KUSH ËSHTË SOJ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Dikur moti, mblidhen në Malësi të Gjakovës pleqtë e bajraqeve me qëllim që ta përcaktojnë se kush është soj, pra fisnik, bujar, me një fjalë njeri që respekton kodin e vlerave morale.

Asokohe oda e burrave zakonisht ndodhej në katin e parë, mu mbi ahër ku i strehonin bagëtinë.

Pas nja një muaji, e Zonja e shtëpisë që i milte për çdo ditë lopët në ahër, vetë më vete thotë:

“Si është e mundur që gjithë këta burra të mos e zgjidhin një problem kaq të thjeshtë.“

Me këtë rast nuk duhet harruar edhe faktin se asokohe ka qenë skamje e madhe dhe t’i mbajsh mbi 30 burra në shtëpi, me ushqim e me të gjitha për një kohë aq të gjatë, nuk ka qenë e lehtë… Dhe gati të gjitha përmes duarve të saj…

Prandaj, një ditë vendos dhe, pasi i fshinë duart në pshtjellak, ngjitet lart në odë.

– Bajraktar, a jeni lodhë?

– Jo, Zoja e sh’pisë, por çështjen që po duam ta zgjidhim sa po i afrojmë mendimet, po na del diçka tjetër dhe po bëhemi pikë e pesë…

– A i merrni parasyshë ju edhe mendimet e grave?

– Unë po, tha Bajraktari, por po i pyes edhe këta të tjerët…

Pasi e shtron çështjen, i pari i mbledhisë, më në fund pajtohen të gjithë që t’ia japin fjalën edhe Zojës së sh’pisë.

– Soj është ai që nuk e harron kurrë të mirën që ia ka bâ dikush, u tha gruaja e urtë!

– Eu po e thjeshtë paska qenë, he ma Zot ma keq për ne, tha kryeplaku.

Dhe mbeti ashtu siç tha e Zoja e sh’pisë…

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*