Lamtumirë ma e mira jonë!

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Sot paskesh ikur përgjithmonë nga kjo bote mizore, motra jone, ma e mira, Rufadia!
Gjithë jeta e saj ishte përpjekje, paepësi, përkushtim dhe kurajë!
Ajo ishte nga ata të rinj të Tomocit, pavarësisht se a ishin Shatraj a jo, që kishin marrë botën në sy me një betim të zjarrtë në shpirt:
Kurrë mos me i thanë robnisë Tungatjeta:
Dhe me u kthye në trojet e moçme gjithsesi dhe bashkë bashkë me lirinë !
Por kjo jetë është fort e pabesë, fort mizore, tepër e ligë.
Taman kur u realizua kryendërra jonë e përbashkët, taman kur Serbia kishte ikur nga Kosova me bishtin nën shalë, një sulm i pabesë në tru ia paralizoi trupin; duke e lënë përgjithmonë pa këmbë, pa duar e pa gojë!

Agonia e saj zgjati 12 vjet.
12 vjet e kapur për shtrati;
12 vjet pa gojë;
12 vjet, duke parë Diellin vetëm nga dritarja;
12 vjet pa pasur mundësi ta këmbejë normalisht qoftë edhe një fjalë goje të vetme me njerëzit e zemrës;
12 vjet, e privuar nga çdo përshendetje tjetër me familjarë e miq, pos me shikimin e trishtë në fund të të cilit shkëlqente paarreshtur një gacë e pashuar kryengritëse, si mesazh ultim mosdorëzimi.

2.

U ndamë krejt të njomë në Prishtinë, me ëndërrën rinore të Lirisë në gji, për t’u takuar shumë vjet më vonë, në mërgim, pas burgjeve e krajatave që nuk përshkruhen.
Si sot me kujtohet imazhi i saj në Prishtinën e fillimviteve shtatëdhjetë. Ishte krejt njomake, por e bukur si një yll, e bardhë si zambak e krenare si Bjeshka përballë Vendlindjes!
Kur u pamë, pas aq vitesh, nje kohë të gjatë u shikuam në sy, në përpjekje për t’i lidhur dy kohë. Për ta harrnuar disi rininë e këputur në midis!
Ishin kohë tepër të rënda: Vrasja e prijësve në Helbron, nuk lejonte as kohë e as hapësirë për tundim. Duhej të ecim përpara dhe bashkë, përmes iluzionesh e zhgënjimesh të përditshme, shpeshherë duke ecur edhe të zbathur nëpër tehun e shpatës. Me gjakimin për Liri dhe me premtimin dhënë Vendlindjes: Kurrë mos sme u ndalë, dhe kurrë mos me u koritë!
Ishin kohë e rrethana të rënda që na sprovuan me gjithëçka, që na poqën e na plakën ani se ende ishim të njomë.

3.

Pas sëmundjes së tmershme, kam shkuar vetëm njëherë ta vizitoj. Nuk kam fjalë që mund ta përshkruaj atë takim të tmershëm:
Ajo ishte e shtrirë, një buzqeshje e qiltër i pehatej nëpër fytyrën e saj të bukur ëngjellore. Nuk ishte kishte mbetur as hija e vetëvetës.
E përjetonte tepër rëndë verdiktin e tmershëm e të padrejtë të jetës.
Nuk e di as vet se si u ndamë!
U ndamë për të mos u takuar më kurrë!
Është nga njerëzit e mi të paktë që i kam hy në hak. Dhe mea culpa ime është tmerrësisht përunjëse, tmerrësisht përvuajtëse.
Kur jam ndarë prej saj e kam ditur se nuk do ta shoh më kuuurrë.
Për të vetmën arsye se, pas vizitës, m’u desht shumë kohë për të ardhur në veti, për t’u pajtuar me dënimin e tmershëm që ia kishte shqiptuar jeta një qenieje aq të mirë.

4.

Rufadia jonë e shtrenjtë!
Motra jonë
Më e mira!
Trimnesha jonë!
Burrnesha e Tomocit!
Ti sonte, pas shtegëtimesh të mëdha, do te vendosesh në banesën e përjetshme.
Aty nuk do të jetë askush me ty!
As ata që të mëkuan me gjithëçka.
Do të jesh krejt vetëm.
Ndërsa Tomocin duhet ta pllakosur sonte, një terr i zi.
Degët e plepave të mëdhenj, të zhveshur nga gjethet, do të qajnë sonte për ty.
Dhe do të kërcasin nën peshën e korbave të zi!
Rrugët e Tomocit do të jenë të shkreta sepse vëllezërit dhe motrat tua, të shpërndarë gjithandej nëpër botë, nuk do të mund të vijnë as për një grusht dhé e lotë mbi vorrin tënd.
Por kur të vjen pranvera. E ajo do të vijë patjetër. Atëherë Ata e ato do të vijnë me ta pa vorrin, e me ta mbjellë ndonjë lule Tomoci.
Me ta lëshu një za…, një za zemre të plastë:
Ku je ma e mira jonë?!
Ku je Burrnesha jonë?!
Ku je Motra jonë?!
Ku je Trimnesha jonë?!…

5.

Në pranverën që vjen, fluturat në Tomoc do t’i kenë vetëm dy ngjyra;
Të bardha si zambakë, siç ishte fytyra jote engjëllore:
Ose bojëqielli, siç ishin sytë e tu endërrimtarë!

6.

Sa do të dëshiroja të të shoh nëpër Tomoc, duke iu gëzuar lirisë;
Duke folur me zogjtë.
Dhe duke u marrë erë jorgovanëve.
Sa do të dëshiroja të ishim ulur bashkë në cep të rrugës, në gurin bri Urës së Vjetër, në Tomoc.
Për të folur bashkë për Shkup e për Shkodër!
Për lirinë që na erdhi si një lule e shkelur!
Për Kosovën dhe për shqiptarët, për shqiptarët që mashtrohen kaq lehtë.
Po edhe për Serbinë, të cilën paria jonë e sajuar e paskesh njohur aq pak.

7.

Motra ime e Paepur!
Vdekja jote me ka gjetur krejt gafil dhe, derisa po i rëndisja nëpër mendje, idetë e kësaj Lamtumire, si nëpër ethe, me erdhi mendimi vetimëtar: Më mirë që ke ikë nga kjo botë e jetë mizore.
Se shkoi tepër gjatë mbijetesa në agoninë pambarim.
Beteja me sëmundjen e tmershme ishte e gjatë dhe e pabarabartë. Sepse ti, të gjitha do të mund t’i përballoje, por kurrsesi poshtrim-nënshtrimin që ta impononte sëmundja e pamëshirshme!
Kur e mendova, me këmbë në tokë, vdekjen tënde, u binda se më mirë që të mori vdekja, sepse vërtetë nuk kishte rrugë tjetër për t’u dhënë fund dhe, njëherë e mirë, vuajtjeve, zhgënjimeve e dhimbjeve tua të pafundë!

8.

Lamtumirë, Rufa jonë!
Përgjithëmonë, Lamtumirë!
Pusho tash Motra jeme, Njeriu i gjakut e i dheut tim, pusho përjetësisht;
Sepse, në fakt, askush sa ti nuk kishte nevojë me e braktisë pa keqardhje e pa lamtumirë këtë jetë të pabesë, të ligë e të rrejshme!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code