Lamtumirë, Arben

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pas një lufte të pabarabartë me sëmundjet, si sot 7 vjet vdiq Arben Xhaferi; vdiq intelektuali i mprehtë, mendimtari i thellë, politikani e strategu i jashtëzakonshëm. Vdiq një Burrë i Madh që do të na mungojë të gjithëve, do të na mungojnë fjala, këshilla, vizioni i tij profetik dhe qetësia e tij. E kam njohur në njërin prej udhëkryqeve më të mëdha të historisë sonë; kur po shpërbëhej Jugosllavia. Kishte dalë jashtë me kolegë të tjerë të Radiotelevizionit të Kosovës, të cilin posa e kishin mbyllur pushtuesit serbë. Kishin dalë për ta mbrojtur institucionin e tyre. Ishte një delegacion laraman, të cilit i jepte peshë sidomos Arben Xhaferi. Ai shkëlqente me qëndrimin e tij origjinal, me fjalët e pakta të shqiptuara me gjysmë zëri, me mendimet e renditura me një logjikë të pathyeshme.

Më vonë ai shkoi në Tetovën e tij, atje ku e prisnin dhe ku duhej të ishte. Në skenën e turbullt politike të një shteti tipik ballkanas arriti të imponohet si lider i pakapërcyeshëm i shqiptarëve në Maqedoni dhe, pavarësisht se sëmundja e detyroi të largohej nga politika, ai vdiq duke qenë ideologu më origjinal i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në kapërcyell të dy shekujve vendimtarë.

Ishte një burrë krejt i veçantë, që çdo gjë ia nënshtronte interesit të kombit. Ishte një analist i hollë që njihte historinë, kulturën, letërsinë dhe mendimin politik të popujve të Evropës Juglindore si rrallëkush tjetër.

Në shkrimet e tij ai nxirrte në pah, me talent të jashtëzakonshëm, sidomos thelbin e synimeve strategjike të Serbisë në rajon e që përmblidhet në vetëm një fjali: përpjekje sistematike dhe me të gjitha mjetet e mundshme për t’i nënshtruar fqinjët dhe për t’i zgjeruar territoret në dëm të tyre.

Lufta në mes të së Mirës dhe të së Keqes është e përjetshme. Derisa Arbeni ishte në përballjen e fundit me sëmundjet, ajatollahët e vegjël, ata shpirtra të neveritshëm përpiqeshin të hidhnin baltë mbi të me mallkimet e tyre primitive. Nuk është çudi, sepse Ai ishte gjithnjë halë në sy të rrënuesve, demagogëve, sharlatanëve, sahanlëpirësve, spiunëve, plangprishësve, mujsharëve, mediokërve, hileçarëve, kodoshëve…

Në këtë rrokopujë të përmbysjes së sistemit të vlerave në krejt hapësirat shqiptare, Arbeni u përpoq seriozisht t’i vërë gjërat në vend, për t’u ditur ku është koka e ku janë këmbët, për t’u vënë distanca e saktë në mes mendjes dhe grushteve, në mes vlerave dhe pisllëqeve, në mes idealizmit dhe hipokrizisë…

U përpoq me krejt energjinë për ta shporrur të Keqen nga vetja jonë, të keqen e madhe e të gjithëpranishme, që në vazhdimësi na ka lënë në margjinat e historisë.

Vetëm një gjë më ngushëllon sonte. Arbeni vdiq pasi e pa Kosovën të lirë. Kjo është një ëndërr që krejt brezit të tij ia bën vdekjen më të lehtë.

Lamtumir, Shoq, lamtumirë Vëlla!

Nacionalizmi shqiptar ka mbetur pa dalëzotësin e vet.

Prandaj, Flamuri shqiptar, në çdo përvjetor të ikjes tënde, në shenjë pikëllimi për ty, meritueshëm kudo që valon duhet të pehatet në gjysmështizë!

Arben, dije se ke lënë shumë njerëz pa krahë dhe shumë të tjerë i ke kredhur në pikëllim të papërshkrueshëm. Shumë më tepër se që ke mundur ta imagjinosh ndonjëherë.

Prehu se të kanë dërrmuar sëmundjet, por shumë më tepër marrëzitë e shqiptarëve.

Ngushëllohu me faktin se gjithmonë e ke kryer detyrën ndaj kombit.

E në një jetë njeriu kjo është më e rëndësishmja.

Miku im i shtrenjtë, përgjithmonë, Lamtumirë ! 

Shkrimi është botuar me 20 gusht 2012. Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*