pika 3, që përcakton se ‘struktura e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohet mbi të njëjtën bazë sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, p.sh. Kryetari, Nënkryetari, Kuvendi, Këshilli’. […] Kjo nënkupton që duhet të merren parasysh neni 12, neni 21.4 dhe neni 44, si dhe neni 124.4 i Kushtetutës”.
Më tej, vendimi i marrë nga shumica përfundon në një gjuhë të pakuptueshme:
“Gjykata konsideron se në Parimet e përcaktuara në kapitullin mbi Kornizën ligjore nuk plotësojnë tërësisht standardet kushtetuese. Duke marrë parasysh se natyra e Asociacionit/Bashkësisë do të përcaktohet në këtë pjesë, akti juridik dhe Statuti duhen të jenë në pajtueshmëri me nenet 12, 21.4, 44 të Kushtetutës, si dhe me nenin 124.4 të Kushtetutës (136)”.
Neni 12 [Pushteti Lokal] ka dy paragrafë dhe ai përcakton se “komunat janë njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës dhe organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj”. Ky nen nuk ofron asnjë hapësirë ligjore për ndonjë lloj të asociacionit të komunave që të ketë statusin e një njësie të veçantë të vetëqeverisjes.
Neni 21 i Kushtetutës [Parimet e Përgjithshme] është pjesë thelbësore e Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore]. Paragrafi 4 i këtij neni përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore, të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme”.
Neni 44 garanton të drejtën e lirisë së asociimit, si një nga të drejtat themelore dhe liritë e njeriut, të cilat, duke u mbështetur në nenin 21, do të zbatohen edhe për personat juridikë, për aq sa të jetë e mundur. Liria e asociimit është një element përbërës thelbësor i korpusit të të drejtave dhe lirive të njeriut që i përket individëve, qoftë individualisht ose për shkak të përkatësisë së tyre ndaj një kolektiviteti/grupi. Megjithatë, në kundërshtim me arsyetimin e vendimit të marrë nga shumica, dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut nuk zbatohen për institucionet publike, të cilat kryejnë funksione publike — ku komunat janë një prej tyre.
Si një argument shtesë, neni 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], paragrafi 14, i Kushtetutës, i referuar në vendim, parasheh të drejtën e pjesëtarëve të komuniteteve, si individë apo në komunitet: “… të themelojnë shoqata të kulturës, të artit, të shkencës dhe të arsimit, si dhe shoqata të tjera për shprehjen, për avancimin dhe për zhvillimin e identitetit të tyre”. Përsëri, kjo e drejtë i takon kategorisë së të drejtave të njeriut që u janë njohur pjesëtarëve të komuniteteve etnike, si individë ose kolektivisht, jo komunave, asociacioneve të formuara nga ana e tyre, apo organeve të tjera publike të Qeverisë.
Arsyetimi i shumicës së Gjykatës nuk arrin të bëjë dallim të qartë ndërmjet lirisë së asociimit, si një e drejtë themelore e njeriut (neni 44), dhe nenit 124.4 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës, i cili parasheh bashkëpunim ndërkomunal dhe bashkëpunim ndërkufitar në përputhje me ligjin.
Ekzistojnë tri fakte vendimtare ligjore, të papërfillura me vendimin e marrë nga shumica, që qartësojnë çështjen e bazës juridike të komunave për të formuar Asociacion/Bashkësi.
Së pari, komunat nuk mund të mbështeten në nenet 21 dhe 44 të Kushtetutës, si bazë juridike për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë, sepse çështja e të drejtave të njeriut në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës nuk mund t’u nënshtrohet regjimeve juridike ad-hoc të bazuara në territor. Komunat përfaqësojnë njësinë bazë të qeverisjes lokale, të cilat kanë identitet territorial. Neni 4, paragrafi 1, i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë i definon komunat si në vijim:
“… njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, e përbërë nga një komunitet i qytetarëve në një territor të caktuar, të përcaktuar me ligj, e cila ushtron tërë pushtetin i cili nuk është i rezervuar shprehimisht për institucionet qendrore”.
Neni 21 [Parimet e Përgjithshme], paragrafi 1, i Kushtetutës shpall se “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”. Si parim i përgjithshëm, “pandashmëria”, si një tipar themelor i çdo regjimi modern juridik për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pengon çdo lloj “ndashmërie”, duke përfshirë edhe atë të bazuar në territor.
E dyta, neni 123, paragrafi 3, i Kushtetutës përcakton: “Veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në këtë Kushtetutë dhe në ligjet e Republikës së Kosovës dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”. Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale (neni 10, paragrafi 1) përcakton se në ushtrimin e pushtetit të tyre:
“Bashkësitë vendore kanë të drejtë gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre të bashkëpunojnë dhe, brenda ligjit, të bashkohen me bashkësi të tjera vendore për të realizuar detyrat me interes të përbashkët”.
Sipas kësaj dispozite të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, asociacioni i komunave është i lidhur me ushtrimin e funksioneve të tyre (publike). Si pasojë, baza e bashkëpunimit dhe e asociimit mund të jetë interes i përbashkët i komunave — jo interes i grupeve të veçanta brenda komunave, qofshin ato etnike, fetare, ideologjike apo të tjera (siç është rasti me Asociacionin/Bashkësinë).
E treta, neni 31 [Të drejtat e komunave për të formuar asociacione] i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale parasheh:
“Për mbrojtjen dhe për promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin”.
Në një interpretim logjik të kësaj dispozite të këtij ligji, i cili ka karakter të Lex Specialis për këtë fushë ligjore, asociacioni i komunave duhet të formohet nga vetë komunat dhe jo nga autoritetet qendrore. Ky nuk është rasti i Asociacionit/Bashkësisë, që, në pajtim me Parimet e Asociacionit, do të krijohet me dekret të Qeverisë/Kryeministrit (sipas kësaj logjike, asgjë nuk do të pengojë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të përdorë këtë precedent në të ardhmen për të krijuar, me dekrete, asociacione të tjera në baza etnike të komunave, të veshura me funksione publike).
Duke marrë parasysh ato që janë thënë më sipër, arsyetimi i shumicës së anëtarëve të Gjykatës lidhur me çështjen e kornizës ligjore për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, sikurse parashihet me Parimet e Asociacionit, mbështetet në leximin e gabuar të neneve 12, 21, 44 dhe 124 të Kushtetutës. Unë jam i mendimit që as neni 12 (i cili i përcakton komunat si njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes vendore), as nenet 21 dhe 44 (të cilët kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut) dhe as neni 124 (që ka të bëjë me vetëqeverisjen lokale), nuk ofrojnë bazë ligjore për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë brenda formatit ligjor të parashikuar me Parimet e Asociacionit.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton se komunat nuk kanë të drejtë të formojnë asociacione. Kushtetuta dhe ligjet përkatëse të Republikës së Kosovës parashikojnë gëzimin e kësaj të drejte nga komunat dhe se kjo e drejtë u përket edhe komunave të cilat mendohet t’i bashkohen Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. Por, kjo duhet të bëhet brenda kufizimeve kushtetuese dhe ligjore që janë në fuqi në momentin e krijimit të tyre.
Shumica e anëtarëve ka bërë një interpretim tjetër të gabueshëm të së drejtës së Asociacionit/Bashkësisë për të iniciuar procedura përpara Gjykatës Kushtetuese (paragrafi 11 i Parimeve të Asociacionit). Në vendimin që është marrë nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Gjykatës shkruhet:
“Gjykata gjen se Asociacioni/Bashkësia mund të iniciojë procedura në Gjykatën Kushtetuese vetëm kur Asociacioni/Bashkësia, si entitet me subjektivitet juridik, mund të pretendojë të jetë viktimë e shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës”.
Ky përfundim, në të cilin ka arritur shumica e anëtarëve, bazohet në bashkëshoqërimin ligjor të gabueshëm ndërmjet neneve 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës. Ky interpretim është kundërthënës në vetvete, sepse paragrafi 11 i Parimeve të Asociacionit parasheh:
“Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të iniciojë apo të marrë pjesë në procedurat gjyqësore në gjykatat kompetente, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër çfarëdo akti apo vendimi të cilitdo institucion që ndikon në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë, në përputhje me Statutin e tij”.
Neni 113.7 i Kushtetutës, i cili referohet në vendimin e marrë nga shumica, parasheh:
“Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë…”.
Edhe nëse Asociacioni/Bashkësia do të kualifikohej si person juridik, në kuptim të nenit 21.4, çka mendoj se do të ishte një interpretim i pasaktë, neni 113.7 nuk do t’i jepte Asociacionit/Bashkësisë të drejtën për të referuar në Gjykatën Kushtetuese aktet ose vendimet e institucioneve publike, të cilat do të ndikonin në ushtrimin e kompetencave të Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me statutin e tij. Autoriteti i institucioneve publike nuk mund të lidhet me të drejtat e individëve ose të bashkësive, në kuptim të qëndrimit të tyre përpara Gjykatës Kushtetuese — sikurse implikon arsyetimi i sipërpërmendur, i ndjekur nga shumica.
Përveç kësaj, e drejta e Asociacionit/Bashkësisë për të iniciuar procedura përpara Gjykatës nuk bie në fushëveprimin e nenit 113.4, i cili i autorizon komunat, por jo asociacionet e komunave, që ta kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjeve apo të akteve të Qeverisë, të cilat i cenojnë përgjegjësitë e tyre apo që i zvogëlojnë të ardhurat e tyre në rastin kur komunat preken nga ligje apo nga akte të tilla.
V. Papajtueshmëria e Parimeve të Asociacionit me frymën e Kushtetutës
(me nenin 3, paragrafi 1 — natyra shumetnike; me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës)
Parimet e Asociacionit shkelin frymën e Kushtetutës, nenin 3 [Barazia para Ligjit], paragrafi 1, Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës.
Fryma e Kushtetutës mbrohet përmes interpretimit të integruar dhe gjithëpërfshirës të dispozitave themelore (të cilat mishërojnë parimet themelore të rendit kushtetues), si dhe leximit sistematik dhe konsistent të dispozitave operative (nëpërmjet të cilave materializohen këto parime themelore kushtetuese). Unë besoj se Parimet e Asociacionit bien në kundërshtim me parimet më themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Tensioni kushtetues ndërmjet paragrafit 8 të Parimeve të Asociacionit dhe parimit të sovranitetit
Paragrafi 8 i Parimeve të Përgjithshme përcakton një vijë horizontale të ndërveprimit institucional ndërmjet Asociacionit/Bashkësisë dhe Qeverisë qendrore. Përveç se kjo është në kundërshtim me nenin 93.6 të Kushtetutës, i cili i jep mandatin Qeverisë së Kosovës që të “… udhëzojë dhe mbikëqyrë punën e organeve të administratës”, ky paragraf shton shumë paqartësi në kuptim të vijës vertikale të shpërndarjes dhe të ushtrimit të autoritetit publik në Republikën e Kosovës. Rrjedhimisht, Parimet e Asociacionit e mjegullojnë vijën e rendit hierarkik ndërmjet autoriteteve qendrore të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit/Bashkësisë.
Ekzistenca e një vije institucionale vertikale, në pajtim me të cilën zbatohet autoriteti publik përbrenda një vendi, formon boshtin e parimit të sovranitetit. Sovraniteti përfaqëson njërin nga parimet më thelbësore të garantuara me Kushtetutë. Në përkufizimin më të zakonshëm dhe të thjeshtëzuar, sovraniteti nënkupton që shteti është autoriteti më i lartë politik brenda kufijve të tij dhe ai është i pavarur e i barabartë, në kuptimin formal, me shtetet e tjera në sferën ndërkombëtare. Dimensioni i brendshëm i sovranitetit materializohet nëpërmjet një strukture institucionale të integruar dhe hierarkike.
Do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se Parimet e Asociacionit cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e sovranitetit. Nuk është kështu. Parimet e Asociacionit parashohin se Asociacioni/Bashkësia duhet të veprojë brenda kornizave të vendosura nga ligji i Kosovës. Megjithatë, në ilustrimin më të thjeshtë, sovraniteti manifestohet nëpërmjet një procesi të dyfishtë të krijimit dhe të zbatimit të normave dhe të politikave. Fakti se paragrafi 8 i Parimeve të Asociacionit përcakton një vijë horizontale të komunikimit dhe të bashkëpunimit me Qeverinë qendrore, ka potencial për prodhimin e konfuzioneve kushtetuese për sa i përket ushtrimit të autoritetit publik. Duhet të shënohet, si faktor subjektiv shtesë, se pozicionet politike të dy aktorëve në procesin e krijimit të Asociacionit/Bashkësisë, përkatësisht Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve të komunave të cilët duhet ta përbëjnë Asociacionin/Bashkësinë, e rrisin tensionin ndërmjet Parimeve të Asociacionit dhe parimit të sovranitetit. Kujtoj se të dyja këto palë e kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe sovranitetit të tij.
Parimet e Asociacionit parashikojnë një njësi të re të vetëqeverisjes — Asociacionin/Bashkësinë
Parimet e Asociacionit parashikojnë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë me shumë elementë dhe tipare të një njësie të veçantë të vetëqeverisjes, inter alia, me kompetenca të llojit ekzekutiv. Parimet e Asociacionit e përkufizojnë Asociacionin si “entitet juridik” me “karakter të veçantë” (paragrafi 2). Ndryshe nga Asociacioni/Bashkësia, Statuti i Asociacionit të Komunave të Kosovës, për shembull, e përkufizon Asociacionin si “organizatë joprofitabile, e cila është person juridik që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj — autoritetet lokale” (neni 2.1 i Statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës).
Në përkufizimin e objektivave të Asociacionit, neni 4 i Parimeve të Asociacionit parasheh: “Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, objektivat kryesore të Asociacionit/Bashkësisë do të jenë ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike…”.
Zbatimi i “funksioneve publike” është një atribut i organeve qeveritare, të cilat, si rregull i përgjithshëm, nuk u përkasin organizatave joqeveritare ose private. Në përputhje me këtë, interpretimi i kujdesshëm i “Objektivave” të Asociacionit të Komunave të Kosovës çon në të njëjtin përfundim, ku objektivat e këtij Asociacioni reduktohen kryesisht në ofrimin e shërbimeve për anëtarët e tij (d.m.th. komunave).
Ka elementë të tjerë të Parimeve të Asociacionit të cilat i japin Asociacionit/Bashkësisë tipare të një njësie të veçantë të vetëqeverisjes, të veshur me funksione ekzekutive, krahas atyre mbikëqyrëse dhe përfaqësuese. Disa prej këtyre elementëve janë si më poshtë:
– Komunat nuk kanë të drejtë/mundësi ligjore të largohen nga Asociacioni (paragrafi 17 i Parimeve të Asociacionit) — ndryshe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku, sipas nenit 5.1.4 të Statutit, “Kuvendi Komunal mund të marrë vendim që të tërhiqet nga anëtarësimi në Asociacion”;
– Stafi i administratës së Asociacionit “përfiton” nga Ligji për Shërbimin Civil (ky ligj aplikohet për punonjësit në sektorin publik);
– Parimet e Asociacionit përcaktojnë se Asociacioni/Bashkësia ka të drejtë t’i ketë në bashkëpronësi kompanitë që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të fushëveprimit të Asociacionit/Bashkësisë, si dhe të ketë buxhetin e tij, i cili do të administrohet në përputhje me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe do t’i nënshtrohet auditimeve nga Auditori i Përgjithshëm.
Të gjithë këta elementë, të parashikuar në Parimet e Asociacionit, i japin Asociacionit/Bashkësisë tiparet e një njësie të veçantë të vetëqeverisjes, të veshur me kompetenca të caktuara ekzekutive. Kjo nuk është në pajtim me nenet 12 dhe 124 të Kushtetutës [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale].
Parimet e Asociacionit janë të papajtueshme me parimin e shumetnicitetit dhe të mosdiskriminimit
Vendimi i shumicës nuk arrin të përcaktojë një kundërthënie të qartë ndërmjet Parimeve të Asociacionit dhe dy parimeve thelbësore të Kushtetutës, përkatësisht parimit të shumetnicitetit dhe të mosdiskriminimit.
Në nenin 3.1 të Kushtetutës parashikohet:
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore”.
Neni 24 [Barazia para Ligjit] parashikon:
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. 3Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato”.
Neni 57 [Parimet e Përgjithshme], paragrafi 1, i Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] parashikon:
“Banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), gëzojnë të drejta të veçanta, të përcaktuara me këtë Kushtetutë, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kapitullin II të kësaj Kushtetute”.
Në nenin 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] shkruhet:
“Republika e Kosovës siguron kushtet e duhura, të cilat u mundësojnë komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre që të ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre. […]
Republika e Kosovës, sipas nevojës, do të miratojë masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”.
Në praktikën dhe në doktrinën e përgjithshme juridike, diskriminimi përcaktohet si praktikë e trajtimit të padrejtë të një personi apo të një grupi të njerëzve në mënyrë të ndryshme nga njerëzit apo nga grupet e tjera të njerëzve. Në harmoni me këtë, neni 1 i Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial e përkufizon kështu “diskriminimin racor”:
“… çdo dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike, që ka për qëllim apo për efekt të shkatërrojë ose të komprometojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushte barazie, të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në fushat politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore ose në çdo fushë tjetër të jetës publike”.
Neni 4 i Konventës parasheh:
“Masat e veçanta që merren me të vetmin qëllim që të sigurojnë përparimin adekuat të një numri të konsiderueshëm të grupeve racore, etnike ose të individëve që kanë nevojë për mbrojtjen e nevojshme për të garantuar gëzimin dhe ushtrimin e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, në kushte barazie, nuk konsiderohen si masa diskriminimi racial, me kusht që këto masa të mos kenë për pasojë ruajtjen e të drejtave të veçanta për grupe racore të ndryshme dhe të mos mbeten në fuqi pasi të jenë arritur objektivat për të cilat janë marrë”.
Parimet e Asociacionit mishërojnë një qasje të bazuar në territor ndaj të drejtave të një komuniteti të caktuar etnik në Republikën e Kosovës, gjegjësisht të serbëve të Kosovës. Si rrjedhojë, dy përbërësit themelorë të Parimeve të Asociacionit, domethënë parimi etnik dhe ai gjeografik, prodhojnë një realitet të ri juridik në Republikën e Kosovës, nëpërmjet të cilit një pjese të caktuar të bashkësisë etnike serbe në Republikën e Kosovës i njihet një status politik dhe juridik i ndryshëm, domethënë më i avancuar. Ky diferencim krijon bashkësi socio-politike “më të favorizuara” dhe “më pak të favorizuara” — të cilat përcaktohen nga elementët objektivë të etnicitetit dhe të gjeografisë. Rrjedhimisht, realiteti i ri juridik që do të krijohet me Parimet e Asociacionit dhe me aktet ligjore që dalin prej tyre janë në kundërshtim me parimet e shumetnicitetit dhe të mosdiskriminimit, të cilat janë elementë integralë të frymës së Kushtetutës, prandaj edhe përfaqësojnë një prej parimeve themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Parimet e Asociacionit krijojnë dy shtresa të diferencimit/dallimit. Shtresa e parë e diferencimit është ndërmjet serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në komunat që janë përfshirë në Asociacion/Bashkësi, dhe serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në komunat e tjera të Republikës së Kosovës, të papërfshirë në Asociacion/Bashkësi. Qartazi, vetëm serbët e Kosovës, të cilët jetojnë në komunat ku serbët janë në shumicë, në kuptimin demografik, “kanë të drejtë” të përfitojnë nga pozita politike e avancuar, të cilën ua njeh Asociacioni/Bashkësia. Kategoria e dytë e serbëve të Kosovës, për shembull, nuk do të ketë ndonjë rol në zgjedhjen e Asamblesë, si organ kryesor i Asociacionit/Bashkësisë, dhe, në mënyrë automatike, as në organet e tjera të Asociacionit (paragrafi 6 i Parimeve).
Shtresa e dytë e diferencimit është ndërmjet serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në komunat e përfshira në Asociacion/Bashkësi, dhe qytetarëve të etnive të tjera, të cilët jetojnë në këto komuna. Asociacioni/Bashkësia është etnocentrike dhe kjo shprehet edhe nga titulli: “komunat me shumicë serbe”, në vend që të përdoret një terminologji tjetër e cila nuk është përjashtuese në bazë të linjave të identitetit shoqëror (p.sh., përmendja e komunave me emrat e tyre zyrtarë).
Sikurse është shtjelluar më sipër, korniza ligjore si dhe standardet e aplikueshme ndërkombëtare nuk parashikojnë që bashkëpunimi i komunave të motivohet nga objektivi i përparimit të interesave të grupeve të veçanta, etnike ose grupeve të tjera, të cilat jetojnë ose banojnë në ato komuna. E vetmja bazë legjitime dhe ligjore për bashkëpunim ndërmjet komunave, duke përfshirë edhe formimin e asociacionit, është avancimi i interesit të komunave, si një e tërë, domethënë i të gjithë qytetarëve që jetojnë ose që banojnë brenda tyre, pavarësisht përkatësisë etnike.
Nuk ndodh kështu me Asociacionin/Bashkësinë dhe kjo reflektohet edhe në Parimet e Asociacionit. Një boshnjak, i cili jeton në Leposaviq, ose një rom që jeton në Graçanicë, për shembull, edhe pse mund të paguajë taksa dhe të votojë në komunën e tij përkatëse, nuk do të ketë të drejtë të përfaqësohet nga Asociacioni/Bashkësia vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike. Gjithashtu, atij do t’i mohohet përdorimi i të drejtës për t’u zgjedhur apo për t’u punësuar në pozita të caktuara dhe në funksione të krijuara nga Asociacioni/Bashkësia. Kujtoj se, sipas paragrafit 9 të Parimeve, “Asociacioni/Bashkësia do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritetet qendrore”.
Diferencimi institucional ndërmjet grupeve, duke përfshirë grupet etnike, jo vetëm që lejohet, por ndonjëherë është i nevojshëm për të zgjidhur nevoja të veçanta dhe aspirata socio-politike. Megjithatë, diferencimi asnjëherë nuk duhet të mishërojë apo të prodhojë pabarazi. “Të ndarë, por të barabartë” nuk është formula që aplikohet në Parimet e Asociacionit. Për rrjedhojë, diferencimi në trajtim i grupeve të ndryshme, i bazuar ekskluzivisht në elementë racialë, siç është përkatësia etnike, rezulton me diskriminim.
Është e rëndësishme të nënvizohet se Kushtetuta dhe instrumentet ligjore ndërkombëtare përkatëse parashohin trajtimin e grupeve specifike në mënyrë të veçuar, në një kuptim pozitiv. Megjithatë, kjo mund t’u shërbejë vetëm dy objektivave legjitime: ruajtjes së të drejtave të caktuara specifike dhe lirive që burojnë nga identitetet sociale të ndryshme të grupeve të caktuara, ose arritjes së qëllimit të barazisë ndërmjet grupeve të ndryshme.
Në rastin Sejdić dhe Finci kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) ka vërtetuar: “… Diskriminimi është trajtimi i ndryshëm, pa një qëllim objektiv dhe justifikim të arsyeshëm”, të personave në situata të ngjashme. “Pa një qëllim objektiv dhe justifikim të arsyeshëm” nënkupton se dallimi në këtë drejtim nuk ndjek një qëllim legjitim apo se nuk ekziston ndonjë marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që kërkohet të arrihet.
Më tej, pas nënvizimit se “përkatësia etnike dhe raca janë koncepte të ndërlidhura”, GJEDNJ-ja ka konstatuar: “… aty ku diferencimi në trajtim mbështetet në një racë apo përkatësi etnike, nocioni i justifikimit objektiv dhe të arsyeshëm duhet të interpretohet në mënyrë sa më rigoroze të mundur”. GJEDNJ-ja ka nënvizuar se neni 14 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut:
“… nuk i ndalon Shtetet Kontraktuese t’i trajtojnë grupet në mënyrë të ndryshme me qëllim që të korrigjojnë pabarazitë faktike midis tyre. Në fakt, në rrethana të caktuara, dështimi për t’u përpjekur për korrigjimin e pabarazive përmes trajtimit të ndryshëm mundet që, pa ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të shkaktojë shkeljen e këtij neni”.
Dokumenti i titulluar “Parimet e Asociacionit” nuk ofron as justifikim objektiv dhe as justifikim të arsyeshëm për këtë diferencim të dyfishtë në trajtimin që ai prodhon. Për rrjedhojë, unë i qëndroj mendimit se diferencimi dyshtresor, i krijuar nga Parimet e Asociacionit, shkel parimet e shumetnicitetit dhe të mosdiskriminimit të Kushtetutës.
Përfundim
Si përfundim, unë me respekt nuk bie dakord me vendimin e nxjerrë nga shumica e gjyqtarëve në rastin KO130/15 dhe shpreh mospajtimin tim ndaj këtij vendimi, meqenëse jam i mendimit që Parimet e Asociacionit, si një akt ligjor, prodhojnë efekte të konsiderueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo pasojë manifestohet në papajtueshmëri kushtetuese, e cila buron nga rënia ndesh e shumë dispozitave të Parimeve të Asociacionit me disa prej parimeve thelbësore të Kushtetutës.
Zbatimi i plotë i Parimeve të Asociacionit brenda kuadrit të rendit kushtetues aktual të Republikës së Kosovës do të përbënte një anomali kushtetuese. Për rrjedhojë, për ta shmangur këtë, ose duhet të ndryshohet Kushtetuta, me qëllim që të krijohet një kornizë kushtetuese që lejon zbatimin e Parimeve të Asociacionit, ose duhet të ndryshohen dhe të riformulohen në mënyrë kuptimplotë Parimet e Asociacionit (së bashku me legjislacionin zbatues), me qëllim që të jenë në pajtim me Kushtetutën.
Në përpjekje për të gjetur një rrugë të mesme, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës ka marrë një vendim i cili, për mendimin tim, nuk e parandalon vazhdimin e mospajtueshmërisë kushtetuese ndërmjet Parimeve të Asociacionit dhe Kushtetutës.
Dorëzoi me respekt,
Bekim Sejdiu
Gjyqtar
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment